ASOCIACIONI I KOMUNAVE ME POPULLSI SHUMICË SERBE SIPAS PROJEKT – STATUTIT EVROPIANO – AMERIKAN TË BRUKSELIT

Spread the love

  • – Efektet negative dhe pasojat –

Nga Prof. Dr. Mazllum BARALIU

Motot e punimit:

E VËRTETA DHE DREJTËSIA JANË MBI TË GJITHA, SEPSE VETËM PREJ TYRE VARET MADHËSHTIA E KOMBIT.

(EMIL ZOLA)

TËRBIMI QË KALOI NË KËTO BRIGJE NUK NJOHU MASË, AS NUK NJOHU LIGJE…

(DHIMITER SHUTERIQI)

KUSH MBJELL VIRTYTIN, KORR LAVDINË.

( LEONARDO DA VINQI)

NUK MUND TË NDËRTOHET NJË KOMUNITET POLITIK, PA NDËRTUAR MË PARË NJË KOMUNITET MORAL.

( HEGELI)

“BRENDIA E MIRËFILLTË E NJË QEVERISJEJE DEMOKRATIKE KONSISTON NË SOVRANITETIN ABSOLUT TË SHUMICËS”.

  1. PRELOGOMENA E SFONDIT HISTORIK TË PROBLEMATIKËS

Pas luftës së fundit në Kosovë; rrjedhimisht pas administrimit–eksperimental ndërkombëtar dhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës me 17.02.2008., bashkësia ndërkombëtare, konsideronte se duhej të zhvillohej një proces dialogimi në mes te Kosovës dhe Serbisë për (shtrimin, diskutimin) dhe zgjidhjen e problemeve ndërshtetërore – në mes tyre.

Sipas disa burimeve, kinse më kredibile, për ta mënjanuar apo pamundësuar Rusinë, që të ketë rrol interferues, ndikim apo edhe të bëj pengesa në këtë proces, bashkësia ndërkombëtare, me ndikim – në punë të mëdha – ia mori ketë ingerencë a mundësi Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe në mbledhjen e Asamblesë së përgjithshme të OKB-së, në Nju Jork, ketë detyrë ia barti Bashkimit Evropian. Pra, që BE të merrte detyrën e intermediatorit në bisedimet apo dialogun teknik, siç thuhej e quhej ai atëherë, në mes të Kosovës dhe Serbisë, po ai proces.

Fatkeqësisht, për shkak të lëshimeve dhe gabimeve tona, pra te qeverive tona dhe për shkak të kinse qëllimeve strategjike–gjeopolitike të asaj që quhej Bashkësia Ndërkombëtare dhe BE- dialogu i ashtuquajtur teknik apo për çështje bilaterale teknike në mes të Kosovës dhe Serbisë i cili përfshin edhe më shumë se 6 (gjashtë) pikat e papranueshme të Ban Ki Munit, derivoi për të kaluar në formatin e bisedave – deri në negociata – përsëri tejet të dëmshme e të papranueshme politike dhe diplomatike. Për më keq ky proces i dialogut vazhdoi mbi 13 vjet dhe gjatë gjithë kohës; në mes të palëve dhe ndërmjetësve të tyre u diskutua dhe kinse u dakordua; kryesisht për çështje e tematika të brendshme e sovrane të Kosovës.

Njëra prej shumë marrëveshjeve (të cilat as sot e kësaj dite nuk dihet se sa saktësisht janë arritur në Bruksel), e cila është konsideruar gabimisht ose qëllimisht si marrëveshje e normalizimit me Serbinë, e vitit 2013., është ajo për Asociacionin e komunave me shumicë të popullsisë serbe në Kosovë. Një tjetër marrëveshje fatkobe dhe fatale (ashtu sikurse edhe e para) për kinse parimet e asociacionit, është lidhur në mes të dy vendeve në gusht të vitit 2015.

Meqë dialogu i ashtuquajtur, me Serbinë edhe pas edhe 13 vitesh, ishte një histori dështimi, sepse nuk solli pothuajse asnjë rezultat me rëndësi në përmirësimin esencial të marrëdhënieve e sidomos jo në lidhjen e një traktati a marrëveshjeje përfundimtare e cila në brendinë e saj do ta kishte njohjen reciproke ndërmjet dy vendeve – Kosovës dhe Serbisë.

E ashtuquajtura BE apo më saktë dy përfaqësuesit e dy shteteve kryesore të BE-së me iniciativën frënge – jashtë institucioneve zyrtare dhe jashtë hierarkisë së BE-së, kinse për ta intensifikuar dhe rezultarizuar dialogun në vitin 2023., do ta hartojnë të ashtuquajturin:”Plan-franko Gjerman”, me qëllim arritje të një kinse marrëveshje «normalizimi» në mes të dy shteteve.

Kjo, thuajse kuazi – marrëveshje në ndërkohë, më saktë gjatë vitit 2023. prodhoi apo nxori në sipërfaqe edhe të ashtuquajturin annex apo udhërrëfyes zbatimor të marrëveshjes se Brukselit – nga Ohri.

Pa dashur që të kredhemi gjerë e thellë në këto akte, përndryshe të paprecedent në analet e së drejtës ndërkombëtare; pikërisht të tilla çfarë mund dhe duhet të cilësohen edhe ato 39 apo 40., kinse marrëveshje të arritura më pare në dialogun (përgjatë 13 viteve) në Bruksel, sepse nuk janë objekt i drejtpërdrejtë i trajtimit dhe analizës në këtë shkrim. Megjithatë, lypset domosdoshmërisht këtu potencuar faktin notor, akribor dhe të pakontestueshëm se, këto akte të sipërpërmendura, pashembëllsisht iu janë imponuar palëve, posaçërisht Kosovës(madje të pa trajtuar si palë e barabartë) pa marrë parasysh se ato nuk janë marrëveshje par exelance – me tiparet e duhura dhe të kërkuara ndërkombëtarësht dhe as që janë nënshkruar sipas uzuseve ndërkombëtare, që donë të thotë, as nuk janë pranuar shprehimisht dhe de lege artis !; ashtu siç kërkohet me rregullat dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare.

Meqë, produkt i drejtpërdrejtë – po ashtu edhe imponues për Kosovën i këtyre dy akteve të sipërpërmendura, tashmë rezultoi të jetë edhe i ashtuquajturi  Plani «Franko-Gjerman ose Europian » i Brukselit, si dhe Projekt Statuti europiano-amerikan për Asociacionin e Komunave me shumicë të popullsisë serbe dhe meqë ajo materie që është normuar në këtë projektstatut, tenton të përcaktoj ose më saktë ta imponoj edhe strukturën vertikale edhe atë horizontale të asociacionit – në vazhdim do të përpiqemi të analizojmë, shkoqisim dhe perimtojmë – pikërisht përmbajtjen, zgjidhjet kryesore, objektivat, karakterin dhe arkitekturën regulative të asociacionit përmes ketij projekt-statuti – kuptohet së bashku edhe me efektet eventuale negative dhe pasojave të tij.

Le të fillojmë nga preambula:

Mirëpo, nuk do ishte tablloja etiologjike e inicimit, dhe ecurisë zhvillimore te problematikës se asociacionit për të cilin po flasin, ne qoftëse, paraprakisht nuk flitet shkurt, për ecurinë dhe tabllonë etiologjike të problematikës. Në të vërtetë negociatorët tanë që kishin shkuar të bisedonin për procesin e decentralizimit në Kosovën e ardhshme të pavarur, sovrane dhe demokratike, në rrethana sa specifike, po aq edhe infantile; lehtë e shkarazi kishin pranuar propozimin e të jashtmëve dhe të fuqishmëve, që komunat me shumicë të popullsisë serbe, të kishin të drejtë të krijonin Asociacionin e tyre specifik dhe special në Kosovë.

Në një kinse proces negociator, por realisht në një proces perfid; fillimisht kinse teknik, por realisht në vijim edhe politik e diplomatik, në të cilin Serbia mshifej prapa shpinës së Rusisë dhe kishte hyrë për të nxjerrë sa më shumë koncesione pa marrë obligim – pothuajse për asgjë, negociatorët serb kishin arritur që të fusin në agjendë rrafshin e tretë pushtetit në Kosovë. Një pushtet toksik, monstruoz dhe frankenshtajn, që nuk ishte instaluar deri atëherë kurrë dhe askund – pra as në rregullimet kushtetuese të Kosovës e as në projektin, për të cilin negociohej; për një kushtetutë të re – të një Kosove të pavarur e demokratike.[1]

Propozimi inicial për asociacionin – që më vonë do të paraqitet si: ”cung në derë të kovaqit-farkatarit apo edhe thember e Akilit” – që delegacionit tonë i ishte ofruar nga një diplomat gjerman anonim; periferik e irelevant, të cilin – si duket me ironi, por gjithsesi edhe me pezm, autori i botimit të Emrit të Autonomisë z. Veton Surroi, diplomatin në fjale, si me shpoti e ironi, do ta quante herë Krono Berger, herë Shllapter-Berger.[2]

Fillimisht kinse në mbështetje të nenit 10. të Kartës Evropiane i sipërpërmenduri Shlapterberger pat kërkuar nga negociatorët kosovarë në Vjenë, që në baza etnike një i ashtuquajturi Konzorcium (që më vonë do bëhej asociacion i komunave me shumicë të popullsisë serbe, të formohej në baza etnike, ndonëse as në nenin 10 të Kartës Evropiane, nuk ekziston ai formulim dhe as në Këshillin e Evropës e as në organet e tij, po ashtu nuk ekzistonte ndonjë lloj obligimi i tillë. Përkundrazi në Këshillin e Evropës ekzistojnë përcaktime të qarta të Këshillit të Evropës – kundër diskriminimit – në baza etnike.

Për më tepër delegacioni ynë – as nuk vrau fare mendjen, që të mos pranonte konzorciumin, kur dihej qartë se Kosova atëherë – si një vend pa subjektivitet ndërkombëtar dhe pa sovranitet, ende nuk ishte anëtare (as sot nuk është) e Këshillit të Evropës, kështu që edhe rrjedhimisht nuk kishte asnjë obligim, që ti nënshtrohej rregullave të këtij Këshilli.[3]

Më vonë, megjithatë: “Fjala apo nocioni “Konzorcium” me kompetencë shtesë”, e edhe më vonë – në Pakon e Ahtisarit edhe si asociacion (me “a” të vogël), do të ketë kompetenca shumë të reduktuara, gjithsesi, jo se jo kompetenca ekzekutive në fushën e pushtetit lokal”.[4]

Në proces e sipër kreatura surrogate, frankenshtajne dhe toksike si entitet legal, që u formua me pajtimin e të dy qeverive ( të Beogradit dhe Prishtinës), ishte në të vërtetë një autonomi territoriale – politike dhe administrative e serbëve të Kosovës. Në asociacion pra, interesat e serbëve të Kosovës marrin formën territoriale, apo të: »promovimit të interesave të serbëve të Kosovës, kundruall autoriteteve qendrore « .

Brenda territorit të asociacionit – autoritetet e saj, do të kenë mbikëqyrje të plotë dhe kompetenca në:

  • Zhvillimin ekonomik;
  • Planifikimin hapësinor rural dhe urban;
  • Arsimin,
  • Shëndetësi dhe në fusha e veprimtari të tjera, me peshë dhe relevancë parësore.

Vlen të përmendet këtu se, në diskursin politik serb, të paktën që nga koha e diktatorit Milloshevic – në Serbi, filloi paraloja e vazhdimit të territorializimit të të drejtave serbe e që është quajtur kinse “mbrojtje nga majorizimi’’. Kjo kinse ide prijëse; përndryshe megalomane, ireale dhe irracionale deri në absurd, mbështetej në kinse fundamentin; kinse premisor, se serbet nuk bën assesi te trajtohen si minoritet – rrjedhimisht nuk mund, gjegjësisht nuk bën kurrsesi të majorizohen – nga ndonjë shumicë tjetër mbi votuese mbi ta, qoftë ajo edhe shumicë demokratike.

Pra sipas tyre, ata do të duhej që me çdo kusht dhe në çdo rrethanë, të jenë të mbrojtur territorialisht dhe kolektivisht nga “majorizimi” i të tjerëve,[5] ndërkohë që sipas tyre-është krejt normale e arsyeshme dhe e drejtë që ata ti majorizojnë dhe territorialisht t’i mbizotërojnë të tjerët – qoftë edhe në tokat dhe ambientet e tyre historikisht autoktone; kompakte, pandane dhe historike.

Pikërisht si kërkesë për kinse mos majorizimin e serbëve në Bosnje e Hercegovinë, ka rezultuar kreatyra malinje dhe toksike e entitetit të ashtuquajtur – Republika Serbe atje.

Doemos lypset theksuar këtu se, insistimi kontinuiv inkriminues deri në gjenocid i regjimeve barbare serbëve për teritorialitet (që sipas tyre mbase do të thotë të kesh hapësirë më të gjerë racionale dhe utilitare) e kinse jo të pretendosh e luftosh për majorizim, është si duket produkt historik i afshit deri në sindrom për predominim, për supremaci dhe hegjemoni të serbëve – ndaj të tjerëve. Mbase orekset e tilla si mësipërme, kanë rezultuar dhe janë kurorëzuar-fatkeqësisht me luftrat, fatkeqësitë, tragjeditë dhe krimet gjenocidale, që serbet iu kanë shkaktuar popujve të tjerë – rreth e rrotull ose për rreth tyre; sidomos shqiptarëve, boshnjakëve; po edhe kroatëve, hungarezëve, bullgarëve dhe të tjerëve.

Vijimësia oreksale patologjike e shprehur dhe e insistuar edhe në qarqet ndërmjetësuese e lehtësuese diplomatike në rastin e bisedave për kinse decentralizimin, për asociacion e diplomacisë dhe shtetit Serb me metoda perfide e fine bizantiniste ka funksionuar edhe në retoriket mbi Kosovën dhe rreth saj edhe sa i përket decentralizimit edhe asociacionit.

