Kthimi në zanafillë?

Spread the love

Manovrat e NATO-s janë të një dimensioni të ri.
Kambanat e alarmit për frontin e ri të luftës në Ballkan, meritojnë një përgjigje adekuate nga Kosova – kjo nënkupton se reflektimi dhe veprimi politik duhet të jetë i mbështetur në një patriotizm të paramenduar mirë


Nga Dr Sadri RAMABAJA

1.
Në kontinentin e vjetër sërish merrë peshë fjala e gjeneralëve. Këtë konkluzion e imponon komunikimi i fundit publik i gjeneralit amerikan Christopher Cavoli, oficeri më i lartë ushtarak i NATO-s dhe Komandës Evropiane të SHBA-së (EUCOM) i vendosur në Stuttgart-Vaihingen. Ai bëri të ditur nga selia e NATO-s në Bruksel, se aleanca më e madhe politiko-ushtarake NATO, në dritën e zhvillimeve të reja në frontet e luftës në Ukrainë, do ta ketë manovrën më të madhe të saj që nga viti 1990.
Qarqeve proruse në Perendim ky akt [manovrat] sikur ju duket i tepërt, për aq kohë sa nuk është hequr dorë nga plani për stërvitjet “Steadfast Defender”, që pritet të mbahen po brenda vitit 2024. Natyrisht dimensioni i planifikuar për këtë vit na rezulton për qarqe të veçanta europiane, edhe mes ekspertëve ushtarak, befasues.

Gjenerali Cavoli shpjegoi decidivisht: “Stërvitja ‘Steadfast Defender 2024’ do të jetë stërvitja më e madhe e NATO-s në dekada, në të cilën do të marrin pjesë rreth 90,000 forca të armatosura nga gjithësejt 31 shtetet e aleancës dhe partneri ynë i mirë Suedia.” Ndërkaq kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admirali holandez Robert “Rob” Bauer shtoi: NATO “po përgatitet për një konflikt me Rusinë dhe grupet terroriste”.

Qëllimi i manovrës është i qartë. Gjithashtu i qartë është edhe mesazhi për Rusinë, por edhe për segmente të veçanta brenda Bllokut perendimor.
Por, derisa qarqet e majta pro-ruse brenda BE-së [presidenti slloavak Robert Fico, kryeministri hungarez Viktor Orban, …], në emër të paqes bënë thirrje për dorëzimin e Ukrainës Lindore dhe gjithë pjesëve të pushtuara të saj, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, më 22 janar, gjatë takimit të ministrave të jashtëm në Bruksel, deklaroi se ata tok u pajtuan se tani nuk është koha për të reduktuar ndihmën për Ukrainën.
“Përkundrazi, ne duhet të bëjmë më shumë dhe më shpejt sa i përket burimeve financiare, pajisjeve ushtarake, trajnimeve ushtarake dhe gjithë mbrojtjen që i duhet Ukrainës. Ne do të vazhdojmë të punojmë që të projektojmë këtë ndihmë”,[1] konkludoi Borrell gjatë konferencës për media pas takimit.

Disonanca e qartë me këtë qëndrim vije jo vetëm nga Fico.
Fico dhe bashkëmendimtarët e tij brenda BE-së, në emër të kompromisit, de fakto, pledojnë për dorëzim të Perendimit.
“Duhet të ketë një lloj kompromisi,” i tha Fico transmetuesit publik sllovak RTVS. “Çfarë presin ata, që rusët të largohen nga Krimea, Donbasi dhe Lugansku? Është joreale”,[2] përfundon ai në këtë paraqitje eksplicite.

Kryeministri sllovak është kaq i hapur, prandaj duket se ka të drejtë opozita që e akuzon atë jo vetëm si një populist, por edhe pro-rus, që mori pushtetin në dhjetor pasi partia e tij e majtë Smer fitoi zgjedhjet në shtator me premtimet për t’i dhënë fund dërgesave të armëve në Ukrainë, për të bllokuar anëtarësimin e mundshëm të Kievit në NATO dhe për të kundërshtuar sanksionet kundër Rusisë.
Por, nëse këto disonanca brenda BE-së vijnë kryesisht nga ish shtetet që dikur ishin satelite të Rusisë, ku kryesisht e majta na rezulton pro-ruse, në bërthamën e BE-së ndodhë pothuajse e kundërta. Këtu, e djathta, sidomos ajo ekstreme, gjithnjë e më shumë po pozicionohet pro Rusisë!

