NERVAT E FORTA QË FITOJNË BETEJAT NË LUFTËN POLITIKE!

Spread the love

NERVAT E FORTA QË FITOJNË BETEJAT NË LUFTËN POLITIKE!

Nga Sulejman Abazi, ushtarak

Diçka zjen në botë dhe në kontinetitn evropian. Pjesa lindore e Evropës (përjashtuar Poloninë) po reflekton shenjat e ndikimit të fortë rus. Lufta hibride e Rusisë nuk po kursen askënd. Me sa duket diplomacia amerikane e ka kuptuar vonë gabimin e zgjerimit të NATO-s në lindje, veprim i cili ka bërë që të deklarohej hapur armiqësia kundër Rusisë. Lufta në Ukrainë ndoshta është pasoja e kësaj vendimmarje të gabuar. Ballkani më shumë se kurrë po shfaqet si kazani etnik nacionalist, i cili zvarritet mes përplasjes së interesave të SHBA-ve, Rusisë dhe BE si një “sundim dhe një përjashtim” pa rrugëzgjidhje. Veprimet reale hibride të dipolomacisë ruse janë vet marketingu u fuqishëm që ajo zhvillon për të nxitur sherrin dhe përplasjet ndërshtetërore në këtë rajon, për një vatër të re zjarri për të zhvendosur vëmendjen nga çfarë po ndodh në Ukrainë. Dhe kjo metodë realisht po funksionon dhe po vepron përmes satelitit të bindur të saj, Serbisë.

Strategjia e palëve në konflikt politik po ndërtohet mbi bazën e realitetit të brendshëm që realisht funksionon sot në Ballkan. Në këtë çështje po nxiten orekse dhe preferenca të tjera. Në vendimarrjen politike duhet të llogariten edhe pasojat e kësaj nxitjeje, të cilat në çdo rast dhe kohë kërkojnë zgjidhje.

Pas ngjarjeve në veri të Kosovës, po përballemi me lëvzjet politike të diplomacisë amerikane (me pak të BE-së), e cila sipas metodologjisë së saj pragmatiste, nuk po merr në konsideratë me naivitet faktin që ky pragmatizëm nuk ka gjasa të funksionojë përballë psikologjisë së rajonit.

Situate e tensionuar në veri të Kosovës, pasiguria në gojën e zëdhënësit të DASH se, “SHBA-të nuk janë në gjendje të përballojnë një vatër të re zjarrin në Ballkan”, diktati i Eskobar mbi Qeverinë legjitime, heshtja e Tiranës zyrtare dhe ndarja në qëndrimet politike, kanë krijuar një situatë të brishtë sigurie në rajon.

Nëse në Kosovë mund të shpërthejë dhuna etnike, atëherë çështja e kufijve të saj në veri do të hap Kutinë e Pandorës, edhe pse ajo në mënyrë kronologjike sipas ngjarjeve më të rëndësishme të tre dekadave të fundit, pothuajse ka filluar të veprojë.

