Kancelari i ri gjerman dhe kohezioni i harmonisë trans-atlantike

Spread the love

 

“Hipokrizia dhe dështimi i Bashkimit Europian në Ballkan, ndërsa Beogradi po koordinon politikën e tij agresive në rajon, ngushtë me Kremlinin”

Nga Janusz Bugajski

Hipokrizia e dukshme e udhëheqësve të BE-së në kritikat e tyre ndaj Shteteve të Bashkuara rëndohet edhe më fort nga dështimi i tyre për të zgjidhur konfliktet në rritje në Ballkan.

Pas nënshkrimit të një pakti trepalësh të sigurisë midis SHBA, Australisë dhe Britanisë së Madhe, zërat e “autonomisë strategjike europiane” po dëgjohen sërish në BE. Nën udhëheqjen e qeverisë së inatosur franceze, marrëveshja për nëndetëset e së cilës me Australinë u anullua, europianëve u thuhet se SHBA nuk është e besueshme. Ndërsa konfliktet në Ballkan po zgjerohen, BE -ja është e pafuqishme dhe do jetë sërish Amerika që do marrë rol thelbësor në zgjidhjen e tyre.

Sulmet franceze ndaj Shteteve të Bashkuara janë të rreme dhe hipokrite. Ndërsa fuqia ushtarake amerikane mban NATO-n të bashkuar dhe pengon çdo agresion ushtarak rus, përmes marrëveshjeve për energjinë, Gjermania komploton me Rusinë në kurriz të fqinjëve të saj në BE e Franca nëpërkëmb aleatët e vet të NATO-s përgjatë frontit lindor duke u përpjekur për marrëdhënie më të ngushta me Moskën.

Parisi është munduar ta tejkalojë veten që nga largimi i Mbretërisë së Bashkuar prej BE-së, por përpjekjet e Presidentit Emanuel Macron për të zëvendësuar kancelaren Angela Merkel si udhëheqës parësor i Europës janë hedhur poshtë gjerësisht si arrogante.

Nëse Franca do të marrë mbështetje në mesin e vendeve më proamerikane si Polonia, shtetet baltike dhe Rumania, atëherë asaj i duhet të tregojë se do të mbrojë aleatët e vet po aq vendosmërisht sa Shtetet e Bashkuara. Por kontributi i saj në mbrojtje për NATO-s është rrëgjuar nga Uashingtoni dhe Franca nuk ka arritur të japë 2% -in e PBB–së, të paracaktuar për shpenzimet e mbrojtjes.

Naiviteti francez ndaj Rusisë ishte i dukshëm qëkur Parisi donte që NATO të hiqte dorë nga operacionet e saj në fundin e Luftës së Ftohtë. Tani Macron e ka “diagnostikuar” Aleancën me “vdekje të trurit”. Për më tepër, Franca nuk e ka mbështetur zgjerimin e BE-së dhe vazhdon të kundërshtojë përfshirjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor, siç është e qartë në mos-hapjen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Një dokument i brendshëm i publikuar në prag të Samitit të 6 tetorit midis udhëheqësve të BE-së dhe atyre të Ballkanit arrin në përfundimin se anëtarësimi i gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor nuk mund të garantohet, për shkak të frikës nga një reagimi politik në mesin e vendeve anëtare.

Putin përfiton drejtpërdrejtë nga propozimi i Francës që BE-ja duhet të rivlerësojë marrëdhënien e saj me SHBA-në. Kremlini i përdor shtetet e mëdha të BE-së kundër Uashingtonit dhe është besimplotë se Franca dhe Gjermania do të vazhdojnë të krijojnë telashe.

BE nuk arriti ta ndalojë bashkëpunimin e Berlinit me Rusinë për gazsjellësin Nord Stream II (Linja Veriore II), pavarësisht kundërshtimit të madh nga Europa Qendrorë. Gazsjellësi minon sigurinë energjetike të Europës dhe dobëson pavarësinë e saj politike.

Nëse Brukseli ndjek axhendën franceze për të kufizuar lidhjet me Uashingtonin, atëherë, stratigjikisht, ai do të kryejë vetëvrasje, pasi kështu do të ndihmojë forcat që kërkojnë të shpërbëjnë Unionin. Politikat e paqarta të kancelarit të ardhshëm të Gjermanisë sigurisht do të kthehen në teste të mëtejshme të kohezionit, harmonisë trans-atlantike.

Dështimi i ardhshëm i politikës së BE-së në Europë po shpaloset përgjatë kufirit Serbi-Kosovë, ku Presidenti Vuçiç po shfrytëzon mosmarrëveshjen për targat për të nxitur konflikt dhe për të kërcënuar me një luftë të re. Ndërkohë, udhëheqësit dhe diplomatët e BE-së bënë thirrjet e zakonshme për përmbajtje, të cilat të gjithë në Ballkan i mbajnë mend që nga vitet 1990 kur luftërat anti-civile patën shpërthyer.

Edhe pse një marrëveshje e përkohshme i dha fund bllokimit të kalimeve kufitare nga protestuesit serbë, BE duket se nuk është në gjendje të imponojë zgjidhjen e vetme të qëndrueshme: njohjen reciproke të targave të automjeteve. Padyshim, Shtetet e Bashkuara do të duhen për të shuar çfarëdo zjarri pasues.

Dështimi më i madh i BE-së në Ballkan është mungesa e dëshirës për të pranuar se Vuçiç po prodhon mosmarrëveshje me Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnjë-Hercegovinën në rrugëtimin e tij për një mini-perandori të maskuar si “bota serbe”. Sa më pak rezistencë të hasë në Bruksel, aq më i guximshëm do të bëhet ai.

Me Gjermaninë të shpërqendruar nga negociatat për koalicionin (qeverisës), me mungesën e Britanisë së Madhe dhe me SHBA-në të përqendruar në një mori krizash globale dhe të brendshme, mosmarrëveshjet e Francës me Uashingtonin thjesht do të inkurajojnë ofensivën për Serbinë e Madhe.

Kur pretendojnë se marrëdhëniet midis Beogradit dhe Prishtinës mund të “normalizohen” pa njohjen dypalëshe ndërshtetërore, në fakt, udhëheqësit e BE-së i japin dorë Vuçiçit. Duke mos iu kundërvënë cenimit të pavarësisë së Malit të Zi nga Beogradi dhe duke mos kontribuar për forcimin e integritetit të Bosnje-Hercegovinës, padashje, Brukseli po përgatit terrenin për një shpërthim të ri rajonal.

Dhe ndërsa Vuçiç po koordinon politikën e tij rajonale – gjithnjë e më agresive – ngushtë me Kremlinin, udhëheqësit e BE-së duken të paaftë për të kuptuar se si një luftë e re ballkanike do ishte në dobi të axhendës neo-perandorake dhe anti-perëndimore të Moskës.


Spread the love


Leave a Reply