Mësimet e nxjerra nga dialogu mes Kosovës dhe Serbisë

Spread the love

Mësimet e nxjerra nga dialogu mes Kosovës dhe Serbisë

Nga Dr Marc Weller

I. Të përmbajturit nga deklarimi për racionalitetin ose irracionalitetin e aktorëve

Lehtësuesit e BE-së mbase do të kenë qenë paska të shqetësuar me të lexuar analizën kritike për negociatat e Brukselit për normalizimin mes Serbisë e Kosovës, ofruar këtu para disa ditësh. Lehtë do të mund të thoshin se nuk është faji i tyre se përse ndërmarrja po ballafaqohet me shembje. Në fakt, është qasja e paarsyeshme e njërës apo palës tjetër apo që të dyjave që e ka shkatërruar përpjekjen dhe mirëbesimin për ta sjellë përparimin aq të nevojshëm në raportet mes Kosovës dhe Serbisë.

Nga këndvështrimi i tyre, kjo mund të jetë e vërtetë. Por këndvështrimi i Lehtësuesve nuk është relevant në raste sikur ky. Vetëm perspektiva e palëve është ajo që ka rëndësi në negociata me presion të shtuar.

Fundja, është pikërisht arti i lehtësimit apo i ndërmjetësimit të lehtësuesve që ta formësojë perspektivën e palëve, në formë sa më diskrete. Detyra është që të analizohen vlerat, interesat dhe pozicionet e palëve. Duhet të gjendet mënyra për t’i joshur në proces, duke u ofruar siguri për këtë dhe për t’i mbajtur aty me idenë që në fund ta përqafojnë kompromisin. Kjo kërkon strategji që ofron më shumë përfitime si rezultat i pjesëmarrjes konstruktive në negociata sesa kur është e kundërta. Marrëveshja duhet të jetë alternativë më e mirë sesa mosmarrëveshja, për të dyja palët, po qe se arrihet marrëveshja.

Lehtësuesit shpesh do të thonë se marrëveshja është fundi i vetes. Fundja, në jetën e përditshme, kompromiset e përhershme e lehtësojnë ndërveprimin tonë me të tjerët. A nuk do të duhej të ishte e njëjta në raportet ndërkombëtare?

Shikuar nga kjo perspektivë, qeveritë duhet t’i zgjidhin kontestet nëpërmjet kompromisit, sepse kompromisi është, në formë të qenësishme, i arsyeshëm dhe refuzimi i tij është qenësisht i paarsyeshëm. Ky është kurthi mendor në të cilin ndërmjetësit ndërkombëtarë shpesh zihen dhe në të cilin janë zënë në këtë rast.

Ç’është e vërteta, çfarëdo kompromisi është qenësisht i paarsyeshëm për palët, ngase nënkupton një rezultat më pak se optimal për ta në fund të fundit. Sepse nuk do t’i arrinin caqet e vendosura plotësisht. Prandaj, ndonjëherë të mos nënshkruash është më mirë sesa ta nënshkruash një marrëveshje. Të nënshkruash, pas së gjithash, do të thotë të heqësh dorë nga një pozicion të cilin palët e shikojnë si legjitim. Pranimi i një marrëveshjeje është atraktive për palët, nëse bërja e koncesioneve të domosdoshme nuk i kalon “vijat e kuqe” të tyre, apo nëse nuk i rrezikon interesat realë apo imagjinarë të tyre. Për më tepër, bërja e koncesioneve duhet të rezultojë me më shumë përfitime apo koncesione nga pala tjetër me çmim sa më të vogël.

Nëse këto synime apo kalkulime shikohen nga të huajt si racionale apo irracionale nuk ka rëndësi. E vetmja gjë që ka rëndësi janë perceptimet e palëve. Të qëndrosh anash e të ankohesh se ky apo ai aktor është i paarsyeshëm apo i pamatur nuk ndihmon. Lehtësuesit apo ndërmjetësit duhen t’i kuptojnë perspektivat e tyre, të përfshihen, pavarësisht nëse i konsiderojnë racionale ose jo, dhe mbase të përpiqen t’i formësojnë këndvështrimet e tyre në një formë të hollë derisa procesi zhvillohet. Kjo mund të nënkuptojë zgjerimin e “kulaçit”, duke ua dëshmuar palëve se të dyja palët mund të përfitojnë pa u shpërqendruar me përfitimet e palës tjetër.

Po qe se injorohet perspektiva e palëve, atëherë kjo është recetë e qartë për dështimin, pra të kuptuarit e pozicioneve dhe interesave të tyre relativë është një nevojë evidente.

II. Të bëhet një analizë e konfliktit

Në këtë rast, analiza e vlerave, interesave dhe pozicioneve të palëve është mjaft e lehtë. Serbia ende e shikon Kosovën si pjesë të territorit të vet, siç e konfirmon edhe Kushtetuta e saj. Klasa e saj politike dhe opinioni i përgjithshëm nuk e kanë përjetuar transformimin fundamental të ndjenjave të tyre për çështjen. Nga këndvështrimi i tyre, Kosova u nxor nga Serbia me një ndërhyrje të paarsyeshme ushtarake të NATO-s. Fakti se kjo ndërhyrje e pasoi sjelljen gjenocidale të Beogradit në Bosnjë-Hercegovinë, ku 100 mijë e mbase 200 mijë civilë, kryesisht boshnjakë myslimanë, u flijuan për ideologjinë e Serbisë së Madhe, nuk ka depërtuar.

E as fakti se bashkësia e organizuar ndërkombëtare, e përfaqësuar nga ish-kryetari i Finlandës, Martti Ahtisaari, që vepronte në emër të OKB-së, nxori normën se kthimi i territorit dhe i popullsisë Serbisë nuk ishte opsion. Represioni ekstrem, të cilin e përjetoi Kosova bashkë me popullsinë e vet nga Serbia para dhe pas konfliktit me NATO-n, e bëri këtë të pamundur pa e nisur edhe një luftë, apo, sipas këndvështrimit të Serbisë, një luftë qytetare.

Serbia nuk ka e pranuar mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, të cilën e ka nisur vetë. Ky opinion konfirmoi se shpallja e Pavarësisë së Kosovës ka qenë në pajtim me të drejtën ndërkombëtare. Serbia, nga ana tjetër, e konsideron këtë çështje ende të hapur. Për më tepër, duke e pasur parasysh qasjen e opinionit publik, pjesërisht të frymëzuar nga retorika e vet, kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mund të thotë se njohja e Kosovës do të ishte vetëvrasje politike. Prandaj, do të mund të thoshte, BE-ja është ajo e cila duhet të ndihmojë të krijohen kushtet në bazë të të cilave Serbia do t’i përmbushë kushtet për anëtarësimin në BE, që hëpërhë nënkupton normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve me Kosovën në formë ligjërisht të obligueshme.

Varësisht nga ky rezultat, që është larg në perspektivë, po qe se do të përmbushej fare, Serbia formalisht refuzon të nënshkruajë çfarëdo marrëveshje në raport me Kosovën, duke e injoruar faktin se këtë e ka bërë edhe në të kaluarën. Ka qenë e gatshme të përfshihet në aspektet teknike të normalizimit, aty ku kishte interes. Gjithashtu është kapur për kërkesën kyç se Kosova duhet ta themelojë një Asociacion të komunave me shumicë serbe (AKSHS), para se të bëheshin çfarëdo lëvizjesh përpara.

Kosova, e në veçanti qeveria e tanishme, i ka këndvështrimet e veta. Nga perspektiva e saj, bashkësia e organizuar ndërkombëtare ia imponoi Kosovës Planin e Ahtisaarit, të plotë, me të gjitha kërkesat që kanë të bëjnë me trajtimin e serbëve etnikë, përfshirë edhe kompetenca të zgjeruara për komunat me shumicë serbe. Kosova ka pranuar shumë për çmimin e pavarësisë së saj, ndërsa Serbia nuk ka dhënë asgjë në këmbim. Nuk do të ketë ndihmë të dytë për Serbinë, për shkak se në fillim kishte refuzuar ta pranonte propozimin e Ahtisaarit.

