Kujdes Ballkanin, është vatra që pritet të shpërthejë së shpejti

Spread the love

Shkruar nga *Luke Coffey

Fokusi aktual i komunitetit ndërkombëtar në Ukrainë, Iran, Tajvan dhe Gaza, nuk duhet të injorojë edhe zhvillimet në Ballkan. Gjatë javëve të ardhshme, gjakrat do të fillojnë të rindizen edhe atje.

Kur merret parasysh siguria dhe stabiliteti i Evropës, gjëja e parë që të vjen në mendje është pushtimi i Ukrainës nga Rusia. Tek e fundit, është lufta më e madhe në Evropë që nga vitet 1940. Megjithatë, një rajon rreth 1000 kilometra në jugperëndim të vijës së frontit në Ukrainë, është në prag të shpërthimit një krize tjetër të sigurisë.

Rajoni i Ballkanit në Evropën Juglindore, është i prirur ndaj destabilitetit. Ai përballet me shumë sfida ekonomike. Dallimet etnike, fetare dhe sektare, mbeten një burim fërkimi në shoqëri. Dhe për mirë a keq, ai është gjithashtu i ndjeshëm ndaj ndikimit të aktorëve të jashtëm.

Për shembull Rusia, SHBA, Kina dhe Turqia etj, kanë interesa dhe kanë ndikim në rajon.

Pas disa luftërave të përgjakshme sektare në vitet 1990, dhe pas shpërbërjes së Jugosllavisë, evropianët dhe amerikanët ishin në gjendje të stabilizonin rajonin përmes një sërë operacionesh paqeruajtëse.

Që nga ajo kohë, situata gjeopolitike në Ballkan ka mbetur e qëndrueshme, por e brishtë. S’ka pasur asnjë kërcënim serioz për destabilitet, të paktën deri më tani. Ballkani është një shembull i mirë i punës së papërfunduar të Evropës në aspektin e integrimit euroatlantik. Pjesërisht, ky mund të jetë një burim i vështirësive aktuale të rajonit. Kroacia dhe Sllovenia janë në BE dhe NATO. Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Mali i Zi janë në NATO, por jo në BE. Kosova synon anëtarësimin si në BE ashtu edhe në NATO.

Serbia mbetet e vendosur në sferën e influencës ruse, duke shërbyer si baza e Moskës në rajon, por herë pas here dërgon sinjale se dëshiron të afrohet me BE-në. Por vendi më i ndërlikuar dhe më i rëndësishëm në rajon është Bosnje Hercegovina.

Edhe pse ka nisur proceset formale për anëtarësimin në BE dhe NATO, në realitet ka pasur pak progres. Ashtu si fqinjët e saj, edhe ajo përballet me shumë sfida sociale dhe ekonomike dhe siç mund ta prisnit, këto sfida përshkallëzohen më tej nga ndarjet sektare brenda vendit që po ushqehen nga ata që janë jashtë tij.

Në Bosnje Hercegovinë, dy entitete nën-shtetërore u shfaqën si rezultat i Marrëveshjes së Dejtonit pas luftës civile të viteve 1990:federata etnikisht boshnjake dhe kroate e Bosnje Hercegovinës dhe Republika Srpska, e banuar në shumicë nga serbët.

Udhëheqësi i kësaj të fundit, Milorad Dodik, e ka mbrojtur prej kohësh pavarësinë. Po ashtu vitet e fundit, ai ka ndërmarrë hapa për të minuar strukturat legjitime shtetërore të Bosnje Hercegovinës duke krijuar institucione paralele brenda Republikës Srpska.

Për shembull, muajin e kaluar Asambleja Kombëtare e Republika Srpska, miratoi një ligj të ri zgjedhor, i konsideruar si jo-kushtetues, dhe hartoi një kornizë ligjore për mbajtjen e referendumeve, për të cilën shumë njerëz druhen frikë se mund të përdoret për një plebishit të ardhshëm mbi pavarësinë.

Këto masa, jo vetëm që e dëmtojnë sovranitetin shtetëror të Bosnjë-Hercegovinës, por kërcënojnë të prodhojnë paqëndrueshmëri në Ballkan, duke rrezikuar edhe suksesin e Marrëveshjes së Dejtonit të vitit 1995. Dy ngjarje të ardhshme, mund të shërbejnë si pretekst për një destabilitet të ri në rajon.

