Frikë nga përsëritja e pakteve

Spread the love

Frikë nga përsëritja e pakteve

Nga  Dr Selim IBRAIMI

Jemi dëshmitarë të ngjarjeve historike të dekadës së tretë. Ashtu si dy mijë vite më parë, Lufta e Peloponezit i dha një pamje tjetër gjeografike Evropës Juglindore dhe nxori fuqi të reja në Mesdhe. Sot, lufta ruso-ukrainase domosdoshmërisht në fund do të prodhojë një rend të ri më të qartë europian. Dhe jo vetëm një vakum të dalë nga Lufta e Ftohtë e cila bëri një Rusi antagoniste dhe me pretendime imperiale si të Pjetrit të Madh ashtu si pretendon Putini.

Në Ballkanin Perëndimor duhet të jemi të vetëdijshëm se çështjet që e rrezikojnë botën demokratike, janë pothuajse të ngjashme, pavarësisht nëse jemi afër apo larg konflikteve.

Bllokada e grurit ukrainas në portin e Odesës, gjithsesi do të krijojë krizë të re ushqimore botërore dhe në rajonin tonë. Dihet se ne jemi shtete pa kapacitete të mbajmë gjallë popullatën me prodhimet vendore dhe varemi kryesisht nga importi i grurit dhe drithrave nga shtetet si Serbia.

Mirëpo, për më shumë se dy dekada çdo gjë është ndërprerë në Maqedoninë e Veriut, si blegtoria dhe po ashtu bujqësia të cilat degë ekonomike shumë pak janë mbështetur si duhet nga shteti. Dhe me keq është se fuqia punëtore vitale është larguar drejt shteteve të BE-së. Tash qeveria në Shkup na paralajmëron për krizë të bukës dhe atë energjetike e cila kërcënon popullatën e vendit. Si shumë shtete të rajonit edhe qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk i ka marrë parasysh kërcënimet që vijnë nga ndryshimet klimatike, luftërat dhe krizat tjera në tregjet botërore.

Koha është që qeveria dhe qeveritë të mendojë për plane shtesë se si të sigurojë lëndën e parë më lehtë dhe më lirë për të ulur koston jetësore të qytetarëve. Në BE, qeveritë qysh moti punojnë rreth krizave që mund të kërcënojnë sigurinë ushqimore dhe atë nacionale.

Në këtë drejtim historikisht qysh para Kongresit të Berlinit, Rusia sytë i kishte në Ballkan, dhe Kriza Lindore e përshpejtoi procesin e fillimit të një konflikti ballkanik dhe europian.

Gjatë asaj kohe shumë marrëveshje dhe traktate të fshehta u nënshkruan në mes fuqive europiane. Një ndër ata ishte“Traktati i Risigurimit”, një marrëveshje diplomatike midis Perandorisë gjermane dhe Rusisë Cariste (1887-  1890). Nga burimet e kohës, njoftohej se vetëm një pjesë e vogël e zyrtarëve të lartë në Berlin dhe Shën-Petersburg e dinin ekzistencën e kësaj marrëveshje që ishte në funksion të një Europe të re të dominuar nga gjermanët dhe rusët. Historia përsëritet në disa nivele. Dhe tani ekziston një frikë, nëse treshja franko-gjermano-ruse do të marrë rolin primar të së ardhmes së Europës dhe më gjërë. Droja nga sistemi i aleancave që është pasojë e luftës në Ukrainë dhe kriza ekonomike që është reflektuar në Ballkan me qëndrime pro dhe kundër unioneve ekonomike dhe anëtarësimit të plotë apo jo në BE dhe në OB, janë shenja jo të mira. Këtu më e pasigurtë është të parashikojmë krizën ushqimore, zinxhirit të saj se sa shkatërrimin e infrastrukturës industriale e cila po mungon tash në këtë kohë të krizës.


Spread the love


Leave a Reply