Nënshkruhet aplikimi për anëtarësimin e Kosovës në BE

Spread the love

Nënshkruhet aplikimi për anëtarësimin e Kosovës në BE

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti kanë nënshkruar të mërkurën aplikimin për anëtarësim të Kosovës në Bashkimin Evropian.

“Ditë historike”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka konsideruar si “ditë historike” aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian të mërkurën.

Osmani në fjalën e saj pas ceremonisë së nënshkrimit ka thënë se Kosova si një vend i paqes dhe i respektimit të të drejtave të njeriut, e meriton të jetë pjesë e BE-së

“Sot është një ditë historike. Është moment historik. 14 dhjetori ka rëndësi të dyfishtë në historinë moderne të Kosovës. Përveç aplikimit për anëtarësim, sot është edhe përvjetori i themelimit të Ushtrisë. Këto dy akte shkojnë në drejtim të vizionit tonë euroatlantik. Në emër të Kosovës, po marrim një hap vendimtar drejt jetësimit të ëndrrës. Për të sjell vendin tonë një hap më afër BE-së. Për Kosovën, nuk ka pas alternativë tjetër. Në vigjilje të 15-vjetorit të Pavarësisë, ky akt i dedikohet të gjithë qytetarëve, ata që luftuan për liri. Kosova frymon evropiane. Shteti më i ri në Evropë, vend i pluralizmit politikë, e të drejtave fetare, kontribuuesja e paepur për paqe dhe siguri e meriton të jetë pjesë e BE-së. Rruga jonë përpara është e qartë. Ne jemi të vendosur që t’ia dalim me sukses. Ne do ta bëjmë pjesën e punës në mënyrë që BE-ja ta ketë më lehtë rrugën e vet. Ne po bëjmë hap historik që BE-ja të lëvizë sa më shpejt drejt vendimit historik”, ka thënë Osmani.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca e ka quajtur ditën e nënshkrimit të aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si ditë shumë të rëndësishme.

Ai ka thënë se BE-ja është e plotë vetëm kur të gjitha kombet evropiane do të jenë pjesë e saj.

“Ky është hapi i parë zyrtar në rrugën e anëtarësimit të Kosovës drejt BE. Ky rrugëtim kalon përmes Komisionit Evropian… por ky vendimi u takon qeverive të vendeve anëtare që i ftojmë të votojnë unanimisht”, ka thënë Konjufca.

Ai ka deklaruar se Kosova e meriton të bëhet vend kandidat dhe ta nisë hapjen e negociatave drejt pranimit në BE.

Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se aplikimi do t’i dorëzohet Presidencës Çeke të BE-së në Pragë.

“Progresi do të varet nga përkushtimi ynë për reforma të thella dhe avancuese. Shpejtësia me të cilën do të ecim do të varet nga ne. Ne do të ecim përpara me meriton tonë, me aftësitë tona për t’i përmbushur kriteret. Pengesat dhe sfidat i kalojmë me zhvillim demokratik dhe progres shoqëror”, ka thënë Kurti.


Spread the love


Leave a Reply