Roli i Kinës në përfundimin e krizës në Ukrainë

Spread the love

Roli i Kinës në përfundimin e krizës në Ukrainë

Nga Greg Pence  [ Eurasiareview],

Për herë të parë në më shumë se njëqind vjet, kriza e Ukrainës ka hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet kino-amerikane, një pjesë e rëndësishme e të cilit është mënyra dhe shtrirja e ndikimit të Perëndimit në Pekin. Politika e jashtme e Kinës bazohet historikisht në unitetin dhe kohezionin e brendshëm dhe është menaxhuar me një qasje të balancuar në të gjithë sektorët politikë, ekonomikë dhe të sigurisë, me qetësi, por me forcë, me koston më të vogël dhe arritjen më të madhe për sfidat e politikës së jashtme. Megjithatë, në një kohë kur Pekini është i fiksuar pas zhvillimeve në Tibet, Turkistanin Lindor dhe Tajvan dhe po kërkon të forcojë komandën dhe monitorimin e tij mbi periferinë e tij, shpërthen kriza në Ukrainë dhe Rusia, si partneri i saj më i rëndësishëm strategjik, është nën kërcënimin konstant nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa.

Rusia mbështetet tek Kina dhe pretendon për të vendosur bashkëpunim reciprokisht të dobishëm me vendet perëndimore dhe për të rindërtuar fuqinë e saj historike, duke rregulluar marrëdhëniet me to. Megjithatë, kriza e Ukrainës ka rezultuar me ndryshimin e lojës, pasi ka sfiduar seriozisht politikën e jashtme të Kremlinit, e cila deri më tani është fokusuar në qëndrueshmërinë ndaj presionit të sanksioneve të huaja dhe ndalimin e zgjerimit të NATO-s. Rusia ishte në ndjekje të mbështetjes së multilateralizmit me Kinën, por ngeci në Ukrainë pasi i gjithë Perëndimi u ngrit kundër saj, deri në atë masë sa Putini po kërcënon të përdorë armë bërthamore.

Shtetet e Bashkuara, lidershipi global i të cilave është në rënie, e dinë mirë faktin se Kina, për shkak të politikës dhe sigurisë së saj të jashtme të bazuar në paqe dhe realizëm, si dhe nga përdorimi i teknologjive hibride në tregti dhe ekonomi, mbetet një rival i ashpër.

Shtetet e Bashkuara janë gjithashtu të vetëdijshme për faktin se sot Kina është i vetmi vend në botë që mund të ndjekë politikat e saj rajonale dhe globale në të gjitha pjesët e botës përmes marrëdhënieve racionale politike dhe tregtare dhe të arrijë partneritete strategjike.

Kriza e Ukrainës është aktualisht çështja më e rëndësishme strategjike midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, pasi ajo ka mjegulluar këndvështrimin e marrëdhënieve midis Pekinit dhe aleancës perëndimore. Për Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n, pyetja kryesore është se deri në çfarë mase dhe për sa kohë Kina do t’i japë mbështetje politike ose ekonomike Rusisë në krizën e Ukrainës? Gjithashtu, nëse kriza në Ukrainë vazhdon, a do të bashkojë Pekini forcat me Moskën për të krijuar një aleancë kundër Perëndimit për të ndaluar zgjerimin e NATO-s dhe për të mbrojtur sferën e vet të ndikimit në rajonin Indo-Paqësor? Apo do të distancohet nga Rusia dhe do të fokusohet më shumë në lidhjet e saj ekonomike në rritje me Perëndimin?

Mediat perëndimore po transmetojnë propagandë për të nxitur njerëzit të besojnë se rusët po shkojnë drejt disfatës dhe ushtria e tyre as nuk mund të plotësojë nevojat e saj logjistike dhe as nuk mund të tërheqë forcat e saj nga Ukraina. E gjithë kjo propagandë është për të përhapur mosbesim ndaj Moskës në marrëdhëniet ndërkombëtare. Kjo përfundimisht mund t’i shtyjë vendet e tjera të vendosin se në cilën pikë do të rishqyrtojnë marrëdhëniet e tyre me Moskën.

