Forcimi i politikave të identitetit

Spread the love

Nga Dr Selim IBRAIMI

Optimistët e integrimeve evropiane vazhdojnë të besojnë se gjeopolitika e identitetit ka marrë fund. Të njëjtit pas rënies së Murit të Berlinit (1989), mendonin se identiteti t’i takojë të së kaluarës dhe popujt e Evropës, pas integrimit të plotë, do të jetojnë në paqe për disa dekada. Megjithatë, lufta në Ukrainë, mosmarrëveshjet midis vendeve anëtare të BE-së dhe tensionet në rritje në Ballkan sugjerojnë se fazat e ndërtimit të identitetit të disa popujve nuk kanë përfunduar. Raportet e mediave tregojnë se qetësi absolute nuk do të ketë në BE, Evropën Lindore, Ballkan dhe në pjesët të tjera të globit. Në këtë drejtim, Drejtoria Amerikane e Inteligjencës (ODNI), në raportin e saj vjetor për (2024), ka parashikuar rritje të tensioneve dhe përpjekje të reja nga qeveritë autoritare për të manipuluar dhe nxitur konflikte ndërkombëtare.

Në kontinentin evropian, këto ngjarje të paralajmëruara janë vazhdimësi e konflikteve që popujt evropianë i kanë dëshmuar për breza të tërë. Vështirësitë me të cilat përballen BE-ja, Ballkani, Rusia dhe Ukraina janë përsëritje të imperativave gjeopolitike në emër të interesave kombëtare dhe të sigurisë. Në njëqind vitet e fundit, identiteti politik, kombëtar dhe individual ka qenë tema qendrore jo vetëm e qeverive. Por duhet pranuar se pas Luftës së Parë Botërore, lufta për identitet mbajti gjallë dëshirën e disa njerëzve e kombeve për liri dhe çlirim nga ideologjitë e shekullit të XX. Nuk është për tu habitur që në Ballkanin e asaj kohe, pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane, identiteti luajti rol vendimtar në politikat e qeverive nacionaliste. Në atë kohë, aktorët kryesorë gjeopolitikë ishin Rusia, Anglia, Franca dhe SHBA, ndërsa në krahun tjetër ishin shtetet vasale që u shërbenin interesave të Fuqive të Mëdha.

Ndërtimi dhe negocimi i identitetit për aktorët gjeopolitikë në shekullin e XX nuk ishte e pazakontë. Të njëjtat shtete kishin negociuar dikur fatin e Lindjes së Mesme, duke ndryshuar hartën politike të shteteve pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane. Së këndejmi, gjeopolitika e identitetit historikisht ka dominuar politikën evropiane dhe ballkanike. Pasi etnia, kombi, dhe kategoritë tjera shoqërore janë të lidhura ngushtë me proceset gjeopolitike rajonale dhe globale, ideologjitë poashtu kanë një prani të fortë dhe janë të rrënjosura thellë në rajonin e Ballkanit, duke formësuar identitetet e brendshme dhe sigurisht ndikuar në politikat qeveritare. Ndërlidhja e kategorive të identitetit pas 2022-ës po zgjerohet, veçanërisht në vendet e BE-së dhe Ballkanit. Dhe po këtu, eksperimentimi me fuqinë e identitetit ka shkaktuar dëme të konsiderueshme për shtetet në rajonet e nxehta.

Keqpërdorimi i identitetit shihet si domosdoshmëri për të forcuar pozicionin e një kombi në nivel global dhe përballë një kundërshtari. Megjithatë, ndërtimi i identitetit i bazuar me një gjuhë të armës mund të çojë në konflikte të reja, siç mund të shihet në rastin e Bosnjës dhe Kosovës. Mosmarrëveshjet rreth identitetit të një kombi kanë pasoja të gjera, siç është lufta e fundit midis Rusisë dhe Ukrainës. Është shumë e qartë se cënimi i identitetit të të tjerëve ka penguar vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe ka vonuar mirëkuptimin ndërmjet shteteve.

Situata rajonale në Ballkan dhe mjedisi i sigurisë në Evropë, pas sulmit rus dhe anëtarësimeve të reja në NATO, do të formësojë objektivat gjeopolitike të qeverive duke i detyruar shtetet që të ndërtojnë marrëdhënie dypalëshe të bazuara pikërisht në forcimin e identiteteve kombëtare e jo të mirëkuptimit afatgjatë (rasti në mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut). Këtu mund të sjellim edhe një shembull tjetër, atë të marrëdhënieve të Rusisë dhe SHBA-së me Serbinë, që tregon për rolin e lidhjeve historike, politike dhe fetare në ruajtjen e identitetit të shteteve ballkanike të lidhura me botën ortodokse. Së pari, në vitin 1774, Katerina e Madhe (1729-1796) me anë të një traktati që lidhi me Perandorinë Osmane, ajo i siguroi disa të drejta Rusisë për të përfaqësuar popullatën ortodokse në Ballkan.

Në realitet, ky fakt ilustron sfondin historik të krijimit të identitetit në një territor të caktuar me mbështetje nga jashtë dhe dhunë të brendshme. Së dyti, përfshirja e SHBA-së në forcimin e Serbisë ka evoluar me pasoja në ripërcaktimet gjeopolitike dhe identitare të disa shteteve ballkanike. Kjo marrëdhënie historike mund të shqyrtohet në kontekstin e ngjarjeve pas Kongresit të Berlinit (1878), zhvillimeve pas 1914-ës, vitit 1953, dhe formës së re të marrëdhënieve serbo-amerikane të pas vitit 2000. Rastet e forcimit të identiteteve do të vazhdojnë të kenë ndikim në Ballkan për dy deri në tre dekada. Dhe në kohën e ringjalljes ruse në Ukrainë dhe përdorimit të mjeteve të tjera të ndikimit, politika e identitetit do të mbetet një nga mjetet shtesë në luftën gjeopolitike të shteteve.

Duke iu referuar rastit amerikano-rus me Serbinë në kuadër të forcimit të dikurshëm identitar, zgjerimit territorial dhe aktualisht forcimit ushtarak, gjithsesi se kemi fituar një ide më të qartë se si ka ndikuar politika e identitetit për më shumë se një shekull në Ballkan, dhe si do të jetë po e njëjta në dekadat që vinë bashkë me keqkuptimet e reja në mes popujve.


Spread the love


Leave a Reply