Ekonomia dhe sipërmarrja si strategji e gjeopolitikës

Spread the love

Nga Mimoza Abrazhda


Hyrje

Ekonomia dhe gjeopolitika janë dy aspekte që lidhen e bashkëveprojnë me njëra-tjetrën. Një ekonomi e fortë në rastin e Kosovës e bën shtetin dhe vendin të aftë të konkurojë me sukses në gjeopolitikën rajonale. Por parakusht i zhvillimeve ekonomike është stimulimi i ekonomisë private, biznesit dhe investimeve. Investimet e huaja janë gjithashtu kontribut i shtuar në këtë drejtim.

Dhe stimulimi i ekonomisë realizohet me sukses në kushtet e konkurencës së ndershme e të lirë pa ndërhyrjen arbirtrare të shtetit. Institucionetr dhe administrata shtetërore bëhen promotorë të zhvillimit ekonomik gjithnjë nëse luftohet me sukses korrupsioni dhe lidhjet me krimin e organizuar.Iniciativa e lirë dhe krijimi i shanseve të barabarta janë logjika e ekonomisë së tregut dhe treguesit e aplikimit të parimeve të demokracisë.

Vlerat morale dhe konsolidimi i shtetit

Ekonomia konsolidon pavarësinë e një vendi. Pa zhvillimin ekonomik nuk mund të ketë zhvillim social, kulturor dhe politik. Në kushtet e varfërisë dhe varësisë ekonomike çdo vend detyrohet të krijojë varësi të shkallëve të ndryshme politike. Një vend i pa zhvilluar ekonomikisht, pa një buxhet të konsoliduar dhe që nuk plotëson nevojat e vendit e të qytetarëve, pra një vend që nuk garanton mirëqenie për veten e tij, është i destinuar të hyjë në borgje dhe të zhytet në kriza. Të tilla janë kryesisht vendet e korruptuara, ku politika shihet nga politikanët si biznes dhe jo si detyrim për qytetarët dhe interesat e vendit e të shtetit.

Historia na mëson se shtetet konsolidohen ekonomikisht, nëse ato i referohen vlerave morale të qeverisjes, nëse aplikojnë parimet e demokracisë dhe të iniciativës së lirë, nëse konkurencën e shohin si burim zhvillimi dhe jo si burim konfliktesh. Edhe shtetet e vogla mund të luajnë rol në gjeopolitikë, sidomos në ato lokale, kur janë të konsoliduara ekonomikisht. Ekonomia dhe gjeopolitika janë dy elementë që nuk ndahen, nuk përjashtojnë njëra-tjetrën. Prandaj dhe zhvillimi ekonomik është funksioni kryesor i ccdo qeverie dhe qeverisjeje.

Në rajonin e Ballkanit Perendimor kjo merr kuptim edhe më të rëndësishëm. Beteja gjeopolitike në rajonin tonë është e ashpër, për shkak të pozicionimit pro dhe kundër vlerave perendimore. Serbia vazhdon të mbështetet në aleancën ruse dhe lindore. Republika Srpska dhe një pjesë e mirë e politikanëve në Mal të Zi, po ashtu qëndrojnë gjeopolitikisht në anën e Moskës. Ndërkohë Shqipëria e Kosova janë dz vendet me vokacion të lartë perendimor dhetë angazhuar seriozisht në aleancët euro-atlantike.

Nisur nga këto pozicionime edhe lufta për dominim në ekonomi e në tregje është përpjekje për epërsi dhe dominim në rajon. Nëse studiojmë GDP-në dhe buxhetet e gjashtë vendeve të Ballkanit Perendimr, atëherë shohim se GDP dhe buxheti i Serbisë është gati 50 përqind e GDP dhe buxhetit të të gjithë rajonit. E thënë më saktë, Serbia prodhon aq sa prodhojnë të pesë vendet e tjra të këtij rajoni. Kjo do të thotë se deminimi ekonomik i Serbisë mund të realizohet plotësisht, nëse vendet e tjera nuk bëjnë përpjekje për zhvillim më të lartë ekonomik dhe për masa mbrojtëse nga dominimi serb i mallrave.

