“Si makina pa gomë rezervë”

Spread the love

“Si makina pa gomë rezervë”

Fituesi i çmimit Nobel Joseph E. Stiglitz* flet për agresionin dhe luftën e Putinit, krizën globale të borxhit, termocentralet bërthamore gjermane dhe mënyrat për të dalë nga kriza.

_____________________________________________________________________________

Fjalinë e mëposhtme e plason nën fotografinë e nobelistit (SR)

Fituesi i çmimit Nobel për Ekonomi, Joseph E. Stiglitz ka prioritete të qarta në krizën e shumëfishtë.

_____________________________________________________________________________

Intervista është realizuar nga Michael Bröning.

Duke parë zhvillimet aktuale politike, krijohet përshtypja se po kalojmë nga një krizë në tjetrën. A ka ndonjë zhvillim që ju shqetëson veçanërisht?

Kriza më serioze në botë për momentin është padyshim pushtimi rus i Ukrainës. Është e qartë. Kërcënimet dhe irracionaliteti i Putinit janë shqetësues për të gjithë. Shqetësim i veçantë është se kemi të bëjmë me një sundimtar autoritar, dhe ndoshta jo tërësisht racional, i cili është i papenguar.

Dollari amerikan po forcohet çdo ditë e më shumë. A ka arsye për t’u frikësuar nga një krizë e re ndërkombëtare borxhi me pasoja veçanërisht në Jugun Global?

Unë e shoh këtë zhvillim me shumë shqetësim. Shumë vende ishin tashmë të ngarkuara me borxhe të mëdha para pandemisë. Situata është përkeqësuar për shkak të pandemisë dhe më pas për shkak të luftës në Ukrainë. Një faktor tjetër përkeqësues është ndryshimi i klimës. Rezultati është rritja e çmimeve të ushqimeve dhe energjisë, dhe bankat qendrore tani po i përkeqësojnë gjërat duke rritur normat e interesit, duke forcuar kështu dollarin. Ky është një problem i madh për shumë vende që kanë borxhe në dollarë. Nuk mendoj se rritja e normave të interesit do të ndryshojë shumë normën e inflacionit, sepse arsyeja kryesore e rritjes së çmimeve është mungesa e mallrave të caktuara. Nëse lufta në Ukrainë do të përfundonte, kjo mungesë mallrash do të përfundonte – përveç nëse OPEC vendos të përfitojë nga kaosi aktual dhe të rrisë çmimet e energjisë.

Shumë banka qendrore në mbarë botën aktualisht po rrisin normat e interesit. Nga një këndvështrim politikisht progresiv, a ka një alternativë të qëndrueshme për rritjen e normave të interesit?

Ekziston një alternativë. Problemi i inflacionit është kryesisht për shkak të mungesës së përkohshme të furnizimit. Reagimi i duhur do të ishte përdorimi i politikës fiskale për të zbutur pasojat e kësaj shtrydhjeje të ofertës. Rritja e normave të interesit, megjithatë, përkeqëson pengesat e ofertës, sepse pengon investimet dhe në këtë mënyrë e përkeqëson më tej situatën. Kjo më shqetëson vërtet. Një shembull: Kemi problem me çmimin e energjisë. Do të kishte shumë kuptim nëse do të investonim masivisht në zgjerimin e rrjetit të burimeve të energjisë miqësore me mjedisin dhe rigjeneruese. Nuk është se ne zbulojmë puse të reja nafte çdo ditë. Por ne dimë se si të prodhojmë energji të gjelbër të lirë dhe shumica e lëndëve të para të nevojshme për ta bërë këtë janë në dispozicion. Ne mund të investojmë në burimet e rinovueshme të energjisë në një shkallë të gjerë.

Gjermania kohët e fundit vendosi të lërë disa termocentrale bërthamore të funksionojnë më gjatë për t’u përballur me krizën. A mendoni se është veprim i duhur në këtë moment?

Kur bëhet një luftë, kjo ka përparësi ndaj problemeve të tjera. Unë mund të kuptoj hezitimin për të përdorur energjinë bërthamore dhe shqetësimin që shkaktoi në Japoni pas aksidentit të reaktorit. Megjithatë, shumica e shkencëtarëve besojnë se tejzmadhimi i këtij shqetësimi është i pabazë. Në fund të fundit, ne duhet të marrim vendimin se cilat rreziqe janë më të mëdha. Sipas vlerësimit tim, rreziku më i madh tani është që Rusia ta fitojë këtë luftë. Kjo do të ishte një formë e imponuar e qetësimit dhe do të minonte të drejtën ndërkombëtare. Do të jepte gjithashtu provë se agresioni mund të shpërblehet. Kjo është arsyeja pse unë mendoj se është thelbësore që ne duhet të fitojmë, nëse duam një të ardhme të qëndrueshme. Ky është prioriteti. Zgjatja e jetës së termocentraleve bërthamore në kushte të sigurta nuk është aq e rrezikshme sa një fitore ruse.

Historia ka treguar se ndikimi politik i krizave ekonomike mund të jetë i shumëanshëm, kompleks dhe jashtëzakonisht negativ. A mendoni se bota ka mësuar ekonomikisht nga viti 2008 dhe valët e mëparshme të krizave, apo jemi të dënuar të përsërisim historinë, ose të paktën një jehonë të historisë?

Proceset mësimore zhvillohen me hapa shumë të vegjël. Duhet të kishim mësuar nga kriza e vitit 2008 se ekonomia e tregut nuk është veçanërisht elastike. Ajo nuk i merr parasysh rreziqet. Siç dihet, llogaritjen e bën pa ndryshime klimatike. Në vitin 2008 ne pamë se tregjet financiare nuk ishin të qëndrueshme ndaj krizës. Më pas, pandemia na e bëri të qartë se jo vetëm tregjet financiare nuk kanë qëndrueshmëri, por gjithë rendi ynë ekonomik. Është pak a shumë, si të bësh makina pa goma rezervë. Kjo shkon mirë derisa të keni një gomë të dëmtuar. Në përgjithësi, ne ndërtuam një sistem ekonomik që ishte tepër dritëshkurtër dhe injoronte rreziqet.

Në vitin 2006, unë shkrova në librin tim “Mundësitë e Globalizimit” se nuk ishte e mençur që Gjermania dhe Evropa të vareshin kaq shumë nga gazi rus. Unë thashë në atë kohë që nuk duhet të jesh i qartë për të parë se nuk mund të mbështetesh te Rusia. Fatkeqësisht, doli se kisha të drejtë me këtë vlerësim. Në të kaluarën, tregjet i kanë injoruar rreziqet. Ky është një leksion që ne nuk e kemi përvetësuar mjaftueshëm pas vitit 2008. Shpresoj që ky realizim ka mbërritur tani në ndërgjegjen tonë.  [Përkthyer nga gjermanishtja: SHGJ]

* Joseph E. Stiglitz është profesor në Universitetin e Kolumbisë dhe ishte Kryetar i Këshillit të Këshilltarëve Ekonomikë në administratën e Klintonit dhe Zëvendës President i Lartë dhe Kryeekonomist i Bankës Botërore. Në vitin 2001 ai mori çmimin Nobel në Ekonomi.


Spread the love


Leave a Reply