Një vëzhgim mbi frontin ajror të luftës Rusi-Ukrainë

Spread the love

Një vëzhgim mbi frontin ajror të luftës Rusi-Ukrainë

Nga Dritan GOXHAJ

Tashmë jemi në javën e 19 të luftës në Ukrainë. Një luftë kjo që është zhvilluar kryesisht në dy fronte, në atë ajror dhe në frontin tokësor. Fronti ajror është fronti në të cilin të dyja forcat, si ato ukrainase edhe ato ruse kanë treguar një kapacitet të jashtëzakonshëm.

Le ta shohim pak më me vëmendje se si është zhvilluar kjo luftë e tyre në frontin ajror.

Për të kuptuar edhe më mirë atë, duhet të kemi parasysh se sipas teorisë së luftës ajrore, kontrolli i qiejve nga një prej palëve ndërluftuese ushtrohet nëpërmjet pesë fazave të intensitetit të cilat janë:

Faza e parë – Paaftësia ajrore, është faza gjatë së cilës forcat ajrore sulmuese nuk e kanë ende as kontrollin më të vogël të hapësirës ajrore të kundërshtarit.

Faza e dytë – Mohimi ajror, është faza në të cilën sulmuesi e gërryen në mënyrë progresive kontrollin e hapësirës ajrore të kundërshtarit, duke e penguar atë ta ushtrojë mbrojtjen ashtu si dëshiron.

Faza e tretë – Barazia ajrore, është faza në të cilën të dyja palët luftojnë për kontrollin e kësaj hapësire ajrore, po ku asnjëra nuk e ka në mënyrë të plotë kontrollin.

Faza e katërt – Superioriteti ajror, është faza në të cilën sulmuesi e rrëmben plotësisht kontrollin e hapësirës ajrore të kundërshtarit, duke pasur aftësinë e plotë për të goditur në 360 gradë.

Faza e pestë – Supremacia ajrore, është faza finale ku sulmuesi i ka hequr mbrojtësit të gjithë aftësinë mbrojtëse duke e bërë kundërshtarin totalisht jo efektiv.

Tani në këtë javë të 19-të situata përkon me fazën e fundit të kësaj teorie. Tashmë Forcat Ajrore Ruse kanë totalisht nën kontroll qiejt e Ukrainës dhe ushtrojnë dominimin e tyre si nga ana strategjike edhe nga ana taktike.

Po si u arrit deri këtu?

Gjatë dy javëve të para të luftës, Forcat Ajrore Ruse e përqëndruan aktivitetin dhe goditjen e tyre në pjesën Lindore, Jugore dh Veriore të Ukrainës, duke lënë jashtë goditjes dhe aktivitetit të forcës së tyre gjithë pjesën Perëndimore të Ukrainës.

Në doktrinën e tyre ushtarake të hartuar në vitin 2014, rusët e vënë theksin në dimensionin taktit të përdorimit të aviacionit, për atë që ata e konsiderojnë si “Roli i artilerisë ajrore”.

Dhe gjithë kjo përpjekje e tyre shfaqet në dy drejtime.

I pari përgjatë vijës së frontit dhe i dyti në fushatën ajrore me rreze të gjatë veprimi për të shkatërruar infrastrukturën, ekonominë dhe kompleksin industrial dhe prodhues të Ukrainës.

Ajo që e vërteton qartësisht theksin e dimensionit taktik të Forcave Ajrore Ruse është fakti se në qiejt sipër qyteteve ukrainase që ndodhen në vijën e parë të frontit, rusët mbajnë në fluturim gjatë gjithë kohës 10-15 avionë të armatosur, të gatshëm që të ndërhyjnë në çdo kohë, për të ofruar jo vetëm mbulim por edhe mbështetje taktike, direkt të trupave në terren.

Për të bërë këtë, rusët gjatë gjithë kësaj lufte kanë përdorur avionët e tipit Su- 27/ 30/33/34/35, të cilët i kanë të gjithë kapacitetet teknike të mundshme për të kryer misione të tilla afatgjata dhe në lartësi të ndryshme.