Naiviteti deri në servilitet, injorancë dhe padurimi i përfaqësuesve tanë në bisedat në Vienë, lidhur me planin e Ahtisarit dhe në përpilimin e Kushtetutës së re, padyshim që e kanë fuqizuar deri në lehtësim; rrjedhimisht edhe në kurorëzim final, punën dhe perfiditetin diplomatik serb – në proces. Ky fenomen është karakteristik, posaçërisht në rastin tonë sa i përket dialogut për dy marrëveshjet për asociacionin e komunave me popullsi shumicë serbe në Bruksel.

Derisa me propozim – planin evroamerikan, përndryshe tejet të dëmshëm e me pasoja të pakompenzueshme e të ashtuquajtur gjithë-përfshirës të Ahtisarit, siç ishte atëherë dhe është edhe tani evidente e qartë dhe sigurte, se u krijua një asimetri që dëmtonte shtyllat kryesore të funksionalitetit të shtetit – veçmas në nivelin vendor, me marrëveshjet e ashtuquajtura “historike” të Brukselit, tashmë në Kosovë potencialisht janë instaluar dy “entitete” me po ashtu dy “sisteme” menaxhimi. Njëri që është i Republikës së Kosovës dhe pretendon të ekzistoj dhe funksionoj si një Republikë qytetare dhe shumëkombëshe, dhe tjetri: ai i asociacionit të komunave me popullsi shumicë serbë – një territor autonom dhe një etnik, që potencialisht do të ngërthente, prezantonte dhe pa mëdyshje edhe promovonte, vetëm ose parësisht vetëm interesat serbe – paralelisht me ato të të tjerëve ose të veçuara (në kontingjent) nga ato të të tjerëve në Kosovë.[6]

Sistemi menaxhues një etnik i Asociacionit që nga emri, përmbajtja e deri te simbolikat e tij (flamuri, stema etj.) është mohim i sistemit tonë të Republikës së Kosovës – me projeksionin e tij shumetnik, me flamurin dhe himnin pa tekst.

Është premisë e mirënjohur doktrinarë dhe reale po të doni, se tejkalimi gjeneroz i kufirit të të drejtave (edhe) specifike ndaj pakicave në një shtet, në një gamë, masë a vëllim e peshë a tjetër, duhet të konsiderohet seriozisht – nga shtet bërësit e diplomaci bërësit, sepse disbalanset premisore – sa i përket qarkut, standardeve dhe rezervave shtetërore (reason d’etat) dhe (reason d’etre)! Shkaktojnë edhe disfunkcionalitetin e shtetit – deri në zhbërje të tij – në vend se ndërtimin dhe forcimin perspektiv e afatgjate të tij. Në raste të tilla tepria e disbalansi në zgjerimin (fare iracional) – jashtë standardeve të qarkut të të drejtave minoritare, kur dëmtohet shteti ose thjesht nuk funksionon mirë e me sukses, nuk kanë as rëndësi as jetëgjatësi as stabilitet funksional as të drejtat as qenësia as perspektiva e të drejtave minoritare në vendin a kohen e caktuar historike.[7]

Pse, sepse, në vend të zgjidhjes së problemeve, krijohen probleme edhe më të mëdha – më të ndërlikuara dhe ndrydhen perspektivat e një vendi; madje krijohen edhe probleme e konflikte të tjera potenciale – kolaterale – rajonale dhe më gjerë .

Dy atllarë në një mullar, nuk bëjnë – nuk lidhen – thotë një urti e popullit tonë; as dy kafshata në të njëjtën kohë-në një gojë nuk futën, sepse kollabon qenia…!.

Prandaj, ndërlidhur me temën tonë, kur përpiluesve të propozimit gjithëpërfshirës të Ahtisarit, iu shpjeguan argumentet se pse nuk kishte mundësi te kombinohen të gjitha parimet përndryshe kontradiktore të të drejtave minoritare, pra ato jo territoriale me ato territoriale, ata zotërinjtë, pa një pa dy – njëzëri theksuan: “nuk e kemi ndërmend atje; pra në Kosovë, të formojmë një: ”Frankenstein”[8]Fjala ishte për asociacionin e pretenduar të komunave me popullsi shumicë serbe.

Por, jaqë fatkeqësisht, diplomacia evropiane – fare padrejtësisht – nën ndikimin e lojërave të pista dhe kombinatorikave bizantiniste serbiane dhe evropiane – pikërisht të tilla, çfarë synonin – pra krijimin e një kreatyre monstruoze dhe juridikisht frankeshtajne, siç do të ishte asociacioni – e bënë Asociacionin!

Pra, Po si e bënë ? E bënë përmes kinse marrëveshjeve të mëhershme dhe atyre më të reja të Brukselit e të Ohrit ; por edhe me ndihmësen e përfaqësuesve tanë – injorantë – nga Kosova ; duke imponuar çdo gjë – madje deri edhe atë projektstatutin e sivjem – sipas modelit më anti diplomatik, antikorrekt; antiparimor dhe antisovran: « merre ose lere » !

Pikërisht për këtë model-statut të imponuar nga brendi Euro-Amerikan i Brukselit, do të bëhet më detalisht fjalë në vijim të këtij punimi (apo kumtese) :

AD 1. Pjesa hyrëse, prelogomenale ose edhe preambulore si do që ta quajsh, në projektstatut që quhet Statut, duhet të jetë e pazakonshme dhe në shpërputhje me metodat dhe modelet e përgatitjes juridike dhe nomoteknike të akteve të ndryshme juridike – qofshin ato edhe nënligjore, çfarë do të duhej të ishte edhe ky akt.

Pra, para hyrja ose preambula e projektstatutit, është inkorporuar pas titullit të tij, që është një veprim, model dhe modul i pazakonshëm; madje edhe joadekuat .

AD 2. Në po këtë pjesë hyrëse pa vend dhe me hile, ndër të tjera përmendet edhe Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së e cila rezolutë, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës; pas njohjes së kësaj pavarësie nga mbi 117 vende të botës, si dhe pas kalimit të periudhës kohore prej 16 vjet pas shpalljes së pavarësisë, është edhe e tejkaluar edhe pa kuptim – sa i përket qëllimit eventual apo edhe vendit e kohës, në të cilat është përdorur kjo sintagmë; për një rezolutë tashmë tërësisht dhe qëmoti të tejkaluar!

AD 3. Në pjesën preambulare është përdorur togfjalëshi: “dhe në respekt të pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës.’’ Fjala autonomi në mes të togfjalëshit është edhe e pa vend edhe e panevojshme edhe e tepërt- në mos edhe qëllimkeqe. Kosova është shtet i pavarur dhe përmendja e autonomisë paraqitët si një «  sasi e mishit të egër në palcë » . Përse sepse autonomia ngërthen në vete një nivel më të ulët të qeverisje ; të administrimit a vetëvendosjes se sa pavarësia e një vendi. Pra termi autonomi këtu është dukshëm më relativizues dhe më minimizues se sa niveli i pavarësisë; ndaj nuk ka as vend as nevojë; as bazë as arsye fare, që i njëjti të përdoret në këtë tekst të këtij projektstatuti.

AD 4. Projekt-teksti i statutit nuk ka as prefiks autorial; as datë të përpilimit, as autor përpilues nominativ; përveç që ka referimet e Republikës e cila sipas tekst shkruesit incognito e: »miraton statutin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë ».

AD 5. Në këtë projekt-tekst të statutit, parahyrës së tij, i mungon fjala « sovranitet » ose në : « respekt te sovranitetit” të Republikës së Kosovës ». Ndaj vendosja e fjalës autonomi e mungesa e fjalës sovranitet – në fakt flet për mungesë serioziteti ose të synimit të mirë e pozitiv të përpiluesit të tekstit të këtij projektstatuti.

NENI 1. – Interpretimi i materies së pretenduar regulative –

AD 1. Termi nën (b): “Serbia Republika e Serbisë – në këtë projektstatut; pra që është vetëm një akt nënligjor i Republikës së Kosovës, nuk ka as nevojë, as arsye, as bazë për tu inkorporuar në te.

AD 2. Edhe termi:” Autoritetet Qendrore (d)” – në kuptim të institucioneve qendrore të Kosovës, është termin jo kushtetues që i bie edhe kundër kushtetues, ndaj është edhe i pavend edhe i papërdorshëm – si i tillë – në legjislacionin e Republikës së Kosovës.

AD 3. Togfjalëshi e drejta e aplikueshme (e), në radhë të parë i vendosë (me prioritet kronologjik dhe bazimor) – traktatet dhe konventat ndërkombëtare e më pastaj ligjet e Kosovës. Shtrohet pyetja legjitime, përse dhe në çfarë baze po u dashka, që në një akt nënligjor të një “OJQ-je” – (pa kompetenca ekzekutive siç na thoshin publikisht dhe në shkundje të së vërtetës objektivë – disa përfaqësueses kinse diplomatik ndërkombëtar) – e cila duhet të themelohet dhe të funksionoj sipas legjislacionit tonë – ndërkohë që në preambulën e të cilit projektstatut , as nuk përmendet fare askund – Ligji mbi asocimin në OJQ – në Kosovë?!

AD 4. Po në pikën (e) të nenit 1. të projektstatutit në trajtim – në vazhdim të tekstit – pas pjesës: ”ligjet e Kosovës”, thuhet: “dhe legjislacioni tjetër i zbatueshëm në Kosovë.” Shtrohet pyetja – në cilin legjislacion mendohet – sepse:” në Kosovë – ka vetëm një legjislacion në fuqi dhe vetëm legjislacioni i Kosovës zbatohet.” Në këtë pyetje qeveria e jonë dhe ndërmjetësit duhet të përgjigjen?!

NENI 2. Interpretimi i dispozitave, rrjedhimisht i materies së pretenduar regulative

AD 1. Përpiluesit e tekstit të projektstatutit evropianë-amerikan, kanë manipuluar qind për qind me tekstin e paragrafit 1 . të nenit 2. të projektstatutit, si dhe me dispozitat e nenit 57 të Kushtetutës së Kosovës. Pse? Sepse bëhet përpjekje e pabazuar dhe e pa argumentuar, që veçohet në trajtim (privilegjues e favorizues të komuniteti serb në Kushtetutë), gjë që nuk është e vërtetë. Pra këtu kemi te bëjmë me keqinterpretim të dispozitave të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Neni 57., njëjtë dhe barabarsisht i trajton (edhe në të drejta dhe detyrime) qytetarët e Kosovës edhe ata të komuniteteve pakicë. Pra, si në të drejta ashtu edhe në obligime – barabarsisht i trajton, duke i përfshirë të gjithë dhe i quan grup kombëtar ose etnik. Ndërkohë që përpiluesi i tekstit të paragrafit I(1) të nenit 57 i diskriminon pozitivisht dhe i favorizon pjesëtarët e komunitetit serb; gjë që është normim kundër kushtetues në veti! Aq më tepër, kur dihet se dispozita e Nenit 3 të Kushtetutës sonë, Republikën e Kosovës e trajton si shoqëri multietnike dhe vend të qytetarëve të saj dhe jo të etnive! [9]

AD 2. Sa iu përket “të drejtave të veçanta” apo specifike, komuniteti serb edhe deri me tani; si në nivel të pushtetit vendor apo lokal edhe në nivel të parlamentit dhe të qeverisë, po ai komunitet posaçërisht i ka dhe i gëzon ato të drejta. Në nivel lokal si për shembull: e drejta në arsim të lartë; në policinë e Kosovës; në shëndetësi etj! Ndërsa në nivel qendror, në Kuvend, komunitetet pakicë në Kosovë kanë vendet e garantuara dhe të rezervuara, si dhe të drejtat e vetos në Kuvendin e Republikës së Kosovës; si dhe vendet e rezervuara dosido në qeveri ( pra edhe pa koalic -ione qeverisëse) me partitë shqiptare – gjatë qeverisjes atje!

Pra, ky shtet në baza etnike iu dhuron të drejta specifike komuniteteve pakicë pa dallim! Dhe asociacioni po pretendohet të formohet në baza etnike; gjë që kryekëput është në kundërshtim me parimet bazike, në të cilat është themeluar ky shtet dhe në kundërshtim me dispozitat e sipërpërmendur -ra dhe të tjera të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

AD 3. Edhe dispozita e paragrafit 3 të këtij neni të projektstatutit; pra e cila në projekt-statut:” ofron një kornizë vetmenaxhuese për; siç thuhet komunitetin serb të Kosovës, është kundër kushtetuese edhe ofron kompetenca ekzekutive – shtesë – në krahasim me komunat anëtare të asociacionit. Pra, shkurt e shqip, përpiluesit e projektstatutit, më shumë se herëve tjera, kësaj radhe me këto dispozita, minoritetit serb në Kosovë ua dhurojnë në pjatë, jo vetëm një “kornizë vetëmenaxhuese, por një multistrukturë shtetërore, një model – shteti paralel e tandem e konkurrent me strukturën shtetërore të Kosovës, të cilës i bën jo vetëm karshillëk si strukturë multifunkcionale dhe jashtë kushtetuese, por edhe si pushtet – vetmenaxhues, etatist i cili hyn për derë të vogël, por ia mbyll derën e madhe, pothuajse përgjithmonë Republikës sonë – duke e paaftësuar dhe invalidizuar atë, deri në asfiksi totale; rrjedhimisht deri në zhbërje.

Ky model maliciozisht i imagjinuar si faktik dhe patologjik (i cili po pretendohet të implementohet edhe juridikisht) i një shteti artificial, dhunshëm i imponuar – në shtetin legal, legjitim dhe autentik – ekzistues e juridikisht autokton të Kosovës – me tentakulat, objektivat dhe përmbajtjet tekstuale – që përmban brenda – pa dyshim , më shtytje dhe stimulim permanent – pa vonesë-shtesë; me më shumë siguri e siguresë, do ta shpërbëj shtetin e Kosovës; parësinë; qeverisjen dhe qenësinë e tij – mbi dhe!

