Aneksimi i Ukrainës Lindore pengesa më serioze për “aleancën” gjermano-ruse

Spread the love

Aneksimi i Ukrainës Lindore pengesa më serioze për “aleancën” gjermano-ruse

Nga Dr Sadri RAMABAJA

Hyrje

Acarimi deri në shpërthim të luftës mes Rusisë dhe Ukrainës që po rezulton me aneksimin e dy krahinave të kontrolluara nga paramilitarët rus në dy rajonet separatiste — Donetsk dhe Luhansk. Agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës shënon kështu fillimin e një ndryshimi tektonik në rrafshin gjeopolitik. Zhvendosja po ndodh në nivele të ndryshme:  në atë politik, ekonomik, social e kulturor. Sistemi gjeopolitik nëdrkombëtar po shkon drejt policentrizmit dhe poliarkisë.

Rendi hierarkik i fuqisë po “krijohet mbi një kombinim hierarkik të fuqive të mëdha dhe fuqive rajonale.” [1] Ukraina de fakto po bëhet shkas i fillimit të krijimit të Rendit të ri botëror trepolar apo më shumë. Beteja për Ukrainën pritet të shndërrohet në një betejë për rendin e ri botëror. Kjo përmbysje e rendit të ri botëror do ta prek sidomos arkitekturn e sigurisë europiane, duke e rikthyer pothuajse në pozicionet e fillimit ët Luftës së Ftohtë.

Nëse periudhën e pas Luftës së Parë Botërore e karakterizonte optimizmi kritik I Presidentit Woodrow Wilson që shprehet në sentencën e njohur që kishte të bënte me deklaratën e tij për “bërjen e botës të sigurt për demokracinë”, sot rendi i ri në krijim, po shenjohet me gjakimin e presidentit rus Vladimir Putin, që e formuloi më mirë se kushdo tjetër kolumnisti i Financial Times, Gideon Rahman, me objektivin për “bërjen e botës të sigurt për autokratët.”

Tendenca për rikthim në fillet e gjeopolitikës

Rudolf Kjelleni, që e krijoi termin mbi gjeopolitikën më 1899, e përshkroi gjeopolitikën si “Teoria mbi shtetin si një organizëm apo dukuri gjeografike në hapësirë”. Këtë nocion e ka përvetësuar mirë presidenti rus V.Putin-i në këtë periudhë brishtësie dhe rishikimi të arkitekturës së sigurisë së paku në kontinentin e vjeëtr — Europë.

Duket se realpolitika e “magjistarit” të diplomacisë amerikane, siç cilësohet nga analistë të ndryshëm, Henry Kissinger, ka shtyrë SHBA-të dhe Perendimin përgjithësisht, ta lejojë Rusinë, të zbarkoj në Ukrainë, me kushtin që përafrimi I saj me Gjermaninë të shtyhet për kalendrat greke.

Politika e jashtme amerikane ndërkohë po aplikon leksionet e George Friedman-it, — duke ju rikthyer bashkëpunimit euroatlantik, të parandalojë me çdo kusht krijimin e një boshti Gjermani-Rusi, si kërcënimi më i madh për interesat anglosaksone dhe jo vetëm.

Në këtë prolog të rendit të ri botëror, ku pretendohet qartë një arkitekturë e re e sigurisë europiane, megjithatë, “Gjermania ka logjikën e saj në të gjithë këtë mega-ndeshje gjeopolitike globale midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara”, shkruan analisti nga Zagrebi Zoran Meter.[2]

Në fillim të shkurtit, në një intervistë me Europäische Sicherheit & Technik, Wolfgang Ischinger, kryetar i Konferencës së Sigurisë së Mynihut, pra një person me lidhje të mira në strukturat më të larta të politikës gjermane, përfshirë prapaskenat, deklaroi si më poshtë:
“Unë nuk mendoj se do të ketë një pushtim, nga 100,000 ushtarë rusë, të cilit disa i frikësohen.”[3] Për më tepër, ai beson dhe këtë e potencon me një lloj sigurie, se “ofensiva e tankeve ruse është skenari më pak i mundshëm”.[4]

Ky pozicionim (dështim total) i njërit prej diplomatëve më të njohur të Gjermanisë, e bën të qartë motivin pse Berlini i sotëm, në stilin e vet, e për interesa krejtësisht të vetat, refuzoi sanksionin që prekte kodin bankar SWIFT, pse ai po trajton opinionin e vet duke e pregaditur atë për luftën globale amerikano-ruse.

