Kosova nuk është Leviatan prej letre

Spread the love

Preokupimi i qeverisë serbe me të drejtat e serbëve etnikë në Kosovë ka prapavijë të qartë ekspanzioniste. Ai po I shërben Serbisë, ngjashëm si Rusisë në prag të invazionit në Ukrainë, për të siguruar një justifikim për një fushatë ushtarake qoftë edhe të pambrojtur moralisht dhe ligjërisht.

Nga Dr. Sadri RAMABAJA

Gjatë gjithë procesit të dialogut mes Beogradit e Prishitnës, për plot një dekadë, regjimi i Vuçiqit, përveç referimit ndaj kërcënimit të pretenduar të shkeljes së interesave serbe nga Perednimi, me theks gjatë këtyre dy viteve të fundit, është përpjekur gjithashtu të justifikojë “zgjidhjen ushtarake”. Në këtë plan ai u angazhua në mënyrë intenzive pas dështimit që pësoi ideja për “razgraniçenje sa albancima” [ripërkufizimin e kufirit me shqiptarët]. Nëse dëgjohet me vëmendje fjalimi i tij i fundit në OKB dhe ai pasues i kryeministres Bernabiq, me ç’rast ishte paralajmruar agresioni i Serbisë i 24 shttaorit, respektivisht u tentua të arsyetohej si akt, duke përmendur në mënyrë eksplicite kërcënimet e supozuara ndaj serbëve etnikë në Kosovë, madje duke shkuar deri aty sa të akuzohen autoritetet kosovare për kryerjen e terorit kundër minoritetit serb, me theks në veriun e Kosovës, atëherë është e qartë se Serbia po investon hapur në strategjinë që promovon luftën e re shqiptaro-serbe.

Kosova — shteti etnikisht më homogjen në Europë

Realiteti historik dhe aktual politik, tok me komunitetin e ekspertëve, hedhin poshtë me zë të lartë pretendimin e Listës Serbe dhe ata të zërave të veçantë të lidershipit serb, tek pohojnë se pakicës serbe në Kosovë i janë kufizuar të drejtat elementare politike, gjuhësore dhe kulturore dhe se na qenkërka një objektiv i mundshëm për spastrim etnik. Përkundrazi, elementet kushtetuese e juridke, garantimi i barazisë para ligjit dhe diskriminimi pozitiv që i bëhet pakicës serbe, flet për të kundërtën. Kosova është një vend i cili është i njohur për homogjenitetin etnik të popullsisë së saj, për shkak të përbërjes së saj dominuese etnike, e cila është shqiptare. Ky homogjenitet etnik është pasojë e historisë dhe zhvillimit të ndryshëm në rajon. Shqiptarët janë popullsi autoktone në Kosovë dhe përgjithësisht në Atdheut të tyre. Kjo prani e gjatë historike ka ruajtur përheër një dominancë të madhe shqiptare në Kosovë. Lufta e UÇK-së [1997–1999] dhe ndërhyrja ndërkombëtare e NATO-s në vitin 1999, solli dislokimin e një pjese të popullsisë serbe, rrjedhimisht shumica shqiptare rriti prezencën e saj. Republika e Kosovës e shpallur në vitin 2008, është cilësuar edhe përmes Kushtetutës si shtet i pavarur me shumicë shqiptare. Kjo ka ndikuar në zvogëlimin e popullsisë serbe dhe në faktorët politikë dhe socialë. Sidoqoftë, edhe para luftës, madje edhe gjaët dekadës së apart’heidit [1989-1999], shqiptarët përbënin mbi 80% të popullsisë së përgjithshme.

Sot nëse venerojmë aspektin e përbërjes etnike, Kosova është një ndër shtetet më homogjene në Europë. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet fakti se, edhe pse përbërja etnike e Kosovës është kryesisht shqiptare, ka ende minoritete etnike, përfshirë serbë, boshnjakë, romë, turq, dhe të tjerë. Këto komunitete janë pjesë e shoqërisë dhe jetës shtetërore të Kosovës dhe kanë të drejta të mbrojtura nga kushtetuta e Kosovës dhe ligjet relevante.

