Abuzimi i politikës me mediat alias shantazhet e medias ndaj politikës

Spread the love

Abuzimi i politikës me mediat alias shantazhet e medias ndaj politikës

Shuarja e mediave të shtypura në Kosovë është shpërfaqja më simbolike për keq në politikën mediatike në Republikën tonë.

Nga Dr Sadri RAMABAJA

Kosova mundet se është vendi i parë në botë që nuk ka media të shtypura; transformimi i gazetave në portale tashmë është i përmbyllur.
Derisa në secilin vend fqinjë vazhdojnë të publikohen nga një duzinë gazetash ditore, në Gjermani janë më shumë se 300 sosh.

Ditë më parë mediat austriake njoftuan se së shpejti mbyllet gazeta “Wiener Zeitung”, që kishte 320 vjet që kur kishte fillar botimi i saj. Ajo konsiderohet gazeta më e vjetër në botë. Botuesi shtetëror – Parlamenti, kishte hequr dorë nga finansimi i saj për shkaqe thjeshtë ekonomike. Vetëm brenda javës, që kur u publikua njoftimi në fjalë, janë paraqitur tre investitorë vullnetarë që kanë shprehur gadishmërinë për t’ia vazhuar jetën këtij mediumi me vlera e karakter historik. Sipas raportimeve, janë tre botues në Austri që kanë shprehur gjithashtu një interes për vazhdimin e botimit të gazetës në fjalë.

***

Ish gazeta e përditshme jona – Rilindja, organ që financohej nga strukturat publike shtetërore, ka kohë që ka shkuar në histori. Hapësirën vakum të saj, me kohë, e kishin mbushur iniciativat private, herë serioze e herë produkt i ndonjë oligokrati, që kishte objektiv të qartë që median ta shfrytëzojë si paravan për katapultim në politikë. 

Shuarja e mediave tona të shkruara, përfshi edhe mungesën e një agjensioni shtetëror të lajmeve,  shpërfaqë politikën mediatike në Republikën tonë që i është lënë në dorë tërësisht vullnetit të biznesit. Në kohën kur lufta hibride ruse e serbe ka shtrirë kthetrat e saj edhe në këtë sferë tonën publike, e rrjedhimisht dezinformata dhe lajmi i rremë është prezent në përmasa alarmante, nuk ka ide e iniciativa private për përmbushjen e këti vakumi në formën si e kërkon interesi publik.

E gjithë kjo në një vend ku bulevardi gjithsesi luan një rol dominues. Financuar masivisht nga politika.

Media si fuqia e katërt

Gjermania konsiderohet si vendi i origjinës së gazetës. Por, derisa në këtë gjigant ekonomik europian e botëror, në një krahasim ndërkombëtar, peizazhi aktual i shtypit është jashtëzakonisht i larmishëm, në Republikën tonë jemi katandisur pa as edhe një media të shtypur dhe me një dyzinë gazetash elektronike që lënë shumë për të dëshiruar në rrafshin profesional.
Në vitet e asaj pak autonomie që kishte Kosova në periudhën 1974-1981, në dispozicion të publikut u vunë një varg mediash, duke ju shtuar Rilindjes dhe radios edhe televizioni, duke hyrë kështu vendi në epokën e komunikimit masiv. Por të gjitha këto, megjithatë, politikat redaktoriale vazhdonin të ishin nën kontrollin e plotë të politikës, respektivisht policisë kulturore që komandohej nga shërbimi sekret serb.
Për dekadën e fundit të pushtimit serb, kur Beogradi instaloi apart’heidin e plotë, media në gjuhën shqipe pothuajse u shua fare.
Në këtë rrafsh, kjo dekadë e dhunës ekstreme reflektohej edhe tek mediat. Derisa në Kosovë përmes LDK-së ishte instaluar një kontroll i dyfishtë i medias: në njërën anë ishte aparati i dhunës i instaluar tashmë nga Beogradi dhe në anën tjetër policia kulturore e LDK-së, që mezi nga fundi i dekadës toleroi alternativën e Bujkut e QIK-ut – Kohën ditore, në perendim po vazhdonte të thellonte prezencën e vetë gazeta Zëri i Kosovës, që ishte organ i Këshillit të Përgjithësshëm të Lëvizjes Popullore të Kosovës.