Në vend të boshtit ruso-gjerman mund të krijohet ai ruso-kinez

Atë që paralajmronte Xhorxh Kenani (George Kennan), në vitin 1946 mbi detyrën historike të ekspansionit sovjetik, në një mënyrë e tejkaloi Putini në fjalimin e tij për publikun më 21.2.2022.

Duke cilësuar si akt tradhëtie vet formimin e Ukrainës si Republikë Sovjetike, Putini mbi tezën e etnocentrizmin rus projekton Rusinë e pastër etnike, duke u rikthyer tek Ivani i Tmerrshëm. Por, pavarësisht se gjasat janë që SHBA-të, në këtë përballje gjeopolitike ia kanë dalë ta shmangun edhe një herë afrimin e Gjermanisë me Rusinë, konform dëshirës së Friedman-it, ky akt, nëse merrë në konsideratë realpolitikën që po prodhon frika e pashembullt e “magjistarit” të diplomacisë amerikane, Henri Kissinger, lehtësisht mund t’na prodhojë zonat e Gjorgj Oruellit në kontinentin e vjeëtr. Risjellja e filozofisë së Kisingjerit në vëmendje, qoftë edhe indirekt, po nxitë krijimin e aleancës mes Rusisë në njërën anë, e fuqisë ushtarake të tretë më e madhe në botë — Kinës.

Në fjalimin e tij Putini sërish ju rikthye rolit të Kishës Ortodokse në unifikimin dhe forcimin e shtetit rus. Atbotë kur Kisha po luante rol në rritën e Rusisë cariste, Halfond Makinderi po paraqitëte para Shoqatës Gjeogrfike Mbretërore studimin e tij me titull “Boshti gjeografik i historisë” (1904). Perandoria cariste ruse at’herë kontrollonte plotësisht bërthamën e Euroazisë — rajonin e boshtit apo “zemrën e tokës”, si e cilësonte ai. Rikthimi i Putinit tek Ivani ka të njejtin mesazh — atë të zotërimit të “zemrës së tokës”, por kësaj radhe me premisa ta ndajë këtë sundim me Kinën. Nëse kësaj aleance ia shtojmë Iranin, i cili, të kujtojmë faktin se u pranua në Organizatën e Shangait vitin e kaluar — WCO, ku Moska dhe Pekini kanë fjalën kryesore (dhe ku India dhe Pakistani janë gjithashtu “gjigantë aziatikë”), gjërat duken jo vetëm më serioze, por alarmante.

Krijimi i boshtit ruso-gjerman, po, përmes viktimizimit të Ukrainës, është shmangur, por sipas gjasave, indirekt me këtë akt i është hapur rruga atij ruso-kinez.

Perëndimi shpesh e uli kokën para Putinit

Prej kohësh dihet se Putini jeton në një botë politike të ndryshme nga shtetarët e Perëndimit. Mendimet dhe veprimet e tij ndjekin një racionalitet që kryeministri holandez Rutte e quajti tani “krejt të çmendur”. Por edhe pas aneksimit të Krimesë, perëndimorët shumë shpesh ulnin kokën dhe i shmangeshin përballjes me këtë të vërtetë të pakëndshme.

Viktimat e fundit të këtij vetëmashtrimi ishin presidenti francez Macron dhe kancelari gjerman Scholz. Ata u angazhuan sinqerisht për rifillimin e procesit të Minskut, e cila, si marrëveshje e ndërmjetësuar nga Parisi e Berlini, duket se ishte stivuar në sirtarët e murgut si e vdekur që kur ishte nënshkruar.