Prandaj, normalizimi nënkupton se Serbia më në fund duhet ta njohë statusin e Kosovës formalisht. Duhet të japë përgjegjësi për krimet e saj dhe të tregojë, nëpërmjet veprave konkrete, se do të ishte e gatshme ta lërë të kaluarën pas dhe të përfshihet në një raport njëmend të fqinjësisë së mirë. Kryetari amerikan Biden e ka konfirmuar se normalizimi duhet ta ketë njohjen në qendër e njësoj ka vepruar edhe Parlamenti Evropian. Çfarëdo procesi që nuk e avancon këtë qëllim, në fund, nuk ka kurrfarë kuptimi.

Për më tepër, është shumë e vetëdijshme se bashkësia e organizuar ndërkombëtare nuk e ka kundërshtuar atë që e konsideron okupim virtual të veriut të Kosovës nga përfaqësuesit e Serbisë. Kjo gjendje, që ia përjashton Kosovës mundësinë e ushtrimit të sovranitetit të plotë në raport me pjesë të territorit të vet, mbahet nëpërmjet të të ashtuquajturave struktura paralele të qeverisjes. Sipas këndvështrimit të Kosovës, ky është sistem i terrorit që i parandalon serbët lokalë që ta njohin qeverisjen e Kosovës dhe i detyron që t’i nënshtrohen kontrollit kriminal banditesk.

Në vend që të luftohet kjo situatë, NATO-ja në formë të KFOR-it dhe aleatët perëndimorë kanë lejuar që kjo situatë të vazhdojë. Kjo ka shpënë te bindja në Prishtinë se në shteg të gjatë, veriu do të ndahet nga Kosova, ose që, më së paku, do të mbetet jashtë kontrollit të Qeverisë së Kosovës. Prandaj edhe përpjekjet e tanishme për ta demonstruar ushtrimin e autoritetit të Kosovës në veri, pavarësisht kundërshtimit të konsiderueshëm ndërkombëtar. Ky kundërshtim, në fakt, e përkrah “teorinë e konspiracionit” të një fushate ndërkombëtare që ka për qëllim përfundimtar ta veçojë këtë territor nga Kosova.

Për më tepër, qeveria aktuale e shikon fiksimin e çuditshëm të bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për çështjen e AKSHS-së si një përpjekje për t’i dhënë një identitet të përgjithshëm unitar katër komunave veriore. Kjo do ta konsolidonte administrimin e tyre autonom dhe ta shtynte edhe më tutje qëllimin që të largohen përfundimisht nga kontrolli i Kosovës.

Pra, kur shikohen interesat e të dyja palëve, që duken ndërsjellë përjashtuese, negociatat mund t’i ngjajnë një projekti të pamundur që i injoron interesat e tyre thelbësore e të papajtueshme. Por nëse ka qenë e qartë që nga fillimi se nuk mund të ketë marrëveshje, atëherë loja e tanishme në këtë proces nuk paska pasur për qëllim një marrëveshje. Në vend të kësaj, kjo është loja se kujt duhet lënë fajin për kolapsin e procesit që do të ndodhë në një çast.

Secili lojtar do të investojë mjaftueshëm në proces për ta shmangur fajësinë për rezultatin, por jo mjaftueshëm për të lejuar që ai të ketë sukses. Pra, në këtë kuptim, në këtë lojë ka më shumë se dy lojtarë, pra palët. Lehtësimi dhe BE-ja janë pjesëmarrësit e tjerë, që së paku shpresojnë se njëra nga palët, e jo ata, do të fajësohet për dështimin. Në një diçka si profeci vetëpërmbushëse, Kosovës iu krijua bindja, duke e pasur parasysh interesimin për ta joshur Serbinë në BE, se Prishtina me gjasë po futej në kurth për t’u shpallur përgjegjëse për dështimin e procesit.

Në parim, ishte, ose është dashur të ishte Serbia ajo e cila do t’i humbte përparësitë në këtë lojë. Fundja, Serbia nuk do të ishte në gjendje ta ofronte njohjen që kërkohej në fund nga ajo. Sidoqoftë, ajo ia doli ta përmbyste këtë dinamikë, me ndihmën e Lehtësimit dhe përkrahësve të tij ndërkombëtarë. Papritur, interesi u fokusua jo më në qasjen e negociatave me njohjen në qendër. Në vend të kësaj, tash ishte vetëm detyrim i Kosovës që ta zbatonte AKSHS-në që u shpërfaq si çelësi i supozuar drejt progresit në dialog. E gjithë kjo, me gjithë faktin se të gjithë e dinin se nuk do të kishte rezultat me njohje të ndërsjellë së shpejti, apo edhe nëse do të kishte fare.

Kosova, nga ana tjetër, mbase e ka humbur besimin dhe sigurinë në një proces që e ka ekspozuar para një presioni shumë të madh ndërkombëtar, e tash së voni edhe “masave” apo sanksioneve.

III. Përcaktimi nëse kontesti është i pjekur për t’u zgjedhur dhe fokusimi te çështjet ku zgjidhja është e mundur

Të përpiqesh në një proces që duket se është nisur drejt dështimit ende pa filluar, e injoron një mësim të nxjerrë nga teoria e negociatave. Ky mësim është se do të duhej negociuar drejt synimeve që palët do të mund t’i pranonin në fund — duhet të ekzistojë Zona e Marrëveshjes së Mundshme (Zone of Possible Agreement – ZOPA në anglisht, ZMM në shqipe). Në këtë rast, janë përzier tri rrafshe të qasjeve, secili me një mundësi të ndryshme për sukses.

Në rrafshin më të lartë, aty ishte normalizimi ligjërisht i obligueshëm i fokusuar në njohje. Në të dytin, ishte konfirmimi se të dyja shtetet do t’i udhëhiqnin raportet e ndërsjella mbështetur mbi të drejtën ndërkombëtare, pa njohje. Në rrafshin e tretë, ishte normalizimi teknik në raport me çështje praktike.

Duke e pasur parasysh konstelacionin e interesave të palëve, ishte e qartë se synimi i rrafshit më të lartë, më të fundit, për dialogun për normalizimin me njohjen në qendër shprehur në formë ligjërisht të obligueshme nuk mund të arrihet aktualisht. Teoricienët e negociatave do të thoshin pra se ky aspekt nuk është i pjekur për t’u zgjidhur.

Pa dyshim se për Serbinë, Alternativa më e mirë për marrëveshje të negociuar – AMMN (Best Alternative to a Negotiated Settlement – BATNA), ishte që mos të ekzistonte marrëveshja që do ta përfshinte njohjen. Në vend të kësaj, ishte më e pëlqyeshme që të ruhej status quoja aktuale. Kjo mbase edhe ka mundur të përmbysej, po qe se anëtarësimi në BE do të kishte qenë tepër joshës për Serbinë. Por duke e pasur parasysh përkrahjen e zbehtë popullore për anëtarësimin dhe besimin e gjithëpërhapur se Kosova është djepi i civilizimit serb dhe se nuk mund të hiqet dorë nga ajo, kjo dukej e parealizueshme. Për më tepër, Serbia do të mund të shpresonte se BE-ja do t’i zbuste kushtet për pranim, duke e pasur parasysh dëshirën e saj të papritur për ta joshur Serbinë në BE, si dhe pakënaqësinë aktuale ndaj Kosovës për çështjen e AKSHS-së. Pra, asnjë lëvizje nuk u kërkua, së paku në këtë çast.

Në rrafshin e dytë, nisma franko-gjermane, mençur, u përpoq ta shmangë këtë problem. Në vend të normalizimit të plotë që përfshin njohjen, shembulli i Marrëveshjes me Gjermanisë Lindore dhe asaj Perëndimore më 1972, do t’ua mundësonte palëve të pranonin se raportet e tyre mund të zhvilloheshin në nivelin e së drejtës ndërkombëtare, si shtete sovrane dhe të barabarta, pa njohje të ndërsjellë në formë të shprehur. Kjo do ta lironte Serbinë nga obligimi për të përmbushur diçka që dukej e pamundur.

Kosova kishte ngurrime në fillim, për shkak se Marrëveshja Bazë thjesht vetëm e ofronte një “shteg” drejt normalizimit të plotë, duke e shmangur kështu elementin e njohjes që ishte qëllimi i saj parësor.

Kosova gjithashtu ngurronte për shkak se Marrëveshja Bazë shtonte elemente që nuk rridhnin nga precedenca gjermano-gjermane nga 1972-a. Në veçanti, Aneksi i zbatimit kishte edhe diçka që e dallonte nga teksti gjermano-gjerman, e që u shtua nga Lehtësimi. U fut kërkesa për themelimin e AKSHS-së para se shumica e dispozitave më të rëndësishme të marrëveshjes të mund të zbatoheshin. Megjithatë, Kosova në fund e pranoi marrëveshjen, për të mos dalë si palë penguese.