Beteja për resurset ekonomike

Zhvillimi ekonomik kërkon shfrytëzimin e resurseve. Resurset ë Kosovës, Shqipërisë dhe vendeve të tjera në Ballkan janë të mëdha. Territoret tona janë të pasura me burime natyrore mbi e nëntokësore, aq sa të mundësojnë zhvillim progresiv e të qëndrueshëm në ekonomi. Nëse i referohemi Kosovës, atëherë ne kuptojmë se rezervat e saj në Trepçe dhe rajonin e veriut të vendit kanë mbajtur buxhetin e ish-Jugosllavisë dhe të Serbisë. Në kushtet e sotme është plotësisht e mundëshme që këto burime të shndërrohen në asete zhvillimi të qëndrueshëm e me ritme të larta të ekonomisë, mirëqenies dhe të të ardhurave të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës.

Po ashtu Shqipëria ka mundësi të pashtershme dhe rezerva të shumta, ku mund të investojë për zhvillim. Turizmi duket se ka marrë përparësi, por Shqipëria ka një bujqësi të prapambetur dhe politikat mbështetëse për këtë sektor janë frenuese. Ndikon më së shumta klima pozitive e munguar e bizneesit si dhe mbështetja financiare për bujqësinë.

Nëse u referohemi raporteve ndërkombëtare, mësojmë se pengesë kryesore për zhvillimin e ekonomisë është korrupsioni madhor në strukturat e shtetit dhe të administratës publike, si dhe në segmente të tjera. Bashkimi Europian anulloi fondet grante për bujqësinë për Shqipërinë, pasiqë konstatoi përmes monitorimit se ato janë keqadministruar dhe shpërdoruar për shkak të korrupsionit shtetëror.

Njeriu me iniciativë në qendër të suksesit

Zhvillimin ekonomik të një vendi e sjell sipërmarrja. Sipërmarrja ekonomike dhe në biznes në vendet demokratike realizohet përmes iniciativës së lirë dhe krijimit të shanseve të barabarta. Investimet private dhe ato strategjike sipas një projekti dhe programi kombëtar janë mjetet kryesore të zhvillimit ekonomik. Shanset e barabarta dhe iniciativa e lirë kanë nga ana e tyre nevojë të mbështeten në vlera dhe jo në kalkulime të përfitimit personal. Në këtë aspekt ka nevojë për dy obligime:

Së pari, që sipërmarrja në biznes të nis e zhvillohet bazuar në elementë humanë dhe zhvillomor. Të bërit biznes është mendimi i parë dhe i fundit që u shkon në mendje njerëzve, sidomos kur ata përplasen me vështirësi financiare për veten dhe familjen e tyre! Për sipërmarrjen janë ngritur një sistem i plotë arsimimi, trajnimi dhe trajtimi psikologjik, akonomik, financiar dhe planifikues. Bëhen trajnime të panumërta në nivele të ndryshme të shteteve dhe rajonit. Në kushtete e ekonomisë së tregut, tashmë shumica dërmuese e popullsisë merret me sektorin privat si punëdhënës, punëmarrës ose si subjekt i bizneseve familjare. Zgjedhja dhe përgjegjësia është pjesë e ndërgjegjes individuale dhe kualifikimit personal. Por është ose jo edhe kontribut për zhvillimin e përgjithshëm dhe forcimin e pozitave gjeopolitike të një vendi të caktuar.

Megjithatë është njeriu, ai që kushtëzon dhe përcakton suksesin e sipërmarrjes. Por sipërmarrja dhe biznesi, ekonomia dhe mirëqenia forcohen përmes dy rrugëve në një demokraci: E para lidhet me lirinë individuale në këtë fushë. E dyta ka të bëjë me krijimin e shanseve të barabarta. Liria është çeshtje e sistemit qeverisës, por edhe e profesionalizimit, mendimit krijues dhe guximit të qytetarëve. Ndërsa shanset e barabarta i krijon rendi shoqëror, kushtetuta dhe ligji, si edhe zbatimi i tij. Nëse këto dy elementë nuk bëhen bashkë, atëeherë nuk do të ketë zhvillim ekonomik, mirëqenie dhe zhvillim social, si kushte të domozdoshme për konkurencë në gjeopolitikë.

