Shamia – simbol i imperializmit kulturor neootoman e panarab

Spread the love

Nuk është e rastësishme pse puçet alibia e drejtuesve dhe autorëve real të “Aksionit për shaminë” me atë të Alexander Dugin-it, filozofit të oborrit të Presidentit rus Vladimir Putin.
Ka ardhur koha që në hapësirën shqiptare të rikthehet fryma e Rilindjes Kombëtare në formën jo vetëm të një lëvizje intelektuale e kulturore.

Nga Dr Sadri RAMABAJA

Në Mesjetë, në përballjen e Europës me invazionin osman dhe me këtë akt edhe me ideologjinë kulturore- religjioze që e shoqëronte atë perandori (dhe islamin), ishin shqiptarët ata që po shndërroheshin në luftëtarë të vjës së parë, respektivisht mburojë e civilizimit perendimor. Kjo  nuk ishte diç e rastësishme; shqiptarët ishin ekstremi lindor i këtij civilizimi. Aty ku nuk kishte më shqiptarë, përfundonte civilizimi perendimor. Siç na mëson Pjetër Bogdani, sllavët (serbët) prandaj e quanin katolicizmin si “Arbanashka vera” [Feja e arbërve].
Duke shkaktuar çarjen e dytë të unitetit shpirtëror e kulturor (pas asaj të parës që ishte bërë me ndarjen e Kishës – 1054),  përmes konvertimit të dhunshëm e masiv, që do të bëhej sidomos brenda shekujve XVII e XVIII-të, islami do të shndërrohet për një pjesë të mirë të popullsisë shqiptare në pjesë përbërëse të identitet të vet, që me kalimin e kohës, duke u gërshetuar me identitetin kulturor turk e arab, do ta përmbysë e tëholloj së tepërmi identitetin burimor shqiptar.
Kjo tendencë, së paku që nga ngritja e Medreses së Madhe në Shkup (1921) e këtej, do të shndërrohet në strategji serbe për të dobësuar identitetin kombëtar të qytetarëve shqiptar të konvertuar në islam.
Kjo strategji herë me shumë sukses e herë me më pak, do të ushtrohet për gadi gjithë shek. XX-të.
Por, që kjo strategji të riformatohet dhe marrë hov pas çlirimit  të Kosovës, sidomos në dekadën e fundit, përmes ngritjes vend e pa vend të xhamive (që de fakto mund të cilësohen si kazerma ushtarake të Islamit politik) dhe indoktrinimit të thellë të brezit të ri, duke e shndërruar femrën shqiptare në cak të sulmit të parë, ka qenë vështirë e paramendueshme.

Ndërkohë derisa Kosova dhe shqiptarët në MV, pa i përjashtuar edhe hapësirat tjera shqiptare, janë shndërruar në arena luftimi të vijës së parë të imperializmit kulturor panarab e neootoman, ne si Komb po përballemi edhe në frontin tjetër – kundër imperializmit rus, që e ka shndërruar Serbinë si qendër mësymjeje antishqiptare dhe antiperendimore.

Dalja në skenë pikërisht tani me kauzën rreth SHAMISË, respektivisht mbulesës së femrave në shkollat fillore dhe të mesme, flet shumë se në shërbim të cilës axhendë vihet një pjesëe e mirë e BIK-ut dhe tok me ta edhe një lagje politikanësh pa identitet të mirëfiltë kombëtar e politik.
Por ndërkohë kjo “çështje” është bartur edhe në Tiranë e Shkup.


Çështja e shamisë është një çështje e stisur nga qarqet e Islamit politik. Këto qarqe po keqpërdorin momentin e ndjeshëm politik që ndërlidhet me dialogun me Serbinë dhe përplasjen mes opozitës dhe pozitës. Qëllimi është të dobësohet kohezioni kombëtar, pozicioni ynë i forcuar edhe si rezultat i agresionit rus në Ukrainë dhe të rrëzohet qeveria. 
Për kombin tonë çështja e shamisë duhet parë në këtë kontekst, prandaj ajo nuk është aspak

çështje ligjore, por çështje fundamentale kulturore dhe identitare.