Deri sa të vendosen rregullat e reja të lojës në mundësinë e ndryshimeve me karakter global dhe rajonal, politika shqiptare duhet të orientohet me shumë maturi drejt vendimmarjes së përgjegjëshme për të garantuar paqen, sigurinë dhe stabilitetin. Por, çudia me të cilën politika shqiptare e shikon situatën, veçanërisht në Tiranën zyrtare, nuk është fantazi, por paaftësia e saj për ta shpjeguar atë, dhe më tej për të përfituar prej saj. Në këtë situatë fatkeqësisht Kosova nuk e ka Shqipërinë me vete. Një precedent kombëtar që nuk ka ndodhur kurrë më parë. Ka ardhur koha që në në raport me interesat e faktorit ndërkombëtar, politika shqiptare të kërkojë rrugët e integrimit gjithëshqiptar, për t’iu gjendur në këtë situatë pranë Kosovës. Politika shtetërore duhet të jetë politikë gjakftohtë, e cila duhet të ketë të qarta kriteret për t’u përfshirë në rrugët e vështira të gjeopolitikës dhe gjeostrategjisë rajonale e globale. Absolutizimi pozitivisht në disa drejtime gjeopolitike që janë jetësore për shtetet shqiptare dhe kombin në rajonin e Ballkanit Perëndimor, nuk është qëndrim antiperëndimor e as antiamerikan, por arsyetimi logjik mbi besueshmërië dhe garancinë që Aleanca dhe aleatët strategjik japin mbi sigurinë njerëzore, territoret dhe pasuritë e kombit shqiptar. Proamerikanzimi brenda klaneve të politikës shqiptare po shfaqet sot i turpshëm dhe pa dinjitet, duke tejkaluar frymën dhe detyrimin për mbrojtjen e vlerave të demokracisë, të interesave legjitime për të ruajtur tërësinë tokësore në kufijtë kombëtarë. Nëse siguria kombëtare do të vazhdojë të notojë e trubullt përballë kontradiktave që shfaqen, ndërthuren dhe përplasen midis shteteve aleate ku ajo ka mbështetur sigurinë e ekzistencës së saj, atëherë në çdo rast rrugëzgjidhjet do të mungojnë. Moszgjidhja e kontradiktave brenda sistemit të sigurisë shqiptare, ftohja e marrëdhënieve politike Tiranë – Prishtinë, prekin rëndë interesat e mëdha strategjike të kombit për ekzistencën dhe të ardhmen. Si mundet të bëhet një “projekt-draft” nga Tirana për Asosacionin në veri të Kosovës, duke anashkaluar institucionet e saj?! Më përpara duhet ditur se kush ia ka lënë në dorë Kryeministrit shqiptar këtë dokument!! Nëse problemet nuk trajtohen më parë politikisht nga institucionet kushtetuese, nuk ka se si t’u vijë radha veprimeve për të arritur qëllimet që i interesojnë Shqipërisë dhe kombit shqiptar në Ballkan. Vendimmarja nuk është atribut, personal, por një përgjegjësi e lartë bashkëpunimi dhe mbështetje reciproke. A ka Shqipëria institucione të tilla që të analizojnë me përgjegjësi situatat dhe të rekomandojnë rrugëzgjidhje që çojnë në mbrojtje të interesave kombëtare? Politika dhe Diplomacia shqiptare duhet ta kërcënojë Serbinë me tendencën e bashkimit të kombit, duke argumentuar pse shqiptarët duhet të bashkohen. Vetëm bashkimi kombëtar e tremb Serbinë. Të tjera nisma si “Ballkani i Hapur”, apo ecejaket pa vlerë, janë veprime të padobishme përballë psikologjisë së rajonit. Situata shkakton një ngarkesë shumë e madhe emocionale dhe politike në Tiranë dhe Prishtinë. Atëherë zgjidheni pak më thjeshtë, realizoni Referendumin për Asosacionin dhe mos diktoni në mënyrë të njënashme. Mos u bëni shkak i riciklimit nga e para të procesit të brendshëm politik (krizë politike në Kosovë), që do të shfuqizonte tërë marrëveshjet e arritura deri tani!! Në mendimin politik dhe pupulist shqiptar qëndrimi është i qartë. Nuk mund të merret shteti i Serbisë me të mirë për të ndryshuar kursin e tij gjeopolitik. Ky vlerësim buron ngë qëndrimi kostant i gjeostrategjisë amerikane, e cila i vlerëson pa lëkundje Rusinë dhe aleatin e saj satelit në Ballkan, Serbinë, si armiq dhe kundërshtarë. Kemi të drejtë të mendojmë se linja e qëndrimit ushtarak është shumë më e qartë përballë zgjidhjeve burokratike të padobishme të misionarëve, të cilët diktojnë deri me kërcënime pa asnjë të drejtë legjitime mbi një shtet dhe popull. Është kjo një arsye e fortë që qëndrimi Kurti – Osmani shfaqt i palëkundur. Me sa duket ata e kanë kuptuar mirë “tolerancën zero” përballë një regjimi prorus, përgjegjës për tre gjenodide mbi popujt e Ballkanit. I befasuar ndihet opinioni shqiptar nga qëndrimi i Sekretarit të Shtetit, i cili pas deklaratave të para edhe pse korrigjoi disi qëndrimin, tregoi se ai nuk e ka problemin me lëkundjen e autoritetit të DASH, por tek qëndrimi i palëkundur i përfaqësuesve legjitim të një shteti të vogël që ka rrëzuar në tokë imponimin. Kjo mund të kthehet në një sëmundje “ngjitëse” dhe si një rast specifik që nxit rrebelimin politik kundër padrejtësisë. Gjithçka që po vërtitet po shfaq natyrën e një intrige që po vë në provë durimin dhe nervozizmin e palëve. Me sa kuptohet, të gjitha varjantet janë të tavolinë dhe në këtë lojë skenarësh të pandershëm nuk po kalohen vijat e vendosura për çdo palë. Situata në veri të Kosovës ishte një kurth për politikën shqiptare. Zgjedhjet në veri u nxitën pa zbatuar rregullat ndërkombëtare të 20 % dhe u bojkotuan qëllimshëm për ta sjellë situatën deri në ndërhyrjen policore të shtetit në veri. Synimi për të shkëmbyer paqen më Kosovën Veriore është një mashtrim. Kurti hodhi hapat sipas rekomandimeve, por u gjend në kurthin e tyre. Do të duhej pak kohë të kuptonte se shteti nuk do të lejonte dhe nuk mund të bëhej shkak që Serbia të ndërmerrte një aventurë ushtarake, duke e ditur që në Kosovë do të atakohej me NATO-n. Nuk është kaq e thjeshtë një situatë e tillë, kur rajoni pa dallime gjendet i militarizuar.