Gazetat kryesore të të dy krahëve ishin në ballë të formimit të opinionit publik. Politika kontrollonte tërësisht mediat dhe shfrytëzonte atë si fuqinë e katërt në dobi të agjendës së vet.

Pas çlirimit, kjo skemë erdhi duke u ndarë me grupet tjera të interesit. Shumica e gazetave dhe revistave me tirazh të kënaqshëm ishin nga katër grupe të interesit që identifikoheshin qartë – ai që operonte tutje nën kontrllin dhe për interesat e LDK-së (Gazeta Bota sot etj); grupi i dytë, më i fuqishëm, tashmë ishte ai i Familjes Surroi (Koha ditore…); grupi i tretë ishte i kontrolluar nga SHIK-u (Epoka e re, Dita…);  grupi katërt, që luante rolin e medias “neutrale”, ishte ai i Familjes Kelmendi (TV 21…), që fillimisht ishte  thjeshtë media komerciale, ndërkaq shpejt kaloi në shërbim të LDK-së, e me ardhjen në pushtet të PDK, edhe në shërbim të saj.
Ndërkohë kësaj katërsheje dominuese në rrafshin medial, i janë shtuar edhe grupi i mediave të manjatëve tjerë që operojnë nën siglën e TV Dukagjinit, TV Klan Kosova  …

Televizioni publik (RTK), si mjeti kryesor i komunikimit masiv, ishte organizuar nga ana e OSBE-së sipas të drejtës private dhe publike (sistemi i dyfishtë), por shumë shpejtë edhe ai kaloi në shërbim të grupeve të interesit, duke marrë tiparet e një shoqërie aksionare që do t’ju shërbejë varësisht nga fuqia politike – sa PDK-së, aq edhe LDK-së dhe AAK-së.

***
Para se të mund të vlerësohen konkretisht akuzat për pushtetin mediatik dhe abuzimin e medias, është vendi të rikujtojmë se roli i medias në Kosovë është i veçantë. Gazetarinë e lirë e garanton kushtetuta jonë. Është e padiskutueshme që shtypi ka një vend të rëndësishëm në shoqërinë tonë demokratike. Duke e vlerësuar drejt rolin e medias së lirë dhe lirisë së shprehjes, ndërkohë Kosova në indeksin e lirisë së mediave, sipas organizatës Reporterë pa Kufij, shenjon progresin e lirisë së medias, me ç’rast e rangon Republikën tonë 22 vende më lart për 2 vjet qeverisjejes aktuale.

Përveç pranimit dhe shpërndarjes së lajmeve, funksionet e mediave tona përfshijnë kritikën dhe kontrollin, gjë që është jetike për mbijetesën në një demokraci dhe pjesëmarrjen në formimin e opinionit. Jo pa arsye ky funksion kritik është përcaktuar qartë si detyrë në ligjet progresive të shtypit edhe tek ne.

Në Kosovë  aktualisht ushtrohet një lloj pushteti mediatik dhe rrjedhimisht edhe manipulimi mediatik i lloit të vet. Ka prerogativa që një lagje e mediave tona e kontrollojnë me vetëdije opinionin publik dhe dëshiron të ndikojë në opinionet politike të lexuesve dhe shikuesve.


Funksionet e masmedias

Sistemi politik i demokracisë liberale i sanksionuar tek ne edhe në kushtetutë, i atribuon mediave masive, në rrafshin formal, funksione të ndryshme qendrore.