Kur e shikon rezultatin, duket se sërish Serbia nuk ishte gati për të nënshkruar këtë opsionin e dytë, normalizimin e gjerë pa njohje. Nisma u mbyt për Kosovën kur Serbia refuzoi ta nënshkruante Marrëveshjen Bazë, duke i bërë kështu dispozitat për zbatimin e së drejtës ndërkombëtare, parimet e OKB-së, barazinë sovrane, integritetin territorial, etj., në esencë, të pakuptimta. Përderisa pranimi i këtyre parimeve mund të mos kishte qenë shumë me rëndësi për vetë Serbinë, pranimi i tyre formal në formë traktati shihej si përbërës kyç për t’i bindur pesë qeveritë e shteteve të BE-së që kishin refuzuar ta njohin Kosovën që ta ndërronin mendjen dhe kështu të hapin rrugë drejt kandidimit të Kosovës për në BE. Ngjashëm, përparimi i Kosovës drejt anëtarësimit në OKB do të avancohej nëpërmjet një njohjeje të tillë formale, edhe nëse nuk do të përmbushej në të vërtetë.

Një rrafsh i tretë do të ishte të bëhej përpjekja që të arrihej përparimi aty ku kjo do të ishte e mundur, mbi marrëveshjet teknike në interes të të dyja palëve. Mbi 20 marrëveshje të tilla janë arritur tashmë, edhe pse zbatimi nuk ka qenë i rregullt. Nga ana tjetër, ky proces tashmë është zhvilluar mbi një dekadë, pa përparim drejt normalizimit. Po e humbte besueshmërinë.

IV. Gatishmëria për t’iu përshtatur rrethanave që ndryshojnë

BE-ja u përpoq ta zbatojë opsionin e dytë, por dështoi t’i merrte parasysh implikimet e dështimit të pranimit formal të Marrëveshjes Bazë në Ohër, në mars. Në fakt, Lehtësimi duket të ketë ditur se Serbia nuk do të nënshkruante edhe para se të mblidheshin në Maqedoninë Veriore. Sidoqoftë, Lehtësuesi vazhdoi tutje sikur të priste nënshkrimin e ndërsjellë.

Plani duket se ka qenë t’i bëhej trysni Kosovës për të nënshkruar e vetme, që duket mjaft absurde, dhe dështoi, siç edhe do të pritej. Në vend të kësaj, në mënyrë që të shpëtohet ngjarja e Ohrit, u gjet një aranzhim që e kamuflonte dështimin. U pohua se të dyja palët në fakt ishin pajtuar me Marrëveshjen Bazë dhe Aneksin dhe se këtë nuk ia komunikuan njëra-tjetrës me nënshkrimin e të njëjtit tekst, por këtë ia bënë joformalisht Lehtësimit. Kjo, tashmë e theksuar, e bëri përpjekjen të pakuptimtë për Kosovën, sepse e mënjanonte në formë fundamentale interesin e saj në proces. Ky interes kërkonte një rezultat me nënshkrim, që së paku në formë të tërthortë e njeh identitetin e saj juridik, edhe në mungesë të njohjes.

Serbia gjithashtu pohoi se do ta përcaktonte vetë se cilat, nëse ka ndonjë, dispozita të Marrëveshjes Bazë do t’i zbatonte. Pra, madje edhe disa nga hapat praktikë që duhej t’i ndërmerrte, përfshirë edhe hapjen e rrugës drejt anëtarësimit në institucionet ndërkombëtare, njohja e dokumenteve, certifikatat dhe targat e regjistrimit, etj., potencialisht nuk do të zbatoheshin, edhe në rastin nëse Kosova do të vepronte. E gjitha që mbeti qe zbatimi i AKSHS-së, tash neni 7 i Marrëveshjes Bazë, një çështje e interesit thelbësor për Serbinë dhe një çështje që kërkonte sakrificën më të madhe prej Kosovës. Nuk qe befasi që Kosova kishte shumë pak interes për ta avancuar këtë dinamikë.

Mësimi mund të ishte se do të kishte qenë më korrekte që të njihej rrethana ku Lehtësimi e ka keqvlerësuar vullnetin e palëve apo të njërës nga to, që ta arrinin marrëveshjen. Të thuhej se kishte marrëveshje aty ku nuk kishte, apo aty ku nuk kishte asnjë në formë formale prej së cilës varej pëlqimi i Kosovës, vetëm e vonoi dështimin e procesit dhe e përkeqësoi edhe më. Kamuflimi i fakteve të vërteta gjithashtu shmangu nevojën që Lehtësimi t’i rishikonte hapat e veta dhe të mendonte se çfarë duhej të bënte tutje.

Do të kishin mundur të ishin tri opsione të mundshme për ta adresuar situatën. E para, Lehtësimi do të ketë mundur të thoshte se Serbia nuk ishte e gatshme ta nënshkruante tekstin dhe ta pezullonte çështjen e nënshkrimit. Në vend të kësaj, kërkesa që Kosova ta nënshkruante vetëm një letër të bardhë, ndërkohë që Serbia nuk do të nënshkruante, e shkatërroi procesin e negocimit të një Aneksi të ndjeshëm të zbatimit dhe kështu edhe përmbylljen e të gjithë tekstit që mëtohej të ishte fokusi i mbledhjes së Ohrit.

Nënshkrimi formal do të kishte mundur të shtyhej për një konferencë nënshkruese që ishte planifikuar për disa javë më vonë në Paris. Ndërkohë, Serbia do të mund t’i nënshtrohej një dialogu më intensiv me qëllimin që ta ofronte nënshkrimin që do të kërkohej nga ajo.

Opsioni i dytë do të ishte të deklarohej se njëra palë kishte qenë e gatshme të nënshkruante, kur tjetra nuk kishte qenë shumë e vullnetshme dhe ta pezullonte procesin plotësisht. Kjo do të nënkuptonte nevojën që të punohej heshtazi, prapa skenave në javët në vijim, për të zhvilluar një instrument që të dyja palët do ta pranonin sipas një formule të dakorduar (për shembull, nënshkrimi publik, por në kopje të veçantë të Marrëveshjes, nënshkrimi formal, njëra me fusnotë që do të thoshte se nënshkrimi nuk nënkupton njohje, pranimi i një letre anësore për çështjen, etj.). Po qe Serbia do të vazhdonte të tregohej e pavullnetshme për pajtim, do të duhej ta pranonte përgjegjësinë për këtë rezultat. Lehtësimi atëherë do të duhej të pushonte dhe të fokusohej në dialogun teknik për çështjet e interesit për të dyja palët.

Opsioni i tretë ishte ai që u përzgjodh — të kamuflohej dështimi ashtu që të shpëtohej procesi. Kjo do të kërkonte, edhe ashtu u bë, sakrificë të madhe nga Kosova, që po e humbte përfitimin kryesor që kishte pritur nga një marrëveshje e nënshkruar formalisht. Pra, do të duhej të kishte një ripërshtatje të procesit pas këtij epilogu, për të siguruar së paku zbatimin e elementeve të tjera të marrëveshjes, përfshirë edhe ato për të cilat Kosova kishte interes të veçantë, sipas një plani të qartë. Kjo nuk ka ndodhur. Kështu, dështimi origjinal u rishfaq vetëm disa ditë pas Ohrit kur kjo iu bë e qartë Kosovës, duke e vendosur të gjithë procesin e normalizimit në rrezik.

Kjo gjithashtu pati implikime te niveli i tretë i përfshirjes, duke u fokusuar në hapat praktikë të normalizimit, madje edhe nëse qëllimet e gjera të nismës gjermano-franceze nuk do të mund të realizoheshin. Marrëveshja parashihte rishikimin e marrëveshjeve paraprake të dialogut teknik dhe përshpejtimin e zbatimit të tyre, së bashku me arritjen e marrëveshjeve të reja shtesë. Sidoqoftë, meqë Nisma e dështuar gjermano-franceze tash e absorbonte hapësirën që dikur e kishte normalizimi teknik, nuk duket të ketë shumë oreks për t’u fokusuar sërish në avancime specifike, sektoriale.