Së pari është projekt-rezoluta që po debatohet nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, e cila propozon caktimin e 11 korrikut si “Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë”. Në vitin 1995, serbët e Bosnjës, së bashku me njësitë paraushtarake nga Serbia, masakruan më shumë se 8.000 myslimanë boshnjakë në Srebrenicë, dhe kjo pasi OKB-ja e shpalli qytetin një zonë të sigurt.

Natyrisht, Dodik dhe presidenti serb Aleksandar Vucic e kanë kritikuar ashpër rezolutën. Një kritikë e tillë nga njerëz si Dodik nuk është befasuese. Në Republikën Srpska dhe Serbi, ka shumë zyrtarë që e minimizojnë atë që ndodhi në Srebrenicë në vitin 1995.

Dodik ka thënë se raportet për përfshirjen e Serbisë në vdekjen e gati 8.000 myslimanëve boshnjakë janë “të pavërteta”, dhe shumë nga viktimat janë “ende gjallë”. Si për ta rritur më tej rrezikun, Dodik ka deklaruar se nëse Asambleja e Përgjithshme e OKB-së e miraton këtë dokument, ai do të kërkojë mundësinë e radhës për t’u shkëputur nga Bosnje Hercegovina. Dhe duke pasur parasysh retorikën e tij të mëparshme për çështjen e pavarësisë për Republika Srpska, kërcënimet e tij duhet të merren seriozisht.

Së dyti, këtë javë mblidhet në Beograd e ashtuquajtura Asambleja e Pashkëve e Serbisë dhe Republikës Srpska. Sipas një deklarate të qeverisë serbe “atje do të merren vendime të rëndësishme për mbijetesën e popullit serb në vatrat e tyre, përparimin e tij ekonomik, ruajtjen e gjuhës serbe, të alfabetit cirilik dhe trashëgimisë së përbashkët kulturore”.

Elita politike në Serbi, ka folur shpesh mbi vizionin e saj për të ashtuquajturën “botë serbe”, me Beogradin si qendër të saj. Prandaj ekziston shqetësimi se votimi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, i kombinuar me organizimin e të ashtuquajturës Asambleja e Pashkëve, mund ta bindë Dodik se është koha e duhur për të shpallur pavarësinë nga Bosnje Hercegovina dhe për t’iu bashkuar Serbisë.

Një veprim i tillë, do të kishte pasoja katastrofike për rajonin. Sepse rishikimi i kufijve bazuar në linjat etnike dhe sektare, do të hapte Kutinë e Pandorës. Ballkani ka përjetuar tashmë një baticë të madhe ndryshimesh kufitare gjatë viteve 1990.

Në atë kohë, u vranë më shumë se 100.000 njerëz ndërsa miliona të tjerë u zhvendosën, pikërisht si pasojë e konflikteve etnike. Kësisoj, efektet e ri-vizatimit të kufijve të Bosnje Hercegovinës dhe Serbisë do të ndiheshin edhe gjetkë.

Kjo është veçanërisht e vërtetë në rajonet e tjera të Ballkanit, si Kosova, me pakicën e saj serbe, Maqedoninë e Veriut, me rajonet e saj të banuara nga shqiptarët etnikë, madje edhe në Serbia, me rajonin e Sanxhakut me shumicë myslimane dhe atë të Vojvodinës.

Që nga vitet 1990, komuniteti ndërkombëtar ka investuar shumë, në njerëz dhe para, për t’u siguruar që Ballkani të mbetet paqësor dhe i qëndrueshëm. Edhe vendet e largëta si Argjentina në Amerikën Latine; Maroku në Afrikën e Veriut; dhe Emiratet e Bashkuara Arabe në Lindjen e Mesme, kanë shërbyer si paqeruajtës në rajon përgjatë viteve.

Fokusi aktual i komunitetit ndërkombëtar në Ukrainë, Iran, Tajvan dhe Gaza, nuk duhet të injorojë edhe zhvillimet në Ballkan. Gjatë javëve të ardhshme, gjakrat do të fillojnë të rindizen edhe atje./Pamfleti & “Arab News”

Shënim: Luke Coffey, bashkëpunëtor në Institutin Hudson, SHBA.


Spread the love


Leave a Reply