Ato duhet:

1. Të raportojnë për ngjarjet publike në mënyrë sa më gjithëpërfshirëse, reale dhe qartë e     kuptueshëm, duke përmbushur statusin e saj formal, respektivisht funksionin informues;

2. Të jenë një forum për diskutimin e lirë dhe të hapur të çështjeve me interes publik dhe të kontribuojë në formimin e opinionit dhe vullnetit publik nëpërmjet komenteve të veta      (funksioni formues i opinionit);

3. Të marrë pjesë në kontrollin, respektivisht mbikqyrjen e politikës, duke zbuluar dhe         kritikuar abuzimet e mundshme, si bie fjala për funksionimin administrativ; të tërheq vëmendjen edhe për ankesat në shoqëri dhe ekonomi (funksioni i kritikës dhe kontrollit),       duke u shndërruar në një tip të institucionit paralel formal të Kuvendit.

Por, sa ka enë në gjendje të përmbushë këtë mision media jonë këto vitet pas pavarësisë, së paku, lë shum për të dëshiruar.

Më e keqja që ka ndodhur, sidomos në këto vitet e fundit, është nëpërkëmbja e kodit profesional dhe atij të etikës.

Respektimi i së vërtetës, mbrojtja e dinjitetit njerëzor dhe informimi i vërtetë i publikut janë prioritetet kryesore të shtypit.

Ky fakt potencohet në shumicën e kodeve profesionale të mediave gjithandej në demokracitë liberale, madje në nenin e parë të tyre.
Në këtë hark kohor në fjalë, e vërteta është vrarë edhe përmes medias; dinjiteti njerëzor është nëpërkëmbur si është më keq e mundshme; publiku është dezinformuar qëllimisht në shkallën siprore të mundshme!

Sipas një përmbledhjeje studimi të studjuesit të shkencave të komunikimit Stephan RUSS-MOHL, kriteret e cilësisë së gazetarisë përfshijnë:

  • Reduktimi i kompleksitetit: thjeshtëzim me besnikëri faktike;
  • Objektiviteti: fakticiteti, rregullat e duhura të përzgjedhjes, ndarja e lajmit dhe opinionit, shumëllojshmëria e këndvështrimeve, drejtësia dhe ekuilibri, sfondi;
  • Transparenca: zbulimi i kushteve të raportimit, kritika e burimeve;
  • Aktualiteti: lajmi, rëndësia e temës;
  • Origjinaliteti: Leximi, dëgjimi dhe shikimi i stimujve, hulumtimi i vet. [1]                              

Nëse venerojmë me kujdesë këtë skemë të kritereve në fjalë, do të mund të konkludojmë lehtë edhe për ca prej të metave më të theksuara në median tonë.

Sidoqoftë objekt konflikti mes palëve mbetet  kufizimi, për arsye nga më të ndryshmet, i lirisë së mendimit. Jo rrallë edhe cënimi i nderit personal, personalitetit të individit, sidomos zyrtarëve të lartë dhe personaliteteve publike, kur ata bëhen objekt i përndjekjes politike [shih rastet si vijon: ai i arrestimit të ish guvernatorit të Bankës Qendrore, rasti i aktivistëve të VV dhe vdekja tragjike e Astrit Deharit;  rasti i montuar i krimit shtetëror ndaj autorit të këtij teksti i koduar si “Syri i popillit”;  rasti aktual i koduar me emrin Brezovica 2, kur publikisht i vihen prangat shkrimtarit e aktivistit të njohur Bedri Halimi, që për prapavijë kishte dhe ka luftën dhe interesat politike…]

Në një anketë të ushtruar nga Statista Research Department, më 27.05.2022, ishte parashtruar, ndër të tjera, edhe kjo pyetje: A mendoni se sot ka më shumë gënjeshtra dhe keqpërdorime të fakteve në politikë dhe media, sesa 30 vjet më parë? Përgjegjia ishte pothuajse kudo në demokracitë e Europës perendimore e qartë: po, madje deri 69%. [2]

Kur media kontribon që demokracia të humbas kuptimin

Marrëdhënia mes medias dhe politikës dhe reflektimi i këtyre raporteve në opinion, kishte intencë nga dirigjentët e luftës speciale kundër Kosovës, t’i bënin gjithnjë e më të tensionuara. 
Pak ditë para zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Forumi Global Mediatik i Deutsche Welle-s, së bashku me dy gazetarë të shquar nga Gjermania dhe SHBA-të, kishin hedhur një vështrim mbi rolin që luajti media në zgjedhjet e në vendet përkatëse.