Përbërja etnike e një vendi është një aspekt i rëndësishëm i identitetit të tij, por është gjithashtu e rëndësishme që shtetet të promovojnë dhe të mbrojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve etnike brenda tyre dhe të ndërmarrin masa për të siguruar bashkëjetesën dhe harmoninë ndërmjet tyre.

Në Kosovë aktualisht në përbërjen e popullsisë minoritetet në tërësi janë në lartësinë prej 7–8 %, ndërkaq pakica serbe ka diku mes 3 e 4% të tërësisë së popullsisë në Republikë. Argumentet e paraqitura nga Serbia edhe në instutucionet më të larta ndërkombëtare, siç është Asambleja e OKB-së, janë shprehje e pastër e abuzimit me këtë realitet dhe me përgjegjësinë politike. Ato vazhdojnë të jenë në dobi të argumentimit të doktrinës serbe që ndërlidhet me iluzionin e krijimit të “Botës serbe”, kur bëhet fjalë për mbrojtjen e serbëve etnikë jashtë Serbisë dhe me këtë edhe krijimin e një harte të re politike të Ballkanit.

Si rregull i përgjithshëm, establishmenti serb vazhdon ta shikojë e trajtojë praninë e serbëve etnikë në Kosovë, në Mal të Zi e në Bosnjë e Hercegovinë si faktor qenësor e tejet të dobishëm në aspektin e ridefinimit të mundësive për të ushtruar influencë shtesë në këto vende. Edhe pse Vuçiqi shpesh e ka identifikuar gatishmërinë për të ofruar mbështetje për serbët jashtë vendit si një qëllim kombëtar me rëndësi vendimtare, në praktikë politikat e tij në lidhje me mbrojtjen e të drejtave të serbëve etnikë në ish Republikat e Jugosllavisë dhe në Kosovë, janë të natyrës dhe interesit gjeopolitik ekspansionues të ndërlidhura ngushtësisht me interesa ekonomike. Në një lexim kritik të variantit të parë të Marrëveshjes së Rambujesë, tok me mikun e profesorin tim në Institutin për Studime Europiane të Universitetit të Bazelit, Zvicër, Stefan Kux, kishim konkluduar se, në rast se Konferenca do t’ia imponojë delegacionit kosovar atë variant, atëherë Kosovëa fare lehtë do të përfundonte në një Rezervat indogjenës të Meksikës. Këtë konkluzë e patëm përmbledhur në diku tri faqe tekst, që pastaj unë ia pata dërguar delegacionit tonë në Rambuje. Ishte lufta e UÇK-së, rezistenca dhe urëtsia e delegacionit tonë, që pamundësoi atëbotë degradimin e Kosovës shembëllim një rezervati indianësh në Meksikë.

Ndërkohë aterimi i pesë diplomatëve perendimor që përbëhej nga emisari special i BE-së për dialogun Kosovë — Serbi, Mirsolav Lajçak, zëvendës ndihmës sekretari i ShBA-së, Gabriel Escobar, bashkë me këshilltarët e liderëve të Gjermanisë, Francës dhe Italisë, nuk kishte si t’mos më kthente kujtimet tek varianti i parë i dokumentit të Rambujesë. Dallimi tashmë është se atëbotë bëhej fjalë për shndërrimin e Kosovës si tërësi në një rezervat indianësh si në Meksikë, ndërkaq tashti, përmes imponimit të Asociacionit të komunave serbe si një entitet politik e administrativ, konform kërkesave të Serbisë, bëhet fjalë për shndërrimin e Republikës së Kosovës në një Leviatan prej letre. Por, siç dihet, Republikës së Kosovës për gati njëzetë vite, ju imponuan drejtues marioneta, që sollën shtetin buzë dështimit, ndërkaq si i tillë ai edhe do të mund të përfundonte në një Leviatan prej letre. Ishte pikrisht revolucioni i heshtur demokratik i 14 shkurtit të vitit 2021, ai që do ta nadlojë rrëshqitjen e Republikës në një shtet të dështuar, duke mundësuar rifillimin e funksionalizimit të Republikës edhe në fushat ku shteti ishte grryer deri në palcën që nuk duronte dot më, siç ishte siguria dhe veriu i Republikës. Prandaj revolucioni i heshtur demokratik i shkurtit të vitit 2021 ka një analogji me Kongresin e Lushnjës [1920] [1], dhe nëdrlidhet me procesin e mvetësimit real të Republikës.

