Diplomacia ruse promovon tezën e re “Kosova është Rusi”

Spread the love

Një spurdhjak ballkanik që i dërgon ultimatume NATO-s dhe çfarë nënkupton teza e re e analitikës diplomatike në Moskë.

Tensionet luftënxitëse, që po krijon njëkohësisht Serbia në tre shtete të Ballkanit Perëndimor e kanë bërë copash fasadën demagogjike të projektit serb të “Ballkanit të hapur”.

Nga Shaban Murati

Në kryeqytetet perëndimore duhet të jenë tallur dhe në kryeqytetet ballkanike duhet të jenë çuditur me gjestin teatral të presidentit serb Vuçiç, i cili në mbrëmje e 26 shtatorit shpalli se i ka dërguar ultimatum NATO-s që brenda 24 orëve të reagojë për gjendjen e krijuar në kufirin shtetëror midis Serbisë dhe Kosovës, përndryshe do të ndërhyjë ushtarakisht Serbia.

Një spurdhjak ballkanik në gjendje halucinante shpall se i ka dërguar NATO-s ultimatum.

Ndoshta ambasadori rus në Beograd mund t’i ketë dhuruar së fundmi presidentit serb ndonjë kopje të tabllosë së njohur të piktorit të famshëm rus Ilia Rjepin “Zaporozhasit i shkruajnë Sulltani”, dhe Vuçiçit i është dukur vetja si kozak rus i shekullit 17, që mund të sfidojë NATO-n në shekullin 21.

Përtej aktrimit diplomatiko-ushtarak të presidentit serb e vërteta e rrënjëve të tensionit të ri, që provokoi Serbia në kufirin me Kosovën, të çon jo në Beograd, por në Moskë, ku është regjisori i tensioneve të reja ballkanike, të shtuara njëkohësisht në disa shtete të rajonit.

Një ditë pas ultimatumit Vuçiç, agjencia zyrtare ruse e lajmeve “TASS” njoftoi në 27 shtator se në ditët e para të muajit tetor Rusia do të zhvillojë në Serbi manovra të përbashkëta ushtarake me ushtrinë serbe me pjesëmarrjen e komplekseve të raketave tokësore dhe detare “Pancir C”, të cilat do të vijnë posaçërisht nga Rusia.

Manovrat e përbashkëta ushtarake ruso-serbe po bëhen tani që të mbahet lart tensioni ushtarak në kufirin midis Serbisë dhe Kosovës dhe jo rastësisht të gjitha mediat ruse po theksojnë me entusiazëm se në mobilizimin e tanishëm ushtarak në kufi me Kosovën Serbia po përdor gjuajtësit rusë “Mig 29”, helikopterët sulmues ruse dhe tanket ruse
“T 72”.

Për të nxitur rritjen e tensioneve serbe në zonën kufitare në Jarinjë shkoi në 26 shtator për inspektim te forcat ushtarake serbe të dislokuara ditët e fundit në kufirin me Kosovën ambasadori rus në Beograd, Aleksandër Bocan-Harçenko, bashkë me gjeneral-majorin e ambasadës ruse Zinçenko. Ishte një inspektim i çuditshëm diplomatik rus i gatishmërisë luftarake serbe sikur po inspektonte një gubernë ruse. Sepse nuk kishte asnjë ambasador tjetër, qoftë edhe të ndonjë vendi aleat të Serbisë.

Portali proqeveritar rus “mk.ru” shkruante në 28 shtator se presidenti serb Vuçiç e lavdëroi inspektimin e ambasadorit rus në forcat ushtarake serbe në kufi si “mbështetje nga Rusia të tërësisë territoriale të Serbisë”.

Ambasadori rus mbështeti dhe nxiti politikën serbe të tensionit të ri me Kosovën, sulmoi Kosovën si fajtore që nuk pranon kompromisin e ofruar nga Serbia në dialog, sulmoi edhe Perëndimin pse nuk mbështet Beogradin, etj. Ambasadori rus doli me propozimin absurd që “rruga e vetme është kthimi në situatën e parakrizës”, pra që Kosova të pranojë diskriminimin e  sanksionuar nga Serbia për regjimin e hyrje-daljeve të automjeteve nga njeri shtet në tjetrin dhe që sipas marrëveshjes dypalëshe të 11 shtatorit 2016 bazohet në reciprocitetin targave. Kjo kërkesë ruse don të thotë që të njihet vetëm e drejta e Serbisë dhe jo e drejta e Kosovës.