Në këtë aktivitet, gazetarja amerikane dhe fituesja e çmimit Pulitzer Anne Applebaum shprehu shqetësimin e saj për gjendjen e demokracisë në përgjithësi: Në të gjithë botën mund të vërehet ngritja e partive politike që nuk do të pranonin më humbjen e pushtetit në kontekstin e një zgjedhjet.

Ata e shohin veten, ose të paktën e paraqesin veten, si përfaqësuesit e vërtetë të popullit, në ndryshim nga kundërshtarët e tyre politikë, të cilët do të ngriheshin vetëm për “elitën” ose “të huajt”. “Një nga gjërat më të rëndësishme që ata bëjnë: ata përpiqen të minojnë median,” tha gazetari amerikan, i cili punonte për Washington Post për një kohë të gjatë dhe dha mësim në universitete të shumta të njohura – duke përfshirë Yale, Harvard dhe Columbia. Mediat diskreditohen duke i quajtur raportet e tyre “fake news”. Si rezultat, media nuk mund t’i kërkonte më politikanë përgjegjës. [3]

Ky fenomen nuk mund t’mos e prekte edhe hapësirën shqiptare.

Demokracia nuk toleron askënd të tregojë me gisht, kur gjërat shkojnë në drejtim të gabuar, në rast se paraprakisht ke larë duart si Pilafi. Lëngata në të cilën e kanë sjellë sistemin tonë politik partitë tradicionale, i ngjet krimit politik të gërshetuar me atë ordiner, që ndërkohë është ndëshkuar nga elektorati, por jo edhe nga sistemi i drejtësisë.

Demokracia jonë e brishtë [në Kosovë] për vite të tëra pas çlirimit, nuk kishte si të merrte jetë e të ecte në rrugën e duhur të prosperimit. Partitë tona politike dhe sistemi politik që ato kishin ndërtuar, ishte në themel i kalbur, prandaj me ta marrë timonin PDK-ja, sistemi po rrëshqiste në terrenin e autoritarizmit. Nuk ishte krejt e rastësishme miqësia e ish kryeministrit tonë me sivëllain e tij turk T. Erdogan dhe me neofashistin hungarez V. Orban.
Në këto rrethana edhe media kontriboi ndjeshëm që demokracia të humbas kuptimin.

Pasojat e atij sistemi të prishur dhe atre mediave të abuzuara, sot i ndjejmë gjithandej, në të gjitha poret e jetës: në sistemin shëndetësor, në atë të arsimit, në ekonomi, në fushn e informimit, e mbi të gjitha në drejtësi.

Pjesëmarrësit në sistemin tonë politik, duhet t’i përmbushin në radhë të parë kriteret elementare njerëzore e morale, pastaj të jenë pjesë e debatit publik.
Palët duhet të përmbajnë forma të reja, qofshin edhe eksperimentale të pjesëmarrjes në jetën aktive publike e politike. Vetëm partitë me demorkraci të brendshme funksionale, vetëm partitë që janë të afta të përthithin mendimin e ri dhe të ripërtrihen me koncepte moderne politike, natyrisht duke thelluar profilizimin e tyre, mund të formësojnë të ardhmen e shoqërive tona dhe t’i garantojnë demokracisë të ardhme funksionale.

Dy shoqëritë tona aktualisht përballen me hemorragjinë që po shkakton plaga e mërgimit të të rinjëve, sidomos ajo e profesionistëve të fushës së mjekësisë dhe inxhinjerisë e teknologjisë informative. Kombi ka rrezik që dhjetëvjetshin që po kalojmë, ta përmbyllë me rrudhje tragjike të harëts sonë demografike dhe ikje të trurit!