Në mendimin teorik të filozofisë politike Leviatani është një koncept i shpikur nga filozofi anglez Thomas Hobbes në studimin e tij me titull “Leviathan” (1651). Në këtë kontekst, Leviatani është një metaforë për shtetin e qytetarëve të organizuar në një shoqëri civile, të cilën Hobbes e shihte si një zgjidhje për të shmangur konfliktet dhe kaosin. Ndërkaq Leviatani prej letre [ në rast se imponohet Asociacioni me kompetenca ekzekutive] është më shumë se një referencë në kontekstin negativ të këtij koncepti; ai de fakto rezulton thjeshtë si një shtet i dështuar.

Kur një “paraushtarak i fuqishëm kolumbian, Ernesto Baez, i tha një gjykatësi: “Si mund të punonte një shtet i vogël i pavarur brenda një shteti të ligjshëm, siç është i yni?”, përgjigia ishte: fare lehtë në një Leviatan prej Letre.”[2]

Tendenca serbe është për ta rikthyer Kosovën në stadin e para 14 shkurtit 2021. Kjo u shpërfaq botërisht edhe në fjalimin e kryeministres serbe, Ana Brnabiq, në Asamblenë e OKB, kur pohoi pa u skuqur se “situata në të cilën na ka sjellë Albin Kurti dhe heshtja e ndërkombëtarëve është katastrofike.” Por, për krejt këtë “katastrofë” ajo e bëri përgjegjëse Bashkësinë Ndërkombëtare, duke parashtruar pyetjen banale e krejtësisht pa takt diplomatik: “A ka Kurti ‘carte blanche’ për të vrarë njerëz në Kosovë si të dojë?”[3]

Kritikat dhe tensionet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, veçanërisht në lidhje me minoritetin serb në Kosovë, janë një çështje e ndërlikuar dhe subjekt i debateve të mëdha politike dhe ndërkombëtare. Në studimet e publikuara së fundmi lehtësisht është argumentuar fakti se, Serbia ka përdorur situatën e minoritetit serb në Kosovë për të ndikuar në politikat dhe rrjedhën e zhvillimeve në Kosovë. Ndërsa disa mund të argumentojnë se Serbia po e keqpërdor situatën për të mbrojtur interesat e minoritetit serb, të tjerë kritikojnë veprimet që janë interpretuar si shfrytëzim politik i situatës. Për aq kohë sa Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, mundësia për keqpërdorimin e minoritetit serb mbetet e hapur.

Është e rëndësishme të theksohet se çështja e minoritetit serb është shnëdrruar krejt artificialisht në çështje komplekse dhe që mund të ketë ndikime të shumta nga aspektet politike, historike dhe etnike. Komuniteti ndërkombëtar ka pasur një rol të rëndësishëm në përpjekjet për të zbutur tensionet dhe për të promovuar bashkëjetesën ndërmjet komuniteteve në Kosovë. Por në muajt e parë të pasluftës, konkretisht gjatë 3 e 4 shukurtit të vitit 2000, pozicionimi i njësive dhe komandës së KFOR-it francez pro agjendës politike serbe për veriun e Kosovës, ka qenë vendimtar në kryerjen e gjenocidit në shkallë të plotë në veriun e Kosovës, duke ia mundësuar njësive paramilitare serbe aksionin për spastrimin etnik të veriut dhe përmbysjen e hartës demografike.

