Europol-i në zbatimin e ligjit brenda dhe jashtë BE-së

Spread the love

Nga Dr Selim IBRAIMI

Tre javë më parë autoritetet italiane dhe shqiptare në një operacion të përbashkët arrestuan 59 të dyshuar për krime. I gjithë ky operacion u bë me mbështetjen e dy agjencive të njohura, njëra e quajtur Eurojust dhe tjetra Europol.

Sipas autoriteteve, rrjeti kontrabandonte “heroinë, kokainë, dhe marihuanë në shtetet e BE-së”. Pra ishte Europol-i ose “Agjencia e BE-së për Bashkëpunim dhe Zbatim të Ligjit” e cila luajti rol kryesorë në zbulimin e rrjetit ndërkombëtar. Tani të paraqesim disa informata shkurt rreth agjencisë që bën shumë punë, por që pak e kemi dëgjuar në media, pasi keqkuptohet me Interpolin.

Europoli është themeluar në vitin 1998 në kuadër të BE-së, ndërsa në bazë të rregullores 2016/794 ka pësuar disa ndryshime. Qendra e Europol-it gjendet në Hagë me një buxhet mjaft tërheqës që shkon deri në 116 milion euro. Drejtore e agjencisë është Katerine De Boil e cila është në këtë funksion që nga viti 2018. Europol-i ka një staf prej 1400 të punësuarish, dhe me 264 zyra në Evropë e më gjërë. Europol-i ka një zanafillë më të hershme, që shkon në vitet e 70-ta të Luftës së Ftohtë, duke marrë përsipër forcimin e ligjit jo vetëm në shtetet anëtare të BE-së. Europol-i ka si mision të mbështesë vendet anëtare të BE-së “në parandalimin dhe luftimin e të gjitha formave të krimit ndërkombëtar dhe të organizuar, krimit kibernetik dhe terrorizmit”. Europol-i bashkëpunon edhe me shtetet jo anëtare të unionit, për të luftuar të gjitha aktivitetet jo legale si: trafikimi me qeniet njerëzore, pastrimi i parave etj etj. Agjencia gjithashtu bashkëpunon për shumë çështje, duke filluar nga aktivitetet kundër individëve që përpiqen t’ju shmangen organeve të drejtësisë e deri në mbledhjen e informatave inteligjente.

Europol-i ka një një strukturë mirë të organizuar dhe mjaft efikase. Këshilli i agjencisë ka për detyrë të drejtojë në përgjithësi veprimtarinë e Europol-it. Sipas Regullores, Këshilli emëron Drejtorin Ekzekutiv dhe zyrtarë tjerë të lartë duke përfshirë këtu edhe buxhetin e agjencisë. Europol-i çdo vit harton një raport të detajuar për Parlamentin Evropian. Me rritjen e terrorizmit në BE dhe në botë, në vitin 2016, Europol-i morri detyra të reja për të luftuar terrorizmin ndërkombëtar dhe lokal. Shtetet anëtare të BE-së që e përbëjnë Europol-in janë: Gjermania, Greqia, Qipro, Hungaria, Italia, Hollanda, Polonia, Portugalia, Rumania, Austria, Belgjika, Bullgaria, Kroacia, Çekia, Danimarka, Estonia Sllovenia, Sllovakia, Spanja, Suedia dhe Britania e Madhe. Ndërsa në grupin e shteteve jo -anëtare të kësaj agjencie përfshihen këto shtete: Shqipëria, Bosnja, Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi, Kosova, Zvicra, Molldavia dhe SHBA.

Për sa i përket raportit me shtetet tjera, e në veçanti me shtetet e Ballkanit Perëndimor, Europol-i ka një bashkëpunim mjaft të mirë. Para shpërthimit të pandemisë, në mes Europol-it dhe katër shteteve të Ballkanit, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë, u nënshkrua një marrëveshje për bashkëpunim në disa drejtime. Shtetet nënshkruese u pajtuan për një komunikim efikas, strategjik dhe të shpejtë në kuadër të aplikacionit “Siena”. Duke e përdorur aplikacionin e sigurt, vendet anëtare mund të shkëmbejnë informacione sekrete me anëtarët.

Duhet nënvizuar se edhe Kosova ka një marrëveshje me Europol-in në kuadër të luftës kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar. Në kuadër të Europol-it ekzistojnë disa drejtori dhe nëndrejtori që e bëjnë aktivitetin e kësaj agjencie të shpejtë e të sigurtë. Bashkëpunimi në mes shteteve anëtare dhe jo anëtare vlerësohet të jetë vendimtar në luftën kundër të gjitha llojeve të terrorizmit dhe krimit transnacional.

Siç shihet, BE-ja ka disa mënyra për të vënë në aksion zbatimin e ligjeve dhe mbrojtur sigurinë. Me rëndësi është që këtë ta bëjnë edhe shtetet e Ballkanit Perëndimor në kuadër të reformave të vërteta, duke filluar nga gjyqësia dhe agjencitë e sigurisë që kanë për të detyrë funksionimin e shtetit ligjorë dhe sigurinë e shtetit. A do ta bëjnë këtë deri në 2030-ën? Mbetet të shihet e të shpresohet se Ballkani Perëndimor më në fund do të integrohet në BE me institucione serioze të zbatimit të ligjit.


Spread the love


Leave a Reply