Kjo përballje mes dy rrymave të fuqishme politike javën që lamë pas u shpërfaq edhe në amfitetatrin e madhë të politikës gjermane.
Pas lajmit për koketimin e Aleancës për Gjermaninë [Aleanz für Deutschland – AfD] me neofashistët edhe në rrafshin e politikave që prekin qytetarët gjerman me begraund emigrimi, pati protesta masive. Ishin mbi një milion qytetarë në sheshet e qyteteve gjermane gjithandej, që jipnin pamjen e një erupcioni vullkanik – që ishin hedhur në protesta në mbrojtje të demokracisë dhe shtetit ligjor. Atyre nuk ju shkoi mendja se ka gazetar e komentator të shtypit të ashtuquajtur liberal që do ta cilësonin reagimin e tyre si “thikë me dy teha” – madje edhe do ta akuzonin presidentin federal se “po i ndan edhe një herë njerëzit”.[3]
Protestat e qytetarëve kundër ngritjes së neofashizmit në Gjermani ishin gjithësesi mbresëlënëse: disa qindra mijëra njerëz, që sipas komentatorëve të ARD-së kalonin një milionshin, dolën në rrugë në Gjermani, në fundjavën që lamë pas për të shprehur indinjatën e tyre kundër AfD-së dhe koketimit të saj me Rusinë. Ata paralajmronin se nuk do të lejonin me asnjë çmim rikthimin në zanafillën e fashizmit.
Në sheshet kryesore të qendrave të mëdha gjermane u shpërfaq në mënyrën më civilizuese të mudnshme ai lloi i patriotizmit të paramenduar mirë.

Pozicionimi i Qeverisë gjermane në mbështetje të Ukrainës, ia doli që të organizojë demonstrata masive në mbështetje jo vetëm të qëndrimeve të saj në rirreshtimin e ri gjeopolitik [Zeitwende], por edhe të fusë të djathtën ekstreme ndërkohë të përfaqësuar nga AfD—ja, në terrene të eksperimentimit të rrezikshëm dhe kryekreje antikushtetues. Qytetarët kësaj radhe u shprehën zëshëm se nuk do të tolerojnë me ansjë çmim kthimin e Gjermanisë në gjendjen që ishte në prag të pushtimit të Bundestagut nga Nacionalsocialistët e Hitlerit [1933].
Në këtë kuadër nuk ka as edhe një element të befasisë së pritshme.

2.
Duke pasur parasysh ngërçin në luftën aktuale të NATO-s kundër Rusisë, paralajmrimi për mbajtjen e manovrës më të fuqishme nga ana e gjeneralit amerikan duket se vije si një përgjegje për dy palët: përballja me Rusinë në fushbetejat në Ukrainë, nuk mund të jetë e sukseshme për aq sa brenda Bllokut ka disonancë të kësaj natyre. Prandaj kjo manovër dërgon sinjale në dy adresa. Ajo shoqërohet me demonstrimin e unitetit të sforcuar të Pereedimit për ta mbështetur Ukrainën në njërën anë, dhe dërgon sinjale të qarta edhe për neofashistët gjithandej në Europë, me theks atij serb e rus, se kërcnimi me hapjen e fronteve të reja – në Bllkan e Baltik, nuk tolerohet.