Në Moskë, kancelari Scholz deklaroi se do të ishte një “katastrofë politike” nëse Rusia do të njihte zonat separatiste. Këtë ai e pohoi vetëm ca ditë para se Moska ta bëjë njohjen e dy provincave ukrainase si Republika të pavarura. Por ai pajtohet ndërkohë se sanksionet megjithatë, duhet të jenë të përqëndruara dhe gjithëpërshirëse, nëse pretendohet të arrihen efekte të shpejta. Njëkohësisht ai bëri të ditur vendimin mbi pezullimin e procesit të çertifikimit (dhe lëshimit n punë) të rrjetit të gazësjellësit Nord Stream 2.
Por edhe kancelari gjerman, ashtu si edhe liderët tjerë europian, e kanë të qartë se Nord Strem 2 nuk është projekti i vetëm që duhet rishikuar. Rikthimi i plotë tek aleanca verioatlantike është parakushti për garantimin e sigurisë dhe paqes në Evropë. E rishikimi I plotë I politikës gjermane në raport me Rusinë, ndodhi pikërisht  të dielën që lamë pas, në seancën e jashtëzakonshme të Bundestagut. Lufta e Rusisë në Ukrainë, qëndresa titanike e ukrainasve, imponoi kthesën historike në politikën e jashtme gjermane dhe atë të sigurisë. Këtë ndryshim kaq “serioz të paradigmës” në politikën e jashtme gjermane, tha për EURACTIV,  Dr Stefan Meister, kreu i programit për Rendin Ndërkombëtar dhe Demokracinë në Këshillin Gjerman për Marrëdhëniet me Jashtë [5], e imponoi Ukraina. 
Le të kujtojmë faktin se, në ditët e para pas pushtimit rus, Gjermania vazhdonte ta mbante “kokën ulur para Putinit”. Të shtunën në mbrëmje, megjithatë, qeveria ndryshoi kurs dhe njoftoi një kthesë për 180 gradë. Këtë pozicion e bëri publik në Bundestag kancelari Olaf Scholz, që gjeti mbështetje të plotë nga opozita (CDU/CSU)  dhe kreu I Friedrich Merz. [6]

“Në këtë orë historike, në funksion të sulmit brutal ndaj Ukrainës, ne do të vendosim në favor të një mbështetjeje që, përveç angazhimit tonë të madh ekonomik dhe humanitar, tani po mbështet edhe Ukrainën me dërgimin e materialit ushtarak dhe armëve. theksoi Baerbock. Ky ndryshim në qasjen e Gjermanisë ndaj sigurisë synon gjithashtu të parandalojë që “lufta e Putinit të përhapet në vendet e tjera të Evropës”, tha Scholz.[7]

Putini në fjalimin e tij dënoi Leninin dhe Stalinin që konform parimit të vetëvendosjes i ishin njohur popullit ukrainas të ketë Republikën e vet, por në përputhje me ideologët e tij fashist rus — Ivan Ilyin dhe Aleksandër Dugin, rikujton epokën cariste dhe po rrëshqet në ujrat e skizo-fashizmit, si e cilëson historiani Timothy Snyder fashizmin modern rus.
Profesori i Universitetit të Yale-s, Timothy Snyder, konsiderohet si njëri nga njohësit më të mirë të Rusisë dhe Gjermanisë naziste. Ai ka shkruar një varg studimesh, në të cilat potencon ndikimin e Ivan Ilyin mbi Putin-in.
“Nacionalizmi rus i Putinit i ndikuar prej mendimeve të Ivan Ilyin, ka pasur një ndikim global tek një brez i madh partish dhe levizjesh të së djathtës ekstreme në të gjithë Perëndimin”, shkruan Timothy Snyder në librin e tij të fundit ‘Rruga drejt robërisë: Rusia, Evropa, Amerika.’ [Snyder: 2020]
Ky fakt tashmë është notar përse Perendimi nuk po arrinë dot unitetin veprues të shkallës së duhur për t’ju kundërvënë skizo-fashizmit rus edhe pas fillimit ët paralajmruar të luftës në Ukrainë.

