Partitë pro-ruse iniciuan tërheqjen e njohjes së Kosovës nga Mali i Zi

Spread the love

Partitë pro-ruse iniciuan tërheqjen e njohjes së Kosovës nga Mali i Zi

[Evropa e Lirë, 4 maj 2023] Fronti Demokratik pro-rus, i cili ka pushtet absolut në Zetë, komuna më e re në Mal të Zi, mori vendim për miratimin e një Deklarate, me të cilën, siç thanë ata, njohja e pavarësisë së Kosovës nuk do të vlejë në atë territor.

Komuna e Zetës, e cila ndodhet në rrethinën e pabanuar të kryeqytetit malazez, Podgoricë, do ta shprehë mendimin e saj për këtë dokument në seancën e fundit të majit.

Pavarësia e Kosovës u njoh nga Qeveria e Malit të Zi në vitin 2008, kur në pushtet ishte Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e Milo Gjukanoviqit, e cila në gusht 2020 humbi zgjedhjet nga Fronti Demokratik pro-serb dhe prorus, Demokratët dhe Lëvizja URA.

Së fundmi, Gjukanoviq ka pësuar disfatë edhe në zgjedhjet presidenciale dhe zyrtarisht më 24 maj duhet t’ia dorëzojë atë post presidentit të sapozgjedhur, Jakov Milatoviq, i cili deklaroi se nuk do të ketë tërheqje të njohjeve të Kosovës.

Çfarë thotë Qeveria?

Deklarata për anulimin e vendimit për njohjen e pavarësisë së Kosovës nuk do të ketë efekt juridik dhe as nuk mund të jetë akt ligjërisht obligues, thonë për Radion Evropa e Lirë nga Qeveria e Malit të Zi.

Ivo Shoq, këshilltar për çështje juridike i kryeministrit.

Këshilltari për çështje juridike në Kryeministri, Ivo Shoq, miratimin e një Deklarate të tillë e sheh si akt politik për të cilin Qeveria nuk duhet të deklarohet.

“Miratimi i një akti të tillë ndoshta synon të dërgojë një mesazh politik, më shumë se sa mund të prodhojë ndonjë efekt juridik në territorin e komunës që do të miratonte një akt të tillë. Unë e shoh këtë si një lloj revolte të mundshme ndaj ngjarjeve të fundit lidhur me pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, thotë ai për REL-in.

Shoq, po ashtu, thekson dimensionin juridik të miratimit të shpallur të Deklaratës.

“Nga pikëpamja e ligjit, edhe në rast të deklarimeve të tilla, komunat do të dilnin jashtë juridiksionit të tyre dhe mbetet e paqartë se si do të mund të zbatoheshin. Ne ende nuk e dimë se cila do të ishte përmbajtja e një akti të tillë dhe nëse në varësi të kësaj, ai mund të jetë objekt i procedurës para Gjykatës Administrative ose Kushtetuese”, shpjegon ai.

Por, edhe Fronti Demokratik është i vetëdijshëm se deklarata e një komune nuk mund të ketë efekt juridik, por duan, siç thonë ata, të dërgojnë një mesazh politik.

Fronti Demokratik u bën thirrje bashkive të tjera të bëjnë një “gjest simbolik”

Përfaqësuesi i këtij grupi politik, Milun Zogoviq, ka thënë se miratimi i Deklaratës për anulimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës në Komunën e Zetës është logjike, sepse paraqet reagim ndaj mbështetjes së diplomacisë malazeze që Kosova të bëhet një anëtare e Këshillit të Evropës.

“Edhe pse është një vendim simbolik, ai është i justifikuar sepse do të tregojë se çfarë mendon shumica e Malit të Zi për këtë çështje. Është një shprehje e dy të tretave të vullnetit të popullit”, tha Zogoviq.

Zyrtarët e Frontit Demokratik u bënë thirrje bashkive të tjera ku qeveria përbëhet nga anëtarë të shumicës aktuale parlamentare që të miratojnë Deklarata të tilla:

“Dhe, kështu të fillojë procesi i kthimit të Malit të Zi në burimet e tij historike, shpirtërore dhe shtetformuese”, thuhet në një nga njoftimet e FSH.

Si erdhi deri këtu?

Mali i Zi më 24 prill votoi për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, për çka reaguan ashpër një pjesë e partive pro-serbe në pushtet, duke e gjykuar një politikë të tillë “të turpshme për Beogradin zyrtar”.

Me këtë rast, të mërkurën, më 3 maj, Kuvendi mbajti seancën kontrolluese të kryeministrit Dritan Abazoviq, i cili është edhe koordinator i Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Me atë rast, Abazoviq ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është në interes të stabilitetit rajonal.

“Asgjë nuk ka ndryshuar në politikën e jashtme të Malit të Zi, ne kemi ndjekur një politikë të përgjegjshme dhe konsekuente dhe jemi sjellë si të gjitha vendet e tjera që e kanë njohur Kosovën”, shpjegoi Abazoviq gjatë seancës.


Spread the love


Leave a Reply