Gjatë fazës së parë operacionale këta avionë ishin ndarë sipas detyrave të ndryshme operative ku avionët Su-27 dhe Su-35 ofronin mbrojtje ajrore nga lartësia, avionët Su-30 dhe Su-34 përdoreshin për të goditur objektiva të rëndësishëm në thellësi të forcave ukrainase, ndërsa avionët Su-25 përdoreshin për të mbështetur direkt trupat në luftim sipas kërkesës së tyre.

Për të arritur që të koordinojnë këtë veprimtari operacionale të këtyre avionëve, aktualisht Forcat Ajrore Ruse mbajnë në ajër gjatë gjithë kohës deri në 4 avionë radar të tipit AEW&C Beriev A-50 si dhe të tipit Ilyushin-76. Këta avionë fluturojnë gjatë gjithë kohës mbi hapësirën ajrore ruse dhe atë bjelloruse në një distancë 70-100 km nga kufiri me Ukrainën, në mënyrë që të qëndrojnë jashtë rrezes së ndonjë baterie kundërajrore të tipit S-300, që mund ti ketë mbijetuar sulmeve të forcave ruse.

Këta avionë të cilët kanë mbi kurrizin e tyre një radar me diametër 9m të tipit “VEGA-M”, kanë aftësinë të indentifikojnë objektiva ajrorë në një largësi prej 600 km, objektiva detarë në një largësi 400 km dhe objektiva tokësorë në një largësi prej 300 km. Gjithashtu ata janë në gjendje që të mbajnë nën vëzhgim deri në 150 objektiva njëherësh, duke përfshirë këtu edhe grumbullime të mëdha të forcave të mekanizuara ukrainase në tokë.

Pasi e bëjnë identifikimin e objektivave, atëherë ua kalojnë ata avionëve të tjerë të tipit Ilyushin-20M/22M/22P si dhe Tupolev-214R, të cilët kanë sisteme dhe sensorë të posaçëm për të bërë analizën e objekteve në veçanti dhe për të monitoruar aktivitetin e Shtabeve të Ushtrisë Ukrainase në terren, si dhe më pastaj t’ia dërgojnë këto të dhëna Shtabit të Përgjithëshëm të Ushtrisë Ruse, i cili përcakton këtu objektivat e nivelit strategjik, ndërsa për pjesën tjetër të objektiva që nuk janë cilësuar strategjikë, të dhënat iu kalojnë direkt formacioneve në terren ose në ajër për të bërë goditjet sipas nevojave opercionale dhe prioriteteve.

Për të arritur në gjithë këtë, rusët në fillim gjatë konsumimit të fazës së parë të kësaj lufte ajrore lëshuan sasi të mëdha të dronëve të tipit ENIKS E95M, me qëllim që të përcaktonin dislokimin e forcave kundërajrore ukrainase dhe pastaj t’i godisnin ato. E gjithë kjo taktikë u zhvillua në dy javët e para të luftës dhe rezultoi të ishte një sukses për forcat ruse.

Në fillim të javës së tretë, forcat ukrainase arritën të evidentonin gjurmën që linte ky lloj droni në ajër dhe e injoruan atë totalisht, duke u përqëndruar në gjurmë më të mëdha, duke i shkaktuar forcave Ajrore Ruse disa humbje të konsiderueshme.

Në fillim të javës së katërt, Forcat Ajrore Ruse ndërruan taktikë. Ato filluan të përdorin një taktikë të kopjuar nga forcat azerbajxhanase në luftën e tyre të fundit kundër Armenisë në rajonin e Nagorno-Karabakut.

Ato lëshuan në ajër avionë të tipit An-2 të telekomanduar nga toka, pra duke i përdorur ata si dronë, por duke iu montuar atyre një aparaturë që imitonte zhurmën e avionëve të mëdhenj. Duke hyrë kështu në fazën e dytë e të tretë të teorisë, në atë të mohimit ajror dhe barazisë ajrore.

Duke mos arritur që t’i dallonte këta avionë, Mbrojtja Ajrore Ukrainase u gjend sërish nën sulmin e Forcave Ajrore Ruse, duke pësuar dëme të konsiderueshme mbi ato bateri kundërajrore që kishin arritur t’i shpëtonin valës së parë të sulmit.