Ky biqim shteti në shtet, jo vetëm që është kundër dhe jashtë kushtetues, por është plotësisht i pavarur nga Republika e Kosovës; nga sistemi ynë kushtetues – juridik e administrativ, por për më tepër edhe e rrezikon deri në zhbërje atë sistem shtetëror – pra të Republikës së Kosovës; madje e rrezikon, jo vetëm tërë Kosovën, por edhe tërë rajonin – dhe shumë më gjerë.!

Po si e rrezikon? Fillimisht përmes marrëveshjeve të Brukselit të viti 2013 dhe 2015; pastaj përmes marrëveshjes së Brukselit të vitit 2023 dhe asaj plotësuese të Ohrit të po këtij viti, por sidomos edhe përmes projektstatutit të pretenduar e të ashtuquajtur evroamerikan. Në funksion dhe shpjegim më detal të kësaj që u tha dhe u shkrua më sipër, gjithkush e di tashmë që Serbia; varësisht nga rrethanat, kushtet dhe mundësitë, po edhe nga konstelacionet ndërkombëtare gjeopolitike dhe gjeostrategjike të marrëdhënieve ndërkombëtare, do të synoj e iniciojë përmes asociacionit; por do të vazhdoj deri në ri okupim të Kosovës dhe jo vetëm.

Prandaj nuk qëndron në asnjë tentakulë stabile, botëkuptimi a këndvështrimi politik, se kinse Serbia, nuk e do asociacionin. Ajo sa për fillim e do asociacionin (nëse i konvenon në çastin e dhënë gjeopolitik dhe gjeostrategjik) që ta shfrytëzoj si kapisllë iniciale; për të vazhduar strategjinë e saj të rikthimit (në vendin e krimit) me metoda të kombinuara hibride të luftës ose nëse duhet edhe me agresion a invazion klasik, që ta rimarr a rikthej nën sovranitetin e saj sërish të gjithë territorin e Kosovës. Por kjo në planimetrinë e botës mi litarë serbë dhe asaj ruse, do të ishte dhe është fare pakë dhe e pamjaftueshme. Ajo do të vazhdonte sërish më në perëndim, por edhe në Jug për tu rikthyer në kohen dhe çastin e duhur e të përshtatshëm për t’i aneksuar edhe Kroacinë, Malin e Zi, Bosnjën dhe Hercegovinën edhe Slloveninë e në jug Kosovën, Maqedoninë e Veriut etj.

Pra militarizmi aktual serb, me ndihmën dhe për interes edhe të atij rus, me politikat hegjemoniste dhe neokolonialiste, dëshiron të krijoj Sërbo-sllavinë e re, ashtu siç Putini me planin e tij të megaloidesë greko-bizantine, dëshiron të ri themeloj apo ta rikthej Rusinë e vjetër cariste; rrjedhimisht perandorinë carëve rus – me seli në Kremlin; pikërisht ashtu siç shëmbëllen qartë e qiltër me shembullin flagrant dhe brutal të invazionit rus në Ukrainë i cili para syve të Evropës demokratike dhe të gjithë botës bashkohorë neoliberale edhe sot e kësaj dite, fatkeqësisht po ndodhë.

Pra instalimi i asociacionit të komunave me shumicë të popullsisë serbe në Kosovë, do të thotë, jo integrim të komunitetit pakicë serb në institucionet e Kosovës, por dezintegrim të tyre dhe donë të thotë – destabilizim të Kosovës; drojmë se mbase do të thotë edhe konflikt të pashmangshëm, rrjedhimisht luftë në Kosovë dhe luftë në Ballkan!; pse jo edhe më gjerë?!

Prandaj dilema a pikëpamja, se e do apo jo Serbia asociacionin në Kosovë, nuk është krejtësisht reale, sepse ajo e do, sigurisht në kontekstin dhe relacionin a momentin e preferuar dhe të përshtatshëm – për realizimin e synimeve, planeve dhe objektivave të saj potencialisht neokolonial – ndaj fqinjëve të vetëparësisht ndaj Kosovës, por edhe ndaj të tjerëve në fqinjësinë ballkanike.

Rasti i banjës – me datë 24 shtator, pa asnjë dyshim na jep sqarime dhe përgjigje të mjaftueshme faktike dhe juridike, se çka është në gjendje Serbia politike dhe militariste të bëj, në dëm të Kosovës; paqes dhe stabilitetit në Ballkan dhe Evropë.

AD 4. Le të kthehemi të kompetencat e asociacionit.

Asociacioni sipas këtij projektstatuti evropian do të mund të ketë jo vetëm kompetenca ekzekutive; pra vendimmarrëse, por edhe të tilla puro shtetërore. Ndaj ky dabëllshtet (pra shtet i dyfishtë) derivativ, që mund të rezultojë të krijohet, pra shndërrohet në një shtet tjetër – pandam e rival (në mos edhe armiqësor) autentik-juridik, do të ketë jo vetëm hallka të mirëfillta vetëmenaxhuese e vetëvendosëse – brenda territorit të asociacionit, por edhe kompetenca ekzekutive me ingerenca e mekanizma vendimmarrëse të tipeve të: kompetencave ekzekutive; mundësi; vendosje; mendim; vlerësim dhe vlerësim pozitiv; togfjalëshë këto që janë evidentuar nga disa herë në tekstin e projektstatutit evropiane-amerikan! E që në një mënyrë a një tjetër janë karakteristika dhe autorizime veqorizuese shtetërore dhe jo të një kinse asociacioni –OJQ, siç pretendojnë në mënyrë tejet naïve të na e paketojnë e reprezentojnë disa kinse ambasadorë – përfaqësues të disa vendeve – madje edhe mike të Kosovës.

Është uzus pothuajse ndërkombëtar; pra universal; është parim shekullor dhe është rregulle elementare biznesore dhe diplomatike, që miqët në mes tyre solidarizohen, ndihmohen, përkrahen e fuqizohen dhe nuk ndëshkohen, as nuk plandosën ekonomikisht dhe as politikisht (pamëshirësisht) për toke. Miqësia (përveç kur është jo e sinqertë dhe me interes e qëllim malinj) edhe me kujdes dhe me çmim kultivohet dhe mbrohet e assesi nuk goditët mortalisht edhe pse ne mendojmë se është interes i jashtëzakonshëm dhe i pazëvendësueshëm strategjik më asnjë tjetër përkrahja e Kosovës tani dhe gjithnjë; pikërisht ashtu dhe aq sa është relevante – deri në piedestal -respektimi dhe ruajtja me çdo çmim e miqësisë dhe krijimi i një partneriteti strategjik të shteteve të KVINT-it dhe gjithë perëndimit me Kosovën dhe të gjithë shqiptarët në Ballkan dhe në Botë.

Është evident i pamohueshëm dhe i parrëzueshëm fakti se vetëm faktori shqiptar në Ballkan dhe gjetiu është dëshmuar si aleati më i sigurte dhe më besnik ndaj perëndimit dhe veçmas ndaj SHBA-së. Kjo duhet të vlerësohet, çmohet dhe respektohet e jo të margjinalizohet, minimizohet dhe nënçmohet deri në kundër efektin domino-metastazues – malinjë dhe pasojave të pariparueshme strategjike dhe politike për perëndimin, që nëse vazhdon ky trend i politikës defaktorizuese dhe abandonuese të perëndimit – deri në mospërfillje flagrante – ndaj faktorit shqiptar e veçmas ndaj Kosovës parimore; qendresëtare dhe piemontiane, druajmë se mund të ketë pasoja të pamenaxhueshme dhe afatgjata.

NENI 3. – Interpretimi i materies së pretenduar regulative –

AD 1. Në paragrafin 1. të këtij neni, përpiluesit e projektstatutit edhe më shumë se në paragrafin 4 të nenit paraprak, i vejnë plotësisht në spikamë jo vetëm intencat dhe objektivat e asociacionit por edhe: ”kompetencat, fushë -veprimin e punës, organizimin dhe funksionimin e ORGANEVE, si dhe të gjitha punët tjera të asociacionit “(neni 3. paragrafi 1. i projektstatutit të asociacionit).

AD 2. Projektuesit e këtij statuti, nuk e kanë paraparë situatën juridike në të cilën për shembull verdikti i Gjykatës Kushtetuese, mund të ishte negativ për asociacionin ose nëse jashtë afateve ligjore do të mund të ndodhte që gjykata kushtetuese me muaj e vite, siç ndonjëherë po ndodhë fatkeqësisht edhe tani, të mos nxjerrë verdikt pra të mos jap mendim as pozitiv dhe as negative – për një hark kohor relativisht dhe paarsyeshmërisht të gjatë. Çka dhe si të veprohet mëtutje në situata të tilla për shembull?

Paragrafi 4. i nenit 1., të projektstatutit, taksativisht flet vetëm për vlerësimin pozitiv të gjykatës kushtetuese, që ndërlidhet me simbolet e asociacionit, asgjëtjetër dhe asgjë më tepër!! Po çka dhe si, në rast të një vlerësimi tjetër eventual; që realisht dhe objektivisht mund të rastis të vij nga një institucion i pavarur kushtetues, siç është gjykata kushtetuese.?!

NENI 5. -Interpretimi i materies së pretenduar regulative-

AD 1. Dispozita e paragrafit 3. të nenit 5 (pesë) të projektstatutit, garanton MOSCENUESHMERINË E KOMPETENCAVE EKSKLUZIVE TË KOMUNAVE; kompetenca këto që ato komuna i posedojnë; të garantuara me nenin 40.2 të Ligjit për vetëqeverisje lokale.

Nga kjo dispozitë ligjërimisht rezulton se kompetencat dhe ingerencat e fituara më parë me ligjet e Kosovës, nga BE nuk preken në asnjë element; në asnjë pjesë a segment të tyre – kur ato komuna edhe anëtarësohen në asociacion. Përkundrazi të drejtat individuale dhe ato kolektive të komunitetit serb në komunat veriore, pa diskutim – përkundër parimeve, orientimeve, diskutimeve dhe politikave në asociacion do të mbrohen efektivisht – me çdo kusht dhe gjithanshmërisht!

AD 2. Pra nga sa u tha më sipër – pa diskutim të mëtejmë, na rezulton se, përveç të drejtave ekskluzive dhe specifike të komunave me shumicë serbe – në shkallë lokale, në nivel të asociacionit i cili këtu gjithsesi na rezulton si një pushtet autoritativ, i ndërmjem – vetmenaxhues – i asociacionit, që nuk është as pushtet a strukturë lokale dhe as qendrore; por një strukturë qeverisëse dhe një pushteti ndërmjem; nëse doni derivativ, alternative apo edhe faktik e juridik; pra një shtet në shtet. Pra pushtet i dyzuar!; jo i degëzuar.

Pra këtu kemi shumëfishim korpusit të të drejtave të një komuniteti pakicë; kuptohet ky korpus i pa presedan i të drejtave të njeriut, reflektohet negativisht dhe në dëm të komuniteteve tjera pakicë – në Kosovë. Pra të gjithë diskriminohen, vetëm dikush(komuniteti pakicë serb në Kosovë) është favorizuar nga pushteti – për kaq vite; por për më keq edhe tani – pra me dispozitat e këtij projektstatuti, po ai komunitet pakicë; në këtë rast komuniteti serb – privilegjohet, sikurse me pakot e mëparshme edhe me punën dhe përpjekjet aktuale – pra edhe me asociacionin e komunave me popullsi shumicë serbe në Kosovë.

AD 3. TR. Sipas paragrafit 8 të nenit 5 të projektstatutit, shpërndarja e aso -ciacionit, mund të bëhet VETEM ME VENDIM TË KUVENDIT TË MIRATUAR ME SHUMICË VOTASH PREJ 2/3 TË DELEGATËVE TË SAJ.

Pra, askush, as Qeveria dhe as Parlamenti i Kosovës dhe askush tjetër, nuk ka të drejtë, që në një qaste tjetër në kohë, pavarësisht çka bën dhe si sillet asociacioni me organet e tij, po këtë asociacion nuk mund ta shpërbëjë ose ta shkarkojë.

NENI 6. -Interpretimi i dispozitave – rrjedhimisht i materies së pretenduar regulative-

AD 1. Sipas kësaj dispozite të projektstatutit “europianoamerikan”, vetëm organet e asociacionit dhe komunat anëtare të tij, kanë të drejtë të propozojnë ndryshime të çfarëdo natyre qofshin ato – në këtë projektstatut.

Mungesa e të drejtës organeve qendrore, posaçërisht e Qeverisë së Kosovës, që edhe ajo sipas nevojës dhe interesit qytetar e shtetëror të jap propozime të tilla, flet edhe për mëvetësinë “sovrane” të asociacionit dhe organeve të tij – sa i përket kompetencave, funksioneve dhe vendimmarrjes, por edhe sa i përket pa barazimeve; të paktën në veprime të tilla iniciale po edhe vendosëse – vendimmarrëse – në mes të asociacionit dhe të Qeverisë së Kosovës.

AD 2. Sa i përket paragrafit 2 të nenit 6 të projektstatutit vlerësimi pozitiv i gjykatës kushtetuese mund të sigurohet pa vonesa ose pengesa të mëdha kur dihet se Gjykata Kushtetuese e Kosovës politikisht është e ndikuar shumë ose mjaftueshëm, si nga qarqet me ndikim të jashtëm, ashtu edhe nga estabilishmenti politik i Kosovës – nga brenda.

NENI 7. – Interpretimi i materies së pretenduar regulative–

Asociacioni sipas paragrafit 1. të nenit 7. të projektstatutit, ngërthen në juridiksionin e tij, të gjithë kufijtë administrativë të komunave anëtare të tij. Pra ndonëse gjeografikisht të ndarë, këta kufinjë të komunave anëtare, për -bëjnë – kufirin unik! (siç) të të gjithë territorit të Asociacionit.

Në këtë rast, meqë sipas ligjit për kufijtë të komunave të Kosovës, po ky ligj sipas kushtetutës, nuk mund të ndryshohet as plotësohetpa 2/3 e komiteteve pakicë – edhe në kuptim të kufinjëve komunal, atëherë rezulton se, institucionet qendrore të vendit edhe këtu nuk kanë ingerenca për ndryshimin eventual të kufinjëve administrative të asociacionit.

