Williams: Kosova duhet të paraqesë një vizion strategjik gjithëpërfshirës  

Spread the love

Williams: Kosova duhet të paraqesë një vizion strategjik gjithëpërfshirës

Paul Williams, profesor i Universitetit Amerikan në Uashington dhe ekspert i së drejtës ndërkombëtare, është angazhuar me çështjen e Kosovës që para 30 vjetësh. Ai luajti rol për të ndikuar që qeveria dhe udhëheqja amerikane t’i kushtonin vëmendje Kosovës, ishte këshilltar për delegacionin e Kosovës në Rambuje dhe më pas ndihmoi me ekspertizë për hartimin e kushtetutës së re të Kosovës, si edhe në negociatat për statusin përfundimtar. Prof. Williams foli në një intervistë për Zërin e Amerikës për arritjet dhe sfidat në 15 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Zëri i Amerikës: Kanë kaluar 15 vjet që kur Kosova shpalli pavarësinë e cila u miratua një ditë më pas nga Shtetet e Bashkuara. Nëse hidhni një vështrim pas, a është ajo që prisnit të shihnit 15 vjet pas pavarësisë? Çfarë ka qenë e suksesshme dhe cilat janë disa nga sfidat që mbeten?

Prof. Paul Williams: Në Kosovë, por edhe çdo vend tjetër sot ka sfida, shqetësime dhe ankthe. Por që të jem plotësisht i sinqertë, po të shikosh pas, se me çfarë po përballeshin njerëzit në vitet ‘90 në Kosovë, po t’u thoshe në atë kohë se një ditë Kosova do të bëhej shtet i pavarur, askush nuk do të të kishte besuar. Ishte një regjim pranë aparteidit. Ishte shtypje nga regjimi serb.

Gjatë konfliktit kishte paraushtarakë serbë dhe krime qeveritare kundër njerëzimit. Bëhej fjalë vetëm për mbijetesë fillimisht gjatë qeverisjes paralele dhe aparteidit të viteve ’90 dhe më pas gjatë luftës, njerëzit thjesht përpiqeshin të mbanin gjallë veten dhe familjen e tyre.

Dhe pastaj Kosova u fut në rrugën e pavarësisë dhe shumë nuk e besonin realisht se do të bëhej e pavarur.

Ka aq shumë vende të cilave u është mbajtur gjallë shpresa për pavarësinë, por më pas u është mohuar në momentin e fundit. Kosova u bë shtet i pavarur dhe e them këtë sepse në 15 vjetorin ia vlen të ndalemi dhe të kuptojmë se sa përpara ka ecur Kosova. Po, ka sfida dhe ne do të flasim për to. Por duhet të ndalemi një moment dhe të vlerësojmë faktin që miliona kosovarë jetojnë në një vend të pavarur dhe mund të përcaktojnë vetë fatin e tyre politik.

Zëri i Amerikës: Megjithatë, ndonjëherë duket se është një pavarësi me kualifikime, edhe pse ajo është njohur nga mbi njëqind vende, Serbia nuk e njeh ende atë dhe vende të tjera kanë qenë të ngadalta ose nuk e kanë njohur. Kosova nuk është anëtare e OKB-së dhe situata me Serbinë ka pasur disa nga momentet më të ulëta gjatë muajve të fundit. Pse, sipas mendimit tuaj?

Prof. Paul Williams: Historia është një proces i papërfunduar, gjithmonë duke u negociuar. Çdo shtet sovran kërkon vazhdimisht të mbrojë sovranitetin e tij politikisht, ekonomikisht dhe territorial.

Shihni se çfarë po ndodh në Ukrainë për momentin. E shikoni se çfarë po ndodh në Sudan dhe vende të tjera. Kosova po bën të njëjtën luftë si pothuajse çdo vend tjetër në faza të ndryshme të zhvillimit të tij politik dhe historik. Mund të flasim se pse këto sfida amplifikohen nga dështimi i udhëheqjes amerikane dhe evropiane.

Por le të fillojmë me fjalinë tuaj të parë: Mbi njëqind shtete nga e gjithë bota e kanë njohur Kosovën si një vend të pavarur gjë që bën të padiskutueshme sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë politike të Kosovës. Dhe kjo përcakton të ardhmen e qytetarëve kosovarë, që ata të jenë anëtarë të një shteti të pavarur.

Për t’iu përgjigjur pjesës së dytë të pyetjes suaj, këto sfida për sovranitetin dhe pavarësinë politike të Kosovës përforcohen nga dy faktorë.