Por çdo e keqe e paska dhe një të mirë. Do të duhej kjo situatë që faktori ndërkombëtar të kuptonte se kush është në fakt shteti i Serbisë. Do të duhej ta ndjente dhunën kriminale mbi trupat e KFOR prej huliganëve dhe paramilitarëve vangeristë, për të kuptuar se kush është Serbia dhe kush nxit pas saj. Fjalët janë të tepërta. Kemi të bëjmë me territorin e shtetit të Kosovës, nën juridiksionin e sigurisë së SHBA-ve dhe NATO-s. Marrja në kontroll, krehja dhe pastrimi i territorit nga bandat kriminale, vendosja e rregullave të sigurisë publike në bashkëpunim me institucionet e sigurisë së Kosovës, janë veprime legjitime. Çfarë pengon që situatë të jetë e qetë dhe nën kontroll?! Sigurisht lënia e situatës qëllimisht në këtë nivel, nxiti reaksionin e shtetit shqiptar.

Shtetet shqiptare (Shqipëri, Kosovë) për gjendjen e dobët të sigurisë që shfaqin në raport me shtetet e tjera të rajonit ballkanik, me politika të paafta po përpiqen të fshihet pas fuqisë së SHBA-ve dhe të NATO-s, duke e cilësuar ata si aleatin e vetëm strategjik për interesat e tij.

A mund të vlerësohet kjo si zgjidhje e çështjeve të sigurisë kombëtare për shtetet dhe kombin shqiptar? A mund të besohet sot në udhëheqjen e fuqive të mëdha, të cilat nuk kanë miqësi të përjetëshme, por vetëm interesa të përjetëshme?

Mjaftë më me sytë nga qielli duke pritur Godonë. Është koha të nxjerrim mësime dhe të ndryshojmë.

Tiranë 08.06.2023


Spread the love


Leave a Reply