Ky aksion subversiv i imperializmit kulturor neootoman e panarab do të ishte një histori thjesht

komike, po të mos ishte dinamika gjeopolitike e luftës dhe agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës dhe natyrisht objektivat ruse për pregaditjen e terrenit për intervenim edhe në Ballkan.
Kështu disi, si prijësit e këtij aksioni në Prishtinë, kishte gjykuar edhe Vladimir Dukanoviç, një deputet nga Partia Progresive Serbe në pushtet, i cili përmblodhi arsyetimin e Rusisë për aneksimin e veriut të Kosovës dhe Republikës Serbska: “Serbia mund të detyrohet të marrë pjesë në ‘denazifikimin’ e Ballkanit”.

Nuk është e rastësishme pse puçet alibia e drejtuesve dhe autorëve real të “Aksionit për shaminë” me atë të Alexander Dugin-it, filozofit të oborrit të Presidentit rus Vladimir Putin: “Ne luftojmë kundër të keqes absolute siç është mishëruar në qytetërimin perëndimor, në hegjemoninë e tij liberal-totalitare dhe në nazizmin ukrainas…”

Si një lojtar kryesor në këtë luftë të heshtur që po ushtron imperializmi kulturor neootomoan e ai pan arab, qendrat si Ankaraja, Amani…  përmes përfaqësuesve të tyre, po ndërhyjnë jo vetëm në Kosovë dhe gjithandej në hapësirën shqiptare, por edhe në Bosnjë.  Fatkeqësisht, politika shqiptare dhe jo vetëm ajo, por edhe e majta perëndimore dhe pacifistët gjithandej në Europë, kanë zgjedhur ta injorojnë këtë akt. Prandaj dominon një lloj heshtjeje përballë dimensionit gjeopolitik të projektit të “deshqiptarizimit” alias “denazifikimit” siç do ta cilësonin serbët e rusët, këtë akt të agrsionit të imperializmit kulturor neootoman e pan arab në Kosovë dhe më gjerë.

Politikanët tanë “të moderuar”, tok me të ashtuquajturit “pacifistë” perëndimorë, tutje  hezitojnë të ndërmarrin çfardo veprimi  për “demonizimin” e Erdoganit, disi ngjashm siç kishin vepruar me Putinin para se ta pshtojë një pjesë të mirë të Ukrainës (2014).  Në fakt, ne, në radhë të parë shqiptarët, duhet të bëjmë pikërisht të kundërtën: agresionin kulturor që po e përjetojmë për gadi tri dekada  gjatë gjithë procesit tranzicional të demokracisë, na detyron të ridemonizojmë Erdoganin dhe liderët e veçantë arab,  si eksponentë të një projekti të rrezikshëm gjeopolitik dhe ideologjik.
Sa më heret, aq më mirë.

Në këto rrethana detyra e shkencës është ta zhveshë këtë problematikë deri në palcë, duke e bërë atë sa më transparente, e të qartë edhe për opinionin e gjerë. Heshtja dhe futja e kokës në rërë, intelektualët dhe politikanët me dinjitet, do t’i shndërrojë në specie të ngjashme me strucin.

Universiteti i Prishtinës në vitet më të mira të tij, ka qenë një vend i debatit të gjallë, politik-ideologjik. Është momenti që duke trajtuar fenomene të kësaj natyre, ai dhe universitetet tjera githandej në hapsirën shqiptare, të rikthehen sërish në jet, të gëlojnë në kuptimin e mirëfilltë të të qenunit universitete, duke mos lënë anash për asnjë çast rritën e tyre në rrafshin  përmbajtjesor-shkencor.

Studimet etimologjike, historike, antropologjike etj. pra Studimet kulturore, nëse mund t’i përfshijmë të gjtha nën një emër, duke I bërë rezultatet të qasshme për qytetarët gjithandje, janë arma më e fuqishme kundër intencës së imperilizimit kulturor neootoman e panarab n plan afatgjatë.

Kjo betejë ka të bëjë me të menduarit për dallimet, njohjen e ambivalencave dhe strategjisë bazë imperiale. Ka ardhur koha që në hapësirën shqiptare të rikthehet fryma e Rilindjes Kombëtare në formën jo vetëm të një lëvizje intelektuale e kulturore, por pse jo edhe politike. Po insistoj për frymën e Rilindjes Kombëtare edhe në rrafshin intektual e kulturor, meqë kjo Lëvizje në vetvete duhet të konceptoj strategjinë mbrojtëse nga ky atak kulturor të cilit po I nënshtrohen një pjesë e mirë Kombit tonë, duke e shndërruar këtë akt në nevojë dhe mënyrë rrojtjeje e të menduari.


Spread the love


Leave a Reply