NENI 8. – Interpretimi i materies së pretenduar regulative –

AD 1. Edhe në këtë nen të projektstatutit, reflektohet sheshazi karakteri etnik i asociacionit, ani që me disa gjimnastika e floskula nomoteknike, përpiluesit e projektstatutit përpiqen, që në paragrafin pasues të intonojnë ca broçkulla të pa krip, të pa yndyrë dhe sidomos të pabazuara!

NENI 9. – Interpretimi i materies së pretenduar regulative –

AD 1. Me dispozitat e paragrafit 1. të këtij neni asociacioni është pajisur edhe me subjektivitet pra edhe me status juridik – (me personalitet juridik) edhe me kapacitetin juridik të nevojshëm.

Sipas interpretimit logjik dhe teologjik, këtu kemi të bëjmë me një substrat-entitet – shtet – të veçantë i cili posedon dhe ushtron të gjitha kompetencat dhe ingerencat e mundshme të një entiteti – shtet (brenda kufijve të vetë – madje edhe jashtë tyre[10] Të këtij projektstatuti), si dhe me ekzistimin dhe funksionimin e këtij entiteti – shtet (asociacionit), si një substrat juridik-politik të mëvetësishëm; rivalizues dhe paralel; por në kushte, marrëdhënie dhe rrethana gjithnjë – ose potencialisht gjithnjë – e më toksike dhe inhibituese, konkurruese – rivalizuese – deri në konflikte kompetencash[11] dhe më shumë se kaq; kolizion ligjesh[12]!!! ose jo kohabituese me një entitet – tjetër – në të njëjtin habitat, por me çdo gjë dhe në çdo gjë – veç e veç dhe ndryshe-ndryshe, nga njëri – tjetri!

AD 2. Me këtë dispozitë anëtarëve të asociacionit, që mund të jenë vetëm komunat me shumicë serbe (parësisht) iu është mundësuar që, përveç të drejtave specifike, themelore, atyre që ato kanë sipas kushtetutës dhe ligjeve në fuqi të Kosovës, të mund të kenë dhe shfrytëzojnë edhe të drejta të tjera shtesë të cilat atyre iu garantohen – nëpërmjet asociacionit.

Kjo zgjidhje është fare e padrejtë, sepse krijon epërsi dhe pabarazi kushtetuese dhe ligjore të qytetarëve të këtyre komunave, duke ua njohur atyre edhe një nivel të tretë (përveç atij lokal dhe qendror, kujto përfaqësimin në Kuvend dhe Qeveri – si dhe të drejtën e vetos p.sh.).

Ndërkohë, kjo zgjidhje e propozuar, ngërthen në vete një formë a model skajshmërisht diskriminues ndaj qytetarëve të tjerë – në format tjera – pa shumicë popullore serbë. Madje mungesë e njohjes apo mohim i të dy të treatve (2/3) të vëllimit dhe nivelit të të drejtave të tyre; madje për më keq është edhe diskriminimi në baza ekskluzivisht etnike, që paraqet shkelje direkëte të Kushtetutës së vendit dhe ligjeve të Republikës së Kosovës.

NENI 10. TR – Interpretimi i materies së pretenduar legjislative –

AD 3. Paragrafi 3. i këtij neni në brendinë e tij përmbajtjesore e ve në pozitë të pabarabartë dhe diskriminues përfaqësimin e komuniteteve tjera në organet e asociacionit ASK.

Formulimi i kësaj dispozite është bërë në mënyrë disonante, perfide dhe shpërfillëse ndaj të tjerëve.

Pse, sepse kinse reflektimi i diversitetit etnik nuk është garanci e barazisë në përfaqësim dhe vendimmarrje. Për të mos lejuar krijimin e një Republike tjetër – në Republikë – me serbët etnik, në rast të formimit!, do të duhej aplikuar këtu mekanizma adekuat kushtetues si vijon:

Në kuvendin dhe organet tjera të asociacionit, pa marrë parasysh numrin e komuniteteve dhe as të votave që fitojnë, një numër proporcional me numrin që krijon balanci 50/50% me numrin e përfaqësuesve të komunitetit serb, të rezervohet dhe garantohet – në përfaqësim dhe vendimmarrje edhe për komitetet tjera në ASK. Asociacion.

NENI 11. – Interpretimi i materies së pretenduar regulative –

AD 2. Paragrafi 2 i këtij neni do të duhej të jetë: Simbolet e asociacionit (flamuri, stema etj.) përveç të drejtës së secilit komunitet në simbolin e vetë, asociacioni do të duhej pasur edhe një simbol të përbashkët të tij i cili do të simbolizonte dhe përfaqësonte secilin komunitet të asociacionit në një simbol të përbashkët – unik – pra, për e gjitha komunitetet që përfaqësohen në Kuvendin e asociacionit, si dhe në institucionet e tjera të tij.

AD 3. Zgjidhja nga paragrafi paraprak në organet kompetente vendimmarrëse të asociacionit, duhet të kërkohet dhe arrihet ekskluzivisht me konsensuse.

AD 4. Në qoftë se nuk arrihet konsensusi apo derisa të mbërrihet konsensusi, përfaqësuesit e komiteteve tjera pakicë në asociacion, do të duhej të kenë të drejtë vetoje.

NENI 12. – Interpretimi i materies së pretenduar regulative

AD 1. Aludimi formulativ sa i përket bashkëpunimit: “me ligjin në fuqi” – është mjaftë konfuz, ambiguitiv dhe i papërcaktuar! Shtrohet me të drejte pyetja. Cilit ligj i referohen përpiluesit e këtij projektstatuti?

Sidoqoftë, duke pasur mundësi të hapur e të lirë bashkëpunimi brenda dhe jashtë institucional edhe jashtë shtetit të Kosovës – madje, rezulton që edhe në këtë fushë veprimtari asociacionit me projektstatut i janë dhënë kompetenca, që në marrëdhëniet ndërkombëtare zhvillohen ndërmjet shteteve. Pra edhe këto kompetenca të asociacionit përgjasohen me ato kategori që quhen attribute shtetërorë!

AD 2. Donacionet e mallrave dhe pajisjeve si dhe pajisjet sipas dispozitave të këtij paragrafi, nuk i nënshtrohen asnjë lloj takse ose detyrimi – në përputhje me legjislacionin në fuqi.

AD 4. Projektstatuti mundëson krijimin e marrëdhënieve dhe hyrjen në marrëveshje bashkëpunimi edhe me asociacione të tjera vendore e ndërkombëtare; me autoritetet lokale; ato rajonale dhe të njësive të tjeravetëqeverisjes lokale – në shtetet e tjera – në pajtim me ligjin në fuqi?

AD x. Të gjitha këto kompetenca në fushën e marrëdhënieve reciproke e ndërkombëtare, në të vërtetë, paraqesin ingerenca me peshë e rëndësi primare dhe iu jepen për menaxhim, vetëm shteteve ose autoriteteve politiko – territoriale; respektivisht etniteteve me ingerenca të caktuara edhe shtetërorë.

NENI 13. – Interpretimi i materies së pretenduar regulative-

AD 1. Dispozitat e paragrafit 1. dhe 2. të këtij neni promovojnë dhe mbrojnë gjithë korpusin kolektiv dhe individual të të drejtave të serbëve në asociacion, si dhe i koordinojnë ato brenda po këtij asociacioni i cili do të veproj në këtë favor, si një formë e bashkëpunimit ndër komunal.

AD 2. Mirëpo, një veçori tjetër – tepër interesante dhe me interes e dispozitave të këtij neni, është se i gjithë ky korpus i siguruar i të drejtave në asociacion, në asnjë mënyrë: nuk do t’i zvogëlojë, zëvendësoj dhe as përjashtojë të drejtat dhe interesat e subjekteve të tjera juridike, që përfaqësojnë komunitetin serb të Kosovës, për të ndjekur të njëjtat qëllime.

Pra, asociacioni ofron, garanton dhe siguron një korpus të plotë e të tërë të drejtash specifike dhe speciale; të drejtash kolektive po për këtë komunitet, por tani në një nivel tjetër – të pushtetit – shtetit – që po vendos -et ndërmjet nivelit lokal dhe atij qendror të pushtetit, e më mirë thë -në – në një shtet paralel – jashtë orbitës institucionale dhe shtetërorë të Kosovës dhe jashtë kornizës kushtetuese dhe legjislative të saj.

AD 3. Për ta lehtësuar ushtrimin e kompetencave përkatëse ekzekutive dhe vendimmarrëse, sipas dispozitës së paragrafit 4. të nenit 13. të projektstatutit, organet e asociacionit, kanë të drejtë të nxjerrin dhe miratojnë:

  1. Rregullore
  2. Vendime
  3. Deklarata
  4. Rregullore të punës
  5. Udhëzime.

AD 4. Në mënyrë plotësisht të pavarur (jo vetëm autonome) paragrafi 5. i nenit 13. ia mundëson asociacionit që: “të menaxhojë institucionet arsim -ore dhe shëndetësore, të cilat financohen drejtpërdrejtë nga Serbia.

Ja pra një modeli të sallamadi – sistemit – anadollak – midis Kosovës, pa mbikëqyrjen dhe as kontrollin e saj !!!

AD 5. Me parë në paragrafin 2. të nenit 13. në këtë projektstatut është thënë se: “nuk do të zëvendësohen , përjashtohen ose as të zvogëlohen të drejtat – të drejtat dhe interesat e subjekteve të tjera juridike, që përfaqësojnë komunitetin serb të Kosovës; ndërkohë qe, në paragrafin 6., të po këtij neni, po ky asociacion “do të mbështet ushtrimin edhe të drejtave të zgjeruara” të anëtarëve (që dmth. të komunave) të saj.

AD 6. Sipas dispozitës së paragrafit 7. të nenit 13. i mundësohet që të usht -rojë edhe kompetenca të tjera shtesë, të cilat do të mund të delegohen në ndërkohë nga institucionet qendrore. Kjo tregon qartë e qiltër jo vetëm konfiguracionin fleksibil dhe dinamik por edhe juridiksionin fluid dhe fragjil (në kuptim të metamorfozave eventuale – AVANSUESE TË POZITËS JURIDIKE-KUSHTETUESE; organizative dhe funksionale drejtë një entiteti – shtet (Serbia në Kosovë) edhe shumë më të fortë dhe të qendrueshëm të asociacionit –republikë – në të ardhmen !.

NENI 14. -Interpretimi i materies së pretenduar regulative-

AD 1. Me dispozitat e këtij neni institucionet arsimore dhe shëndetësore serbe në Kosovë, do të mund të jenë plotësisht dhe tërësisht të pavarura:

  • Do të financohen nga Serbia
  • Do të mund të kenë rrjetin e tyre të pavarur, të quajtur: “rrjeti arsimor dhe Rrjeti shëndetësor serb”në Kosovë;
  • Do të kenë ZYRAT KRYESORE të ofruesve të arsimit, do të jenë vendosur në Serbi;
  • Do të menaxhohen nga asociacioni;
  • Do të licencohen
  • territorin e anëtarëve të asociacionit, ofruesit e arsimit dhe shëndetësisë, do të mund të përdorin objektet publike të krijuara dhe të bashkë financuara nga Serbia;
  • Do të mund të lirohen nga dogana dhe të gjitha detyrimet tjera, derisa ofrojnë shërbime për siç thuhet INTERES PUBLIK etj.

Shtrohet një pyetje skajshmerisht logjike, si është e mundur që ofruesit privat të arsimit dhe të shëndetësisë, të ofrojnë shërbime në interes publik e për më tepër edhe të lirohen nga të gjitha obligimet e tyre që kanë ndaj shtetit??? Presedane dhe eksperimente tepër të rrezikshme po bën – ajo që quhet bashkësi ndërkombëtare, veçmas BE në Kosovë dhe me Kosovën!

Një propozim i tillë, për të qenë njëherë edhe solucion juridik, nuk është më pak se sa një presedan i pa presedan dhe një absurd i paimagjinueshëm dhe i papranueshëm juridik.

AD 2. (h). Sipas kësaj dispozite të pikës h. të nenit 14. të projektstatutit, rrjetet arsimore dhe ato shëndetësore serbe, mund të autorizohen për të ofruar shërbimet e tyre edhe në territoret e komunave JO ANTARE.

Kjo don të thotë se territori dhe organizimi e shtrirja administrative-territoriale e asociacionit, në asociacion, nuk kufizohet vetëm brenda territorit të tij, por gjithandej Kosovës!

Pra asociacioni tashmë ka shtrirje kompetencash dhe operimi realisht dhe praktikisht në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Megjithatë, për të përdorur objektet publike (shkollat dhe qendrat e kujdesit shëndetësor), këta ofrues të kujdesit shëndetësor dhe arsimor, shkruan në projekt-statut: duhet të marrin leje nga përgjegjësit e komunës përkatëse dhe shërbimet e ofruara; duhet të jenë brenda kompetencave ekzistuese të komunës etj. Mirëpo, edhe ky formulim, kjo dispozitë pra është mjaftë problem –atike për interpretim mbase edhe e paqartë sa duhet; ndaj si e tillë lejon mundësi eventuale të keqpërdorimeve dhe manipulimeve në praktikë.

AD 3. (i) Sipas dispozitës së pikës i. të projektstatutit, i ashtu quajturi rrjeti arsimor serb, do të lëshoj diploma të dyfishta, me dizajn marrveshtor special nga të dy vendet. Diploma të dyfishta do të lëshoj edhe i ashtuquajturi Institucioni themelues në Serbi!. Është jo vetëm e pazakonshme, e pabazuar dhe e çuditshme se si është propozuar një dispozitë e tillë, por e njëjta qoftë si model, qoftë si formulim apo edhe zgjidhje e përfunduar, është edhe jo normale edhe e papranueshme. PSE? Pikërisht për shkak të apsurditetit formulativ, për shkak të mosfunksionimit si zgjidhje dhe sidomos për shkak të pasojave dhe përvojave që mund të prodhoj kinse zgjidhja e tillë.