Çfaqet një urgjencë e Moskës për të nxitur dhe pompuar tensionet ushtarako-diplomatike të tanishme në kufirin dhe në marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës. Kjo nuk ka të bëjë me përkrahjen tradicionale të Rusisë për Serbinë. Kjo ka të bëjë me nevojat gjeopolitike të tanishme të Rusisë në Ballkan.

Në 27 shtator në Moskë agjencia proqeveritare ruse “Regnum” promovoi librin e ri “Kosova, Serbia dhe Rusia”, nën kujdesin dhe redaktimin e drejtorit të kësaj agjencie Vladimir Zotov, ku paraqitet një përmbledhje e analizave të analistëve kryesorë rusë dhe serbë për raportet midis tre shteteve. Në librin e ri drejtori Vladimir Zotov paraqet edhe analizën e tij me titullin interesant “Kosova është Rusi”.

Është hera e parë që analitika diplomatike ruse del publikisht me tezën e re që “Kosova është Rusi” dhe nuk është Serbi. Kemi të shprehur tashmë hapur thelbin e politikës dhe të strategjisë së Rusisë në lidhje me Kosovën, të cilat fokusin e kanë jo tek mbrojtja e Serbisë, por te interesi  makrodiplomatik dhe gjeopolitik rus për Ballkanin dhe dhe për Europën.

Libri i ri analitik rus i publikuar në 27 shtator e shpreh shumë qartë këtë strategji ruse me Kosovën:

Nëse Rusia don të ruajë atë që ka mbetur nga prania e saj në Ballkan, ajo duhet në mënyrë kategorike të refuzojë miratimin e çdo marrëveshje lidhur me ndryshimin e statusit të Kosovës. Nëse Rusia bie dakord me njohjen nga Beogradi të pavarësisë, Rusia do të humbë përgjithmone Serbinë dhe Ballkanin. Statusi i Kosovës është e vetmja gjë që e mban Rusinë në Ballkan.”

Kemi një afishim të qartë të politikës ruse për Kosovën, që përqëndrohet në interesin strategjik që Kosova i takon Rusisë dhe jo Serbisë. Natyrisht kjo nuk është në kuptimin territorial, por në kuptimin diplomatik dhe gjeopolitik. Kosova është Rusi në kuptimin, që raportet e saj me Serbinë duhet të mbeten një konflikt i hapur dhe i pazgjidhur dhe i përhershëm, pavarësisht se çfarë mund të duan apo mund të bëjnë Serbia dhe Kosova.

Ka një shqetësim në Kremlin se mos Serbia nën presionin e SHBA dhe të Perëndimit mund të detyrohet që të pranojë njohjen e Kosovës dhe kështu merr fund konfikti i marrëdhënieve Serbi-Kosovë. Ndaj libri i ri rus del me qendrimin që Rusia jo vetëm nuk duhet të pranojë njohjen e Kosovës nga Serbia, por “Rusia duhet të bllokojë me veton e saj çdo përpjekje të Kosovës për të hyrë në OKB dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare, ku Rusia ka veton, pavarësish se çfarë qendrimi do të mbajë udhëheqja e sotme serbe”.

Ky qendrim rus është me interes për të kthjelluar disa mendje të hutuara të qeverive të mëparshme në Prishtinë, të cilat kishin përqafuar tezën serbe se Kosova nga dialogu me Serbinë duhet të marrë anëtarësimin në OKB dhe jo njohjen prej saj. Nuk e di kush ua sugjeroi këtë tezë idiote qeveritarëve shqiptarë, e cila sanksiononte varësinë e Kosovës nga Serbia, dhe i ushqente me lugën bosh sikur anëtarësimi në OKB varet nga Serbia. Ndaj është mirë Moska ua kujton se nga kush varet anëtarësimi në OKB. Kam shkruar gjatë për këtë temë në librin tim “Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës”, 2018.