Më 4 prill, 75 vjet më parë, NATO u themelua zyrtarisht. Krijimi i saj ishte kundërpërgjegjia më e qartë e mundshme e Perendimit në përballje me shtrirjen e influencës ruse në Europë.
Ai akt ishte një kundërpërgjegje e natyrës së pastër gjeopolitike.
Pas rënies së Bashkimit Sovjetik në 1991, pati iluzione në Perendim se, tani jemi në agsholin e “Fundit të historisë” dhe Ariu polar do të kënaqet me thërmiat e tryezës së Perednimit!
Agresioni rus ndaj Ukrainës dhe tentativa për hapjen e frontit të dytë të luftës pikërisht në Ballkan, në 24 shtator 2023 [impenjimi në përmasat e terrorizmit shtetëror serb në Kosovë ishte i qartë], dëshmoi se tashmë Ariu polar është rizgjuar dhe ka pretendime për të rikthyer ekuilibrin e forcave.
Bashkë me zgjimin e tij ai ka vënë në veprim edhe vasalët e tij në Ballkan.
Siç bëhet e ditur nga një hulumtim, nga viti 2014 deri në fund të vitit 2023, Forcat e Armatosura të Serbisë kanë investuar 2.87 miliardë dollarë në pajisje dhe armatime ushtarake. Në këtë shifër nuk përfshihet vlera e avionëve Mig-29, tankeve T-72B1MS dhe mjeteve të blinduara BRDM-2MS, të cilat i janë dhuruar Serbisë nga Rusia.[4]
Në fundjavën pararendëse, presidenti Vuçiq, gjatë një vizite në Qendrën Operative të Agjencisë së Sigurisë Ushtarake në Beograd, njoftoi për blerjen e armëve të reja në përgjigje të blerjes së raketave antitank Javelin nga Prishtina. Ai po ashtu bëri të ditur se Serbia këtë vit do të shpenzojë afër 740 milionë euro për blerjen e pajisjeve ushtarake. Pra, trendi i rritjes së investimeve në armatim dhe pajisje ushtarake duket se po vazhdon edhe në fillim të këtij viti.
Perednimi tashmë e ka të qartë se armatosja e Serbisë nuk është sekret dhe se ky veprim ka një objektiv real ushtarak e politik. Ndërkaq me organizimin e aktit terrorist në Banjë të Albanikut [Leposaviqit] Serbinë e ka shpërfaqur të tillë si është: partner i pabesueshëm për NATO-n, ndërkaq duke u vënë në shërbim të agjendës ruse , ajo është krejtësisht reale të pritet se mund të ndërmarrë veprime të njëanshme të cilat mund të çojnë në destabilizimin e rajonit.

Kundër kësaj rrëshqitje të Serbisë në pozicionin e vasalit rus dhe mundësisë që ajo të shërbejë si një kazus belli për frontin e dytë të lufëts në Europë, shoqëria serbe ende nuk ka protestuar. E ashtuquajtura shtresë liberale e saj, pjesa urbane, protestojnë me të drejtë kundër vjedhjes dhe manipulimit me vota nga ana e pushtetit, por ende nuk është organizuar në rrugët e sheshet e Serbisë protestë kundër armatimit deri në dhëmb të shtetit, pregaditjes për luftë dhe thirrjeve për marshimin e ushtrisë për Kosovë!

Prandaj fyreri serb taktizon.
Këto taktizime të pushtetit rrjedhimisht mund të lexohen edhe si tentativë e Serbisë për ta rikthyer rrotën e historisë mbrapa, respektivisht aty në zanafillën e saj – në agsholin e Lufëts së Ftohtë, kur Jugosllavia qe shndërruar në xhandarin e besueshëm të Ballkanit, duke koketuar herë me Perednimin e herë me Lindjen. Ndërkaq gjatë gjithë periudhës që kur pasoi agresioni rus mbi Ukrainën – fillimisht me pushtimin e Krimesë [2014] e më pas me fillimin e luftës në shkallë të gjerë për pushtim të të gjithë Ukrainës [shkurt 2022], çdo hap i Serbisë në drejtim të Rusisë dhe Kinës, ishte një hap i largimit të saj real nga Europa dhe Perendimi. Pavarësisht këtij fakti, ambasadori Christopher R. Hill dhe jo vetëm ai, vazhdojnë ta trajtojnë Vuçiqin si partner të vetëm për “ruajtjen e paqes në rajon”!
Rrjedhimisht përpjekja e Serbisë për rikthim në vitin 1948, në zanafillën e të ashtuquajturit “neutralitet” ala titist, pavarësisht kësaj mbështetje, mbetet një iluzion i lloit të vet, po aq sa edhe shkëputja e shpejtë e Serbisë nga orbita ruse.

3.
Një zgjim i ndërgjegjes njerëzore bazuar në patriotizmin e menduar mirë, do të mund të ishte pengesa reale e marshit të neofashizmit dhe kthimit në zanafillën e tij, jo vetëm në Serbi, po gjithandej në hemisferën perendimore.

