Targat e veturave janë pjesë e juridiksionit sovran

Spread the love

Targat e veturave janë pjesë e juridiksionit sovran

Nga Dr Sadri RAMABAJA

Prishtinë, 21 tetor – Serbia as në kulmin e luftës (1998/99), që kishte për qëllim ndryshimin e hartës demografike të Kosovës, (si kishte vepruar në vitet 1877/8 me Toplicën, Pusta Rekën e Sanxhakun e Nishit), nuk ishte më larg Europës. Ajo tashmë duhet të përcaktohet për rirreshtimin e pritshëm: do të jetë satelit i Rusisë tutje në Europë, apo do t’i bashkohet Perëndimit.

Në këtë ripozicionim Serbia duhet t’i jap fund gjakimit për rikthimin e mundshëm në Kosovë në trajtën që ishte -si kolonizatore, në rast se shkëputet nga Rusia, e të fillojë të ndërtojë raporte të fqinjësisë së mirë dhe pajtimit me shqiptarët.

Në këtë proces Europa po e ndihmon, duke i ofruar jo vetëm shërbime diplomatike të mira, por edhe oferta e mundësi prosperimi ekonomik.

Por zërat brenda diplomacisë europiane që aplikojnë tutje gjuhën e stilin e ambiguitetit, duke mos e trajtuar tutje Kosovën si shtet i pavarur, pavarësisht se 22 shtete të BE-së janë pozicionuar pro pavarësisë së Kosovës dhe rendit të ri në këtë pjesë të kontinentit tonë, flet për nevojën urgjente të rishikimit të politikës së Brukselit jo vetëm në raport me Beogradin, por edhe në raport me pesë antarët e tij që po ndihmojnë Beogradin të mbajë këtë pozicion që ka.

Në një intervistë që sot i dha REL, shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell deklaron: “Ju e dini, në rolin tim, unë duhet të përpiqem të kuptoj çdo pozicion. Pozicionet e serbëve dhe të kosovarëve. Çfarë qëndron pas kësaj çështjeje të identitetit, të qenët në një shtet, të qenët komb, të mos njihet nga shumë vende të botës, edhe brenda Bashkimit Evropian… E kemi zgjidhur problemin e kartave të identitetit dhe le të themi pasaportës, lëvizjes së lirë të njerëzve. Çështja e targave është më e vështirë për t’u zgjidhur…”

Ndërkaq më poshtë, me gjuhën tipike që burim ka ambiguitetin politik, deklaron:

“Jam duke nxitur diçka që mund ta pranojnë të dyja palët”, thotë Borrell për Radion Evropa e Lirë.

Ky pozicionim i kryediplomatit europian ishte një sinjal jo I duhur për Beogradin dhe ai, qartë, bie ndesh me interesat e vet BE-së.
Prandaj është e vetkuptueshme krekosja e presidentit serb sot fill pas takimit me ambasadorët e vendeve të QUINT’it, kur para mediave thot se  nuk ka asnjë lëvizje, madje “as një milimetër” në drejtim të zgjidhjes së çështjeve të targave.

Targat neutrale, si një specie embrionale për”Republikën Srpska” ,që do të shpjente drejt federalizimit të Republikës dhe defunksionalizimit të plotë të saj, meqë kështu në themel cënohet vet juridiksioni sovran i Republikës, duket se i parapëlqen të jetë “zgjidhja” e duhur për zotin Borrel.

Dikur njëri nga liderët e Kosovës fliste për këtë formë të zgjidhjes “Kosova e hapur ndaj Serbisë dhe ndaj Shqipërisë”!

Zoti Borrel duket se flet si ish ministër i jashtëm i Spanjës, jo si përfaqësues i Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së. Apo ka huazuar stilin dhe metodën e ish politikanit tonë që kishte iluzione se Serbia një ditë në të gdhirë do të tërhiqet nga Kosova falë lutjeve të tij të të premtes?!

Zoti Borrel, Kosova më 17 Shkurt 2008 i ka dhënë fund pozicionit të saj kolonial me Serbinë – ka shpallur mëvetësinë. Këtë status të kolonisë së fundit në Europë, pavarësisht se si i proces ai ishte përmbyllur edhe në Afrikë, Serbia po vazhdonte ta kultivojë në Kosovë deri në 12 qershor 1999. Ishte pikërisht qëndrimi i kancelarive europiane aleate të Serbisë tradicionalisht, që po ia rezervonte Serbisë tutje atë status të kamufluar në formën e neokolonisë, deri më 17 Shkurt 2008.

Kosova z. Borrel, ka vite që po ndërton fizionominë e vet si shtet i pavarur. Ndërkaq duke kultivuar në qeverisje demokracinë progresiv, ndërkohë mëton të jetë pjesë e shtëpisë së përbashkët europiane (BE), të cilën Ti e përfaqëson në politikën e saj të jashtme.

Targat e veturave janë pjesë e juridiksionit sovran, respektivisht sistemit të sigurisë së shtetit. Koha për veprime duale po kalon.

Serbia duhet të mësohet të respektojë pavarësinë dhe autonominë e veprimit të institucioneve të saj, por këtë duhet ta kuptoni edhe ju z Borrel.

Ka ardhur koha që përveç Beogradit, edhe pesë shtetet e BE-së, ta kuptojnë dhe pranonë realitetin faktik se, në një cep të Dardanisë antike, tashmë funksionon Republika e Kosovës.

Ky realitet do të jetë i tillë, derisa të krijohen rrethana të reja që, krejt ngjashëm me Gjermaninë Federale dhe Gjermaninë Demokratike, dy republikat egzistuese shqiptare sot, të ecin drejt bashkimit të natyrshëm.


Spread the love


Leave a Reply