Edhe teksti i kësaj pike, sikundër edhe i gjithë teksti në mbarë projektstatutin evro-amerikan, padyshim se është tejet konfuz, shumë kuptimesh dhe mjaftë dromcor në të njëjtën kohë.

Mirëpo ajo që edhe më shumë bie në sy në këtë kontekst, është fakti se me të vërtetë kemi të bëjmë me propozime dhe kinse zgjidhje jo vetëm malicioze, por edhe të tërthuruara, të çuditshme dhe gjithsesi edhe të papranueshme. Prandaj, lidhur me këtë çështje nuk mund të nxirret asnjë konkludim tjetër përveç se të thuhet me plotë gojën se teksti i propozuar këtu është sa jo profesional, po aq edhe qëllimkeq. Këtu, sikurse edhe në pjesët tjera të projektstatutit, rezulton intenca e qartë e përpiluesve që të projektojnë dhe zbatojnë dy sisteme plotësisht të pavarura, antinome dhe antipode, por me theks të veçantë favorabil që sistemi bazik-inicial serb arsimor të jetë në një shtet tjetër; të gatuhet edhe të kornizohet e përmbajtjesorët atje, pra në Serbi, e pastaj pa asnjë kordinim me këtë sistemin tjetër antinomik dhe antipode të Republikës së Kosovës; duke ju imponuar mbi te pa asnjë koordinim e as mbikëqyrje të zbatohet në principin e:”lamës së djallit “ në Kosovë.

Për ndryshe, për të qenë edhe më korrekt dhe konkret, ketu kemi të bëjmë me ndarje të sovranitetit të Kosovës me Serbinë. Më saktë se kaq, KËTU kemi të bëjmë madje me sovranizimin serb të sistemit (edhe ashtu të ashtuquajturin SISTEM serb në Kosovë; ashtu sikurse që edhe me dispozitat përkatëse të këtij projektstatuti, është propozuar mëvetësi e plotë dhe sovrane edhe në shëndetësi; edhe në ekonomi edhe në mbi 8 fushe veprimtari të tjera jetike (të gjitha këto fushë veprimtari – janë shtetërorë – për nga përmbajtja, natyra dhe karakteri) dhe janë të ndryshme e të ndërduarta, për sa i përket kompetencave dhe ingirencave të tyre.

AD 3. (j) – Sipas dispozitës së pikës (j) të këtij projektstatuti, qytetarët e përkatësive të ndryshme etnike, mund të marrin shërbimet përkatëse (qoftë nga sistemi serb i arsimit të Kosovës, qoftë nga ai i arsimit serb të shëndetësisë), edhe nga komunat e tjera që janë jashtë qarkut të asociacionit.

Kjo në fillim duket si një mos diskriminim, por në fakt ndërthurë deri në rrëmujë e stërkeqej – të dy sistemet në një sistem – le të themi unik dhe të tërësishëm; për të krijuar në këtë mënyrë kontradikta, paqartësi, mosmarrëveshje; rrjedhoja e pasoja, si dhe anarki – në të dy sistemet – shtetërore të KOSOVËS, dhe atë të SËRBISË apo sistemit (serb) në Kosovë; sistemit zyrtar e shtetëror të shumicës dërmuese në Kosovë dhe atij, pra sistemit realisht, por në të vërtetë artificialisht dhe pashëmbëllsisht të instaluar shtetëror serbe – të Serbisë – në Kosovë!.

NENI 15. –Interpretimi i materies së pretenduar regulative –

Me dispozitat e nenit 15 dhe nenit të 14 të këtij projektstatuti, jo vetëm që Kosovës i merren të gjitha prerogativat kompetente dhe autorizimet kushtetuese e ligjore në fushën e arsimit – për t’iu bartur ato në – asociacion, por po kjo fushë veprimtari – duke u konstituar në një sistem krejt tjetër dhe ndryshe me emër e me përmbajtje; pra në sistemin serb të arsimit, posaçërisht bazuar në pikën a paragrafin (j) të nenit 15. që ndërlidh -et (dhe varet plotësisht) nga sistemi amë a themelues i Serbisë (saqë për më tepër edhe në tekst thuhet ): ”i Serbisë – për Kosovën”.

NENI 16. – Interpretimi i materies së pretenduar regulative-

I njëjti konstatim nga neni paraprak, pra neni 15., vlen edhe për sa i përket këtij neni.

Pra, sistemi i krijuar apo i lejuar serb i shëndetësisë, kujdesit social dhe atij shëndetësor, sipas po këtij projektstatuti, është sistem i cili në tërësinë e tij është krejtësishti mëvetësishëm nga ai i Kosovës e shumë më tepër i ndërlidhur dhe i ndërvarur nga sistemi inicial apo bazik i Serbisë në Kosovë!

NENI 18. -Interpretimi i materies së pretenduar regulative

AD 1. Sipas dispozitave të këtij neni, asociacionit i barten të gjitha kompetencat ekzekutive dhe vendimmarrëse edhe në fushën e kulturës dhe atë të trashëgimisë kulturore.

AD 3. Sipas paragrafit 3. të këtij neni, asociacionit i jepet mund t’iu ofrojë këshilla, teknike, ligjore dhe profesionale, jo vetëm për komunat anë -tare të ASK, por edhe ndaj autoriteteve qendrore (siç thuhet në projekt -statut të ASK).

Pra, shtrohet pyetja ku mbetët sovraniteti i një qeverie a parlamenti, i cili duhet të marrë (këshilla të detyrueshme) përmes një projektstatuti të asociacionit, nga një strukturë jo vetëm specifike, artificiale, imponuese e amorfe, por edhe kierarkisht dhe formalisht e dizajnuar dhe reprezentuar – si një organizëm a strukturë kinse e subordinuar – si e tillë. Në fakt ky asociacion reprezenton në vetvete një strukturë komplekse – surrogate – super dhe ekstra indipendente; si për nga natyra, ashtu edhe për nga subjektiviteti juridik- kushtetues.

NENI 20. – Interpretimi i materies së pretenduar regulative-

AD 1. Sipas dispozitave të nenit 20. të Projektstatutit, asociacioni ushtron funksione dhe mbikëqyrje të plotë edhe në fushën e planifikimit URBAN dhe RURAL!


AD 2.
Për më tepër asociacioni (pika b.), ka të drejtë t’i përfaqësojë interesat e komunave anëtare të asociacionit – para “Autoriteteve Qendrore” për sa i përket problematikave të planifikimit urban dhe atij rural!

NENI 21. – Interpretimi i materies së pretenduar regulative-

AD 1. Për herë të parë në këtë projektstatut, rrjedhimisht me dispozitat e nenit 21. është parapa, ndërmarrja e masave nga ana e asociacionit edhe për kthimin e qëndrueshëm edhe të refugjatëve në Kosovë. Serbia vlerësohet të ketë rreth mbi 1. milion refugjat – nga të gjitha vendet ish jugosllave, ku ka pasur luftë më parë.

Me ketë dispozitë, këtyre refugjatëve dhe familjeve të tyre iu jepet mundësia, që duke u kthyer në Kosovë, Kosova të ri kolonizohet dhe ta ndryshoj konfiguracionin demokratik e demografik; po edhe atë gjeopolitik e politik!.

AD 2. (p.d.) Bashkëfinancimin e programeve të integrimeve socio ekonomik për të kthyerit – nëpërmjet anëtarëve .

AD 3. (d) Edhe Kuvendi, gjithashtu mund të ofrojë forma të tjera të ndihmës financiare dhe materiale për të kthyerit.

NENI 22. –Interpretimi i materies së pretenduar regulative-

AD 1. Sipas dispozitës së paragrafit 1. të këtij neni të Projektstatutit, asociacioni, ka të drejtë të ushtroj (kryej ), koordinojë dhe lehtësojë aktivitetet e kërkimit dhe zhvillimit brenda kompetencave të anëtarëve të tij.

Fushë veprimtaria e zhvillimit dhe kërkimit, ngërthen në brendi të saj mjaftë ingerenca dhe kompetenca– kuptohet në të gjitha dimensionet dhe koponentat zhvillimore të një shteti a një shoqërie të caktuar.

AD 2. Për më tepër asociacioni, sipas dispozitës së paragrafit 2. të këtij neni, mund të promovojë dhe avokojë çështje me interes të përbashkët të anëtarëve të tij – si dhe t’i përfaqësojë komunat anëtare edhe pranë autoritet -eve qendrore të Republikës së Kosovës.

NENI 23. – Interpretimi i materies së pretenduar rregulative-

Ad 1. Asociacioni në emër të lirisë së veprimit dhe në interes të anëtarëve të vetë, mund të themelojë edhe ndërmarrje të përbashkëta publike. Sa për ilustrim OJQ-të, sipas legjislacionit tonë në fuqi, nuk kanë deri më tani as të drejtë t’i përfaqësojnë komunat tonadhe as te themelojnë ndërmarrje të përbashkëta për komuna !

NENI 24.- Interpretimi i materies së pretenduar rregulative-

Ad. 1. Me këtë nen të Projektstatutit është parapa struktura e asociacionit e cila përbëhet nga 6 (gjashtë) struktura organizative – institucionale; të cilat me ndryshimet dhe plotësimet e statutit të asociacionit, ato mund të avancohen, fuqizohen dhe kompletohen edhe më shumë.

Baza juridike për këto ndryshime, plotësime e avancime – paraprakisht është siguruar në dispozitat e nenit 6 dhe 25 të projektstatutit në trajtim.

NENI 25. – Interpretimi i materies së pretenduar regulative-

AD 1. (pika c.), Sipas kësaj pike të Projektstatutit të asociacionit, Kuvendi i asociacionit, mund të miratoj:

  1. rregullore;
  2. rregullore speciale;
  3. rregullore të punës;
  4. vendime;
  5. qëndrime dhe

ç) deklarata.

Fakti që projektstatuti parasheh miratimin e 3. lloje të rregulloreve – me emërtime të ndryshme, flet mjaftë qartë e çiltër, se kemi të bëjmë me përmbajtje – po edhe destinime të ndryshme – të po këtyre rregulloreve.

Duke e pasur parasysh fluiditetin, shumëkuptimësinë dhe gjuhëdrunjësinë e përdorur në këtë tekst të projektstatutit, ka shumë mundësi, që po kjo gjuhë fluide, drunjësore, ambivalente dhe shumëkuptimshme, në praktikën juridike të keqpërdorët dhe të interpretohet gabimisht ose në mënyrë joadekuate në asociacion!

AD. 2. Kuvendi i asociacionit, sipas pikës (g) të nenit 25. të projektstatutit është i autorizuar, që të miratojë dhe rishikojë marrëveshje të ndryshme të bashkëpunimit – me palët e treta.

Është fakt notor që në tekst të projektstatutit, nuk është precizuar, se me cilat palë të treta asociacioni mund të bashkëpunojë|? Mirëpo, përmes interpretimit të dispozitave këtij projektstatuti, lehtë mund të nënkuptohet, që po ai, pra asociacioni, mund të bashkëpunojë edhe me palët e treta jashtë Republikës së Kosovës.

Pra, asociacioni, pa asnjë mëdyshje ka ingerenca dhe kompetenca edhe për bashkëpunim ndërkombëtar.

NENI 26. – Interpretimi i materies së pretenduar regulative-

AD 1. Përmendja e togfjalëshit: “diversitet etnik”, për sa i përket përfaqësimit në Kuvendin e asociacionit, është edhe e gabuar edhe e pamjaftueshme dhe e pa drejtë si zgjidhje.

Përfaqësimi etnik i delegatëve në Kuvendin e asociacionit, potencialisht – nëse bëhet – do të duhet të bëhet sipas parimit të paritetit, që donë të thotë 50% e delegatëve në Kuvend duhet të delegohen nga komunat – nga komuniteti serb i çdo komune dhe 50% nga delegatët e komuniteteve të tjera pakicë, që jetojnë nëpër ato komuna – në proporcion me përqindjen reale të tyre demografike – nëpër ato komuna. Nëse flasim për barazi, ajo parësisht do të duhej reflektohej në përfaqësimin demokratik në institucionet përkatëse, në këtë rast të asociacionit në fjalë. Ndryshe pa barazi përfaqësuese, nuk mund të ketë as demokraci por tirani të shumicës ndaj pakicës asociative.

NENI 27. -Interpretimi i materies së pretenduar regulative-

AD 1. (pika 6), Në paragrafin 6. të këtij neni (27) taksativisht thuhet se te gjitha vendimet e Kuvendit të asociacionit, do të zbatohen nga anëtarët e asociacionit, ndërsa në fund të këtij paragrafi, ndër të tjera thuhet : « çdo anëtar i asociacionit, ka të drejtë edhe të mos i zbatojë vendimet e Kuvendit të asociacionit ».Në këtë rast si duket, sikurse edhe në shumë raste të tjera në këtë projektstatut, kemi të bëjmë një: ”Contradictio in Adjecto” – sui generis.!

NENI 38. -Interpretimi i materies së pretenduar regulative –

AD.1. (paragrafi 3), Buxheti i asociacionit dhe shpenzimet e tij, sipas projektstatutit evropo-amerikan i nënshtrohen një periudhe pesëvjeçare të mbikëqyrjes nga BASHKIMI EUROPIAN.

Pas periudhës pesëvjeçare, BE, do ta bëj vlerësimin, nëse mbikëqyrja duhet të vazhdoj apo të ndërpritet!

Nëse njëra nga të dy palët (që do të thotë Autoritetet qendrore) dhe Asociacionit kërkon që mbikëqyrja të vazhdojë, BE do të vazhdoj këtë funksion edhe për pesë (5) vjet të tjera.

Pas kësaj periudhe shtesë, mbikëqyrja e Bashkimit evropian do të ndërpritet .

AD x. Por pse mbikëqyrje? Mbikëqyrja do të thotë kontroll; do të thotë varshmëri e varshmëria dhe mbikëqyrja bashkë, do të thonë mungesë apo në rastin tonë konkret me Kosovën, do të thotë humbje e sovranitetit dhe pavarësisë – nga të tjerët!