Republika e Serbisë jo vetëm që ka injoruar dhe ka keqpërdorë minoritetin serb në Koosvë, por vazhdon edhe t’i viktimizojë ata në mëynrë aktive. Thirrja e pjesëtarëve të minoritetit serb të Kosovës në ushtrimet e rregullta ushtarake në qendërn e trajnimeve në Leskoc dhe agresioni ushtarak i dështuar i 24 shtatorit, janë shmebuj ekspemplar të keqpërdorimit të pjesëtarëve të këtij minoriteti.

Trajtimi i Kosovës si neokoloni

Serbia e ka trajtuar përherë Kosovën si koloni, respektivisht neokoloni të saj. Rrjedhimisht ekonomia e Serbisë ka qenë e përqëndruar në shfrytëzimin e resurseve minerare dhe fuqisë punëtore të Kosovës në rrafshin tërësisht eksploatues. Së fundmi këto raporte janë ndikuar nga shumë faktorë, përfshirë tranzicionin nga sistemi komunist në ekonominë e tregut, sfidat politike dhe historike dhe ndikimin e faktorëve të jashtëm. Bazuar në këta faktorë, për më shumë se një shekull, Serbia është përqëndruar në ngritjen e sektorëve të ekonomisë që kanë logaritur shumë në shfrytëzimin e Kosovës tutje si koloni, respektivisht neokoloni.

1. Sektori industrial i ekonomisë serbe në këtë rrafsh kishte një rol të rëndësishëm në eksploatimin e pasurive minerare të Kosovës dhe fuqisë punëtore edhe nga ish republikat tjera jugosllave, duke përfshirë prodhimin e makinerive, metalurgjinë, kiminë dhe prodhimin e energjisë elektrike.

2. Sektori bujqësor gjithashtu qe kthyer në një nga shtyllat e ekonomisë serbe duke shfrytëzuar prodhimin e drithrave dhe lulediellit që kultivohej në Rrafshin e Kosoëvs dhe Dukagjin. Bujqësia si degë e ekonomisë është e rëndësishme në Serbi dhe përbën burimin kryesor të ushqimit. Rrjeti i saj kishte shfryëtzuar me vite të tëra si material bazë gjithë kulturat bujqësore që kultivoheshin në Kosovë si grurin, misrin, luelediellin, rrushin…

***

Edhe pas çlirimit të Kosovës [12 qershor 1999] një pjesë e mirë e administratës së UNMIK-ut, që ishte instaluar konform Rezolutës 1244 të OKB-së, ekonominë e Kosovës e kishte orjentuar jo pa qëllim pikërisht drejt Serbisë. Shfrytëzimi neokolonial i Kosovës nga Serbia shihej sidomos në politikat fiskale që po impononte kjo administratë. Orjentimi i ekonomisë dhe tregtisë, duke e trajtuar Kosovën tutje si neokoloni serbe, ishte tejet i hapur. Mallrat që silleshin nga Serbia tatimoheshin në doganë vetëm me 1% të vlerës në treg, ndërkaq ato që silleshin nga Shqipëria me 26 % të vlerës në treg. Ky shembull është tipik për këtë orjentim që kishte për qëllim mbajtjen e Kosovës tutje si zonë të interesit serb, respektivisht në cilësinë e një neokolonie tipike. Ndërkaq pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës [17 shkur 2008], meqë në krye të saj u imponuan një ekip marionetash politike, Serbia mbetet tutje partneri kryesor ekonomik i Kosovës! Lista Serbe dhe elemenët si puna e kriminelit Millan Radojçiq, do ta shfryëtzonin këtë fakt për ndikim të skajshëm edhe në rrafshin politik. Krijimi i një shtrese oligokratësh rreth figurave qendrore që i shërbenin Serbisë si marioneta, tok me oazën e krimit ekonomik në veriun e Kosovës, flet qartë se Vuçiqi nuk ishte i interesuar për mirëqenien e serbëve në Kosovë, por për krijimin e rrethanave politike që do t’i mundësonin aneksimin e veriut të Kosoëvs. Agresioni ushtarak serb, duke përdorë metoda të terrorizmit klasik, i 24 shtatorit e dëshmoi më së mirë këtë objektiv politiko-ushtarak serb.

