OMBUDSMANI i BE-së

Spread the love

OMBUDSMANI i BE-së

Dr Selim IBRAIMI Ombudsmani i BE-së (OEU) i ka kërkuar Komisionit Evropian (KE) që të merret urgjentisht me vonesat sistematike në trajtimin e kërkesave për qasje në dokumente duke vënë në dukje se “nevojitet një rishikim themelor në mënyrë që të respektohen afatet e përcaktuara me rregulloren e transparencës së BE-së”. Hetimi i Ombudsmanit ka zbuluar se kur një individ i kërkon KE-së të rishikojë dokumentet, atëherë komisioni i ka dhënë hyrje të pjesshme në dokumentet e kërkuara.

Siç shihet qytetarët e BE-së kanë shumë probleme apo ndeshen me burokracinë e institucioneve të BE-së dhe të shteteve anëtare. Dhe për këtë arsye është themeluar Ombudsmani i BE-së i cili punon për të promovuar administrimin të mirë të institucioneve të BE-së. “Ombudsmani i heton ankesat për keqadministrim nga institucionet dhe organet e BE-së dhe gjithashtu shqyrton në mënyrë proaktive çështje më të gjera sistemike”, thuhet në dokumentin themelues të Ombudsmanit të BE-së.

Ombudsmani ka një strategji të qartë që synon të arrijë disa qëllime si: ndikimi pozitiv i qëndrueshëm në administratën e BE-së, forcimi i bashkëpunimit dhe dialogut me institucionet e BE-së etj etj. Vazhdimi i punës së Ombudsmanit përfshin identifikimin e tendencave sistematike në administratën publike, dhe vlerësimin e implikimeve të tyre për demokracinë evropiane. Po ashtu Ombudsmani ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve për veprimtarinë e Ombudsmanit.

Rritja e mëtejshme e efikasitetit të punës së Ombudsmanit dhe çështjeve tjera të organizimit të zyrës, gjithashtu mbetet parësore për Ombudsmanin. Për lexuesit tanë është më rëndësi të theksohet se për këtë trup evropian pra Ombudsmanin, ekziston një traktat i BE-së se si duhet të funksionojë ky organ. Në nenin 228-të thuhet:” Ombudsmani, i zgjedhur nga Parlamenti Evropian, do të autorizohet të marrë ankesa nga çdo qytetar i BE-së ose çdo person fizik ose juridik që banon ose është i regjistruar në një shtet anëtar në lidhje me rastet e keqadministrimit në aktivitetet e institucioneve të BE-së, organet, zyrat ose agjencitë, me përjashtim të Gjykatës së Drejtësisë së BE-së”.

Ombudsmani duhet të shqyrtojë ankesat e të gjithë qytetarëve dhe duhet të raportojë pranë dhomave të PE-së për ecurinë e punës. Më tej në përputhje me detyrat, Ombudsmani i BE-së kryen hetime për të cilat gjen arsye, qoftë me nismën e tij ose në bazë të ankesave që i janë paraqitur drejtpërsëdrejti nëpërmjet një deputeti të PE-së. Kur Ombudsmani konstaton një rast keqadministrimi, ai ia referon çështjen institucionit përkatës, i cila ka një periudhë prej tre muajsh për ta informuar atë për vendimin. Ombudsmani më pas i përcjell një raport PE-së.

Personi që paraqet ankesën duhet të informohet për rezultatin përfundimtar të këtyre hetimeve. Në dokument thuhet se Ombudsmani i paraqet PE-së një raport vjetor mbi rezultatin e hetimeve të zyrës. Ombudsmani zgjidhet pas procesit zgjedhor për në PE me të drejtë riemërimi. Ombudsmani mund të shkarkohet nga Gjykata e Drejtësisë me kërkesë të PE-së. Ombudsmani Evropian u krijua me Traktatin e Mastrihtit me kryetarin e njohur Jakob Soderman të Finlandës, i cili u zgjodh nga PE-ja në vitin 1995. Ombudsmani aktual është femër dhe ajo është Emili O’Reilly që vjen nga Irlanda e cila e mori detyrën më 1 tetor të vitit 2013. Ombudsmani zgjidhet për një mandat pesëvjeçar.

Me kërkesë të PE-së Ombudsmani mund të shkarkohet nga Gjykata e Drejtësisë nëse ai ose ajo nuk i plotëson më kushtet e kërkuara për kryerjen e detyrave ose nëse është fajtor për shkelje të rënda duke u bazuar në “Nenin 228 të Traktatit për funksionimin e BE-së”.

Mbi 22 mijë raste në vit Ombudsmani Evropian i shqyrton, duke dhënë përgjigje për çdo lëndë apo problem që i shqetëson qytetarët e BE-së. Ombudsmani Evropian dallon nga ato ombudsmanët e shteteve ballkanike që mbajnë anën e qeverisë dhe të institucioneve qeveritare. Për më shumë shih atë të Maqedonisë së Veriut dhe të vendeve të bllokut ish-socialist.


Spread the love


Leave a Reply