Këto dispozita të këtij neni të projektstatutit të asociacionit, drejtpërsëdrejti ndërhyjnë, cenojnë, godasin dhe dëmtojnë sovranitetin e Republikës së Kosovës.

AD x. Për më tepër këtu qartë e çiltër Asociacioni i komunave me popullsi shumicë serbe, në mënyrë absolute njëjtësohet si palë e barabartë (dmth. shtet me shtet, apo shtet në shtet) me Republikën e Kosovës. Madje, asociacionit i jepet epërsi selektive dhe dominancë – mbi Republikën e Kosovës!

Kjo është e pashembullte si rast, ndërsa edhe si zgjidhje a propozim është rrënuese-kapitulluese – për Republikën tonë të shenjtë.

Edhe kjo dispozitë, si edhe të gjitha të përmendurat tjera – më parë – në këtë projektstatut, është e papranueshme dhe fyese, në njërën anë, por edhe parealizueshme dhe e pazbatueshme, në anën tjetër, madje.

Pse? Sepse, pas 16 vjet pavarësi të shtetit tonë, të na kërkohet dorëzimi i sovranitetit; madje edhe përmes poshtërimit të shtetit – duke i dhënë epërsi dhe predominancë një surrogati antijuridik dhe antilogjik, siç është substrati i ashtuquajtur asociacion, nuk ka as kuptim dhe as miratim – nga askush. Duhet mbase bërë me dije e vënë në spikamë, se këtë: ”ofertë” diabolike asnjëherë deri më tash nuk e ka pranuar shumica demokratike e popullsisë në Kosovë, dhe as që do ta pranojë as sendërtoje ndonjëherë.

Kjo siç e thash edhe pak më sipër, nuk ka askund presedan të mundshëm; që të ketë ndodhur – në botën e avancuar demokratike.

AD 6. Sipas dispozitës se paragrafit 6 të këtij neni, asociacioni eventual:” do të përjashtohet nga detyrimet dhe taksat – në përmbushjen e objekt -ivave të tij; madje në të njëjtën bazë, sikurse edhe komunat anëtare të asociacionit.

AD 9. Dispozita e paragrafit 9. të këtij neni, madje ia mundëson kurdo edhe çfarëdo financimi shtesë për asociacionin, duke kërkuar miratim specifik, madje edhe përtej buxhetit të integruar (të dhënë më parë) vjetor për asociacionin.

Që të dy paragrafët e sipërpërmendura: nën AD 6. dhe AD 9., paraqesin shkelje drastike të Kushtetutës dhe legjislacionit tjetër të Republikës së Kosovës.

NENI 39. -Interpretimi i materies së pretenduar regulative-

AD 2. Dispozita e paragrafit 2. të nenit 39. e sposton dhe degradon gjuhën shqipe nga emërtimi enumerativ i parë – si gjuhë e parë zyrtare në Republikën e Kosovës. Gjuha shqipe këtu diskriminohet dhe ndonëse me Kushtetutë është normuar si gjuhë kryesore në gjithë territorin e vendit, në territorin e asociacionit, ajo figuron e nënçmuar – si gjuhë dytësore – pas gjuhës serbe.

Edhe kjo është një shkelje tjeter kushtetuese dhe ligjore, të cilën e predikton projektstatuti i asociacionit!

NENI 40. -Interpretimi i materies së pretenduar regulative-

AD 1+2. – Nuk përkojnë me të vërtetën as dispozita e paragrafit 1. dhe as ajo paragrafit të dytë (2). të këtij neni të projektstatutit. E kundërta është e vërtetë. Me parë se paku tangjencionalisht, është përmendur deri në elaborat sintetik se asociacioni, me aktivizimin e tij eventual, gjithsesi e rregullon deri në mbivendosje dhe anashkalim autoritetin dhe kompetencat kushtetuese dhe ligjore të komunave anëtarë të tij.

NENI 41. – Interpretimi i materies së pretenduar regulative –

AD 1. Është për të ardhur keq, për nivelin kaq të mjerë intelektual e profesional ose edhe ekstra malicioz të përpiluesve të këtij projektstatuti – në përgjithësi e të këtyre dispozitave të paragrafit 1. të nenit 41. në veçanti!.

Si është e mundur që një shteti Sovran në relacion me një laborator toksik – socio – inxhinierik; e me një monstrum të paprecedent – majdan, (siç është ky asociacion i pretenduar) t’i bëhen këso ndërskamca; labirinthime e salto mortale – fatale, pa asnjë miligram considerate për një popull të tërë të shumëvuajtur e për një shtet. Të mos ketë asnjë masë dhe peshë të mirëfilltë të sjelljes demokratike dhe të mos ketë as drejtësi dhe as vrarje ndërgjegjeje – as minimale!?.Njerëzit tanë kanë të drejtë plotësisht që të pyesin dhe qortojnë vendimmarrësit metropolitan, se mos po doni të përsëritni gabime, padrejtësitë historike dhe mëkatet e pashlyera, që na i keni bërë shekujve të kaluar – duke na dëmtuar e gjymtuar e dënuar përjetësisht si:” cung un në derë të kovaçit”, siç thotë shpesh – në përditshmërinë e tij të vuajtur – po ky popull martir ?!

Si është e mundur që dikush të merr a ketë guxim e kurajo, që të provoj të imponoj zgjidhje kaq morbide përmes këtij kinse projekt -statuti – sikur ky popull shumicë në Kosovë – bashkë me komunitetet e tjera pakicë, të ishte një “fermë zoon – politikon “ – sikur të ishte pa fare mend në kokë – pra injorant kolektivisht; sikur të ishte i pa vend e i pa atdhe; pra apatrid dhe i pa fe – njëkohësisht!!!

Pra, kjo dispozitë, jo vetëm që cenon deri në flagrancë kushtetutën dhe ligjet e vendit, duke shpërfytyruar rendin; nderin publik; interesin utilitar publik të shumicës dërmuese dhe dinjitetin – deri në antilogjikë e deri në absurd – kavurd – duke e dorëzuar në dorë të “djajve” edhe sovranitetin edhe shtetin, por edhe çekuilibrimin pozicional deri në mbivlerësim; mbiçmimi e mbivendosje predominante të një pale të imagjinuar (si asociacion-në asociacion) – si palë edhe në këtë situatë juridike, siç e etablon paskrupullsisht dhe antilogjikisht, përpiluesi euro-amerikan i këtij projektstatuti!.

AD 4. Sipas dispozitës së paragrafit 4. të nenit 41, asociacioni, ka të drejtë të ndërmerr edhe nisma e propozime legjislative; të marrë pjesë aktive në séance publike ( si palë e autorizuar) degjimore lidhur me legjislacionin e ri të Republikës së Kosovës ose me ndryshim plotësimin e atij ekzistues.

AD 6. Asociacioni për më tepër, sipas kësaj dispozite, ka të drejtë edhe të inicioj ose edhe të marrë pjesë në procedurat përkatëse para gjykatave kompetente të Republikës së Kosovës, duke e përfshirë këtu edhe Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës!

AD 7. Asociacionit çuditërisht, me dispozitat e paragrafit 7. të nenit 41. i jepet e drejta që të INICOJË procedurë edhe para Gjykatës Kushtetuese, kur Asociacioni, si person juridik, mund të pretendojë se është viktimë e shkeljes së të drejtave dhe lirive themelore – të garantuara me Kushtetutë.

Me ketë dispozitë qytetarët e komunitetit pakicë serb, vehen në një pozicion të jashtëzakonshëm – të privilegjuar e të favorizuar, në raport me të tjerët, të cilët diskriminohen, sepse nuk e kanë këtë të drejtë aktualisht.

Pra, me këtë dispozitë, asociacioni, vehet në pozicion pariteti dhe partneriteti maksimal me: Kuvendin e Kosovës, Presidencën, Qeverinë dhe Avokatin e Popullit, për sa i përket të drejtës së iniciativave dhe parashtrimeve kushtetuese – drejtë gjykatës kushtetuese të Republikës së Kosovës.

AD 8. Asociacioni ka të drejtë sipas paragrafit 8. të nenit 41., që të emëroje përfaqësuesit e vetë në organet kompetente të siç thuhet në tekst: ”Autoriteteve qendrore të Kosovës”!

AD 10. Sipas kësaj dispozite, asociacioni vetanakisht i zgjidhë mos -marrëveshjet e qytetarëve të tij, brenda territorit të vetë. Pra, sipas tekst shkruesve, atij asociacioni nuk i duhen as ligjet; as gjykatat dhe as organet dhe institucionet e tjera relevante të Kosovës, për ti zgjidhur problemet dhe mosmarrëveshjet eventuale në mes tyre.!

Asociacioni mund të miratoj edhe procedura përkatëse për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve brenda asociacionit.

Kjo donë të thotë që asociacioni në ndërkohë edhe mund të nxjerrë akte me fuqi ligjore, me të cilat do të zgjidhë çështjet mosmarrëveshtore të qytetarëve të vetë – brenda territorit të vetë e të mos ketë fare nevojë (pra ti përjashtojë ligjet dhe kushtetutën tonë!) për ligjet dhe as kushtetutën formale të Republikës së Kosovës e cila aktualisht është në fuqi – te ne!

NENI 42. – Interpretimi i materies së pretenduar regulative-

ARBITRAZHI NDERKOMBTAR –HUMBJE TOTALE E SOVRANITETIT

AD 1. Një çështje tjetër – jashtëzakonisht diskutabile, morbide, dubioze dhe përfundimisht e papranueshme, sipas dispozitës së paragrafit 1. të nenit 42., është konstrukti gangrenoz dhe tejet toksik i arbitrazhit.

Pra, zgjidhja e kinse mosmarrëveshjeve ndërmjet siç thuhet: të “Asociacionit dhe Autoriteteve Qendrore” të Kosovës – si “palë të barabarta”, sipas propozimit të projektstatutit, pos kinse aktivizimit a funksionalizimit të asociacionit, do të duhej të bëhej përmes të siç thuhet në tekst- një komision të arbitrazhit.

AD 2. (2) Poqë së gjatë intervalit kohor prej 3 (tre) muajve, secila palë në mosmarrëveshje, nuk arrin të emëroj arbitrin e vetë, ose nëse palët në mosmarrëveshje, nuk arrijnë të bien dakord për emërimin e kryetarit komisionit të arbitrazhit, po ai arbitër ose kryetar – me kërkesën e secilës palë marrëve shtore, do të emërohet nga Bashkimi evropian.

Pra, asociacionit si palë e barabartë i njihet pozicioni dhe cilësia e shtetit te veqantë- në një raport kontraktual me një shtet tjetër – me Kosovën!!!.

Kjo dispozitë, jo vetëm që paraqet ndërhyrje të paskrupullte dhe klasike në sovranitetin e Kosovës dhe pavarësinë e saj, por gjithsesi dhe për më tepër, paraqet fyerje dhe cenim të dinjitetit dhe integritetit shtetëror të Republikës së Kosovës.

Si e tillë edhe kjo dispozitë, si edhe të gjitha të tjerat të ketij projektstatuti të asociacionit, është totalisht e papranueshme nga qytetarët e Republikës së Kosovës!

AD 4. (4) Vendimi i arbitrazhit, sipas dispozitës së paragrafit 4 të nenit 42. të projektstatutit, është edhe përfundimtar edhe i detyrueshëm.

Pra presedani i paprecedent, i një kinse modeli kaq monstruoz i një kinse organizmi okziliar teknik, komisioni arbitrazhit; të ideohet e më pas edhe të aprovohet si një mekanizëm imponues dhe detyrues ndaj një shteti sovran, siç është Kosova, është edhe skajshmërisht ofendues edhe injorues e minimizues – që padyshim shpie deri – në dëmtim fatal – deri në zhbërje; rrjedhimisht rrënim të piramidës shtet formuese të Kosovës.

III.PËRQASJE REKAPITULUESE BAZUAR NË EFEKTËT DHE PASOJAT E ASOCIACIONIT NË SHTETKONSOLIDIMIN DHE PËRPARIMIN E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

Si reflektohet dhe çfarë rrjedhoja mund të sjellë ( apo prodhoj) Asociacioni, (nëse pranohet dhe zbatohet projektstatuti euro amerikan) për shtetin e Kosovës

Nga e gjithë materia e eksplikuar dhe veçorizuar në pjesën e parë të këtij punimi e që rezulton nga përmbajtja e dispozitave relevante të projektstatutit euro amerikan, në këtë pjesë të punimit, pa vështirësi të mëdha, mund të konkludohet se, projektstatuti euro amerikan për asociacionin, për shtetësinë dhe popullsinë e Kosovës (kuptohet nëse pranohet të zbatohet), do të ketë refleksione edhe efekte të jashtëzakonshme negative por edhe rrjedhoja të shumta; shumëdimensionale dhe të pariparueshme! Le të vazhdoj -më me radhë:

  1. Asociacioni do ta dëmtoj, cenoj dhe rrezikojë deri në substancë e mosfunkcionim shtetin dhe shtetësinë e Kosovës e brenda saj edhe rendin tonë kushtetues – juridik dhe demokratik të Republikës; të ndërtuar me mund, djersë, gjak e sakrifica të jashtëzakonshme ndër vite. Pandam me rendin tonë, asociacioni i komunave me popullsi shumicë serbe, krijon një rend tjetër të ri e specifik dhe ka-një kushtetutë tjetër materiale!
  2. Primati i vullnetit të popullit, është dhe do të duhej të ishte vullnet mbi të gjitha vullnetet, në një ambient kushtetues – juridik dhe demokratik të mirëfilltë.

