Si i ndihmuan serbët osmanët të pushtonin Ballkanin?

Spread the love

Si i ndihmuan serbët osmanët të pushtonin Ballkanin?
Elitat politike të Serbisë dhe Perandorisë Osmane i përkisnin botëve jashtëzakonisht të ndërthurura

Në blogun e tij në cilësinë e të ftuarit, historiani Oliver Jens Schmitt analizon politikën serbe në shekujt 14 dhe 15.

Nga Dr Oliver Jens Schmitt

Beteja e Fushës së Mëllenjave të Zeza në ditën e Shën Vitusit (28 qershor) 1389 është pika referuese e kujtesës në kulturën serbe. Në atë kohë, një ushtri serbo-boshnjake iu kundërvu osmanëve nën drejtimin e sulltan Muratit I. Murati I u vra nga një luftëtar serb i quajtur Millosh (K)Obiliq, princi serb Lazar Hrebeljanoviç u kap dhe u ekzekutua. Vijat e frontit politik ishin të qarta, këtu ushtria e krishterë e princit Llazar dhe e mbretit boshnjak Tvrtko I Kotromanić, të cilët nuk morën pjesë vetë në betejë, por i dërguan Firences mesazhin e fitores; dhe atje osmanët, të cilët kishin pushtuar pjesë të mëdha të Ballkanit lindor që nga viti 1354. Në kulturën serbe të kujtesës, kujtimi i luftës kundër “turqve” (që do të thotë myslimanëve, e më pak turq në kuptimin etnik) ruhet deri më sot. Bashkëkohësit e betejës tashmë i kishin kënduar këngë veprave heroike të luftëtarëve të krishterë dhe menjëherë pas betejës Llazari u adhurua nga Kisha Ortodokse si dëshmitar i besimit, respektivisht person i shenjtë.

Në realpolitikë, megjithatë, pas vitit 1389 elitat serbe duhej t’u ofronin osmanëve një ndihmë vendimtare në nënshtrimin e mëtejshëm të Ballkanit. Dhe pak mbahet mend për të deri më sot. Mjafton një vështrim në burimet dhe librat e historisë për të vërtetuar se në të gjitha momentet fatale të historisë osmane nga viti 1389 deri në rënien e despotatit (principatës) serb në 1459, fisnikët serbë ndërhynë në favor të osmanëve dhe kundër kundërshtarëve të krishterë të osmanëve.

Humbja e kryqtarëve

Në vitin 1395, princi ortodoks i Vllahisë (Rumania e sotme jugore) Mirçea i Vjetër në Rovine kundërshtoi Sulltanin osman Bajazid I. Fitorja osmane u arrit kryesisht nga fisnikët serbë që shërbyen si vasalë në ushtrinë osmane, veçanërisht nga Marko Kraljević. Në kujtesën serbe ai është hero i luftës kundër osmanëve, në realitetin historik ka luftuar dhe ka rënë si vasal në krah të tyre.

Një vit më vonë, në 1396, mbreti hungarez Sigismund i Luksemburgut kishte mbledhur një ushtri të madhe, duke përfshirë fisnikë nga gjysma e Evropës, të cilët donin t’i shtynin osmanët nga Ballkani me një shtytje në zemër të sundimit osman, në hapësirën e Bullgarisë së ditëve të sotme. Një betejë shpërtheu në Nikopol në Danub, e cila u vendos nga ndërhyrja e kalorësve të blinduar serbë nën drejtimin e Stefan Lazareviçit, djalit të Princit Llazar, të cilit osmanët ia kishin prerë kokën shtatë vjet më parë. Kryqtarët e krishterë u masakruan, fisnikët më të pasur u zunë robër dhe shumë familje fisnike franceze u shkatërruan nga shpërblimet e paguara sulltanit. Për dekada të tëra nuk do të kishte ndërhyrje perëndimore kundër osmanëve në Ballkan.

