Gjermania po investon për prodhimin e hidrogjenit “të gjelbër” në Mauritani

Spread the love

Gjermania po investon për prodhimin e hidrogjenit “të gjelbër” në Mauritani

Prishtinë, 8 mars 2023 – Një konsorcium ndërkombëtar me udhëheqje kryesisht gjermane ka nënshkruar një kontratë me qeverinë e Mauritanisë për një projekt hidrogjeni “të gjelbër” prej 34 miliardë dollarësh me një kapacitet elektrolize deri në 10 gigavat, raportoi sot Frankfurter Allgemeine Zeitung.

I ashtuquajturi Hidrogjeni “i gjelbër” përkufizohet si hidrogjen i përfituar duke përdorur energji të rinovueshme përmes procesit të elektrolizës së ujit. Deri më tani është ende e shtrenjtë si mënyrë për të prodhuar energji, por disa ekspertë të energjisë parashikojnë rënie të çmimeve të kësaj mënyre të prodhmit të energjisë. Avantazhi është se hidrogjeni ruhet dhe transportohet, kështu që përdoret si lëndë djegëse. Kina është prodhuesi dhe konsumatori kryesor i hidrogjenit “të gjelbër”.

Projekti i udhëhequr nga Gjermania do të ketë një kapacitet prodhimi prej rreth 8 milion ton amoniak ose produkte të tjera përfundimtare me bazë hidrogjeni në vit, thuhet në shkrimin e gazetës në fjalë, duke cituar kompaninë gjermane Conjuncta të përfshirë në këtë ndërmarrje. Faza e parë e projektit, që do të vendoset në verilindje të kryeqytetit bregdetar të Afrikës Perëndimore, Nouakchott, pritet të përfundojë në vitin 2028; ai do të ketë një kapacitet të planifikuar prej 400 megavat, thuhet nga burimi në fjalë. Furnizuesi egjiptian i energjisë Infinity dhe Masdar i Emirateve të Bashkuara Arabe u përfshinë gjithashtu në projekt. Qeveria gjermane nuk ka komentuar ende këtë veprim.

“Ky projekt do të ketë një lidhje të fortë me Gjermaninë si një ofrues teknologjie dhe blerës potencial i energjisë së gjelbër”, tha CEO i Conjuncta, Stefan Liebing. Gjermania po përpiqet të rrisë kapacitetin e saj të energjisë së rinovueshme për të kompensuar importet ruse të karburantit dhe për të përmbushur objektivat në lëmin e klimës. Në dhjetor, Berlini miratoi ndërtimin e rrjetit të parë të tubacionit të hidrogjenit në vend.


Spread the love


Leave a Reply