Pasi ukrainasit e mësuan edhe kësaj rradhe mësimin e tyre të përgjakshëm, atëherë ata filluan të injorojnë edhe avionët An-2 dhe të lëvizin bateritë e tyre shpesh dhe të godisnin vetëm atëherë kur arrinin të shihnin avionë rusë në ajër.

Në fillim të javës së tetë rusët pasi e panë se kjo taktikë nuk po jepte rezultatet e parashikuar prej tyre, vendosën që të ndërrojnë taktikë për herë të tretë.

Kësaj rradhe ata lëshuan në ajër në fluturim avionët e tipit Su-30 dhe Su-34 të pajisur me aparaturë speciale të tipit SAP-14 dhe SAP-518 për bllokimin e valëve të raketave të tipit SAM, si dhe identifikimin e baterive të tyre mbi bazë të rrezatimit që ato lëshojnë dhe pastaj duke i asgjësuar ato me raketa që ndjekin këtë vijë rrezatimi.

Në javën e 10-të ukrainasit sërish vendosën të mbrohen por kësaj rradhe duke hequr dorë nga sulmi ndaj avionëve rusë dhe u përqëndruan totalisht kundër helikopterëve. Dhe për nja dy deri në tre javë arritën që të shkaktojnë dëme serioze ndaj helikopterëve të forcave ruse.

Këtu hymë në fazën e katërt të teorisë, në superioritetin ajror.

Duke qënë se jemi te helikopterët, ia vlen të theksohet se në këtë luftë, forcat ruse i kanë përdorur helikopterët në mënyrë intensive dhe masive që nga dita e parë e luftës dhe vazhdojnë edhe sot.

Përdorimi i tyre në mënyrë të përgjithësuar, si për transport trupash, operacione taktike të goditjes së objektivave dhe të mbështetjes së trupa direkt në terrenin e luftimit, përbën deri më sot përdorimin më masiv të këtij mjeti në një konflikt intensiv lufte konvencionale në krahasim me të gjithë konfliktet e tjerë që pas Luftës së Dytë Botërore.

Në javën e 12-të dhe të 13-të, rusët duke parë që ukrainasit ndryshuan taktikë, atëherë ata për herë të katërt në fillim të javës së 15-të të kësaj lufte hodhën në veprim një taktikë të re.

Këtë radhë rusët vendosën që të lëshojnë në ajër sasi të ndryshme dronësh, deri në 10 lloje të ndryshme të identifikuar deri më tashti nga 20 të tillë që kanë në përdorim forcat ruse, të aftë për të bërë identifikimin e vendndodhjes së forcave ukrainase duke ia kaluar të dhënat direkt avionëve radarë, të cilët më pas duke bërë analizimin e tyre iu japin objektivat avionëve rusë në ajër.

Edhe në këtë rast vlen të theksohet se doktrina ruse e Forcave Ajrore ndryshon totalisht nga ajo Perendimore, pasi te forcat ruse pilotit nuk i jepet objektiv por vetëm koordinata. Më pas ai i fut këto koordinata në kompjuterin e bordit të avionit dhe lëshon raketën, pa ditur se çfarë është duke goditur realisht. Ndërkohë që komanda në ajër dhe ajo në Shtabin e Përgjithshëm kanë dijeni të plotë për objektivin. Kjo është bërë nga rusët për të eleminuar totalisht refuzimin e pilotëve për moszbatimin e ndonjë urdhëri, siç ka ndodhur gjatë luftës në Afganistan dhe në Ҫeçeni.

Tashmë prej javës së 15-të, fronti ajror nuk ka ndryshuar taktikë nga asnjëra palë, ndoshta edhe ngaqë pala ukrainase tashmë e ka humbur totalisht aftësinë për të rrezikuar ose cënuar operacionet ajrore të forcave ruse, pasi mbrojtja kundërajrore ukrainase është bërë totalisht joefektive.