Njëri është dështimi i Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për të pranuar gabimet e politikës së tyre në Ballkan. Në Bosnje, Marrëveshja e Dejtonit nuk funksionoi. Çdo plan që synon të përsërisë ‘sukseset e Bosnjës’ është i vdekur që pa filluar.

Nuk mund të fillosh duke u mbështetur tek ai model i vjetër i ndasive etnike, kompetencave dhe privilegjeve të veçanta për grupe të caktuara etnike. Duhet të krijohet një identitet i përbashkët kombëtar. Po ashtu nuk duhet lejuar një shtet fqinj që të bëjë presion, nuk duhet lejuar Serbia të bëjë presion ndaj Kosovës. Kosova është një vend i pavarur, Serbia mund të ndajë mendimet dhe idetë e saj, por nuk ka të drejta dhe privilegje të veçanta në Kosovë dhe bashkësia ndërkombëtare mund të ushtrojë shumë masa presioni mbi Serbinë, dhe duhet ta bëjnë një gjë të tillë jo vetëm për marrëdhëniet me Kosovën, por edhe atë që po bëjnë me Grupin Wagner dhe lidhjet e tyre me Rusinë.

Zëri i Amerikës: Atëherë, çfarë shpjegimi do të jepnit, jo vetëm për atë që ju e quani dështim, por edhe për presionin e intensifikuar nga SHBA ndaj Kosovës lidhur me Marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe presione të tjera që në Kosovë shihen si më të forta se sa presioni ndaj Serbisë?

Prof. Paul Williams: Shpesh një shtet i fuqishëm ushtron presion mbi shtetin më të dobët për të marrë një ‘po’, për të arritur tek një marrëveshje. Dhe ushtrohet trysni ndaj miqve dhe aleatëve, edhe nëse ata janë më të dobët, sepse kjo është më e lehtë për t’u arritur sesa të ushtrosh presion ndaj një kundërshtari. Jam i befasuar që Shtetet e Bashkuara po e bëjnë një gjë të tillë, pasi nuk ka funksionuar në rastin e ish-Jugosllavisë, nuk ka funksionuar në aq shumë vende anembanë globit.

Por akomodimi, i cili ndonjëherë kthehet në lëshim, duket se është kursi i natyrshëm i funksionimit të diplomacisë. Nuk e kuptoj dot këtë lloj mënyre dhe kam 30 vjet që përpiqem ta kuptoj.

Kosovarët nuk duhet ta shohin këtë si diçka unike ndaj tyre, kështu veprojnë amerikanët, kështu veprojnë evropianët, është një betejë e vazhdueshme. Dhe ndonjëherë kjo betejë politike ia arrin t’i bëjë evropianët dhe amerikanët që të bëjnë presion mbi agresorin dhe të përdorin mjetet e tyre të fuqishme.

Nuk dua të dal nga tema por e njëjta gjë ndodhi me Ukrainën. Rusia mori Abkhazinë dhe Osetinë e Jugut nga Gjeorgjia, në vitin 2014 mori Krimenë dhe përgjigjia ndaj këtyre veprimeve ishte akomoduese, ishte një përgjigje pasive. U bë presion ndaj Ukrainës. E vetmja gjë që u realizua ishte që e bëri Rusinë më të guximshme. Pse nuk nxorrën mësim dhe pse nuk po e zbatojnë atë mësim tani në Kosovë? Nuk e kuptoj dot.

Zëri i Amerikës: Por çfarë mendoni se duhet të bëjnë udhëheqësit e Kosovës kur aleaeti më i rëndësishëm, ka dhënë garanci se situata nuk do të kthehet në një Republika Srpska?

Prof. Paul Williams: Po të këshilloja një klient pro bono unë do t’i thoja të nisej nga çështja më e vogël dhe Kosova e bëri këtë me shumë efektivitet me çështjen e targave, duke tërhequr vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar, evropianëve dhe amerikanëve, dhe funksionoi.

Por hapi tjetër është që të merremi me një çështje më të madhe dhe të mos ngecemi tek ajo e vogla.

Pra, kur amerikanët thonë se po japin garanci, le t’u kërkojnë amerikanëve që këto garanci të jepen me shkrim, t’i shprehin ato publikisht në nivelin më të lartë. Për shembull një nga kushtet të jetë pesë vendet evropiane që nuk e njohin Kosovën, ta njohin atë.

Duhet përdorur roli drejtues i Amerikës, aleati më i fortë dhe më i vendosur i Kosovës, por jo vetëm për të zgjidhur çështjen e vogël të Asociacionit. U bënë 15 vjet pavarësi. Ke një shtet fqinj që po përzihet në punët tuaja të brendshme. Atëherë le ta bëjmë këtë një paketë gjithëpërfshirëse, me të gjitha çështjet.