Në përgjithësi, pra, Nisma gjermano-franceze e ofronte një shteg përpara pa njohjen formale që dukej se ishte përjashtuar. Suksesi i kësaj iniciative megjithatë kishte hipotekë tepër të rëndë duke e kombinuar këtë kënd të sulmit ndaj normalizimit pa njohje, me kërkesën që Kosova ta zbatonte AKSHS-në. Kjo e bëri pranimin nga Kosova shumë të zbehtë. Sidoqoftë, Kosova e bindi veten që të pranonte, duke u përpjekur të dëshmonte qasje konstruktive. Megjithatë, ndërmarrja u dënua me dështim në çastin kur Lehtësimi e lejoi Serbinë që ta hiqte së paku një nga shtysat kyç që rridhte nga Marrëveshja Bazë, që sqaronte se raportet tash mund të zhvilloheshin mbi bazën e së drejtës ndërkombëtare.

Mësimi është, pra, se kur planifikohet qasja për një ndërmjetësim, është me rëndësi që të zbulohet me kujdes se ku qëndron një zonë për marrëveshje të mundshme mes palësh. Me të përzier fijet e ndryshme të një marrëveshjeje të mundshme, e zhvendosi marrëveshjen e mundshme nga ajo zonë. Për më tepër, dështimi për ta pranuar dështimin nuk e tejkaloi dështimin. Thjesht të thuhej se Serbia e kishte pranuar Marrëveshjen Bazë, derisa kjo nuk e kishte bërë atë në raport me Kosovën në një mënyrë formale, të dukshme ndërkombëtarisht dhe ligjërisht të obligueshme, nuk e eliminoi këtë defekt. Dikur Kosova do të thoshte se kjo nuk është korrekte dhe ashtu bëri në fund.

V. Balanca korrekte e obligimeve

Pra u tha se ishin tri rrafshet e një marrëveshjeje të mundshme, ku secila kërkon një nivel të ndryshëm zotimesh nga palët (normalizimi i plotë, normalizimi pa njohje, marrëveshjet teknike). Megjithatë, niveli i marrëveshjes do të zgjidhej, çështja e zonës së marrëveshjes së mundshme gjithashtu do të zbatohej në rastin e elementeve individuale të saj. Kjo do të thotë, në raport me secilin obligim individual përmbajtjesor, do të kishte nevojë për negocim individual dhe proces pazarllëku. Kjo do të mund të rezultonte me një obligim që i kënaq interesat e përbashkët të palëve në formë të barabartë ose mund të jetë koncesion i njërës palë që ka të bëjë me një obligim të tregtuar për një koncesion në lidhje me një obligim tjetër nga pala tjetër. Fare në fund, një grumbull obligimesh mund të pranohen nga njëra palë për shkak se ajo pret që do të fitojë diçka më të vlefshme nga marrëveshja e përgjithshme.

Marrëveshja Bazë e propozuar nga Lehtësimi përmbante pjesën më të madhe të dispozitave të Marrëveshjes bazë gjermano-gjermane nga 1972-a. Mirëpo, Lehtësimi më pas i shtoi edhe elementet shtesë të veçanta për kontekstin e Serbisë dhe Kosovës.

Çifti i parë i interesave kundërshtuese apo që përputhen kishin të bënin me vetë konceptin e Nismës gjermano-franceze. Për Kosovën, nënkuptonte se duhej pranuar se njohja nuk do të vinte për edhe një kohë. Kjo ishte disi e balancuar me vendosmërinë se raportet mes Kosovës dhe Serbisë, tani e tutje, do të zhvilloheshin në bazë të së drejtës ndërkombëtare, parimet e Kartës së OKB-së, raportet e mira fqinjësore, etj. Për Serbinë, kjo nënkuptonte (apo duhej të nënkuptonte) ta këmbente nënshkrimin e një marrëveshjeje formale me Kosovën pa pasur nevojë ta njihte për të qenë në gjendje të thoshte se kishte bërë hap të rëndësishëm drejt normalizimit. Kjo do të rezultonte në përshpejtimin e mëtejmë të dialogut për anëtarësim në BE.

Çifte të tjera të mundshme obligimesh kur palët do të mund të këmbenin interesa mund të lidheshin për njohjen të dokumenteve të ndërsjella dhe të simboleve nacionale, moskundërshtimi i anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe duke pranuar se vetëm Kosova mund ta paraqesë territorin e saj ndërkombëtarisht, duke e formalizuar statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, etj. Në fakt, në projektin e parë të Aneksit të zbatimit parashtruar të dyja palëve dhjetorin e vitit të shkuar, Lehtësimi përcaktoi çifte obligimesh ku njëri do të zbatohej si pasojë e zbatimit të një tjetri. Mirëpo, gjithashtu e shkeli parimin e reciprocitetit në raport me nenin 7 të marrëveshjes, apo për çështjen që dikur ishte njohur si AKSHS.

Kosova duhej ta prodhonte një projekt statuti sipas nenit 7 para se dy të tretat e obligimeve të marrëveshjeve të tjera të hynin në fuqi. Me sa duket arsyeja se aty kishte qenë mungesa e besimit te vullneti i mirë i Kosovës për ta përmbushur këtë obligimi, duke e pasur parasysh ngurrimin për ta zbatuar marrëveshjen e 2013-s, i cili e kishte paraparë AKSHS-në e atëhershme.

Megjithatë, kjo qasje e injoroi se çiftimi i interesave të natyrshme që e kishte mbështetur vullnetin origjinal të Kosovës për ta pranuar AKSHS-në më 2013. Kjo ishte pritja reciproke se po qe se do të bëhej AKSHS-ja do të rezultonte me heqjen e strukturave paralele të qeverisjes në veriun e Kosovës. Ky aspekt në fakt u përfshi në nenin 7 të Marrëveshjes Bazë, së paku në formë të tërthortë, në lidhje me financimin nga Serbia të aktiviteteve të komunave gjegjëse. Por, dizajnimi i çiftit balancues të obligimeve në Aneksin e zbatimit e mënjanoi plotësisht këtë lidhje, duke e shndërruar AKSHS-në në një zotim të njëanshëm mbështetur në marrëveshjet paraprake, të cilat Kosova tash duhet t’i zbatojë menjëherë.

Nga perspektiva e Kosovës, kërkesa për veprim të njëanshëm, para se shumica e dispozitave të Marrëveshjes Bazë madje të hynin në fuqi, nuk arsyetohej. E krijoi përshtypjen se e gjithë ndërmarrja e Marrëveshjes Bazë ishte një mjet i detyrimit që të bënte koncesione të njëanshme për një çështje të vetme që e paraqet vështirësinë më të madhe për të. Rezistenca ndaj këtij mekanizmi të veçantë zbatimi ishte e fuqishme në përputhje me rrethanat.

VI. Ndërtimi i raporteve personale

Lehtësimi i negociatave të këtij lloji është proces kompleks dhe pa dyshim i vështirë. Një gjë që e kërkon është ndërtimin e besimit te personi që është Lehtësuesi. Bashkëbiseduesit e nivelit më të lartë duhen të ndihen rehat me të dhe ta ndërtojnë besimin.

Perspektiva e Lehtësuesit apo e ndërmjetësit, si dhe ajo e palëve është e ndryshme. Lehtësuesi do ta ndërmarrë këtë detyrë si një nga shumë etapat në karrierën e tij. Ai apo ajo do të përpiqet ta japë më të mirën, por kjo është krejt çfarë mund të pritet nga ai apo ajo. Për bashkëbiseduesit e deleguar nga palët, çështjet që do të bisedohen kanë të bëjnë me ato që ata konsiderojnë si çështje e mbijetesës kombëtare. Jo vetëm që e ardhmja e tyre politike do të varet nga performanca e tyre, por do të ndiejnë presion të fuqishëm për t’u siguruar se ata nuk do të humbin asgjë për kombin që ua ka dhënë mandatin për ta përfaqësuar. Janë të prirë që t’i nënshtrohen trysnisë së përkrahësve të tyre shpesh radikalë, duke kërkuar që të mbahet linja e fortë.