Gjashtë vjet më vonë, në 1402, Perandoria Osmane ishte në prag të shuarjes: sundimtari mongol Timur Lenk pushtoi Anadollin me një ushtri të fuqishme. Në Ankara ai u takua me sulltanin osman Bajazid I. Ushtria e tij u shpërbë kur vasalët turko-myslimanë të Sulltanit dezertuan te mongolët dhe princat osmanë dezertuan. Vetëm Stefan Lazareviqi dhe kalorësia e tij serbë të armatosur rëndë i luftuan mongolët deri në fund.

Trupat serbe në ushtrinë osmane

Rreth tre dekada më vonë, në vitin 1430, osmanët sulmuan qytetin e Selanikut, qyteti më i rëndësishëm në Ballkan pas Konstandinopojës. Ushtarët serbë nën drejtimin e Grgur Brankoviqit ishin të përfshirë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe të disponuar për betejë. Dhe kur Sulltan Mehmeti II rrethoi Kostandinopojën në 1453 dhe më në fund e pushtoi më 29 maj, trupat serbe ishin në ushtrinë osmane dhe jo në anën e bizantinëve ortodoksë.

Si mund të shpjegohen këto fakte? Pas vitit 1389, fisnikët serbë të mbijetuar u bënë vasalë të osmanëve, më së shumti dinastitë armiqësore Lazarevići dhe Brankovići. Ata u integruan shpejt në botën politike osmane. Martesat dinastike luajtën një rol qendror. Kështu, Olivera Lazarević u martua me Sulltan Bajazitin I dhe Mara Branković u bë gruaja e Sulltan Muradit II (1422-1451). Me këto zonja erdhën më shumë serbë në oborrin osman. Kronikat osmane e përshkruajnë Oliverën si një një femër me bukuri fatale që, në veçanti, futi konsumimin e alkoolit në oborrin osman dhe kështu tronditi zakonet e vjetra të mira të sulltanëve. Pas vdekjes së bashkëshortit të saj, Mara Brankoviç u tërhoq në rezidencën e një vejushe në Maqedoninë jugore dhe për vite me radhë i shtyu fijet e diplomacisë sekrete osmane drejt perëndimit, veçanërisht në Venecia.

Një elitë e vërtetë serbe u shfaq në oborrin osman dhe serbishtja flitej gjerësisht atje deri në shekullin e 16-të. Lidhja e ngushtë me osmanët kishte disa arsye: Ajo synonte të kompensonte presionin e madh osman mbi Serbinë; por synohej gjithashtu t’i jepte njëfarë lirie elitës serbe përballë fqinjëve të tyre katolikë, mbi të gjitha Hungarisë. Në atë kohë (siç është tani), Serbia ndoqi një politikë të dy krahëve mes Perëndimit dhe Lindjes, dhe kjo nënkuptonte midis Hungarisë dhe Venedikut nga njëra anë dhe Perandorisë Osmane nga ana tjetër. Nëse osmanët bëheshin mbizotërues, elitat serbe forconin lidhjet e tyre me Hungarinë, por sukseset e tepruara hungareze kundër osmanëve bënë që elitat serbe të shikonin sërish drejt lindjes.

Zhvendosja e lojalitetit

As Hungaria katolike dhe as Perandoria Islame Osmane nuk u dukeshin të dëshirueshme për fisnikët serbë. Nënshtrimi ndaj osmanëve në asnjë mënyrë nuk garantonte stabilitet: vasali besnik Stefan Lazarević u bashkua me kampin hungarez në fund të jetës së tij dhe ishte gjithashtu një vasal i kurorës hungareze, rastësisht me prona të pasura me toka në Hungari. Besnikëria e tij nuk e pengoi sulltanin të pushtonte pjesë të mëdha të Serbisë pas vdekjes së Stefanit. Edhe pasardhësi i Stefanit, Georg Brankoviç (1427-1456) nuk ishte imun ndaj sulmeve osmane, pavarësisht martesës së Marës me Sulltan Muradin II. Në vitin 1439 ai madje duhej të ikte nga osmanët, të cilët pushtuan Serbinë dhe iu desh të linte rrugën përsëri pas një ndërhyrjeje hungareze në 1443/44.