Nuk mund të thuash thjesht ‘jo’. Mund të thuash ‘po’, por ja tre gjëra që duhet të sigurohemi që të plotësohen.

Zëri i Amerikës: Por disa kanë thënë se mënyra se si qeveria e trajtoi çështjen e targave ishte gabim, duke u përqendruar tek kjo çështje, në vend që të shikonin tablonë e madhe. Pra ka nga ata që e shohin këtë mënyrë si joefektive dhe ndoshta një nga faktorët që e përkeqësoi situatën me partnerët perëndimorë.

Prof. Paul Williams: Mendoj se ajo që ndodhi në Kosovë ndodh në shumë vende. Ishte një lëvizje shumë strategjike, ndërmarrja e veprimit taktik të përqendrimit tek targat, për të tërhequr vëmendjen e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian dhe për të kaluar më pas në çështjet më të mëdha strategjike. Fatkeqësisht ajo që ndodhi dhe të them të drejtën ndodh në shumë vende, është se si pjesë e strategjisë ndërmerr një veprim taktik dhe më pas i përkushtohesh atij veprimi taktik dhe ngecesh aty. Pra fokusi tek çështja e targave ka vazhduar gjatë gjithë kohës.

Qeveria duhet ta zhvendosë këndvështrimin e saj nga argumentet taktike dhe t’i kthehet qasjes së saj strategjike të angazhimit në mënyrë gjithëpërfshirëse për të zgjidhur këto çështje.

Zëri i Amerikës: Kur Kosova shpalli pavarësinë ekspertët dhe shumë subjekte thanë se ky nuk do të ishte një precedent. Ky ishte një rast më vete. Tani 15 vjet më vonë, Rusia ose më saktë Vladimir Putini po e përdor Kosovën si precedent për të justifikuar aneksimin, lëvizjet e tij brenda Ukrainës. Çfarë mendoni për këtë?

Prof. Paul Williams: Vladimir Putin është një gënjeshtar dhe ata që e besojnë atë janë të marrë. Udhëtimi fisnik i Kosovës drejt pavarësisë nuk duhet të njolloset aspak nga gënjeshtrat dhe mashtrimet që po bën Putini dhe me veprimin e tij agresiv në Ukrainë. Populli i Kosovës ndoqi ligjin ndërkombëtar. Ata respektuan strukturën dhe regjimin ndërkombëtar për t’u bërë një vend i pavarur. Dhe ata e bënë këtë në një mënyrë demokratike dhe transparente. Putin është i përfshirë në agresion territorial. Dhe kur bashkësia ndërkombëtare thotë kjo është shkelje e së drejtës ndërkombëtare, kjo është shkelje e të drejtave të njeriut, ai përmend Kosovën. Bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të shpenzojë asnjë sekondë, para se të thotë ‘jo’.

Kosova veproi në mënyrën e duhur demokratike dhe duke kontribuar në stabilitet, ndërsa Putini po merr pjesë nga vendet fqinje dhe përmend si shembull Kosovën. Jo, askush nuk duhet të pranojë abuzimin e historisë nga Putini.

Zëri i Amerikës: Ju thatë se nuk i kuptoni hapat që po merr SHBA lidhur me Kosovën. Atëherë si mendoni se duhet t’i qasen amerikanët procesit të normalizimit?

Prof. Paul Williams: Amerikanët dhe evropianët duhet të kuptojnë se është koha që Serbia të marrë një vendim: ose të angazhohet me Perëndimin, të përqafojë plotësisht vlerat perëndimore të amerikanëve, të Bashkimit Evropian, ose në të kundërt të angazhohet me vlerat ruse dhe të vuajë pasojat për rrugën që zgjedh. Ne vazhdojmë të presim që Serbia të marrë rrugën e saj drejt perëndimit dhe ajo e bën herë pas here, duke i mbajtur opsionet të hapura herë me Perëndimin, herë me Rusinë.

Ne sakrifikojmë marrëdhënien tonë me Kosovën, sakrifikojmë sovranitetin dhe pavarësinë politike të miqve dhe aleatëve tanë, se nuk është vetëm Kosova. Ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm se Serbia, qeveria serbe, ka një pozicion të qartë për destabilizimin e fqinjit të saj. Është një mini Rusi. Ajo përdor të njëjtat taktika në një farë mase. Në të kaluarën ka përdorur saktësisht të njëjtat taktika si Rusia dhe ka kapacitetin për të përdorur të njëjtat taktika përsëri. Ne e dimë se çfarë ndodh kur akomodojmë apo i bëjmë lëshime Rusisë.

