Edhe një kombi të vogël i duhet një strategji e madhe

Spread the love

Edhe një kombi të vogël i duhet një strategji e madhe

Dr KRISTAQ XHARO / UET, Tiranë

Në kohën që dinamikat në ‘fshatin global’ po rrisin larminë, shpejtësinë dhe pasojat, kombet po gjenden më të ekspozuara përpara sfidave të parashikueshme. Për të përballuar lojën globale, ata vlerësojnë kontekstin që ndryshon me shpejtësi, rivlerësojnë burimet e fuqisë dhe përshtatin strategjinë, në funksion të objektivave madhorë: mbijetesës, sigurisë dhe prosperitetit.

Në lojën e madhe globale kombet dallojnë nga fuqia: të mëdhenj e të vegjël. Studiuesit e marrëdhënieve ndërkombëtare vlerësojnë në të ‘vegjël’ shtetet nën 15 milionë banorë, por jo rrallë edhe ato nën 30 milionë. Dallimi është i thjeshtë, shprehet David Mitran në The Road to Security, ‘të mëdhenjtë’ e kanë të vështirë të dështojnë, ‘të vegjlit’ e kanë mjaft të vështirë të mbijetojnë…’ Vlerësimi lidhet me faktin që ‘të vegjlit’ kanë më pak burime, më pak fuqi dhe më pak ndikim në ngjarjet e mëdha. Në këtë ide, ne shihemi si një komb i ‘vogël’, edhe pse dëshira në portale, na afron në 15 milionë. Jo vetëm për këtë: një regjistrim i saktë i shqiptarëve, kudo që jetojnë, mbetet i nevojshëm, por edhe mjaft i dëshiruar, ndërkohë që shumë kombe të tjerë e kanë realizuar…

Jo vetëm që jemi një komb i ‘vogël’, por për më tepër edhe nga më të shpërndarit në botë, konfirmuar nga agjenci prestigjioze. Aktualisht gjendemi, më së paku, në katër shtete të Ballkanit, pa u kufizuar edhe përtej tyre në trojet e veta apo nëpër botë. Pjesët përbëjnë mozaikun dhe çdo sfidë e tyre është edhe për ndërgjegjen e gjithë kombit. Takimet e përbashkëta të qeverive, takimet apo kuvendet me diasporën, komunikimi me çdo subjekt edhe politik, që përfaqëson pjesë të kombit meriton vetëm vlerësim në idenë e madhe të të ndjerit komb.

Historikisht, trojet shqiptare u ndanë e shpërndanë nga perandori, besime, ideologji, nga fuqi të mëdha, por dhe shtete të vegjël fqinj me orekse tepër të mëdha. Nuk është për t’u krenuar që shqiptarët krijuan shtetin e tyre amë, të fundit në Ballkan, pjesa tjetër e trungut më të fundit nga gërmadhat e ishJugosllavisë. Kjo dukuri sa ‘dhuratë’ nga kundërshtarët, por jo pak i mbetet edhe ndërgjegjes sonë të vonuar kombëtare. Eksodet masive të lidhura me pushtimet e pandërprera zgjeruan hartën e shpërndarjes, ndërsa kohët moderne, me dëshirën për një jetesë më të mirë e të sigurt po e zmadhojnë edhe më tej nëpër botë. Të shpërndarë gjenden shqiptarët edhe në vetë shtetet e tyre, me hendeqe të thella politike, ekonomike dhe sociale. Duket se kjo shpërndarje mjegullon e tejkalon çdo dilemë kolektive të vet kombit.

Kombi sot përballet me sfida që e prekin në çdo pjesë të tij, në botë, në rajon, por edhe të brendshme. Pas gjithë kësaj shpërndarjeje, çfarë mund t’i ‘mbledhë’ e t’i bëjë bashkë shqiptarët: gjuha, historia, traditat, kultura apo edhe një ndeshje futbolli? – Sigurisht që ngjarjet e mëdha, vitet 1912, 1944, 1999, janë kujtesë solemne për kombin, por tashmë sfidat shkojnë edhe përtej luftës.

Rigjetja e Strategjisë Kombëtare. Ndoshta një model strategjie si ajo që afroi burrështetasi Sami Frashëri në 1899 në “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet’, por tashmë nën idenë ‘shqiptarët ç‘kanë qenë, ç’janë e ç’do të bëhen’ mund të na kujtojë e të na afrojë e ndërgjegjësojë, se të shpërndarë jemi ‘të vegjël’, por rreth të njëjtës ide jemi më të fuqishëm. Një koncept i tillë në gjuhën e mendimit, vizionit dhe veprimit kërkon strategji dhe për nga përmasat: kombëtare, madhore ose ‘grand strategy’. Një strategji që mund të japë vizionin se ku do të jetë kombi pas 10, 30 apo 50 vitesh. Strategjia madhore bashkon në vizion e fuqi përbërësit e kombit në troje apo kudo që ndodhen. Strategjia madhore krijon derivate për strategjitë shtetërore për çdo fushë.