Deklarata e përbashkët ruso-kineze

Kjo është arsyeja pse nuk është çudi që deklarata e përbashkët e nënshkruar nga udhëheqësit kinezë dhe rusë Xi Jinping dhe Vladimir Putin në Pekin, më 4 shkurt, përmban gjëra të tilla si mbrojtja e përbashkët e kujtimeve të Luftës së Dytë Botërore dhe kundërshtimi ndaj përpjekjeve për të manipuluar informacionet për qëllime politike. Të kujtojmë se të dy vendet janë shumë të ndjeshme ndaj Luftës së dytë Botërore, duke pasur parasysh humbjet e tyre të mëdha në atë luftë: rreth 27 milionë qytetarë sovjetikë u vranë dhe rreth 40 milionë kinezë pas sulmit nga Japonia Perandorake.

Në stilin ruso-kines, jo rastësisht, që në fillim të tekstit, është miratuar Deklarata e Përbashkët për Demokracinë. Në këtë tekst thuhet se, të dy vendet kanë sistemin e tyre të qeverisjes, të dyja e pranojnë demokracinë, por besojnë se secili vend ka të drejtën e modelit të vet të demokracisë, pra se Shtetet e Bashkuara nuk mund të imponojnë modelin e tyre të demokracisë në botë. Me fjalë të tjera, Moska dhe Pekini besojnë se, vitet e fundit, demokracia, si term, është abuzuar, duke u përdorë si një armë për të luftuar shtetet e papushtuara.
Në këtë rrafsh demarkacioni mes demokracive liberale dhe shteteve autoritare (demokracive iliberale) merr trajtë të qartë, duke mëtuar të shndërrohet shpejt në një “perde të re të hekurt” mes Perendimit dhe Lindjes.
Formula e Kisingerit se: shuma e marrëdhënieve individuale të Shteteve të Bashkuara me Rusinë (BRSS) dhe Kinën duhet të jetë gjithmonë më e madhe se shuma e marrëdhënieve midis Rusisë dhe Kinës, e qartë, nuk është më e vlefshme. Rrjedhimisht po merrë formë ekuacioni i trekëndëshit gjeopolitik global i cili do të duket kështu: marrëdhëniet SHBA-Rusi-SHBA-Kinë po shkojnë drejt 0 (zeros), ndërkaq marrëdhëniet Rusi-Kinë arrijn kuotën e 10 (dhjetshes), nëse shprehemi me minimumin dhe maksimumin e vlerës së këtyre marrëdhënieve.

Mbretëria e Bashkuar tok Shtetet e Bashkuara, në rast se thellohet kriza në Ukrainë, që pashmangshëm do të shpërfaqte konkurrencën në fushën e armatimit modern mes Perendimit dhe Rusisë, do ta kthejë fuqitë kontinentale evropiane në gjendjen që kishte fill pas Luftës së Dytë Botërore.


Mesazhi i luftës së Ukrainës: kthimi tek Tukiditi

Lufta në Ukrainë shkatërron iluzionet e një lagjeje politikanësh e intelektualësh kuaziprogresiv që gjykonin si fëmijë naiv se, jetuakemi në një botë në të cilën forca ushtarake nuk është më e nevojshme.

Objektivi rus për çarjen e NATO-s dhe shkërmoçjen e BE-së dështoi. Në këtë betejë të ashpër, ku lufta e nervave i dha përparësi të urtit Joe Biden, po ndodhë e kundërta: ruajtja e unitetit transatlantik, duke mbajtur Gjermanin tutje larg radarëve rus.  Kërcnimi rus i bënë anëtarët e NATO-s, veçanërisht shtetet baltike (Estonia, Letonia dhe Lituania), pastaj evropianët e qendërs – si Polonia dhe Rumania, e me theks edhe ata të Europës Juglindore, sidomos ne shqiptarët, më syçelë.

