Historiani amerikan: Hitleri mendonte se Gjermania duhej të bëhej si Serbia

Spread the love

Historiani amerikan: Hitleri mendonte se Gjermania duhej të bëhej si Serbia

Shkrimtari, kompozitori, gazetari shqiptar nga Kosova, Gani Jakupi, publikoi në llogarinë e tij në Twitter pjesë nga leksioni i historianit amerikan, Timothy Snyder.

Në video shihet se historiani amerikan shprehet se shteti i Serbisë i Luftës së Parë Botërore ka qenë modeli që Hitleri e ka projektuar për Gjermaninë. Sipas tij, Hitleri donte një Gjermani që buxhetin e ka ushtarak, pa politikë të bredshme dhe me një politikë të jashtme që mbulon gjithçka, edhe mungesën e politikave të brendshme. Sipas historianit, kjo politikë e jashtme ishte vetë lufta. Dhe këtë model të projektuar nga Hitleri për Gjermaninë ky i fundit e gjen te shteti serb.

Në videon e publikuar prej tij, Gani Jakupi shkruan: “Sipas Timothy Snyder, Hitleri e mori frymëzimin e tij thelbësor të politikave taktike nga Serbia e viteve 20 dhe 30. Ndonjë ngjashmëri me politikën e Vuçiqit dhe a duhet të na shqetësojë kjo?”

Me të drejtë, z. Jakupi lë të kuptohet se edhe Serbia e sotme, e udhëhqeur prej Vuçiqit vazhdon të jetë e denjë për inspirime naziste. Sepse, pikërisht Serbia e sotme është pa një politikë të brendshme, me mafia dhe oligarki të kontrolluar nga pushteti dhe pa projekt socio-ekonomik apo politik, por me një politikë të jashtme tejet agresive, kurse kjo politikë e jashtme bazohet në armatim të

vazhdueshëm dhe në destabilizim të fqinjëve, si dhe në përpjekje të përsëritura provokuese për luftë.

Vetëm pak muaj më parë ushtria serbe, përfshirë helikopterët dhe avionët serbë u radhitën kërcënueshëm pranë kufirit me Kosovën. E shumë pak muaj më vonë, strukturat kriminale të kontrolluara prej Beogradit, të ndihmuar edhe nga pjesëtarë të grupit rus famëkeq Wagner, organizuan barikada bllokuese në veri të Kosovës, të shoqëruara edhe me disa sulme me armë në drejtim të Policisë së Kosovës, por edhe ndaj trupave të Eulexit.

Mbështetja ndaj Vuçiqit në Serbi nuk bazohet në punën që ai ka bërë së brendshmi për Serbinë dhe qytetarët, por bazohet te tensionet që shkakton në Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë dhe Mal të Zi. E gjithë retorika ngadhnjimtare e pushtetit aktual në Serbi është retorikë e politikës së jashtme që tret gjithçka, që është mbajtja gjallë e idesë së luftës kundër fqinjëve, deri në një moment të përshtatshëm kur lufta bëhet vërtet e realizueshme.

Vuçiqi ka disa zgjedhje që i fiton jo duke premtuar dhe realizuar mirëqënie për serbët, por duke premtuar dhe duke u betuar se do ta rikthejë Kosovën de-fakto dhe de-juro nën juridiksionin serb. Dhe kjo është pikërisht politika e jashtme si luftë, që zëvendëson edhe politikat e brendshme, për të cilat flet Timothy Snyder, e të cilat si metoda, sipas historianit frymëzuan edhe Hitlerin.

Fjala e historianit amerikan, Timothy Snyder, e përkthyer në shqip:

“Kur Hitleri flet se si duhet të jetë shteti gjerman, shembulli që ai përdor -dhe kjo është vërtet interesante- shembulli që ai përdor janë shtetet e Ballkanit. Mundohuni ta mendoni një nacionalist të vërtetë gjerman që thotë se Gjermania duhet të jetë si Serbia. Kjo është e kundërta e asaj se çfarë mendon një nacionalist gjerman. Por kjo është ajo që Hitleri mendon. Arsyeja pse Hitleri mendon se Gjermania duhet të jetë si Serbia është sepse ai sheh shtetet e vegjël të Ballkanit, ata që e nisën Luftën e Parë Botërore, ju kujtohet?…Ai i sheh ata si mënyra se si shtetet në fakt duhet të duken. Dhe si duken ata? Kjo është interesante. Bazikisht, janë pa politikë të brendshme…gjithë buxheti është buxhet ushtarak, gjithë politikat janë politikë e jashtme dhe gjithë politika e jashtme është lufta. Po e thjeshtoj disi, por jo edhe aq shumë. Kjo është ajo se si Hitleri mendon se Gjermania duhet të duket. Gjermania duhet të jetë e gjitha politikë e jashtme, politika e jashtme duhet të jetë luftë.”

Pas këtij publikimi nga ana e z. Gani Jakupi në Twitter, vijoi edhe një tjetër prej tij ku ai thoshte se nacionalistët serbë kishin vandalizuar llogarinë me emrin e tij në Wikipedia. Në tekstin biografik të tij ata kanë hequr vendin e lindjes së tij “Kosovë”, për ta bërë atë “Kosovë dhe Metohi, Serbi”.

Dhe kjo vetëm sa e përforëcon argumentin e historianit amerikan, Timothy Snyder dhe shtojcën e z. Jakupi rreth këtyre pohimeve. Gjithashtu, na bën më vigjilentë si shqiptarë që kemi për fqinj një shtet që gjithë narracionin e vet historik dhe gjithë të ardhmen e tij “hyjnore” e bazon në urrejtje ndaj botës, e gjenocid ndaj fqinjëve, me presupozimin iluziv se gjithë bota e urren atë paraprakisht dhe se fqinjët janë gjithnjë gati të zhdukin Serbinë dhe serbët.

Kjo ka qenë formula e shtetit serb që ka përgatitur disa gjenocide në Ballkan dhe ndaj të cilës Perëndimi deri tani nuk ka arritur të gjejë guximin ta çrrënjosë, siç bëri dikur me Gjermaninë e periudhës post-naziste. [Rruga Press]


Spread the love


Leave a Reply