Atëherë pse po e akomodojmë dhe e qetësojmë Serbinë? Shtetet e Bashkuara, aleatët evropianë, duhet të bashkohen me aleatët e tyre në Kosovë dhe të kenë një plan gjithëpërfshirës dhe t’u thonë serbëve: zgjidhni e merrni, por nëse refuzoni ta pranoni do të përballeni me sanksione serioze dhe izolim ndërkombëtar.

Zëri i Amerikës: Në këto 15 vjet, çfarë mund të bënte më mirë Kosova dhe udhëheqësit e saj? Siç e dini atje ka pasur probleme të brendshme, korrupsion dhe ndonjëherë probleme politike, dhe njerëzit kanë qenë të pakënaqur që gjendja e tyre nuk është përmirësuar. Pra, çfarë duhet të ishte bërë më mirë?

Prof. Paul Williams: Ka një numër analistësh kosovarë që kanë shprehur pikëpamjet e tyre për politikën e brendshme, kështu që unë do t’ua lë ato pikëpamje miqve dhe kolegëve të mi atje. Në arenën ndërkombëtare, Kosova është por mund të jetë edhe më shumë e pranishme.

Vëmendja e botës do të përqendrohet nga çështja në çështje, dhe Kosova ka kaluar nga një vend në krizë në një mik dhe aleat. Miqtë dhe aleatët duhet të jenë vazhdimisht të pranishëm në një dialog ndërveprimi, në bisedime me miqtë dhe aleatët tanë të tjerë ndërkombëtarë. Është një përvojë e zakonshme e vendeve që dalin nga konflikti të besojnë se koha dhe vëmendja e shpenzuar për vendin e tyre nga fuqitë e mëdha do të vazhdojë gjithmonë. Por kjo nuk ndodh sepse ka vende të tjera që hyjnë në konflikt dhe kanë nevojë për kohën dhe vëmendjen e kufizuar të atyre fuqive. Kosova veproi në mënyrë të shkëlqyer për sa i përket funksionimit si një vend në konflikt dhe post konflikt.

Në marrëdhëniet e saj me Shtetet e Bashkuara dhe me shumë nga partnerët e tyre evropianë, ata ishin një nga vendet më të mira në zhvillim që kam parë për sa i përket aftësisë së tyre për të pasur një marrëdhënie të thellë.

Por me sfidat aktuale botërore ka shumë më tepër që mund të bëjë, duke vepruar si mik dhe aleat i Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve të tyre evropianë në mbarë globin për çështje të ndryshme me të cilat po përballen.

Zëri i Amerikës: Duket se në këtë moment SHBA-ja dhe BE-ja duan që Kosova të jetë më bashkëpunuese në këtë përpjekje të re, edhe pse siç thoni ju, kjo nuk është një përpjekje e përsosur. Pra, në këtë aspekt, çfarë mund të bëjë Kosova për të maksimizuar potencialin e saj dhe për të përfituar nga kjo rëndësi apo vëmendje e shtuar nga Uashingtoni dhe Brukseli?

Prof. Paul Williams: Kosova mund të përfitojë në mënyrë strategjike nga kjo vëmendje e ripërtërirë nga Uashingtoni dhe Brukseli, duke vënë në pah planin e saj dhe një vizion gjithëpërfshirës për të ardhmen. Pra të kalojë nga çështja e targave, e cila është shumë taktike dhe shumë lokale, në paraqitjen e një plani strategjik që Uashingtoni dhe Brukseli mund ta shohin si vizion të udhëheqjes së Kosovës për stabilitet afatgjatë në rajon dhe në në të njëjtën kohë të fillojnë një bisedë se si Kosova mund të ndihmojë Shtetet e Bashkuara në skenën globale.

E di që tingëllon pak paradoksale sepse nga njëra anë janë amerikanët, Uashingtoni dhe nga ana tjetër një shtet i ri kosovar. Por të gjitha fuqitë e mëdha kanë nevojë për miq dhe aleatë dhe kur Kosova është partnere me Shtetet e Bashkuara, atëherë kur nevojitet zëri i saj, do të ishte një tregues se si kjo mund të jetë një marrëdhënie e dobishme reciproke.