Fitorja e demokracisë liberale mbi socializmin militant, respektivisht imperializmit rus, që njihet ndryshe edhe si fundi i Luftës së Ftohtë (1989), erdhi tok me premtimin për një rend ndërkombëtar liberal të bazuar në rregulla. Ndërkaq projekti i neofashistit rus Putin për aneksimin e Ukrainës, që ndërkohë u vu në lëvizje me gjithë aparatin e dhunës që posedon Rusia sot, na vije si një mesazh nga thellësitë e historisë së civilizimit tonë – nga Lufta e Peloponezit të Tukididit, se “të fortët bëjnë atë që munden dhe të dobëtit vuajnë atë që duhet”.

Një lagje e fashistëve modern të tipit të Vladimir Putinit, Rexhep Tajip Erdogan-it, Victor Orban-it dhe ish-presidentit të SHBA-ve, Donald J. Trump, por edhe udhëheqësve autoritar si Presidenti kinez Xi, presidenti i Indisë Narendra Modi etj., atë që kanë të përbashkët është se, ata mendojnë më tepër në rrafshin e civilizimeve sesa në termat kombëtarë. Rrjedhimisht ata i përcaktojnë kufijtë e kombit të tyre në terma civilizues dhe jo në terma juridikë të njohur ndërkombëtarisht.

I tillë u shpërfaq sërish Putini, kur javën që lamë pas, i zhytur thellë në një karrige të madhe për përmasat e trupit të tij, me një shprehje disi të vrarë në fëtyrë, mbajti fjalimin e gjatë për gadi 90 minuta, gjatë të cilit shpalli njohjen ruse të dy republikave të shkëputura të Ukrainës.
Studjuesi amerikan James M. Dorsey, në një analizë të tij të publikuar së fundmi, shprehet se “Versioni i historisë i zotit Putin ishte krijuar për të justifikuar shkeljet ruse të mbështetura nga Rusia në territorin ukrainas dhe për të përcaktuar kufijtë qytetërues të asaj që ai e quan bota ruse.”[8]

Java e parë e luftimeve kaloi. Konturat e pozicionimeve të palëve kanë marrë formë edhe më të theksuar. Me gjithë qëndresën titanike ët ukrainasve, gjithçka dëshmon se ushtria ruse përparon pandërprerë dhe me faza. Forcat ruse po rrethojnë kryeqytetin Kiev nga anë të ndryshme dhe kanë rrethuar edhe qytetin e dytë, Kharkiv.  Në natën e së hënës, aty hodhën bombë me vakum pikërisht në Sheshin e lirisë. Ata po përparojnë nga Krimea në veri dhe veriperëndim, duke arritur në Mykolaiv, dhe gjithashtu në veri-lindje, përgjatë bregut të detit Azov, prej nga kanë pushtuar Melitopolin dhe Berdiansk dhe pothuajse ia kanë dalë ta marrin qytetin për ta me interes strategjik – Mariupolin, duke u ndërlidhur kështu me forcat që vinin në jug nga Donetsk.

Këto rrethana dhe vazhdimi I luftës shkatërruese, negociatat i bën të pashmangsme. Për këtë janë të vetëdijshëm secila palë.  Por, duke pasur parasysh situatën në terren, çdo negociatë në këto çaste do ta vendoste qeverinë ukrainase në një disavantazh ekstrem. Pyetja e parë që  shtrohet në këso rrethanash do ët ishte: Çfarë ofrojnë negociatat. Ulja në tavolinën e bisedimeve në takimin e parë solli ultimatumin rus:  dorëzohuni! Pranoni humbjen e Krimesë përjetësisht dhe dorëzoni armët!
Si do t’i përgjigjej ndryshe këtij ultimatumi presidenti Volodymyr Zelensky? Në këto rrethana, negociatat do të ishin thjeshtë një prelud i kapitullimit. Megjithatë, presidenti ukrainas Zelensky u pa qartë se nuk ka disponim të kapitullojë. Prandaj lufta vazhdon. Me këtë edhe diskreditimi i plotë i Rusisë. Por, a mjafton kjo për popullin e Ukrainës?