Ndonjëherë, bashkëbiseduesit do të jenë politikanë me përvojë dhe negociatorë të regjur për t’u rezistuar këtyre presioneve. Në raste të tjera, mund të jenë krejt të rinj në këtë zanat, apo së paku në nivelin e negociatave ndërkombëtare të nivelit të lartë e me shumë presion. Lehtësuesi duhet të ndajë shumë kohë për t’i kuptuar. Kjo nuk është vetëm çështje e leximit të analizës së konfliktit që ndihmësit e tij ia kanë dhënë për ta lexuar në aeroplan rrugës për një takim. Kërkon interesim autentik për personin në fjalë, për rrëfimin dhe parimet në bazë të të cilave do t’i marrë vendimet. Do të ishte e tepërt të thuhet se ndërmjetësi i mirë e hap një dritare te shpirti i vendimmarrësve kyç me të cilët takohet, porse nuk është gabim të përmendet.

Kjo është posaçërisht e vërtetë kur shumëçka varet nga vendimet krejt personale të një apo dy udhëheqësve më të lartë, siç është rasti në raport me Serbinë dhe Kosovën. Të dy liderët më të lartë janë në pozitë për t’i marrin vendimet vetë. Mirëpo, ballafaqohen me rrethana të vështira, nëse jo të trazuara, të lidhura me negociatat në arenat e tyre të brendshme.

Nëse nuk kuptohet thellësisht se si do ta analizojë secili nga ta një situatë të caktuar, apo edhe propozimet që Lehtësuesi mund t’i ofrojë, secili hap i ndërmarrë nga Lehtësimi do të jetë hap brenda të së panjohurës, që rrezikon shfaqjen e keqkuptimeve dhe të zhgënjimit. Fati i Aneksit të zbatimit, i cili mezi e mbijetoi katastrofën e Ohrit në një version shumë të shpupluar, e dëshmon një shembull të mirë.

Në këtë rast, nuk kishte indice se Lehtësuesi të ishte i interesuar për partnerët e tij negociues. Bisedimet ishin krahasimisht të rralla, gjithmonë formale dhe relativisht të pakuptimta — një hap më larg nga themelimi i një raporti dhe të mirëbesimit. Nuk pati udhëtime për në ish-barakat e gjahut të Titos për bisedime të gjata pranë vatrës gjatë një fundjave me kryetarin e Serbisë apo ekskursione të ngjashme në luginën e Rugovës në Kosovë. Nuk kishte raste ku Lehtësuesi, apo ndonjëri nga bashkëbiseduesit do t’i hidhte joformalisht ca ide apo opsione për të dalë nga një qorrsokak eventual që edhe palët kanë mundur ta parashikonin.

Përderisa procesi po zhvillohej, vizitat e Lehtësuesit, në çaste përputheshin me praninë e një bashkëbiseduesi të lartë amerikan, nuk dukeshin se kishin qëllimin për të kuptuar. Përkundrazi, ishin raste për t’i riforcuar kërkesat dhe për ta shtuar presionin.

VII. Përfshirja me palët

Përtej dështimit për të ndërtuar raport me udhëheqjen më të lartë të të dyja palëve, Lehtësimi u zhvillua në formë mekanike. Fillimisht e ofroi një tekst përmbajtjesor të projekt të Marrëveshjes Bazë në shtator të vitit të shkuar. E më pas ofroi tekst thuajse identik në dhjetor, me disa përshtatje të vogla që ishin bërë pas komenteve të palëve, duke ia shtuar edhe pakon kompakte të Aneksit të zbatimit. Pastaj, teksti i Marrëveshjes Bazë thjesht u mbyll për komente të mëtejme para takimit të nivelit të lartë, mes kryetarit e kryeministrit, që kishte për qëllim miratimin e tekstit përfundimtar më 27 shkurt.

Në esencë, pra, nuk pati negociata aktuale ndërmjet palëve për substancën e marrëveshjes. Procesi kryesisht u zhvillua nga distanca. Kjo qasje mund të shfrytëzohet nga ndërmjetësi kur e di se palët nuk do të përfshihen me njëra-tjetrën në formë konstruktive. Sidoqoftë, diku me një çast kur teksti ofrohet nga Lehtësuesi, mund të priten negociata të drejtpërdrejta mes palëve rreth dokumentit apo në raste të rralla, negociata në formatin e afërsisë, ku palët nuk duan ta takojnë njëra-tjetrën drejtpërsëdrejti.

Pjesa më e madhe e Marrëveshjes Bazë natyrisht u kopjua nga paraardhësja gjermane e 1972-s. Sidoqoftë, disa dispozitat kyç për Serbinë e Kosovën ishin shtuar. Kishte pasur ca ndryshime të shembullit gjerman dhe dispozita specifike u shmang në formë të mistershme. Duke e deklaruar hartimin e përfunduar pa u përfshirë në bisedë të detajuar me palët për tekstin, do ta rrezikonte zbulimin dikur më vonë në proces, se një element i tekstit mund të jetë i papranueshëm për një apo delegacionin tjetër. Për më tepër, balanca e obligimeve, pra edhe gjasat që të pranohet teksti nga të dyja palët, mbështetej mbi vlerësimin apo edhe hamendësimin e Lehtësuesit dhe ekipit të tij, derisa nuk është testuar gjatë gjithë procesit nga ai vetë.

Ky ishte rasti, në veçanti, i Aneksit të zbatimit. Nuk kishte model për të nga shembulli i marrëveshjes gjermane nga 1972-a. Ishte hartim kryekëput i Lehtësimit. Pasi kishte qëndruar me muaj nëpër tavolina, Lehtësuesi i vizitoi kryeqytetet për t’i dëgjuar mendimet e tyre. Në fakt, kjo ndodhi vetëm një javë para takimit në Ohër ku teksti duhej dakorduar.

VIII. Pa befasi

Procesi në lidhje me Aneksin e zbatimit nuk ka qenë fare negociatë. U mbajt një takim relativisht i shkurtër ku palët ia dhanë komentet Lehtësuesit. Lehtësimi më pas u largua dhe, në lëvizje të befasishme për Kosovën, e solli një version shumë të ndryshuar, trefish më i gjatë sesa teksti origjinal, një natë para takimit ku duhej miratuar. Procesi ishte krejt jotransparent. Nuk kishte shpjegim për arsyet e ndryshimeve, që nga pikëpamja e Kosovës dukej se e akomodonin vetëm palën tjetër. Dhe, sikurse doli në fund, palët nuk patën rastin që ta sfidojnë dokumentin që duhej të shërbente si bazë për bisedimet njëditore që kishte për qëllim të shpinte drejt pranimit nga të dyja palët.

Në fund, nuk pati negociata aktuale për Aneksin siç ishte përpiluar, as bile në një ditë të vetme, për shkak të deklaratës së Serbisë se nuk do të nënshkruante asgjë për të cilën do të merreshin vesh. Në vend të kësaj, Lehtësimi ofronte versione të cunguara çdo disa minuta, në përpjekje për të ruajtur diçka. Atëherë, Kosova kishte pak interesim për ta lehtësuar përpjekjen duke i pranuar dispozitat të cilat ndryshe edhe do t’i pranonte mbase, po të ishte ofruar nënshkrimi formal i marrëveshjes. Sido që të jetë, duket shumë e çuditshme që të dyja palëve t’u paraqitet një dokument thuajse krejtësisht i ri me nja 18 nene përmbajtjesore një ditë para mbledhjes dhe të pritej që do të pajtoheshin për tekstin përfundimtar brenda pak orësh.

Natyrisht, pritjet përgjatë gjithë procesit qenë se palët ishin nën presion të mjaftueshëm për të pranuar pak a shumë çfarëdo që u qitej para. Por ky supozim dështoi kur, njëra palë, Serbia, nuk u dorëzua para presionit.

Në përgjithësi, kishte shumë pak angazhim me palët, apo së paku me Kosovën, duke ia krijuar bindjen se ishte një lloj udhëtari në një proces të paparashikueshëm mbi të cilin nuk kishte kontroll dhe mbi të cilin kishte shumë pak ndikim. Ky proces dukej se ia mbante shumë anën e Serbisë.

Mësimi mund të jetë se duhet të ketë pajtim për modalitetin e negociatave ndërmjet palëve. Po qe se nuk ka, ose ka disa runde bisedimesh, kontaktet me Lehtësimin në nivelin punues dhe në nivelin e lartë mes rundeve duhen të jenë ekstensive dhe të vazhdueshme, të fokusuara në eksplorimin e pozicioneve të palëve. Nëse nga vetë Lehtësimi pritet që ta paraqesë një tekst të parë, të konsoliduar negocimi, atëherë kjo iu duhet bërë e ditur palëve se nga erdhi dhe deri ku i përmbledh kontributet e kësaj apo asaj pale.

