Biden: Lufta ruse është ‘gjenocid’

Spread the love

Biden: Lufta ruse është ‘gjenocid’

Prishtinë, 13 prill – Presidenti amerikan Joe Biden, tha se lufta ruse në Ukrainë është “gjenocid”. Ai akuzoi presidentin Vladimir Putin se, po përpiqet të fshijë idenë e ekzistencës së kombit ukrainas, raporton AP.
“Po, e quajta gjenocid,” u tha ai gazetarëve në Iowa, të martën, pak para se të hipte në Air Force One për t’u kthyer në Uashington. “Po bëhet gjithnjë e më e qartë se, Putini po përpiqet të fshijë idenë se dikush thjeshtë e quan veten ukrainas”.

Në një ngjarje të mëparshme në Iowa, duke folur për rritjen e çmimeve të energjisë si rezultat i luftës, Biden la të kuptohej se mendonte se Putini po kryente gjenocid kundër Ukrainës, por nuk dha detaje. As ai dhe as administrata e tij nuk njoftuan për pasojat e reja për Rusinë apo ndihmën për Ukrainën pas vlerësimit publik të Biden.

Komentet e Biden-it kanë sjellë fjalë miradie nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili u ka kërkuar liderëve perëndimorë që të përdorin termin për të përshkruar pushtimin rus të vendit të tij.

“Fjalët e vërteta të një lideri të vërtetë,” postoi ai në Twitter. “Të quash gjërat me emrat e tyre është e rëndësishme për të kundërshtuar të keqen. Ne jemi mirënjohës për ndihmën e deritanishme të SHBA-së dhe kemi nevojë urgjente për më shumë armë të rënda për të parandaluar mizoritë e mëtejshme ruse”.

Shtetet e Bashkuara janë një nga nënshkruesit e Traktatit të Kombeve të Bashkuara, i cili e përkufizon gjenocidin si akt I veprimeve të ndërmarra me synimin për të “shkatërruar, tërësisht ose pjesërisht, një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar”.

Ish-udhëheqësit e SHBA-së shpesh kanë shmangur deklarimin zyrtar për gjenocid të fushatave të përgjakshme si ajo ruse në Ukrainë. Në këtë mënyrë, besojnë ekspertët, ata shmangën fillimin e një detyrimi që kërkon nga nënshkruesit ndërkombëtarë të ndërhyjnë pas identifikimit zyrtar të gjenocidit. Ky angazhim u konsiderua si arsyeja e refuzimit të presidentit Bill Clinton për të shpallur gjenocid, për shembull, vrasjen e 800.000 tutsis etnikë në vitin 1994 nga Hutu e Ruandës, shkruan AP.

Biden tha se avokatët do të vendosin nëse sjellja e Rusisë ishte në përputhje me standardet ndërkombëtare për gjenocidin, por shtoi se “më duket kështu”.

“Ka fjalë për fjalë gjithnjë e më shumë prova të gjërave të tmerrshme që kanë bërë rusët në Ukrainë, dhe ne do të regjistrojmë gjithnjë e më shumë veprimet rreth shkatërrimit dhe do t’i lëmë avokatët të vendosin ndërkombëtarisht nëse do të kualifikohen ato veprime (ruse – P) si gjenocid,” tha ai.  [GN/ISHGJ]


Spread the love


Leave a Reply