Përfundim
Përafrimi i boshtit Moskë-Pekin në trajtën e një aleance, tashmë është fakt notar. Deklarata e zëdhënses së Mministrisë së Jashtme të Kinës, Hua Chunying, disa orë pas fillimit të agresionit rus ndaj Ukrainës, se “veprimet e Moskës bazoheshin tërësisht në gjykimin e saj dhe në interesat kombëtare”, flet qartë pro tezës se Pekini ka qenë paraprakisht jo vetëm në dijeni, por edhe dakord për aneksimin e Ukrainës nga ana e Rusisë. Ndërkaq kur zëdhënsja u pyet nga një gazetar se çfarë mendonte për “invazionin” rus, ajo dha një përgjigje sinjifikative që kishte për bazë pikërisht konceptin në fjalë, që përcakton kufijtë e kombit në termat civilizues: “Ju aplikoni metodën tipike të mediave perëndimore, duke përdorur fjalën invazion”, duke sugjeruar që Kina nuk e sheh lëvizjen ruse si një “pushtim”. Hua u shpreh tutje se, ajo që po ndodhë në Ukrainë është rezultat i “një konteksti historik që është i ndërlikuar” dhe se konflikti aktual “është shkaktuar nga lloje të ndryshme faktorësh”. [9]

Marshi rus drejt rikthimit të Ukrainës nën pushtetin e Rusisë moderne, tregon qartë se Moska po demonstron forcë, por edhe vendosmëri për t’i përdorur armët nukleare nëse gjërat në rrugë e sipër mund të përmbysen në dëm të saj. Pikërisht kjo është arsyeja e reagimit racional të Prendimit. Por edhe pse duket qartë se, Moska pretendon të rikthehet si njëra nga fuqit dominuese botërore, ashtu si ishte në epokë e Lufëts së Ftohtë, biseda e së premtës së kaluar me presidentin e Francës, Emanuel Makro, dëshmon se Moska nuk dëshiron dëmtim të përhershëm të marrëdhënieve të saj me Evropën. Ajo pret gjithsesi që Perendimi ta përmbushë kërkesën e saj kryesore për neutralitet ushtarak të Ukrainës.
Në rast se qëndresa ukrainase vazhdon të jetë kështu si u dëshmua në javën e parë të luftës, dobësimi i Rusisë do të ndikojë që ajo t’i dotëzohet pa kushte Kinës si prijëse e aleancës kinezo-ruse.

Një Ukrainë e lirë, sovrane e neutrale, do të jetë para së gjithash produkt i luftës titanike të popullit ukrainas. Ky gjakim i popullit të Ukrainës për liri kombëtare u dëshmua me shembullin vetëflijues të inxhinjerit ushtarak Vitaly Skakun. Ai hodhi vetën në erë në një urë për të ngadalësuar përparimin e ushtrisë ruse. Ky akt është garanca më e mirë, se kthimi në normalitet, qoftë edhe përmes statusit të shtetit neutral, kërkon flijime të mëdha, por ai është i mundshëm.
_______________________________________
1. Saul Bernard Cohen, Gjeopolitika — Gjeografia e marrëdhënieve ndërkombëtare, Tiranë 2016, f. 2. https://www.geopolitika.news/analize/z-meter-genijalnost-americke-politike-sprijecili-njemacko-ruski-savez-pa-stvorili-rusko-kineski/

3. https://mittler-report.de/europaeische-sicherheit-technik/

4. Po aty

5. https://dgap.org/en/user/276

6. [https://www.bundestag.de/#url=L2Rva3VtZW50ZS90ZXh0YXJjaGl2LzIwMjIva3cwOC1zb25kZXJzaXR6dW5nLTg4MjE5OA==&mod=mod493052]

7.  Po aty.

8. https://www.eurasiareview.com/23022022-ukraine-its-the-new-world-order-stupid-analysis/

9. https://www.geopolitika.news/vijesti/oglasila-se-kina-povodom-ruskog-napada/


Spread the love


Leave a Reply