Nisur vetëm nga pikëpamja morale, heronjtë janë figura paradoksale, do të thoshte Niklas Luhmann. Për të, figura e heroit përfaqëson “ndoshta formën më mbresëlënëse semantike që është zhvilluar në historinë evropiane për devijimin e rregulluar moralisht”: heroi “prodhon konformitet (vullnet për të imituar) përmes devijimit”,[5] do të shprehej në konkluzat e tij Luhmann-i.
Sidoqoftë, në shoqërinë bashkëkohore sado që krijohet përshtypja se nuk ka vend për heronj, po, kënga e tij e mjellmës tregon aporinë e çdo përpjekjeje për të riaktivizuar rrëfimet heroike përmes filozofisë morale.
Susan Neiman trajton një nga këto apori në “Qartësia morale. Udhëzues për idealistët e të rriturve”. Për Neiman-in, historitë e heronjve janë thelbësore sepse ato përbëjnë bazën e gjykimit moral. Të gjithë mund të përmendin “të paktën një person që mendojnë se ka sfiduar vdekjen për të bërë atë që është e drejtë […]. Mbajtja pas idesë së një personi të tillë është një mënyrë për të ruajtur imazhin e njerëzimit, sepse shembuj të tillë na lejojnë të shikojmë dinjitetin njerëzor si një kryevlerë e pakrahasushme me asgjë tjetër.”[6]
Zhvillimet më të reja në Gjermani, jo vetëm gjatë fundjavës së kaluar, por edhe në ditët pasuese, paralajmrojnë qartë një zgjim të theksuar të ndërgjegjes, që tashmë mund të thuhet se ka shpërthyer tek shtresa e mesme dhe liberalët e majtë, për të parandaluar ngjitjen e AfD-së në pushtet dhe me këtë kthimin në zanafillë – në vitin 1933.

A mund të quhet ky një lloj manifestimi mediadik i heroikës që po ndodhë në Gjermani, apo një lloj heroizimi i masës në vend të individit hero? Këtë do ta dëshmoj shpejt koha. Meqë, si pohuam në fillim të kësaj eseje politike, në Europë sërish merrë peshë fjala e gjeneralëve. Shih për këtë, “Steadfast Defender 2024” vjen në një kohë kur realiteti i ekuilibrave të rinj të fuqisë në botë, nuk mund të trajtohet tutje si iluzion. Lufta ruse në Ukrainë dhe tentativat e saj për hapjen e fronteve të reja të luftimeve kudo që do t’ia arrinte [jo vetëm në Baltik e Bllkan, por edhe në Lindjen e Mesme e Detin e Kuq…] mbesin pjesë e agjendës dhe strategjisë ruse. Koha tutje punon për gjeneralët dhe politikanët që janë mbrujtur me atë tip të patriotizmit të paramenduar mirë.
Si kundërpërgjigje agjendës ruse, kjo lagje politikanësh kanë nevojë të identifikohen me kultin e heroit modern, në rast se duan ta ndalin rrëshqitjen e shoqërisë në batakun e zanafillës së fashizmit në njërën anë dhe marshit rus në anën tjetër. Në këtë marsh për t’i dalë së keqes përballë dhe mundësisht për ta shmangur atë, NATO-ja vazhdon pregaditjet për përballje kudo që cenohen interesat e Perendimit, ndërkaq dy qeveritë e dy republikave shqiptare [Tiranë e Prishtinë], janë pozicionuar qartë konform interesit nacional, duke marrë në konsideratë se rreziku i luftës është real.
Patriotizmi i paramenduar mirë kërkohet që të kthehet në kulturë dominuese , që do të mund t’i shërbejë zhvillimit kushtetues të dy republikave tona. Pritshmëria për t’iu përshtatur këtij produkti ligjor, që fundja është nusprodukt i vullnetit politik të Kombit si tërësi, në mënyrë patriotike kushtetuese, duke i funksionalizuar dy Republikat tona në kuptimin e mirëfilltë të fjalës edhe si parakusht drejt krijimit të Federatës Shqiptare, është garanca e vetme e shndërrimit të Kombit si i barabartë mes të barabartëve në mesin e kombeve tjerë të Europës. Ky gjakim, fundja, është krejt i natyrshëm.
_______________
1. https://www.evropaelire.org/a/josep-borrell-ndihme-ukraine-/32787269.html
2. https://www.geopolitika.news/vijesti/slovacki-preijer-ukrajina-ce-morat-dati-dio-rusiji/
3. https://www.nzz.ch/der-andere-blick/proteste-gegen-die-afd-regierungen-sollten-gut-regieren-statt-zu-demonstrieren-ld.1775341
4. https://www.danas.rs/vesti/drustvo/vucic-naoruzavanje-vojska-nato/
5. Niklas Luhmann, Die Autopoiesis des Bewußtseins, in: Niklas Luhmann, Soziologische Aufklärung 6. Die Soziologie und der Mensch, 3. Aufl. Wiesbaden 2008, S. 55–108 (zum Helden f. 86ff.), këtu f. 86.
6. Susan Neiman, Moralische Klarheit. Leitfaden für erwachsene Idealisten, Hamburg 2010, f. 112.


Spread the love


Leave a Reply