Nëse qëllimi është të ruhet besimi dhe siguria në procesin e negocimit, procesi i Lehtësimit duhet të jetë linear dhe i parashikueshëm. Palët duhen të dinë paraprakisht se çfarë do të diskutohet, në çfarë formati dhe me çfarë modalitetesh. Në kushte normale do të kishin ndikim të dukshëm në formësimin e procesit, duke u siguruar se të dyja palët janë rehat me të.

IX. Dëgjimi i palëve

Procesi duhet të ofrojë një rast për kontribute në etapa të dakorduara. Është kyç që të dyja palët të ndihen se kontributet e tyre janë të vlerësuara dhe se po dëgjohen. Kjo vlen edhe te rasti kur ka divergjenca për cilësinë teknike të kontributeve nga palët. Fakti se një palë nuk e shpreh qartazi dhe profesionalisht një pikëpamje apo pozicion, nuk do të thotë se Lehtësimi mund ta injorojë. Aty ku një parashtresë nuk është shkruar mirë, është puna e Lehtësuesit për të punuar edhe më shumë për të kuptuar se cili është qëllimi dhe për t’ia ofruar sigurimin palës që e ka dorëzuar, se pikëpamja e saj po kuptohet. Kjo përfshin edhe dëgjimin e nuancave dhe identifikimin e ngurrimeve. Sërish, dështimi për ta detektuar një vërejtje apo divergjencë herët dhe për t’u marrë me çështjen aty për aty thjesht do të thotë se problemi do të shfaqet sërish kur do të jetë edhe më e vështirë ose tashmë edhe e pamundur të adresohet.

X. Negociatat e detyruara nuk funksionojnë më

Siç u theksua, negociatat për Marrëveshjen Bazë dhe Aneksin nuk ishin negociata njëmend në kuptimin klasik. Tekstet janë prodhuar nga Lehtësimi dhe ose mbetën të tilla ose kishin pësuar ndryshime pa ndonjë shpjegim. Me sa duket kjo qasje reflektonte ndjenjën që e kishte Lehtësimi se palët nuk do të merreshin vesh kurrë për asgjë, po qe se lihej që çështjet të diskutoheshin në format më të drejtpërdrejtë që do t’u jepte më shumë ndikim në formësimin e tekstit.

Ky mund të jetë reflektim i përvojave që kishin zyrtarët e BE-së në negociata të mëhershme për trevën e Ballkanit. Qasja nga Daytoni deri te Rambouilletja ishte ajo e negociatave “të dirigjuara”, ku Lehtësimi do të hartonte një tekst që në fund do të mbeste, pos nëse të dyja palët do të merreshin vesh për ta ndryshuar.

Mirëpo, kohët kanë lëvizur tutje nga kjo qasje e viteve ’90. Siç kanë dëshmuar përpjekjet tepër të mëdha të BE-së dhe SHBA-së, asnjëra nga palët në fund nuk mund të detyrohej që të pajtohej me skemën e zhvilluar nga aktorët ndërkombëtarë. Serbia nuk nënshkroi. Kosova nisi të japë vërejtje për shkak se rezultati aktual i bisedimeve u kuptua më mirë dhe tash shikohet nga disa analistë si një rrezikim për të hequr dorë krejtësisht po qe se interesat e saj nuk akomodohen.

Është pa dyshim shumë e rëndë dhe merr shumë durim për ta lehtësuar një proces të këtij lloji. Por receta e vetëm dorëzimit të një teksti, ndërkohë që pritet që palët ta pranojnë, po qe se është nevoja, nën presionin ndërkombëtar, nuk funksionon më. Përpjekja duhet të shteret për të shpjeguar dhe hulumtuar, fillimisht me secilën palë individualisht e më pas së bashku me të dyja palët, se cilat çështje mund të adresohen. Nëse del se ka çështje ku ekziston Zona e Marrëveshjes së Mundshme, atëherë duhet hulumtuar se si mund të përdoret kjo për të mirën e përbashkët të palëve.

Zakonisht, madje ndërmjetësi do të ngurronte ta ofronte tekstin e tij, së paku derisa procesi të ketë avancuar dhe të jetë pjekur për një lëvizje të tillë. Lehtësuesi, nga ana tjetër, do të ishte edhe më ngurrues dhe do ta bënte këtë vetëm po qe se palët do ta kërkonin këtë shprehimisht. Pasi do të ndodhte kjo, do të duhej pasur rregulla se si do të zhvillohej teksti. Zakonisht, palët do të vazhdonin të negocionin derisa të merreshin vesh për secilën dispozitë individuale, kohë pas kohe duke i këmbyer koncesionet gjatë ofrimeve në proces.

Derisa procesi mund të jetë i gjatë, kjo ka kuptim. Palët dhe Lehtësimi do ta kuptojnë pozicionin e njëri-tjetrit. Lehtësimi mund të ofrojë shembuj të rasteve të tjera të marrëveshjeve, t’u referohet standardeve që mund të ndihmojë në zgjidhjen e një çështjeje, apo të kërkojë një kontribut nga një ekspert i jashtëm. Gjithashtu mund të ketë raste dhe kohë për t’u ofruar palëve zhvillim kapacitetesh. Për më tepër, me kohën, palët mund të socializohen me një proces rutinë për ndërveprimin me njëri-tjetrin.

XI. Premtimet duhen mbajtur

Çështja e besimit te Lehtësimi tashmë është ngritur. Delegacioneve të papërvojë do t’u marrë shumë kohë për të krijuar ndjenjën se nuk po i shëtisin nëpër një proces të cilin, në fund, nuk mund ta kontrollojnë. Delegacionet më me përvojë do të japin vërejtje herët dhe ta parandalojnë madje edhe nisjen e procesit. Sado frustruese mund të jetë për Lehtësuesin, kjo është në fakt më mirë sesa të procedohet me muaj, para se të zbulojë se e ka humbur besimin e një pale në proces, duke sjellë në rrezik të gjithë progresin e imagjinuar.

Në këtë rast të veçantë, shumë përpjekje u bënë për ta bindur Kosovën që ta nënshkruante Marrëveshjen Bazë e më vonë edhe Aneksin e zbatimit. Lidhja e Marrëveshjes Bazë me çështjen e veçuar të AKSHS-së, më vonë neni 7 i Marrëveshjes Bazë, procesin e bëri edhe më të vështirë. Lehtësuesi dhe bashkëbiseduesi nga SHBA-ja, i dërguar për ta siguruar pranimin e palëve, u detyruan t’i japin garanci shumë specifike Kosovës në përpjekje për ta tejkaluar këtë vështirësi që e kishin krijuar vetë.

Ofruan garanci të fuqishme se si letra formale dërguar disa vjet më herët nga atëherë nënkryetarja e Komisionit Evropian dhe përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, do ta mbronte Kosovën nga interpretimi ekspansiv se si do të zbatohet neni 7 i Marrëveshjes Bazë, ish-AKSHS-ja. Kjo u forcua me premtimet e zotimet e vetë Lehtësuesit, që kishin të bënin me mënyrën se si do të krijohej statuti për mekanizmin dhe se çfarë AKSHS-ja NUK do të ishte përfundimisht.

Shpejt pasi Kosova e pranoi Marrëveshjen Bazë dhe atë që kishte mbetur nga Aneksi pas debaklit në Ohër, Lehtësuesi i shkroi Kosovës, duke e paralajmëruar se mbase nuk do t’u përmbahej premtimeve fuqimisht të dhëna. Kjo krijoi një ndjenje tradhtie dhe shkelje të besimit nga i cili procesi do ta ketë vështirë të këndellet.

Mësimi pra, është se ndonjëherë do të jetë e nevojshme të ofrohen garanci apo edhe letra anësore një pale të marrëveshjes në mënyrë që të realizohet pajtimi. Sidoqoftë, këto garanci duhen të kalibrohen me shumë kujdes dhe duhen të jenë të menduara mirë. Në këtë rast, me pranimin e supozuar të palëve të Marrëveshjes Bazë, Lehtësuesi ka mundur të kuptonte se në praktikë do të jetë vështirë që t’i mbante premtimet e bëra Kosovës në raport me palën tjetër, Serbinë. Prandaj edhe nisi t’i mohonte. Prishja e gjithë procesit prej asaj pike e këndej është pasojë logjike.