Por unë mendoj se gjëja më e rëndësishme është të kemi një strategji gjithëpërfshirëse se si ky intensifikim energjie nga Brukseli dhe Uashingtoni të përdoret për ta zgjidhur çështjen një herë e përgjithmonë, duke lejuar normalizimin e marrëdhënieve në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Zëri i Amerikës: Për çështjen e Asociacionit, ka pasur edhe një këmbim të mbështetur tek detyrimet ligjore. SHBA thotë se duhet zbatuar një marrëveshje për të cilën është rënë dakord mes Kosovës dhe Serbisë. Kryeministri Kurti ka thënë se vendet kanë rëndë dakord për shumë marrëveshje dhe po zgjidhet të fokusohet tek kjo dhe ajo bie ndesh me Kushtetutën. Cili është mendimi juaj nga këndvështrimi i një eksperti eksperti të së drejtës ndërkombëtare?

Prof. Paul Williams: Legjislacioni i vendit ka përparësi ndaj marrëveshjeve ndërkombëtare. Sigurisht, mund të kesh një marrëveshje ndërkombëtare, por ajo duhet të jetë në përputhje me ligjin kushtetues të shtetit.

Por çka është më e rëndësishmja, marrëveshjet ndërkombëtare që diktojnë qeverisjen vendore në një nga shtetet (që nënshkruajnë marrëveshjen), është një anatemë e vërtetë (e papranueshme). Është shumë e pazakontë për një marrëveshje ndërkombëtare t’i japë shtetit fqinj të drejta dhe privilegje të veçanta në bazë të përkatësisë etnike të qytetarëve të shtetit tjetër.

Kjo është diçka të cilën e drejta ndërkombëtare përpiqet ta shmangë dhe nga e cila përpiqet të distancohet sepse problemet nuk zgjidhen kështu, Garantimi i të drejtave dhe mbrojtjeve të brendshme dhe kushtetuese si ato që ekzistojnë në Kosovë për pakicat është rruga e duhur. Një traktat me shtetin fqinj që trajton një asociacioni të komunave lokale është pothuajse jashtë juridiksionit të së drejtës ndërkombëtare.

Sigurisht që mund të arrish një marrëveshje. Mund të lëshosh një komunikatë, një deklaratë që të shprehë një aspiratë për të arritur diçka.

Por përpjekja për ta bërë këtë të detyrueshme për Kosovën, është e tepruar po të nisesh nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare.

Zëri i Amerikës: Si përputhen qëndrimet e fundit të zyrtarëve amerikanë me qëndrimin e përgjithshëm të administratës së presidentit Biden që ka shprehur që nga marrja e detyrës, se politika amerikane për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është normalizimi me qëllimin përfundimtar njohjen reciproke?

Prof. Paul Williams: Njohja nga pesë shtetet evropiane dhe Serbia duhet të jetë mbi tryezë, duhet të jetë në marrëveshje. Dhe kjo është një tregues i përkryer i asaj që komuniteti ndërkombëtar duhet të bëjë për një paketë gjithëpërfshirëse. Thjesht angazhimi i Serbisë për të mos kundërshtuar njohjen e Kosovës nga organizmat ndërkombëtarë dhe shtetet e tjera nuk do ta bëjë Spanjën, Belgjikën dhe Sllovakinë të njohin Kosovën. Duhet që Bashkimi Evropian të marrë atë angazhim nga ato vende dhe duhet që amerikanët dhe Bashkimi Evropian t’i bëjnë presion Serbisë për një angazhim për të njohur ose për ta shkruar marrëveshjen në atë mënyrë që marrëveshja të përbëjë de facto dhe de jure njohjen, gjë që do të ishte në përputhje me atë që Presidenti Biden ka përcaktuar si politikën e tij për zgjidhjen e duhur dhe përfundimtare të kësaj situate.

Zëri i Amerikës: Por plani që ata kanë tani në tavolinë, plani evropian nuk e parasheh këtë njohje, kështu që asgjë që është në tryezë nuk përfshin njohje nga Serbia apo nga vendet e BE-së që nuk e njohin Kosovën.

Prof. Paul Williams: Dhe kjo është arsyeja se pse është e rëndësishme që qeveria e Kosovës të shkojë në këto negociata dhe të thotë, ‘po, por’. ‘Po ne do të marrim pjesë në këto negociata, po, ne jemi të gatshëm të nënshkruajmë një marrëveshje, por ajo duhet të jetë gjithëpërfshirëse, duhet të përputhet me vizionin e Presidentit Biden për paqe të qëndrueshme afatgjatë në Ballkanin Perëndimor, dhe për ta bërë këtë, duhet që marrëveshja të përfshijë njohjen. [VOA]


Spread the love


Leave a Reply