Ekspertët gjithandej në demokracitë liberale të etabluara, vërejnë se, përveç çështjeve programore, mënyra e dukshme për të dalë nga kriza është ndalimi i ngritjes së njerëzve të papërshtatshëm në poste të larta. Kjo tingëllon e thjeshtë, por duket mjaft e vështirë, nëse shikoni vendimet e personelit të marra nga PS, PD, PL, LDK, PDK, AAK-ja…

Fakti që PS apo VV bëjnë gabime herë-herë spektakolare kur qeverisin, nuk mund të jetë ngushëllim për të tjerët, për opozitën, sepse baza e kundërveprimit të saj, sidomos në Kosovë, mbetet sabotazhi në sistem dhe protesta me përmbajtje e ngjyresa banale.

Është dëm i madh për demokracinë, nëse palët vazhdojnë të mos investojnë më shumë energji në personelin menaxhues, që është evidente se ju mungon. Mjafton t’i përcjellim një muaj punimet e Parlamentit të Republikës së Kosovës dhe të konstatojmë mjerimin politik të diskursit të kësaj legjislature.

Përndryshe dështimi i forcave politike thënë kushtimisht të vjetra (PS, PD, PDK, LDK…) është i programuar, në rast se ato vazhdojnë të udhëhiqen me personel aspak autentik dhe tejet konservator.

Në shoqëritë tona me demokraci ende të brishtë, mbesin kokat drejtuese, liderët, ata që luajnë rol në drejtimin tonë politik dhe kultivimin e demokracisë. U takon atyre të mishërojnë dhe formësojnë përmbajtjen e një lëvizjeje të re politike. Në Shqipërinë politike, duket se lideri i Lëvizjes BASHKË është një ogur i mirë për shëndetin politik dhe demokracinë dhe të ardhmen e saj. Kjo forcë politike në ardhje, jep shpresë se mund të bëjë në një të ardhme jo të largët, atë që para dy viteve bëri Lëvizja Vetëvendosje në Republikën e Kosovës.

Përfundim
Me gjithë kufizimet e shumta për punën profesionale në gazetari, shoqëria duhet të reagoj dhe ta bëjë të qartë se askush nuk duhet ta prek thelbin e lirisë së mendimit, informimit, shtypit dhe dinjitetin e gazetarit. Në këtë kuadër edhe mediat nuk do të duhej të shfrytëzohen si objekt shantazhi ndaj oponentëve konkurues apo politikës.

Kjo është arsyeja përse në katedrat e gazetarisë dhe në debatet televizive objekt trajtimi bëhet privatësia si temë.  Prandaj shtrohet për debat çështja se ku fillon privatësia e mbrojtur e figurave publike, me theks e atyre që janë aktiv në jetën politike, në sport, në show biz etj.
Nëse liria e shtypit abuzohet, siç ndodhë jo rrallë tek ne, me theks në vitet e fundit, të dëmtuarit kanë të drejtë të ngrenë padi e kallëzime në gjykatat përkatëse të natyrës penale a civile) dhe të kërkojnë dëmshpërblim.

Në ambientet kulturore e mediale europiane, jo rastësisht thuhet se, koha është malli ynë më i çmuar, ndërkaq Shteti kryevlera politike e civilizimit tonë. Prandaj as koha e as Shteti në shoqëritë demokratike nuk tolerohet që të abuzohen nga askush, as nga politika, por as edhe nga media. Ka ardhur koha që edhe politikanët tanë duhet ta shohin këtë çështje me këtë sy.
Për disa vite, Kosova është qeverisur nga politikan të papërgjegjshëm, me dekrete, pa diskutime të gjera publike apo shqyrtim parlamentar. Në këtë rast kishim të bënim jo vetëm për “menaxhimin e krizës”, por edhe për davaritjen e moralit politik e publik. Rrjedhimisht  kishim rrëshqitje të Shtetit në ujërat e krimit , duke rrezikuar të dështonte fare.

______________________________________________

1. https://www.lernhelfer.de/schuelerlexikon/politikwirtschaft/artikel/medien-als-vierte-gewalt

2. https://de.statista.com/statistik/daten/studie/922600/umfrage/umfrage-zu-unwahrheit-und-missbrauch-von-fakten-in-politik-und-medien/

3.  https://www.dw.com/de/gmf-wie-medien-die-politik-beeinflussen-und-umgekehrt/a-55404083


Spread the love


Leave a Reply