Sipas Lidell Hart, teoricien, historian dhe strateg britanik, themelues i konceptit, në botën moderne ‘Strategjia madhore (Grand Strategy) është arti i menaxhimit të burimeve të fuqisë të kombit, pa kufizime, për interesat jetike në kohë paqeje dhe lufte… Me fjalë më të thjeshta – vazhdon ai- është mënyra se si një vend/komb “kërkon të gjejë hisen e vet nën diell”, një reflektim i historisë së pandërprerë, vepër e brezave dhe vizion për të ardhmen.

Politologu i shquar Eduard Luttwak e thekson këtë ide kur shprehet se: …të gjitha shtetet kanë strategji kombëtare, edhe nëse e dinë ose jo…!!! Kjo është e pashmangshme, sepse strategjia kombëtare është thjesht niveli në të cilin dija dhe bindja, ose në terma modernë inteligjenca dhe diplomacia, ndërveprojnë me kapacitetet e tjera të fuqisë për të përcaktuar rezultatet në botën e shteteve të tjera që posedojnë “strategjitë e tyre madhore..”. Strategjia madhore afron kombin, vlerëson e mobilizon burimet e fuqisë dhe i orienton drejt objektivave madhore, njeh dhe vlerëson aleatët strategjikë. Ajo në asnjë rast nuk është dhe nuk drejtohet kundër asnjë prej kombeve të tjerë, por një busull orientuese për veten në kohët që vijnë. Në limite kohore ajo është afatgjatë duke kaluar ciklet më të afërta 10-vjeçare. Ndoshta ajo me vizion do të japë përgjigje se ku do dhe si do të jetë kombi ynë pas 10, 30 apo 50 viteve. Askush nuk ka pse të trembet nga një strategji madhore sepse askënd tjetër nuk ka për objekt.

Çfarë forme ka strategjia madhore? – Në formë të shkruar ose jo, publike ose jo, studiuesit e strategjisë ofrojnë më së paku tri forma, të cilat emërtohen përkatësisht “projekte madhore”, “parime madhore” dhe “sjellje strategjike”. Çdo formë ofron një kornizë të veçantë, të vlefshme për shtrirjen dhe përshkrimin e brendisë. Por secila prej tyre i referohet një dukurie që ka karakteristikat e të zhvilluarit afatgjatë në shtrirje, që lidhet me prioritetet më të larta të kombit dhe përfshin burime dhe instrumente të fuqisë kombëtare.

Është e vështirë të ndërtosh forma të tjera të strategjisë nëse nuk respekton hierarkinë e interesave madhore. Duke hyrë në kontekstin e strategjisë, ajo madhore (kombëtare) shtrihet për gjeneratat dhe ushqehet nga burrështetasit, ajo shtetërore orientohet nga lidershipi politik për realitetin dhe një të ardhme të përcaktuar, ndërsa partiake nga liderët e partive për zgjedhjet elektorale të radhës.

Strategjia kombëtare siguron një qëllim të unifikuar dhe drejtim të përbashkët për elitat drejtuese, për hartuesit e politikave, për vlerësimin e aleatëve dhe aleancave strategjike. Një strategji madhore, për vendet e vogla zvogëlon rrezikun e vendimeve kaotike.

Kush e përgatit strategjinë kombëtare? – Pyetja mbetet sfiduese. Strategjia Madhore është përgjegjësi e institucioneve më të larta, e elitave politike, që gjejnë konsensusin, ose më së paku moskundërshtimin dhe e publikut. Për të përgatitur një strategji madhore funksionale, kërkohet domosdoshmërisht të maturohet vetë procesi politik kombëtar dhe të gjejë konsensus në mjedisin e zbatimit. Zakonisht ndërtimi i kalon zyrat e aparateve dhe iu drejtohet forumeve më prestigjioze.

Ka modele nga më të ndryshme sipas veçorive të secilit vend, komb. Në këtë larmi mjaft interesant duket modeli izraelit ku projekti për një Strategji kombëtare u realizua nën kujdesin e Forumit Kombëtar të Strategjisë, i themeluar në Ditën e Pavarësisë, 2013, me iniciativën e Prof. Uzi Arad dhe Prof. Zehev Tadmor, që mblodhën figurat më të shquara të kombit nga vendi dhe bota. 180 akademikë, shkencëtarë, ekspertë dhe analistë me këndvështrime të ndryshme, u angazhuan në këtë iniciativë dhe formuluan strategjinë kombëtare.

Përfundim
A ka ardhur koha për një vizion të përbashkët të shqiptarëve kudo që jetojnë. A ndihet nevoja për një strategji përtej partive ndoshta dhe shtetit? Është fjala për një strategji që nuk është rrezik apo kërcënim për asnjë por grumbullim energjish për qëllime të përbashkëta? Në kohën që jemi një nga kombet më të shpërndarë, a ka një ndjenjë të përbashkët që orienton e harmonizon pjesët?

Dhe në fund ndoshta atë që dëshirojmë të risjellim në vëmendje e paraqet qartë Alvin Tofler, një nga analistët dhe parashikuesit më të mëdhenj bashkëkohor kur thotë se ‘Mungesa e strategjisë, është premisa më e madhe për të rrëshqitur në taktika konjukturale dhe për t’u bërë, qoftë edhe spontanisht, pjesë e strategjisë së dikujt tjetër… Strategjia madhore nuk është një plumb argjendi, por është e patjetërsueshme… Demokraci pa rrotacion! [Panorama]


Spread the love


Leave a Reply