Po ky primat i vullnetit të popullit, analizuar nga këndvështrimi historik i shprehur në nenin 28 të Kushtetutës frenge të vitit 1793, nënkupton faktin se, çdo popull në botë ka të drejtë ta revidojë, reformojë dhe ta ndryshojë – në çdo kohë – kushtetutën e vetë dhe se asnjë gjeneratë, nuk mund tia nënshtrojë atë, as tekeve dhe asligjeve të saj – gjeneratat e ardhshme. Megjithëkëtë demokracia konstitucionale paraqet jo vetëm fjalën, mendimin dhe kohezionin e ndërtuar – me kohë – të shumicës, por gjithsesi edhe fuqinë dhe aksionin a veprimin e koncentruar dhe të organizuar të po asaj shumice. Në të kundërtën gjithnjë do të kemi të bëjmë me tirani -në dhe padrejtësinë a diskriminimin e pakicës ndaj shumicës, që është edhe e padrejtë, por mbi të gjitha edhe e papranueshme për çdo popull shumicë – në relacion me cilëndo pakicë – në fjalë.

Revizioni i parimeve supreme kushtetuese, duhet të përjashtohet – për të ruajtur dhe për të mbrojtur SOVRANITETIN POPULLOR, si dhe fuqinë dhe epërsinë substanciale të shumicës – omnipotente!.

Garancionet kushtetuese; do të duhej kuptuar kudo dhe kurdo vetëm si garancione të fortësisë kushtetuese; të normativitetit kushtetues. Garancionet kushtetuese (primare dhe sekondare ) garantojnë normativitetin dhe efektivitetin e kushtetutës së një vendi. Në rast të çdo absence a mungese te institutëve të sipërpërmendura, brenda një shoqërie mund të paraqiten konflikte, kundërshti dhe antinomi [13]të caktuara.

Paradigma konstitucionale është model normativ kompleks i cili kurrë nuk është sendërtuar në tërësi; madje konsiderohet se as që është e mundur – që të realizohet bile-madje. Pse? Parësisht për shkak të ndërinterferimit apo edhe shkumbëzimit virtual, që ekziston në mes të normativitetit, realitetit dhe efikasitetit. Mirëpo, le të thuhet këtu se mos legjitimiteti virtual, mund të jetë njëherit edhe përparësi e demokracive kushtetuese?!.

Të përmendim këtu faktin notor se edhe garancitë kushtetuese, mund të prodhojnë shkallë a gamë të caktuar mos efikasiteti dhe mos efektiviteti. Kjo, mbase ndodh edhe si rrjedhojë e manifestimit të ilegalitetit. Ky ilegalitet shprehet përmes prishjes apo edhe shkeljes së garancioneve ose edhe si pasojë e defekteve të legalitetit i cili po ashtu kryesisht shprehet si rrjedhojë e mungesës së garancioneve; por jo gjithmonë; assesi dhe jo me çdo kusht…!

Pikërisht, zhvillimi i ilegalitetit dhe defektet e legalitetit (të cilat shprehën në mungesë të garancioneve), e (që kanë të bëjnë me pushtetin publik), krijojnë hapësirë për ANTINOMI dhe zbrazëtira. Kjo sot po ndodhë edhe në nivelin shtetëror edhe atë ndërkombëtar. Prandaj, gjithandej kemi kriza e vatra krize. Kemi krizë edhe të legalitetit ndërkombëtar. Pikërisht nën ndikimin e kësaj natyre, nga veprimi, ardhur parësisht nga bizantinizmi lindor (veçmas nga Rusia e Serbia) të segmenteve dominuese të komunitetit serb në Kosovë, nuk po dobësohet sindromi i supremacisë, i majorizimit, i shovinizmit, i territorializmit, eksploatimit dhe predominimit të të tjerëve (ma -dje nga pakica simbolike – ndaj shumicës absolutë) edhe në Kosovë !

Kjo gjendje fillimisht duhet të shpjegohet mirë dhe në detale ;duhet të kuptohet nga ata që pretendojnë se meritojnë supremativisht më shumë së të tjerët dhe të ndryshohet gjendja e raporteve ; për tu krijuar një situatë, rrjedhimisht zgjidhje reale dhe meritore shumicë – pakicë ; zgjidhje : pa asnjë diskriminim dhe as pa favorizim – të askujt.

Prandaj, edhe pas 25 vjet të lirisë e të pavarësisë së Kosovës, serbët lokal (në shumësi ; pra pjesa dërmuese e tyre), nuk duan ose nuk kanë mundur si duket ta kuptojnë plotësisht realitetin dhe të integrohen në shoqërinë Kosovare. Dëshira për supremaci, injorim, shtypje dhe predominim – të të tjerëve – deri në pastrim etnik etj. është si duket ende e pranish -me të disa qarqe dhe kategori njerëzish edhe aktualisht.

2. Asociacioni sipas projektstatutit evroamerikan, rezulton të jetë një entitet-shtet – në shtet, që me kompozicionin e tij special dhe specifik (për nga veçoritë dhe karakteristikat) i kundërvihet parimeve kryesore kushtetuese – ekzistuese – në të cilat është instituuar shteti i Kosovës e që janë unitariteti dhe multietniciteti i shtetit tonë të përbashkët dhe i të të gjithëve dhe për të gjithë.

3. Asociacioni sipas projektstatutit, do të mund të konstituohet në entitet etnik –juridik –publik e shtetëror të mëvetësishëm dhe me primesa puro etatiste-administrative e në pikëpamje territoriale, plotësisht autonom dhe madje edhe më shumë se kaq !

Struktura dhe karakteri i asociacionit, është paraparë të jetë i tillë që i kundërvihet plotësisht dispozitave të nenit 3. etj. të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe frymës së saj.

4. Në të vërtetë përbërja e projektstatutit të asociacionit, në vetvete paraqet një strukturë specifike me substancë kushtetuese – pra një kushtetutë materiale, që si në esencë, karakter, por edhe për nga brendia i kundërvihet Kushtetutës formale – ekzistuese të Republikës së Kosovës.

Po, le të shohim shkurtimisht, se ç‘është ajo e ashtu quajtura kushtetutë materiale?

Kushtetuta materiale i ngërthen në vete dy (2) elemente, si cilësi dalluese – në relacion me kushtetutat e tjera:

I. 1. I pari është elementi normativ material i cili konsiston në sankcione – të një konfiguracioni të dhënë të pushtetit, që reflekton fuqinë dhe organizimin relativ të grupit të dhënë shoqëror (popull, komb, pjesë e kombit ose popullit, sekt fetar, grup gjuhësor, klasor etj.). Ky konfiguracion çdoherë është shprehje e marrëdhënieve të pushtetit, ku një ose më shumë grupe shoqërore, arrijnë të kuptojnë vetveten në raport me të tjerët.

Ky grup arrin me fjalë të tjera ta formsojë qëllimin e vetë politik – të përcaktuar me kushtetutën formale – i japin vetvetes dhe konfiguracionit të pushtetit një substancë tjetër normative – kushtetuese, që më ndryshe dhe në kundërshtim absolut me kushtetutën formale – në fuqi, këtë e bën statut apostafat për serb -et e Kosovës – si grup i posaçëm etnik dhe shoqëror.

II. 2. Krahas këtij elementi normativ – material, kushtetuta materiale ka edhe një cilësi tjetër. Ajo cilësi ka të bëj me përmbajtjen e saj esenciale. Në ndërkohë që elementi normativ – material, ka të bëj me marrëdhëniet materiale, që qëndrojnë në themel të çdo strukture normative – kushtetuese (formale ose joformale), përmbajtja esenciale e kushtetutës materiale tregon se cila është përmbajtja (esenca apo thelbi) (i normave materiale që krijohen), d.m.th. kush e bën, çfarë dhe cilat janë raportet në mes të niveleve të ndrysh -me të pushtetit, cili është rroli dhe pozita e individit dhe grupit shoqëror në shoqëri dhe kështu me radhë.

Ky element (përmbajtja esenciale e kushtetutës), pra vepron si një qendër unifikimi për jetën e komunitetit në këtë rast atij serb – që e dallon atë komunitet – duke e mbrojtur nga bota e jashtme – më saktë nga komunitetet tjera, që jetojnë në hapësira të tjera, si dhe duke organizuar nga brenda interesat e kundërta të komunitetit të tillë – madje edhe përmes DHUNËS – përmes saktësimit dhe mbrojtjes së interesave, që konsiderohen si më sublime – në raport me të tjerat.

Përmbajtja esenciale e kushtetutës materiale, jo vetëm që shpreh parimin fondamental të rendit tjetër kushtetues të komunitetit politik – i ndryshëm nga kushtetuta formale në fuqi dhe i kundërt me te – por edhe e institucionalizon marrëdhënien e re – në mes të forcave shoqërore qeverisë se dhe forcon shoqëri të qeverisura.[14]

Të gjitha këto që u thanë më sipër, janë të pranishme dhe reflektuese qartë në pothuajse secilën dispozitë të projekt – statutit evroamerikan. Për shembull ndërlidhur edhe me Marrëveshjen e Brukselit për normalizim, ka ndodhur rihapja e statusit të Republikës së Kosovës –përmes MOS PARAGJYKIMIT TË STATUSIT TË KOSOVËS, në raport me Serbinë dhe në këtë mënyrë përfaqësuesit tanë në dialog sikur kanë hequr dorë nga njohja reciproke si parakusht thelbësor i domosdoshëm dhe imperativ i të gjitha imerativeve për Kosovën.

* Projektstatuti në dispozicion, fatkeqësisht edhe evropian edhe amerikan, është një kuazidokument i cili buron nga marrëveshja e Brukselit dhe anexi i Ohrit dhe që pa asnjë bazë as arsye, mbështetet edhe në Rezolutën 1244. të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Inkorporimi i kësaj rezolute në preambulën e projektstatutit të Asociacionit, tregon jokorrektsinë dhe qëllimet morbide të përpiluesve të tij, sepse po kjo rezolutë e afirmon kontentialisht sovranitetin e Ish Jugosllavisë, lexo të Serbisë mbi Kosovën (“autonome”).

Pra futja e rezolutës së sipërpërmendur në tekstin e projektstatutit e përmbushë në tërësi qëllimin parësor edhe të Serbisë, për ta rikthyer “statusin” e Kosovës në fillimet e tij; në mënyrë që edhe kjo të ishte (siç pretendon dhe vepron edhe tani), hisedare në proces – sepse kinse Kosova nuk qenka shtet i pavarur! (siç!).

Mirëpo, e vërteta është se Rezoluta 1244 që moti është tejkaluar dhe zhvlerësuar deri në masën e in ekzistencës ose invaliditetit te saj total. Përse? Sepse nga data e kësaj rezolute; ish Jugosllavia si palë në objektiv – nuk ekziston, ndërkaq Kosova ka përparuar dhe është transformuar shumë -fish. Ajo sot është shtet i pavarur e njohur nga rreth 117 vende sovrane të Botës. Kështu që këtu kemi të bëjmë për një kuazidokument a kuazirealitet – inekzistent asgjë më shumë.

Por, fatkeqësisht në projektstatut të asociacionit, po kjo rezolutë na vjen e paraqitet si një bazë materiale – juridike e Bashkësisë së komunave me popullsi shumicë serbe!

Pra formulimi I tillë malicioz me të cilin pretendohet që një përmes përmendjes së rezolutës Kosovën ta kthejnë mbrapa dhe në një mënyrë apo tjetër ta shndërrojnë në një mjet – a monedhë për kusuritje. Kjo gjithsesi se nuk do të ketë sukses dhe kurdoherë është dhe do të jetë e papranueshme.

* Asociacionit me dispozitat e projektstatutit i janë vënë në dispozicion më shumë kompetenca vendimmarrëse, se sa me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 të Brukselit. Prandaj gjimnastikat diplomatike dhe miksimet politike të të ashtuquajturit ambiguitet konstruktiv, vetëm sa e kanë komplikuar (me qëllim ose jo) edhe tekstin edhe procesin edhe ecurinë dhe brendinë dialoguese në mes të palëve. Ndërkaq këto lloj manovrimesh Kosovën duhet thënë dhe përsëritur, se e dëmtojnë dhe rrezikojnë deri në substancë!.

* Projektstatuti i propozuar euro-amerikan, nuk normon as rregullon marrëdhëniet në një asociacion, por në stilin e vendosjes së vesë së qyqes – në fole të huaj.

Sidoqoftë, kuptohet se me dispozitat e këtij projektstatuti, rregullohet statusi politik – juridik i një bashkësie të tërë të komunave me popullsi shumicë serbe – si një entitet – shtet – në shtet – me subjektivitet të plotë – suigeneris – vetëmenaxhues dhe shtet formues – në shtetin pandam – rival – Republikën e Kosovës.

* Substrati paralel e surrogat i shtetit në shtet i asociacionit pra, i cili është projekt në tentativë; fillimisht i marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013.,asaj të 2015 -tës, si dhe i projektstatutit që e kemi në trajtim, krijon një rend tjeter – të ri e të mvetësishëm nga Republika e Kosovës, si një krijesë gangrenoze – pandam të saj. Është në fakt një rend i mbyllur hermetikisht – juridik – kushtetues i cili nuk mund të ndikohet, as ndryshohet as plotësohet nga jashtë; (pra as nga organet dhe institucionet e Kosovës) pa pëlqimin e organit të tij përfaqësues – Kuvendit të Bashkësisë së komunave me popullsi shumicë serbe.

Pamundësia e interferimit demokratik dhe mundësia maksimale dhe absolute e vendimmarrjes vetanake e autentike i sovranizojnë maksimalisht ingerencat vendimarrëse të asociacionit – deri në një ndërtim, trajtim dhe prezentim të tij, si një organizëm multifunkcional shtetëror – në një tjetër – shtet – në këtë rast në shtetin e Kosovës.

* Me marrëveshjet e brukselit dhe të Ohrit, Kosova me dije, me vetëdije apo pa te, qoftë edhe in tacite, ka pranuar krijimin e saj, që në të drejtën kushtetuese njihet si kushtetutë materiale. Kjo rrjedhimisht donë të thotë se Kosova edhe me marrëveshjen e Brukselit, ka lejuar rihapjen e çështjes së statusit të Kosovës; në mos edhe hapjen e saj sërish nga fillimi; gjë që ka qenë tendencë dhe kërkesë e vazhdueshme strategjike e Serbisë dhe përfaqësuesve të saj; që nga fillimi i bisedimeve kinse teknike të saj me Kosovën.