Tensionet e reja diplomatiko-ushtarake në kufirin midis Kosovës dhe Serbisë çojnë tek dora dhe regjisura e Moskës. Rusia është e shqetësuar se çeshtja e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, don apo nuk don Serbia, po i afrohet pikës së zgjidhjes. Politika e vendosur e presidentit amerikan Xho Bajden për qendërzimin e dialogut Kosovë-Serbi në njohjen reciproke, dhe kushti i përsëritur nga kancelarja gjermane Merkel në Beograd në 13 shtator se nuk ka anëtarësim në BE për Serbinë pa njohur Kosovën, e kanë vënë Serbinë në një trekëndësh nga ku nuk ka ku të lëvizë.

Analitika ruse e pranon në librin e ri të publikuar në 27 shtator se Rusia nuk ka në Serbi ndikim në planin ekonomik, social apo perspektiv, ndaj i vetmi instrument rus mbetet presioni dhe shantazhi mbi Beogradin për rolin e ushtarit të luftës ruse në terrenin diplomatik ballkanik.

Me tensionet e reja artificiale në kufirin midis Serbisë dhe Kosovës Moska konkretizon devizën e saj të re që “Kosova është Rusi” dhe synon të arrijë disa objektiva.

Së pari, të bllokojë dhe prishë dialogun në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, që zhvillohet me ndërmjetësimin e BE. Këtë porosi strategjike të Moskës per bllokimin e dialogut po zbaton presidenti serb Vuçiç, që po del me ultimatume boshe ndaj NATO-s dhe ka hapur thesin e kushteve të reja obstruksioniste serbe për vazhdimin e dialogut.

Nuk është e rastit që Vuçiçi ka dalë disa herë kohët e fundit me tezën se dialogu nuk është më i nevojshëm. Ai po shpik pretekste pas pretekstesh, dhe po kërkon që Kosova të pranojë statusin e provincës dhe të heqë dorë nga shteti i pavarur.

Duke ditur që tezat sabotuese serbe nuk i pranon njeri, ahere Beogradi me nxitjen e Moskës iu drejtua metodës së ngritjes artificiale të tensioneve diplomatike dhe ushtarake në kufi me qëllim që të bllokojë dialogun në Bruksel.

Së dyti, Rusia dhe Serbia synojnë që t’i bejnë presion BE dhe ta trembin atë me fantazmën e një lufte të re në Ballkan. Demostrimet luftarake të Serbisë me dërgimin e njësive tankiste në kufi, me fluturimet provokuese të avionëve gjuajtës në hapësirën ajrore mbi kufirin me Kosovën e deri te organizimi i manovrave të reja ushtarake me Rusinë në territorin serb, kanë për qëllim që të krijojnë një histeri luftënxitëse.

Me këtë histeri Serbia përpiqet të inkurajojë disa qarqe filoserbe në diplomacinë e BE, që duan ta intonojnë dialogun në skemat serbe me pretekstin gjoja për të shmangur luftën. Ndërkaq Serbia dhe Rusia kanë intensifikuar sulmet ndaj SHBA, NATO-s dhe Perendimit, dhe që nga zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Ruse Maria Zaharova në 24 shtator, ambasadori rus në Beograd në 26 shtator dhe kryeministrja serbe në 27 shtator sulmuan në sintoni Perëndimin se po përkrah Kosovën në tensionet e tanishme.

Së treti, Rusia po del me devizën e re “Kosova është Rusi” dhe po nxit tensionet e reja në kufirin midis Serbisë dhe Kosovës për të shtërnguar lakun rus në qafën e udhëheqjes së Beogradit që ajo të mos bëjë asnjë lëshim ndaj kërkesës së SHBA, Gjermanisë, NATO-s dhe BE për njohjen e Kosovës si shtet. Garnitura e sotme drejtuese, shoviniste dhe filoruse e Serbisë është plastelinë në duart e Moskës.