Paradoksi serb

Një nga paradokset, nëse do të supozojmë se regjimi i Vuçiqit është vërtet i shqetësuar për të drejtat sociale dhe kulturore të serbëve etnikë, është se një anëtarësim i mundshëm i shpejtë i Kosovës në Këshillin Europian, ose ai në Bashkimin Evropian (BE) e para së gjithash në NATO, do të ofronte garancitë më të mira për minoritetin serb — disa standarde që kanë të bëjë me trajtimin e minoriteteve gjithësesi se do të vazhdonin të respektoheshin. Respektimi dhe mbrojtja e të drejtave të pakicave si parakusht për integrim në BE janë të përfshira në kriteret e Kopenhagës. Ato përcaktojnë rregullat e pranueshmërisë për t’u bërë anëtare e BE-së. Precedenti në këtë rrafsh është i qartë — pranimi i vendeve baltike në BE, si dhe puna përgatitore e para 2004-ës, sigurisht që kanë kontribuar në përmirësimin e situatës për pakicat etnike, përfshirë rusët, për shkak të garantimit që ligjet e shtetësisë janë në përputhje me

BE-në. Në nivel shoqëror, këto zhvillime kanë bërë gjithashtu më të lehtë integrimin e rusëve etnikë.[4]

Por, qëndrimi i vendosur i regjimit të Vuçiqit, kur bëhet fjalë për të kërkuar respektimin e të drejtave të serbëve etnikë në vendet fqinje si Kosova, Bosnja e Mali të Zi, është edhe më hipokrit për shkak të paaftësisë së tij për t’i garantuar ato të drejta për minoritetet brenda Serbisë. Trajtimi i paskrupullt i shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medokë, pa folur për ata në Sanxhak e Novipazar, është i pashoq në Europë.[5]

Preokupimi i qeverisë serbe me të drejtat e serbëve etnikë në Kosovë (e cila në disa aspekte ofron mbrojtje më të fuqishme për serbishtfolësit në krahasim me gjthë shtetet anëtarë të BE-së), ka një prapavijë të qartë ekspanzioni serb. Është një tjetër akuzë e gabuar e ngritur ndaj Kosovës, që synon të sigurojë një justifikim për një fushatë ushtarake të pambrojtur moralisht dhe ligjërisht, e cila ka të ngjarë të shëndërrohet në një lloj bumerangu sui generis, respektivisht të jetë në dëm afatshkurtër dhe afatgjatë të serbëve etnikë që e trajtojnë Kosovën si shtëpinë e tyre.

Federata Shqiptare — dalja nga qarku i mbyllur

Kosova deklaroi pavarësinë më 17 shkurt 2008, por pavarësia e saj nuk është njohur nga pesë shtetet anëtarë të BE-së, katër prej të cilëve njëkohësisht janë edhe anëtrë të NATO-s. Ky fakt e ka bërë procesin e integrimit të Kosovës në strukturat euroatlantike tejet të ndërlikuar. Në rast se vazhdon kjo ndarje brenda vetë BE-së dhe NATO-s, ecja drejt krijimit të Federatës Shqiptare, përveç si vullnet politik i popullit shqiptar dhe proces krejtësisht I natyrshëm, mbetet rruga e vetme e daljes nga ky qark i mbyllur.