* Më sipër është sqaruar shkurtimisht çka nënkupton kushtetuta materiale, me elementet e saj. Kësodore siç thamë edhe më parë, me marrëveshjen e Brukselit dhe të aneksit të Ohrit, duke e marr parasysh ndër të tjera edhe klauzolën: të ashtuquajtur pa paragjykim ndaj statusit, Kosovës faktikisht i është imponuar kthimi mbrapa dhe rihapja e statusit të saj që nga fillimi. Gjë të cilën Serbia, siç e thamë edhe më sipër, që nga koha e presidencës së Koshtunicës, Tadiqit dhe të tjerëve pas tyre e ka kërkuar dhe ka insistuar në te edhe politikisht. Me pranimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit e në kuadër të tyre, edhe eventualisht të projektstatutit të cilin po e trajtojmë, Kosova ka bërë gabimet e radhës të pafalshme dhe të papranueshme, ngase me këtë vijafakti ka pranuar edhe në një mënyrë a tjetër zhvleftësimin e fuqisë juridike, validitetit e të kapacitetit juridik dhe efektiv, të opinionit këshillëdhënës, por jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe verdiktor të GJND-së për Kosovën.

*Pranimi I asociacionit: as me njohje as pa njohje reciproke me Serbi -në, por edhe pa njohje – as në qendër as në periferi, madje edhe me mohim e kërcenim të sovranitetit dhe të integritetit territorial, mund të jetë gabim fatal dhe i pariparueshëm për Kosovën dhe madje edhe më gjerë!!!.

* Me marrëveshjet e fundit të Brukselit dhe Ohrit me asociacion brenda; përmes këtij projektstatuti, Kosova jo vetëm që rrezikohet deri në asgjësim, por edhe retrogradohet, duke u rikthyer në fillim – në gjendjen e para shpalljes së pavarësisë së saj – për sa i përket statusit të saj.

* Asociacioni me projektstatutin dhe themelimin e tij – në brendi, jo vetëm që do të pamundësojë zgjidhjen e problemeve dhe çështjeve ndër -mjet komuniteteve atje dhe në gjithë Kosovën, por do krijoj e ndërlikojë situata e konteste qoftë edhe të inskenuara e të trilluara, të cilat do të mund ta vështirësonin deri në acarim e rrezikim gjendjen e tërësishme e sidomos atë të sigurisë dhe të stabilitetit në Kosovë.

Për më tepër asociacioni në një Kosovë martire, unike dhe unitare, të vuajtur e të shtypur – që kaq kohë nga hegjemonizmi dhe egërsia serbo sllave, Kosovë e etshme për liri dhe e ballafaquar serish me pangopësinë, shovinizmin epersimin me ndikim dhe hegjemoninë serbe, nuk do të mund të duronte – qëndronte pa luftë e cila do të mund të përhapej në gjithë Siujdhesën ilirike të Ballkanit.

Pra, ASK nuk pritet (racionalisht menduar) e vepruar të sjell as stabilitet as realitet të avancuar demokratik në Kosovë as në Ballkan. E kundërta siç u shpjegua më sipër tashmë, më shumë dhe më lehtë është e pritshme dhe e ndodhshme.

* Edhe sipas marrëveshjeve, tëpërkohshme e kalimtare (të Brukselit dhe Ohrit), “instrumenti i vetëmenaxhimit”, ndonëse çështje krejtësisht e brendshme e Kosovës, bëhet çështje ndërshtetërore, duke e bërë edhe Serbi në hisenik dhe padrejtësisht reprezentuese dhe faktorizuese në çështjet e Kosovës, kuptohet nga eksponentët ndërkombëtar, që janë në cilësi të inter mediatorit në çështjet e dialogut më Serbinë.

* ASK si entitet sipas projektstatutit ndër krijon një tjetër rend kushtetues-juridik i cili për nga përmbajtja, qëllimet dhe objektivat e tij, është në shpërputhje totale dhe flagrante me kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Përmes të një komisioni të imagjinuar të arbitrazhit psh., asociacioni minon, kundërshton dhe anashkalon – deri në mosnjohje, përbuzje dhe injorim – rendin kushtetues dhe Kushtetutën e Kosovës – në tërësi. Në raste të mosmarrëveshjeve eventuale në mes të asociacionit eventual dhe institucioneve qendrore, çështjet eventuale kontestuese në mes të palëve, nuk do të trajtohen fare në institucionet e Republikës së Kosovës dhe as në Gjykatën Kushtetuese ekzistuese të Kosovës, por në të ashtuquajturin komision të arbitrazhit, në të cilin përparësi asimetrike i është dhënë Serbisë, respektivisht asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe Bashkimit Evropian, si palë e tretë. Por, më e rëndësishmja dhe sovranitet – në këtë rast rezulton të jetë Bashkimi evropian dhe Serbia, se sa Kosova!

Pra, pashembëllsisht dhe papranueshmërisht – në rastet kur kemi të bëjmë me shtetet e pavarura dhe sovrane, siç është Kosova, këtu kemi të bëjmë me një propozim i cili sovranitetitn dhe pavarësinë e Kosovës, shtet Sovran dhe të pavarur e zhbënë dhe e zhduk – deri në mosekzistim -për ta dërguar njëherë e mirë në kalendat greke, duke e deleguar at sovranitet dhe at pavarësi në nivel dhe vendimmarrje ndërkombëtare dhe patronike .

Kjo në esencë donë të thotë bartje deri në humbje totale të sovrani -tetit nacional. Sa për rikujtim të lexuesit ky institut çoroditës dhe humbës të sovranitetit të Kosovës (komisioni i arbitrazhit), nuk ka qenë i paraparë as në marrëveshjet e vitit 2013 dhe as në atë të vitit 2015 të Brukselit – në mes të Kosovës dhe Serbisë për asociacionin.

Kjo më tutje do të thotë kthim, humbje apo dorëzim i sovranitetit, të shtetësisë dhe të pavarësisë së Kosovës dhe shndërrimit të saj, jo vetëm sa i përket territoreve me shumicë serbe, por të gjithë territorit të Republikës sonë, në protektorat klasik apo edhe më thjeshtë se kaq, kemi të bëjmë me shndërrimin e Kosovës, në një guvernë të pa vlerë në duart e të huajve.

*Asociacioni, me të gjitha ingranazhet e tij strukturore, institucionale, kierarkike dhe përmbajtjesore; me të gjitha veprimet, qëllimet dhe objekt -ivat e tij, paraqet një entitet shtetëror të mirëfilltë – në zhvillim i cili pa asnjë mëdyshje qëllimisht është dizajnuar si i tillë – që ta shemerkojë deri në zhbërje shtetin legal, legjitim, zyrtar dhe ndërkombëtarësht të njohur – të Kosovës dhe sidomos ta godas deri në mosekzistim; mos zhvillim e mos ushtrim të vetëvendosjes; dhe kjo mund të jetë njëra ndër goditjet mortale më e madhe që asociacioni ia bën popullit të Kosovës, qytetarëve dhe pavarë -sisë së saj!

* Asociacioni përfundimisht, përmes instrumentit të vetëmenaxhimit – në mënyrë krejtësisht kundër kushtetuese dhe kundërligjore përvetëson ingerenca ekzekutive dhe kompetenca të plota vendimmarrëse (shtetërore) në mbi 8. fushë veprimtaritë më jetike dhe më kryesore e që padyshim e bëj -në asociacionin – një shtet në shtet dhe asgjë më pakë.

*Dhe përfundimisht krahas dhe përkundër të drejtave asimetrike shtesë dhe specifike (të veçanta) e speciale, që qytetarët e komunitetit pakicë serb kundërshtimisht me kushtetutën dhe me legjislacionin e Kosovës i gëzojnë – nëpër komuna – në nivel lokal;

– Përkundër të drejtave të tjera të garantuara dhe të rezervuara që po ky komunitet serb gëzon në nivel qendror – në kuvend – e drejta e vetos !!!! – asociacioni është niveli i ri – i ndërmjet – specifik dhe special i pushtetit në Kosvë, i krijuar apostafat për ta – në bazë krejtësisht etnike; që është po ashtu krejtësisht në kundërshtim me kushtetutën dhe ligjet e vendit, në kundërshtim me parimin bazë të unitaritetit, në bazë të të cilit është ndërtuar tërë sistemi dhe rendi juridik-kushtetues i Republikës; në kundërshtim me parimin e qytetërimit, në bazë të të cilit është krijuar një shtet I qytetarëve dhe komuniteteve të barabarta; pra parimi i multietnicitetit etj. Sidoqoftë asociacioni në fakt është një sistem instrumental i vetëmenaxhimit , është një entitet – shtet brenda Kosovës i cili përfundimisht, do të mund – jo vetëm ta dobësoj e dëmtoj Kosovën dhe rendin e ri të saj kushtetues – juridik dhe piramiden institucionale e shtetërore të saj, por edhe esencën, substancën dhe perspektiven zhvillimore të shtetit të Kosovës etj.

Entiteti – shtet dhe rendi që krijohet brenda këtij entiteti – shtet, është rend hermetik – juridik – kushtetues i cili nuk mund të ndikohet as cenohet nga jashtë dhe as të kontestohet as të zhbëhet nga askush, pa pëlqimin e organit të tij përfaqësues – Kuvendit të asociacionit, dhe askush tjetër e ai organ mund vetëm ta forcoj dhe avancoj në një shkallë a nivel tjetër të subjektivitetit (në nivel Republike psh) – se sa ta zbres a ta zvogëloj eventualisht !!!

Ai, pra asociacioni, vetëm kërkon e merr dhe lyp e zgjedh, ndërsa asgjë nuk pranon; asgjë nuk ofron përveç se atë që i pëlqen, që i konvenon dhe atë që Serbia synon!

Populli ynë me të drejtë ka thënë: “Dy atllar me një mullar nuk mund të lidhen”.

Kasta nacional – socialiste dhe kleroshoviniste deri në klerofashizëm e Beogradit e cila është mësuar me ushqimin dhe ushtrimin e hegjemonisë, majorizimit, imponimit të vullnetit dhe supremacisë shekullore – ndaj apo kundër të tjerëve; duke ngërthyer këtu edhe komunitetin serb në Kosovë. Po këtë komunitet në vazhdimësi edhe e ka ushqyer me material toksik; e ka instrumentalizuar; e ka penguar në kohsbitim paqësor me të tjerët e ka “prangosur” dhe për shtanguar njëkohësisht – në ushtrimin e të drejtave të veta, si dhe në procesin e integrimit institucional dhe gjithë jetësor edhe të komuniteteve tjera pakicë në Kosovë.

Asociacioni në të vërtetë e ka instrumentin më të përshtatshëm – për veprim – deri në një gjasë apo rast tjetër adekuat, që përmes këtij instrumenti, të kinse vetëmenaxhimit, të rrënjosë; zhvilloj dhe mbroj një Serbi tjetër – të dytë brendapërbrenda Kosovës; që nëpërmjet këtij instrumenti të vetëmenaxhimit, ta zbuloj dhe ta zhvilloj – një Serbi tjetër – sa antagoniste dhe potencialisht antipode, po aq edhe paravane – pandame, konkurrente dhe një Serbie të dytë – në Kosovë.

PRISHTINË, Shkurt, 2024.

_________________________________

Fusnotat
1. Veton Surroi, Emri i Autonomisë, Koha, Prishtinë, 2015, fq. 14-15.

2. Shih, Veton Surroi, Emri i Autonomisë, fq. 16.

3. Shih, Veton Surroi, Emri i Autonomisë, fq. 18.

4. Veton Surroi, Emri i Autonomisë, fq. 19.

5. Veton Surroi, Emri i Autonomisë, fq. 27. etj.

6. Veton Surroi, Emri i Autonomisë, fq. 48-49

7. Veton Surroi, Emri i Autonomisë, fq. 42.

8. Veton Surroi, Emri i Autonomisë, fq. 43.

9. Shih më detalisht dispozitat e nenit 57 dhe dispozitat e nenit 3 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

10. Shih për këtë më gjërësisht dhe saktësisht dispozitën e pikës (h) të nenit 14 të projekt -statutit në trajtim.

11. Tibor Varadi, Medjunarodno privatno pravo,Novi Sad,1987,fq 151-153.,B.Eisner,Medjunarodno privatno pravo,Zagreb,1953,fq.20., etj

12.Huber, në veprën e tij:”De conflictum legum diversarum in diversis imperiis” (Mbi kolizionin e ligjeve në perandoritë e ndryshme) i ka formuluar tri aksioma kryesore: a)\ligjet e qdo shteti zbat -ohen brenda kufinjëve të tij dhe i detyrojnë të gjithë ata që pushtetit të atij shteti i janë nënshtruar, por nuk i detyrojnë jashtë kufinjëve të tij; b)Konsiderohen si të nënshtruar pushtetit shtetror të gjithë ata të cilët në territorin e tij e kanë vendbaninimin ose përkohësisht qën -drojnë;c)Qeveritë e shteteve nga mirësjellja – gjentilenca (comitas) bëjnë të mundur që e drejta e një shteti, pasi që është zbatuar brenda kufinjëve tij, qdokund ta ruaj fuqinë e vetë, nëqof -tëse nuk është në kundërshtim me pushtetin shtetror ose me të drejtën e sunduesit tjetër ose shtetasve të tij.

13. Antinomia – nënkupton konfliktin e krijuar në mes të normave.

14. Prof.Dr. Enver Hasani, paparaci. com

________________________________
Kumtesë e mbajtur në Tryezën shkencore: Konstelacionet gjeopolitike në Ballkan në kontekst të Marrëveshjes së Brukselit [27 shkurt 2023] – Kosovë-Serbi, të organizuar nga Instituti Shqiptar për Gjeopolitikë, më 14.02.2024, në ambientet e Institutit Albanologjik, në Prishitnë.


Spread the love


Leave a Reply