Po e njëjta ndodhi nga ana e kundërt. Me gjasë Serbia kishte dërguar disa letra anësore të interpretimeve se çfarë kishte e nuk kishte ndodhur me Lehtësimin në Ohër. Këto dolën ta mohonin marrëveshjen e cila edhe ashtu nuk u nënshkrua. Letrat gjithashtu dukej të thoshin se Serbia e ruante të drejtën ta përcaktojë se cilat, po qe se ka ndonjë, nga obligimet që dalin nga Marrëveshja Bazë dhe Aneksi mund t’i zbatojë. Derisa premtimi i bërë Kosovës nga Lehtësimi kryesisht ka qenë publik, këto marrëveshje anash apo interpretimet e njëanshme nuk ishin të dukshme për Kosovën. Edhe kjo i kontribuoi mosbesimit.

XII. Respektimi i mandatit

Në praktikën ndërkombëtare të negociatave, emërimet kanë rëndësi. Ushtrimi i shërbimeve të mira do të thotë të ndihmosh në krijimin e mjeteve të komunikimit mes palësh. Lehtësuesi e ka një detyrë pak më teknike për të përkrahur dialogun mes palëve, në kushte normale pa mandatin për t’i ofruar sugjerimet e veta. Lehtësuesi mund t’i aranzhojë takimet, të sigurojë qasjen e palëve te vendi i negociatave, t’u ndihmojë palëve që të pajtohen për agjendën apo metodologjinë dhe të ndihmojë në krijimin e një atmosfere të shtendosur. Ndërmjetësi mund të ketë rol pak më aktiv, edhe pse ai apo ajo, po ashtu, nuk do të inkurajohet që t’ua paraqesë vizionin e vet të marrëveshjes palëve. Kjo mund të ndodhë në një fazë të mëvonshme dhe me inkurajimin e palëve, kur pozicionet janë tashmë të qarta dhe të kuptuara mirë. Në fund, pajtuesi mund të ofrojë një raport mbi kontestin ndërmjet palëve, që do të kulmojë me propozimin për zgjidhje. Sidoqoftë, palët nuk janë të detyruara ta pranojnë rekomandimin.

Në këtë rast, mandati të cilin e ka dhënë BE-ja është modest — Lehtësimi. Sidoqoftë, procesi e ka marrë petkun e ndërmjetësimit të dirigjuar e madje edhe të pajtimit. Lehtësuesi ofron zgjidhje përmbajtjesore e madje edhe tekste përfundimtare të pretenduara. Këto nuk janë të detyrueshme për palët. Por cilado palë që nuk i pranon mund ta gjejë veten nën trysni të fuqishme ndërkombëtare për t’i pranuar.

Lehtësuesi, në këtë rast, është përpjekur që ta tejkalojë paaftësinë e mundshme të palëve për t’u marrë vesh duke ia dhënë vetes “autoritetin përfundimtar për të interpretuar” çështjen e rëndë të zbatimit të nenit 7. Në praktikë, kjo mund të thotë se ai e përcakton rezultatin atëherë kur palët dështojnë ta bëjnë. Ky koncept është krejtësisht i huaj për konceptin e Lehtësimit.

Sërish, kjo lëvizje ia konfirmonte së paku palës së Kosovës se do të nënshkruante për një proces të cilin në fund nuk do të ishte në gjendje ta kontrollonte. Ishte një proces specifik në lidhje vetëm me nenin 7, pra i fokusuar vetëm në njërën çështje që dukej se shkonte kundër interesit të Kosovës.

Po e njëjta gjë ndodhi më vonë, kur Lehtësuesi e propozoi një metodologji, sipas së cilës, në fund, ai do ta hartonte statutin për mekanizimin e nenit 7. Palët do të mund t’i regjistronin kundërshtimet, por kjo në fund nuk do ta ndryshonte rezultatin përfundimtar dhe të cilin shtetet përkrahëse do ta mund ta impononin nëpërmjet trysnisë. Sërish, në vend se të pritej që procesi të zhvillohej ashtu që t’i jepte legjitimitet një rezultati për nenin 7 që Kosova nuk e kishte pranuar, kërcimi nga treni në lëvizje të ngadaltë duket se është zgjidhja më e mirë.

XIII. Lehtësimi apo ndërmjetësimi i përkushtuar

Serbia do të ketë mundur të futej në dialogun e Brukselit me frikën se do të ballafaqohej me atë që njihet si “ndërmjetësim i përkushtuar” apo në këtë rast Lehtësim i pretenduar. Fundja, BE-ja dhe SHBA-ja në formën e NATO-s e kishin zhvilluar një fushatë të armatosur kundër ish-Jugosllavisë, në esencë Serbisë atëherë, me qëllimin e çlirimit të Kosovës nga represioni i thellë.

Një ndërmjetës i përkushtuar njihet nga të dyja palët si aleat i vetëm njërës nga to. Për shembull, kur SHBA-ja ndërmjetëson në Lindjen e Afërt, është e qartë se është aleat i fuqishëm i Izraelit. Të gjithë e dinë se SHBA-ja kurrë nuk do të lejojë një marrëveshje që shkon në kundërshtim me interesat fundamentalë të Izraelit. Megjithatë, SHBA-ja është ndërmjetëse e pranueshme, për shkak se pritjet janë se Washingtoni të jetë e vetmja fuqi që mund ta bindë Izraelin që ta pranojë një marrëveshje të balancuar, po qe se del nga procesi.

Në këtë rast, BE-ja i kishte interesat e veta në lojë, edhe pse jo siç pritej deri para një a dy vjetësh. Për shkak të krizës në Ukrainë, përnjëherë u shfaq një interesim dërrmues për ta joshur Serbinë nga Perëndimi, për të mos lejuar të rrëshqiste ngrykë të Federatës Ruse. Mjeti për ta arritur këtë ishte joshja për anëtarësimin. Sidoqoftë, normalizimi gjithëpërfshirës me Kosovën në formë ligjërisht të obligueshme është kërkesë që Serbia duhet ta plotësojë si pjesë e kritereve që duhen përmbushur për anëtarësim. Dështimi për ta njohur Kosovën do të, apo do të duhej ta, bllokonte shpresën për anëtarësimin në BE.

Ky fakt, normalisht do të duhej të pritej se do të ofronte një përparësi të rëndësishme për Kosovën. Pa pajtimin e saj, nuk mund të arrihej normalizimi gjithëpërfshirës, duke e përjashtuar anëtarësimin në BE për Serbinë. Megjithatë, kjo fuqi përnjëherë u shndërrua në detyrim.

BE-ja, me përkrahjen e fuqishme të SHBA-së, iu kthye Kosovës duke kërkuar që ajo të hapë rrugë drejt normalizimit, duke e pasur parasysh situatën e ndryshuar me luftën në Ukrainë. Ky presion nënkuptonte se aleatët kryesorë të Kosovës prej një minute në tjetrën u shndërruan në ndërmjetës të përkushtuar që e favorizonin palën tjetër. Përnjëherë, Kosova u bë pengesa në proces, e jo Serbia, dhe Kosova do të duhej t’i bënte koncesionet kryesore në mënyrë që tërhiqej kjo pengesë.

Ndërmjetësi i përkushtuar apo Lehtësuesi mund t’i ndajë vijat e kuqe përfundimtare me njërën palë. Sidoqoftë, nëse ndërmjetësimi ka për qëllim të jetë i suksesshëm, atëherë Lehtësuesi i përkushtuar do të duhej të punonte shumë më shumë që ta bindte palën që e ndien veten të anashkaluar me këtë veprim se procesi dhe rezultati do të jetë, megjithatë, fer dhe i balancuar. Kjo do të thotë se argumenti që e përdorin SHBA-ja dhe BE-ja se Kosova “nuk e ka kuptuar” lojën e përgjithshme gjeostrategjike të fokusuar në kaplimin e Serbisë nga Perëndimi, ishte fundamentalisht e gabuar. Kjo vijë e argumentimit do t’ia konfirmonte Kosovës se kjo lojë është kthyer kundër saj, duke synuar një rezultat në favor të Serbisë dhe duke i sakrifikuar interesat e Kosovës. Të braktisësh apo të lëvizësh fokusin ndërkombëtar prej negociatave për normalizimin në menaxhimin e krizave, do të mund të ishte i vetmi opsion për ta shmangur madje një rezultat edhe më të keq.