Insistimi për ta mbajtur veriun e Kosovës si konflikt të ngrirë, pas 24 shtatorit, nuk kalon dot. Në këtë kontekst, Serbia ka intensifikuar keqpërdorimin e minoritetit serb për imponimin e tensioneve politike me qëllim që të imponojë kontroll politik në disa pjesë të Kosovës, veçanërisht ato me shumicë serbe, dhe vazhdon të aplikojë metoda që janë tipike neokoloniale. Këto tensione kanë ndikuar në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe kanë bërë që procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet tyre të jetë i vështirë.

Regjimi i Vuçiqit së fundmi po e veçon Kosovën, duke kaluar në aksion. Alikimi i agresionit ushtarak të hapur dhe mospërfillja e plotë e integritetit territorial të Kosovës, shënon një skallë të re të strategjisë serbe. Sidoqoftë, duke marrë parasysh realitetet aktuale gjeopolitike, tashmë ka shenja të forta se aplikimi i këtyre metodave kundruall Kosovës, do të duhej ta dobësonte tutje ndikimin e Serbisë në Ballkan, duke imponuar rikthimin e plotë të faktorit perednimor. Me Serbinë që hapur angazhohet për aneksimin e Republikës Serbe të Bosnjës dhe impenjimin e thellë të strukturave influencuese serbe në Malin e Zi, duke e shndërruar atë definitivisht në një Republikë Serbe të Adriatikut, kundërveprimi i ashpër I Perendimit mbetet akt i pashmangshëm.

Në fakt, duke pasur parasysh se projekti për implementim të përshpejtuar të “Botës serbe”, qoftë edhe përmes imponimit të një qeverie pro-serbe në Malin e Zi, apo të penetrimit të thellë të ndikimit të Kishës Ortodokse Serbe, ka ngritur frikën e ligjshme të fqinjëve të Serbisë që serbët etnikë të shndërrohen gjithandej në një “kolona të pestë”, një shtrëngim i rregulloreve ligjore në kurriz të minoritetit serb, mund të përdoret si një mjet që do të inkurajonte migrimin e përshpejtuar të serbëve drejt Serbisë.

Është gjithashtu e dyshimtë që Serbia do të jetë në gjendje të mbështetet në aleatin e saj Rusinë, sidomos tani kur ajo është e zhytur keq në luftë me Ukrainën, e që do t’i shërbente si një “fuqi protektorale”, siç i kishte shërbyer në fillet e krijimit të shtetit modern serb në epokën e Luftës së Lindjes [1875–1878].

E ardhmja e Kosovës nuk duhet tutje të trajtohet si një çështje komplekse dhe e ndryshme nga shembujt historikë si bie fjala ai i Gjermanisë Federale, që pasoi me ribashkimin e saj gjatë fundit të procesit të shkërmoçjes së BRSS-së.

Në rastin e Kosovës, pavarësia tashmë nuk është një çështje e hapur dhe subjekt i debateve ndërkombëtare. Kosova e ka shpallur pavarësinë nga Serbia më 2008 dhe është njohur nga një numër i madh i vendeve [117 sosh], me theks nga korpusi i shteteve të Perednimit- pra të demokracive liberale. Kjo mbështetje e botës perendimore nuk ishte e rastësishme. Fundja pozicioni i Kombit shqiptar, bazuar edhe në konfiguracionin shpirtëror të tij dhe përkatësinë kulturore oksidentale, duke qenë ndërkohë edhe si pjesë integrale e sferës së civilizimit perendimor, me pavarësinë e Koosëvs ka fituar peshë specifike.