Shteti i së drejtës – garantues i suksesit

Duke u ndalur te këto dy aspekte duhet thënë se i pari lidhet me individin dhe i dyti me shtetin, llojin e tij, qasjen që shteti ka në shoqëri dhe zbatimin e ligjit me ose jo me përkpikmëri. Individi i gatshëm dhe i pasionuar pas biznesit, pra sipërmarrjes, në veprimin e tij duhet të niset nga motive njerëzore, pozitive, pse jo edhe patriotike. P.sh nëse një individ, në nisje të sipëemarrjes dhe investimit të tij përcakton objektiva socialë, humanë dhe patriotikë, atëherë edhe suksesi i tij do të ishte më i garantuar. Thonë se edhe Zoti të ndihëmon kur një punë e nis me njet të mirë. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë që në nisje të një investimi të bësh llogari zhvillimin e mjedisit, të zonëes, punësimin e njerëzve, të ardhurat që ata sigurojnë, kujdesin për njerëzit në nevojë. Dhe më pas vetëvetiu vjen edhe fitimi.

Kjo nuk do të thotë që njeriu nuk duhet të dijë se deri ku janë limitet e bilancit pozitiv në biznes. Por kjo do të thotë se duke u nisur nga principet zhvillimore, individi e ka më të garantuar suksesin personal në biznes dhe sipërmarrje. Nëse llogarit dhe synon punësimin e sa më shumë njerëzve, punëmarrësve, atëherë kjo çon vetëvetiu në rritjen e të ardhurave dhe të fitimit në investim. Sepse çdo shtesë e numrit të të punësuarve prodhon automatikisht të ardhura shtesë, për pasojë edhe rritje të fitimeve në sasi. Nëse synon të vihesh në shërbim të komunitetit dhe klientëve, shet lirë dhe në këtë mënyrë rrit sasinë e xhiros në bisznes. Me çmime të lira dhe cilësi të lartë shton numrin e klientëve, Ndërkohë shtimi i numrit të klientëve rrit sasinë e parave në qarkullim. Sa më shumë kjo rritje, aq më shumë para të fituara, edhe pse norma e fitimit do të ishte e ulët.

Konkurenca realizohet në dy mënyra, përmes cilsësisë së produktit dhe përmes shitjes me çmime të ulëta. Të dyja këto janë pjesë e ndrshmërisë në biznes. Ndershmëria në biznes garanton jetëgjatësi në këtë veprimtari. Ndërsa mashtrimi është pengesa kryesore e jetëgjatësisë dhe e suksesit në biznes. Kjo do të thotë se individi është i lirë të zgjedhë e të përzgjedhë për llojin, mënyrën dhe formën e të zhvilluarit biznes, për investimin e tij. Rëndësi kanë idetë dhe përgjegjësia morale e qytetare.

Ndërsa detyrimi i shtetit është që të administrojë me korrektësi e ndershmëri buxhetin e shtetit, d.m.th taksat e qytetarëve. Kjo lidhet me luftën kundër korrupsionit, por edhe me idetë e zbatimin e praktikave më të mira për të krijuar hapësirën e lirisë në sipërmarrje. Në një vend ku gëlon korrupsioni, aty nuk ka dhe nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm. Për pasojë nuk ka shanse të barabarta, sepse pushteti krijon oligarkinë e vet, me qëllim mbajtjen e pushtetit përmes investimit të parave që janë përfituar nga korrupsioni. Më tej kjosituatë çon në bashkëpunimin e administratës shtetërore, por edhe të instiucioneve të sigurisë, me mafien dhe krimin e organizuar.

Përfundim

Situata në veriun e Kosovës deri më 24 shtator të vitit të kaluar ishte pasojë e bashkëpiunimit të politikës në Beograd me krimin e organizuar dhe terroristët që organizuan aktin barbar të Banjskës. Përmend këtë shembull për të thënë se bashkëpunimi me krimin e organizuar shpesh herë adresohet në çeshtje gjeopolitike. Por këtë e bëjnë politikanë të llojit të Serbisë, të cilët ushqehen me ultrashovinizëm.

Gjithmonë bëhet fjalë për strategji zhvillimi të qëndrueshëm dhe afatgjatë. Nëse ndodh kjo, pozitat e shtetit në konkurencën gjeopolitike forcohen. Për këtë arsye duhen harmonizuar të gjithë aktorët dhe faktorët që ndikojnë në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Krahas konsolidimit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës, ekonomia është drejtimi kryesor i forcimit të shtetit. Forcimi i shtetit është objektivi qllimmirë i të gjitha elitave politike. Nëse sukses si ky i fundit në votimin për anëtarisimin e Kosovës në Këshillin e Europës lidhet drejtpërdrejt me forcimin e potitave ndërkombëtare, ekonomia është ajo që krijon shtratin e nevojshëm për gjendje e performancë të lartë në konkurencën rajonale e ndërkombëtare.


Spread the love


Leave a Reply