XIV. Presioni para analizës

Natyrisht se është e mundshme për Lehtësimin, apo edhe shtetet që e përkrahin procesin e Lehtësimit që ta rrisin koston që duhet paguar për njërën palë, po qe se kjo e refuzon marrëveshjen. Kjo njihet si “formësimi i ambientit të negociatave”— një teknikë që zbatohet në raport me të ashtuquajturit “prishësit” (spoiler) në negociata ndërkombëtare. Kjo do të thotë se Lehtësimi i vë në lëvizje përkrahësit e fuqishëm për ta dobësuar pozicionin e palës penguese.

Aleatët kyç dhe miqtë tradicionalë të Kosovës, i ashtuquajturi “Quint”, përbërë nga SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania, Franca e Italia, që të gjithë janë larguar nga pozicioni i Kosovës dhe janë rreshtuar qartazi me BE-në dhe Lehtësimin. Përderisa kanë mundur të kenë mendime private për cilësinë dhe kompetencën e ekipit të Brukselit, tash kjo më nuk çon kandar. Ajo që përherë e më shumë shikohet si veprim irracional dhe pengues i Kosovës, i ka polarizuar pozicionet. Quinti po vepron si front i bashkuar për ta kthyer palën e devijuar në vijë.

Në këso situate, të analizosh arsyet për atë që shihet si pengim do të duhej të ishte rëndom hapi i duhur. Nëse njëra palë në negociata ndihet e shtyrë të dalë prej procesit apo të rrezikojë ta vonojë procesin duket ndërmarrë veprime tjetërkund, (të themi në veri të Kosovës), kjo do të duhej të nxiste analizën për këso veprimesh. Në këtë rast, është vështirë e besueshme se vendimi për t’i vendosur kryetarët e komunave në zyrat e tyre në komunat veriore kishte pasur për qëllim që t’i godiste drejtpërdrejt negociatat në Bruksel. Kosova vlerësoi se Serbia nuk do të duhej të shpërblehej për faktin se zgjodhi t’i bojkotonte zgjedhjet komunale. Në vend të kësaj, procesi i ligjshëm do të duhej të vazhdonte, pavarësisht se kryetarët e zgjedhur kishin tërhequr numër minimal votuesish për shkak të bojkotit.

Sidoqoftë, pyetja që duhen shtruar Lehtësimi dhe shtetet përkrahëse do të duhej të ishte kjo: Pse e ndërmori Kosova veprimin në veri, nëse ka mundur të parashihte se kjo do ta çrregullonte procesin e normalizimit dhe t’i rrezikonte raportet miqësore me aleatët kyç? Normalizimi do të duhej, fundja, t’i plotësonte interesat kyç të Kosovës dhe avancimi, e jo ndrydhja, do të duhej të ishte qëllimi bërthamë.

Me sa duket përgjigjja është se Kosova kishte ndjenjën se negociatat për normalizimin ishin shndërruar në diçka që më nuk mund të kontrollonte dhe se po shpinte drejt një rezultati përfundimtar që nuk do të mund ta pranonte kurrë. Lehtësimi ishte i vendosur të vazhdonte me procesin, pavarësisht kundërshtimeve të Kosovës, me padurimin dhe presionin në rritje të ndërkombëtarëve. Do të kishte qenë e qartë për qeverinë se vazhdimi i procesit nga Lehtësimi në fund do t’i kalonte vijat e kuqe të Kosovës. Pra, do të ishte më mirë që njëherë të pezullohej procesi para se të bëheshin koncesione të reja që i kërkohen Kosovës për shkak të trysnisë së madhe ndërkombëtare që shpijnë në dështim të pashmangshëm.

XV. Sanksionet e hershme shteruese

Problemi i përkrahësve të procesit të BE-së është virtualisht se i gjithë arsenali i masave të presionit tashmë është zbatuar në raport me sjelljen e Kosovës që pretendohet të jetë e pamatur. BE-ja dhe SHBA-ja kanë paralajmëruar fushatën për të hequr dorë nga qëndrimi i tyre për ta përkrahur Kosovën në arenën ndërkombëtare. Izolimi do të manifestohet duke i refuzuar kontaktet e nivelit të artë. Lëvizjet drejt raporteve më të afërta me NATO-n dhe BE-në — interes kyç për Kosovën — janë ngrirë. Sanksionet shtesë, në formë të “masave”, janë miratuar nga BE-ja. Njëherë këto drejtohen kundër qeverisë, e jo vetë popullatës (liberalizimi i vizave ende nuk është pezulluar).

SHBA-ja tashmë e ka shtjerrë mjetin e fundit të arsenalit, që kishte qenë ndërrimi i regjimit. SHBA-ja e aranzhoi rënien e qeverisë së koalicionit të kryeministrit të zgjedhur Albin Kurti qysh në mars të 2020-s, nja dy muaj pasi e mori detyrën. Rastësi apo jo, kjo është shenjë e rolit të aktorëve ndërkombëtarë në Kosovë, aq sa ky grusht shtet i butë as që mohohet nga autorët apo që diskutohet shumë mes miqve ndërkombëtarë të Kosovës (apo edhe në vetë Kosovën). Është thjesht një fakt jete. Rezultati kishte qenë kundërproduktiv, megjithatë. Në zgjedhjet vijuese, Albin Kurti u kthye në pushtet me madje një shumicë më të madhe, që i lejonte që të qeverisë pa përfshirje të madhe të partive të tjera.

Kjo ka shpënë te ndjenja brenda qeverisë aktuale se mund të jetë mjaft imune ndaj masave të këtij lloji. Nëse do të aranzhohej edhe një rënie e qeverisë dhe do të kishte zgjedhje të reja tash, gjasat janë se kryeministri Kurti do të kthehej me shumicë edhe më të madhe. Fryma popullore e rezistencës ndaj asaj që shikohet si tutë ndërkombëtare po shkon në atë drejtim dhe po ushqehet në vend se të tejkalohet me masat ndërkombëtare të zbatuara deri tash. Nuk është e qartë nëse “masa” të reja që do ta godisnin popullatën më në përgjithësi do ta përmbysnin apo do ta forconin këtë trend. Sidoqoftë, Kosova mund të mendojë se mund të mbështetet mbi faktin se aleatët nuk do të donin ta shihnin shtetin e destabilizuar për shkak të sanksioneve, duke i detyruar në fund të rindërtojnë atë që e kanë shkatërruar.

Natyrisht se është e vërtetë që situata aktuale nuk do të zgjidhet vetvetiu. Të dyja palët, Serbia dhe Kosova, duhen ta depërshkallëzojnë gjendjen. Ekziston rreziku se detyra e menaxhimit të krizës në lidhje me veriun të ndërthuret me procesin e normalizimit. Për shembull, sërish, veprimi në lidhje me të famshmen AKSHS, tash neni 7, mund të përfshihet mes hapave që duhen ndërmarrë për depërshkallëzim. Serbia e kërkon këtë veprim para se ta heqë ndalesën që ua ka bërë serbëve lokalë për pjesëmarrje në zgjedhje të reja komunale.

Kjo sërish do të mund të reflektonte një kalkulim të gabuar të balancës së obligimeve që kërkohet për një marrëveshje që funksionon, në vend se të vazhdonte si përpara, BE-ja dhe përkrahësit e saj do të kenë nevojë ta rikthejnë një ndjenë të balancës dhe të korrektësisë në procesin e normalizimit, duke i pasur parasysh mësimet e përmendura më lart. Megjithatë, durimi ndërkombëtar mund të tëhollohet dhe pavarësisht se sa të justifikuara janë kritikat ndaj njërës a palës tjetër, kjo nënkupton se palët duhen dëgjuar. Do të ketë nevojë për një përshtatje të re, duke e pasur parasysh balancën e ndryshuar të interesave që rrjedh nga dështimi i Serbisë për të nënshkruar formalisht Marrëveshjen Bazë dhe Aneksin. Dënimi dhe ndëshkimi nuk do të funksionojnë. Në të kundërtën, parashikimi i shumëkujt se normalizimi do të shembet para fundit të verës, me gjasë do të përmbushet.

[KOHA; përktheu: Flaka Surroi]


Spread the love


Leave a Reply