Pa dyshim, zinxhiri i ngjarjeve dhe kërcënimeve reciproke në krizën e Ukrainës do të shkojë deri aty sa të sfidojë edhe Kinën si partner strategjik të Rusisë. Ndërsa politika e jashtme e Kinës deri më tani ka qenë paqësore dhe zhvillimore me ligjërim racional, Perëndimi dhe NATO do të bëjnë presion ndaj Pekinit për ta përshtatur atë ndaj Rusisë dhe komunitetit ndërkombëtar në mënyrë që ajo të jetë më e lidhur me interesat e tyre. Por ende mbetet për t’u parë nëse Shtetet e Bashkuara do të rrezikojnë një luftë tjetër duke mbështetur Tajvanin dhe duke rritur tensionet me Kinën.

Një tjetër shqetësim i madh për SHBA-në dhe Perëndimin, në përgjithësi, është aleanca midis Kinës dhe Rusisë. Kjo aleancë mund të krijojë një shesh strategjik nga Azia Lindore në Euroazi, Kaukazi dhe Lindjen e Mesme dhe të përfshijë vende si Siria, Iraku, Irani, Afganistani dhe Pakistani gjithashtu. Këto vende mund të formojnë një koalicion real dhe strategjik nëpërmjet kapaciteteve dhe burimeve të tyre shkencore, veçanërisht në sektorët e teknologjisë së lartë dhe të energjisë, dhe të zmbrapsin kërcënimet dhe të margjinalizojnë vlerat e demokracisë liberale. Kina dhe Rusia kanë vërtet nevojë për tregun perëndimor për zhvillimin e tyre ekonomik, por krijimi i një aleance politike dhe të sigurisë mund të garantojë tregtinë dhe sigurinë e tyre në një pjesë të madhe të planetit për sa i përket popullsisë, territorit dhe burimeve.

Kështu, një tjetër synim strategjik i Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s në krizën e Ukrainës është të detyrojnë Kinën të ndjekë interesat e saj vetëm nëpërmjet Perëndimit. Nëse pozicioni strategjik i lartpërmendur dobësohet, Shtetet e Bashkuara dhe NATO do të kenë nevojë për shumë më pak fuqi ekonomike dhe ushtarake për t’iu kundërvënë Kinës.

Është e rëndësishme të theksohet se ekzistenca dhe qëndrueshmëria e sistemit liberal-demokratik, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania, varet shumë nga ekzistenca e kërcënimeve dhe luftërave reale ose të sajuara. Ndërsa këto vende kanë më shumë armë të shkatërrimit në masë, kanë qenë tregtarët më të mëdhenj të armëve në mbarë botën dhe kanë shkaktuar luftëra brutale dhe të pafundme në njëqind vitet e fundit, ata gjithmonë kanë fajësuar të tjerët për pasigurinë dhe paqëndrueshmërinë e sigurisë globale dhe kanë ushtruar presionin më të madh ndaj Rusinë dhe më pas edhe ndaj Kinës. Kështu, nevoja strategjike për ndryshimin e rendit global kërkon që Pekini, si i vetmi vend neutral efektiv me aftësi politike dhe ekonomike, të kontribuojë në zbutjen e tensioneve në krizën e Ukrainës dhe parandalimin e përhapjes së dezinformatave dhe lajmeve të rreme.

Nga të gjitha vendet në botë, vetëm Kina, me besueshmërinë e saj ndërkombëtare dhe racionale midis vendeve të botës, mund të ndërmjetësojë mes dy palëve për t’i dhënë fund krizës së Ukrainës dhe për të sjellë paqen dhe sigurinë në Evropë dhe në botë nëpërmjet diplomacisë dinamike.

                                                                                      [Përktheu: ISHGJ]

__________

* Greg Pence është i diplomuar për studime ndërkombëtare në Universitetin e San Franciskos dhe bashkëpunëtor i rregullt i revisëts Eurasiareview.


Spread the love


Leave a Reply