Tashmë lufta ka hyrë në fazën finale të teorisë, atë të supremacisë ajrore. Këtë e konfirmon edhe kërkesa e presidentit ukrainas ndaj vëndeve të NATO-s “për t’u pajisur me sisteme kundërajrorë të rinj në mënyrë që të arrijmë të pengojmë operacionet ajrore ruse mbi Ukrainë”.

Ashtu si e thashë edhe në fillim, fronti i luftës ajrore është ai ku forcat ruse kanë arritur të marrin rezultatet më të larta dhe të arrijnë suksesin operacional. E gjitha kjo për arsye të eksperiencës që këto forca kanë në raport me forcat e tjera ruse në teatrin e kësaj lufte.

Sipas një raporti të bërë publik në vitin 2018 nga vetë Ministria e Mbrojtjes e Rusisë, 2/3 e gjithë pjestarëve të Forcave Ajrore Ruse kanë marrë pjesë në operacionet ushtarake në Siri kundër Shtetit Islamik, në vitet 2015-2018.

Gjithashtu është evident tashmë edhe në këtë front, dështimi total i inteligjencës së vendeve perëndimorë, të cilët që nga fillimi i luftës e akoma edhe sot, vazhdojnë të propagandojnë se forcave ajrore ruse po iu mbarojnë raketat, gjë kjo që është hedhur poshtë nga Zëvendësministri i Mbrojtjes dhe Zëvendës-Shefi i Shërbimit Sekret të Ukrainës në një intervistë më datë 15 Qershor në gazetën Britanike “The Guardian” që pohonte se “rusët lëshojnë 10-14 raketa çdo ditë mbi objektivat ushtarakë ukrainas”.

Pra rusët tashme e kanë arritur fazën e pestë të teorisë së luftës ajrore, Supremacinë ajrore. E gjitha kjo do të thotë se tashmë në aspektin taktik dhe praktik, forcat ruse janë në gjendje të ushtrojnë operacione ajrore të niveleve të ndryshme në të gjithë territorin e Ukrainës, pa u penguar nga dhe cënuar seriozisht nga forcat ukrainase. Kjo nuk tregon domosdoshmërisht se mbrojtja kundërajrore e Ukrainës është shkatërruar e gjitha, por tregon që në këtë moment ajo nuk është në gjendje që të funksionojë dhe t’u shkaktojë dëme rusëve. Por nga ana tjetër, kjo nuk do të thotë që në të ardhmen ata të mund të mos përdorin atë mbrojtje që u ka mbetur në mënyrë inteligjente dhe kreative, dy karakteristika këto të cilat forcave ukrainase nuk iu kanë munguar gjatë betejës ajrore për 15 javë.

Kjo përballje midis tyre, na tregoi se si ukrainasit edhe rusët në këtë betejë ajrore treguan një fleksibilitet të lartë, një kapacitet të madh për inovacion dhe zhvillim në teatrin e luftës, një përgatitje të lartë taktike dhe teorike, si dhe një guxim dhe aftësi të madhe në një luftë që nga çdo ushtri llogaritet si ndër më të vështirat.

Kjo luftë në frontin ajror mes këtyre dy kundërshtarëve të denjë për njëri-tjetrin vërtetoi edhe njëherë atë që Field Marshalli Von Moltke thoshte: “Armiku ka gjithmonë në dispozicion tre opsione dhe në përgjithësi do të zgjedhë të katërtin. Përshtatjen e vazhdueshme sepse “tjetri” mbetet i paparashikueshëm”.

P.S. Do të doja që të paraqisja shifra të sakta të humbjeve në këtë front ajror, por duke qënë se është e pamundur, po i paraqes ato nga dy subjekte. 1) Shtabi i Përgjithëshëm i Ushtrisë Ukrainase raporton: Rusët kanë humbur 156 avionë, 138 helikopterë dhe 102 dronë të ndryshëm. 2) Pentagoni bazuar mbi fotot dhe videot e marra në frontin e luftës dhe të nxjerra në rrjete të ndryshme sociale, duke bërë analizën e tyre raporton: Rusët kanë humbur 19 avionë, 38 helikopterë dhe 31 dronë të ndryshëm.


Spread the love


Leave a Reply