Ndaj presidenti serb Vuçiç del si zaporozhas rus i shekullit 17 dhe kërcënon NATO-s me ultimatume halucinante se ai “nuk do të lejojë të përsëriten ngjarjet e vitetev 90’”, kur NATO ndërhyri për të ndaluar spastrimin etnik serb në Kosovë.

Tensionet diplomatiko-ushtarake të krijuara nga Beogradi në kufirin midis Kosovës dhe Serbisë duhet të shërbejnë si një shkundje e madhe për diplomacinë e BE për të fshirë iluzionet e fundit për “katarsisin demokratik” të garniturës së tanishme udhëheqëse në Serbi, ku presidenti Vuçiç ka qenë ministër i qeverisë së Sllobodan Millosheviçit, zëvendëskryeministrja Maja Gojkoviç ka qenë zëvendëskryeministre në qeverinë e Millosheviçit, kryetari i parlamentit Daçiç ka qenë ministër në qeverinë e Millosheviçit, ministri i brendshëm Vulin ka qenë zëdhënësi i partisë së gruas së Millosheviçit, etj.

Kjo garniturë ultranacionaliste nuk mund të ndryshojë dhe të bëhet befas demokratike dhe europiane. Politika dhe shoqëria serbe gjatë mbi 20 viteve pas ikjes se Millosheviçit nuk kanë qenë në gjendje të nxjerrin një garniturë të re të palidhur me të kaluarën kriminale. Kjo garniturë antidemokratike, shoviniste dhe filoruse është interes strategjik i Rusisë në Ballkan.

Tensionet e reja diplomatiko-ushtarake të provokuara nga Serbia ndaj Kosovës duhet të shërbejnë si shkundje edhe për qeverinë dhe diplomacinë e Shqipërisë. Në kohën kur presidenti serb Vuçiç kërcënon me ndërhyrje ushtarake dhe me luftë Kosovën, kur presidenti serb po provokon trazira në Mal të Zi për ta shkëputur atë nga NATO, kur presidenti serb po nxit prishjen e shtetit të Bosnje-Hercegovinës, nuk ka logjikë diplomatike, shtetërore dhe kombëtare të pranojë që Tirana të vazhdojë t’i thurë ditirambe projektit hegjemonist të presidentit serb “Ballkan i hapur”.

Tensionet luftënxitëse, që po krijon njëkohësisht Serbia në tre shtete të Ballkanit Perëndimor e kanë bërë copash fasadën demagogjike të projektit serb të  “Ballkanit të hapur”. As vetë Vuçiçi, pas deklaratës së tij publike në 1 shtator se “institucionet europiane nuk e duan nismën e “Ballkanit të hapur”, nuk flet më për atë projekt fantomatik të hegjemonisë serbe.

Nuk janë të qarta motivet e fanatizmit politik dhe diplomatik të Tiranës për projektin e mësipërm të presidentit serb. Këtu duket gërshetohen diletantizmi diplomatik me kokëngjeshjen tipike shqiptare, që i shkon gabimit deri në fund edhe kur gjithë bota thonë se e ke gabim.

Ose janë lidhjet okulte, që kanë karakterizuar gjithmonë raportet asimetrike të udhëheqjes së Shqipërisë me udhëheqjen e Serbisë. Nuk ka profanim dhe blasfemi më të madhe që në kulmin e histerisë së luftës të presidentit serb kundër Kosovës, Tirana ka guximin t’i thotë Kosovës se projekti i presidentit serb “Ballkan i hapur” është projekt paqeje.

Edhe formën e bakllavasë të kishte ai projekt serb për Shqipërinë, mjafton politika shoviniste dhe kërcënimet ushtarake të Serbisë ndaj Kosovës për ta hedhur poshtë me shkelma projektin serb. Shqipëria nuk duhet të ketë asnjë lidhje me projektet subrajonale, që vijnë nga Serbia. Shqipërisë i mjafton realizimi i “Procesit të Berlinit” dhe integrimi në BE.                                                                                                           [DITA/ISHGJ]


Spread the love


Leave a Reply