BE: Hyn në fuqi ndalimi i importit të qymyrit rus

Spread the love

BE: Hyn në fuqi ndalimi i importit të qymyrit rus

Vendet anëtare të BE-së nuk do të lejohen më të importojnë qymyr nga Rusia pas një periudhe tranzicioni që përfundon në mesnatën e së mërkurës. Embargoja është pjesë e paketës së pestë të sanksioneve për të cilat BE ra dakord në prill dhe do të hyjë në fuqi nga e enjtja e tutje, raporton dpa.

Vendet e BE-së kanë rënë dakord për një periudhë tranzicioni prej 120 ditësh për t’i dhënë industrisë kohë për t’u përshtatur me ndalimin e importit. Qëllimi është të dobësohet ekonomia ruse në mes të sulmit ndaj Ukrainës. Në prill, Komisioni Evropian njoftoi se embargoja e qymyrit mund t’i kushtojë Rusisë rreth 8 miliardë euro në vit.

Embargoja e qymyrit të BE-së ishte sanksioni i parë energjetik i Rusisë. Në një paketë të mëvonshme, Bashkimi Evropian ndaloi importin e naftës ruse për të rritur presionin ndaj Moskës. Embargoja e naftës duhet të hyjë në fuqi në fund të vitit, me përjashtime për disa vende që janë veçanërisht të varura nga nafta ruse. Kjo përfshin Hungarinë, e cila do të lejohet të vazhdojë furnizimin me naftë përmes tubacioneve nga Rusia. Operatori rus i naftësjellësit Transneft njoftoi të martën se transporti i naftës nga Rusia në Hungari, Republikën Çeke dhe Sllovaki është ndalur. [GN/ISHGJ]


Spread the love


Leave a Reply