Historiani Eugen Weber në studimin e tij për bërjen e shtetit dhe shoqërisë franceze, Peasants intoFrenchmen [Nga fshatar në francezë], propozonte disa “agjenci ndryshimi” – faktorë që ai mendonte se kishin qenë thelbësor në zhvillimin e shoqërisë moderne franceze. Ai fillonte me një kapitull të quajtur “Rrugë, rrugë dhe akoma më shumë rrugë”. Sipas tij, infrastruktura themelore, duke krijuar një komunitet kombëtar, mund të mobilizojë shoqërinë, të ndryshojë kërkesat e tyre dhe të transformojë agjendën politike.” [6]

Dalja e UÇK-së në skenën politike në fund të eksperimentit që po dështonte me LDK-në në kapërcyell të shekullit që lamë pas, ishte faktori që ndryshoi në esencë agjendën politike ndër shqiptarë. Ndërkaq kompromisi që ju imponua kosovarëve përmes krijimit të Republikës së Kosovës, konform modelit austriak, ndërkohë do të filloj të cilësohet edhe nga faktori ndërkombëtar, si i përkohshëm. Merita për këtë, gjithësesi i takon Lëvizjs Vetëvendosje dhe brezit të politikanëve të dinjitetshëm që e drejtojnë atë. Fryma e krijuar tashmë rreth ideologut dhe drejtuesit të saj, në bazat e së cilës është mendimi politik më progresiv shqiptar, dominon jetën politike e shoqrore jo vetëm në Kosovë; ajo tashmë ka shtrirje gjithandej në hapësirën shqiptare. Ky mendim politik ka atë rol që kishin rrugët në Francë për shndërrimin e fshatarit në

francezë. Kjo frymë politike gradualisht po e shndërron qytetarit pasiv shqiptar në qytetar aktiv dhe gjakues i bashkimit. Përqafimi gradual i konceptit mbi domosdoshmërinë e krijimit të Federatës Shqiptare, i ngritur mbi parimet e mednimit progresiv politik shqiptar dhe veprimi në përputhje të plotë me idealet e socialdemokracisë europiane, pa ra ndesh me interesat e Unionit Europian, është garntuesi real i fitores. Nëse shteti modern, por edhe BE-ja për shumëçka mund të konsiderohen edhe si produkt politik i koncepteve të Hobbsi-t mbi Leviatanin, të cilat bazohen në konkurrencën e fuqishme që ka shteti me shoqërinë, Federata Shqiptare rezulton si stadi më progresiv i këtyre koncepteve dhe garantuesi i paqes dhe progresit në rajon. Në këtë proces zhvillimesh, shih për këtë, e ardhmja e Kosovës është një çështje e rëndësishme dhe mbetet tutje interes edhe i demokracive liberale.

Krijimi i Federatës Shqiptare në të cilën do të ruhej subjektiviteti juridik i Republikës së Kosovës, është e rëndësishme të kuptohet se, në rrethanat e reja gjeopolitike, gjithnjë e më shumë, do të shihet si faktor garantues i paqes dhe sigurisë në rajon.

Ky akt sigurisht se do të mirrte në konsideratë, përveç vullnetit politik të qytetarëve të të dy njësive federale, edhe proceset dhe veprimet e duhura paraprake, që gjithësesi duhet të jenë në përputhje me rregullat dhe standardet ndërkombëtare që për bazë kanë arritjen e qëllimeve të tij.

___________________

1. https://de.scribd.com/document/465224065/Kongresi-i-Lushnjes-dhe-vendimet-e-tij

2. Daron ACEMOGLU & James A. ROBINSON, Koridori I ngushtë, Prishtinë, 2023, f. 346

3. https://www.dnevno.ba/vijesti/srbijanska-premijerka-albin-kurti-je-jedini-krivac-za-sukob-na-kosovu-ovo-je-njegov-zivotni-san-294345/

4. Dr. Philip Dandolov: https://www.geopoliticalmonitor.com/putin-is-not-protecting-ethnic-russians-in-ukraine-or-elsewhere/

5. Shënim: Shih për këtë studimin e studjueses Dr Flora Ferati-Sachsenmaier me titull ”Serbiens passive Politik gegenüber der albanischen Minderheit: Wie sich Südserbien ethnisch in Serben verwandelt” https://www.mmg.mpg.de/1156996/wp-23-01

6. Daron ACEMOGLU & James A. ROBINSON, Koridori I ngushtë, Prishtinë, 2023, f. 340


Spread the love


Leave a Reply