Nënshkruhet marrëveshja për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10-D

Spread the love

Nënshkruhet marrëveshja për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10-D

Pjesë e Korridorit 8 që duhet ndërtuar, është autostrada Tetovë-Gostivar – Kërçovë- Bokujçani -Strugë – Qafëthanë, përderisa Korridori 10-D, do të lidhë Prilepin me Manastirin.

Mjetet për realizimin e këtij projekti do të sigurohen nga arka e shtetit me vlerë nga 250 milionë euro në vit. “‘Bechtel&Enka’ ka një histori të gjatë në ofrimin e projekteve, veçanërisht të atyre komplekse. Ne morëm përgjegjësinë që të sigurojmë standardin më të lartë që është shumë serioz për këtë projekt”, tha Mark Allison, drejtor i përgjithshëm i kompanisë gjatë nënshkrimit të kontratës në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut. Nga ana tjetër, Ejup Rustemi nga Ndërmarrja e rrugëve të Maqedonisë ka theksuar se do të respektohet dinamika e ndërtimit. “Ndërtimi i këtyre dy korridoreve evropiane do të ndikojë jashtëzakonisht në zhvillimin më të shpejtë ekonomik, lidhjet më të mira me fqinjët dhe korridoret evropiane”, ka theksuar Ejup Rustemi.

Me këtë rast zëvendëskryeministri Artan Grubi ka thënë se ndërtimi i një kilometri rrugë do të kushtojë 12 milionë euro. Ai shtoi se ky çmim është më i ulët se mesatarja e çmimit të autostradave të ndërtuara në rajon, ku çmimi për kilometër autostradë shkon deri në 19 milionë euro. “Bëhet fjalë për ndërtimin e 110 kilometrave autostradë. Nga korridori në Tetovë deri në Gostivar do të kemi tri korsi në anën e majtë dhe të djathtë. Në pjesën nga Gostivari, në Kërçovë, do të lidhet me autostradën që po ndërtojnë kinezët. Pas Trebenishtes do të ndërtohet një autostradë tjetër. Nga ana e Shqipërisë tashmë po ndërtohet, ndaj ky projekt do të na lidhë me Tiranën, Durrësin dhe Portin e Thatë në Durrës”, ka sqaruar Grubi. [REL]


Spread the love


Leave a Reply