Por Despoti Georg preferoi të rimarrë principatat e tij nga duart e sulltanit dhe të sabotonte përparimin e mëtejshëm hungarez në Ballkan – edhe pse sulltanit sapo i kishin verbuar dy vëllezërit e tij Grgur dhe Stefan. Kur Despoti Gjergji vdiq në 1456, dy fraksione u formuan në oborrin serb në Smederevë (në lindje të Beogradit), një që rekomandonte rezistencën kundër osmanëve, një tjetër që i hapi rrugën sulltanit për në Serbi në 1459 – në krye të tyre ishte Voivoda i Madh. Michael Angelovic. Vëllai i tij nuk ishte askush tjetër veç Mahmud Pashë Angelloviç, Veziri i Madh i Sulltanit. Pas pushtimit përfundimtar të Serbisë, një sërë zotërish dhe zonjash fisnike u tërhoqën në oborrin e Mara Brankoviqit, ku vazhduan të kultivonin kulturën serbo-ortodokse brenda kornizës së Perandorisë Osmane.

Në vetë Serbinë, nga ana tjetër, pushtetin e morën elitat e reja osmane. Pra, elitës serbe nuk i vuri dobi që dërguan 1453 minatorë dhe ushtarë nga Novobërda në portat e Bizantit. Novobërda (në Kosovën lindore) ishte miniera më e madhe e argjendit në Ballkan në mesjetë, një Klondike ballkanike me minatorë gjermanë, tregtarë nga Dubrovniku dhe priftërinj katolikë nga Shqipëria. Në vitin 1455, vetë sulltani pushtoi këtë qytet të pasur argjendi. Dhe katër vjet më vonë, shtetësia serbe mori fund.

Raportet nga bashkëkohësit

Si e vlerësuan bashkëkohësit vasalitetin serb ndaj osmanëve? Elitat ortodokse të Serbisë ishin shumë të vetëdijshme se ndihma e tyre e trupave po bënte kërdi mbi bashkëbesimtarët ortodoksë në Vllahi dhe Bizant. “Me turqit luftuan kundër dëshirës së tyre, por nuk kishin rrugë tjetër”, shkruante biografi i despotit Lazareviq, Konstantin Filozof. Në gojën e Marko Kraleviqit, i cili luftoi kundër vllehëve ortodoksë në vitin 1395, ai vuri këto fjalë: “I lutem Zotit që t’i ndihmojë të krishterët dhe dua të jem i vdekuri i parë në këtë betejë”. Konstandini Filozof shprehu kështu qëndrimin zyrtar të oborrit serb – fisnikët nuk kishin alternativë, presioni osman ishte shumë i madh, por të paktën kishin ruajtur ndërgjegjen e tyre të krishterë.

I njëjti autor tregon gjithashtu se si në vitin 1402, gjatë luftës për fronin e Serbisë, Stefan Lazareviq takoi rivalin e tij serb Georg Brankoviq në Fushën e Mëllenjave të Zeza (Fushë-Kosovë v.e përkth), i cili kishte me vete trupat ndihmëse osmane. Ata do të thërrisnin të tmerruar “Ja, djali i Llazarit” dhe pastaj do të kishin ikur – kështu djali – Stefan Lazarević – do të ishte hakmarrë për babain Llazarin trembëdhjetë vjet pas 28 qershorit 1389, pa dyshim jo në një luftë kundër osmanëve, por kundër një ushtrie serbo-osmane në një luftë dinastike brendaserbe. Realpolitika ishte edhe rasti që e veja e Llazarit – dhe nëna e Stefanit – Milica duhej të udhëtonte në oborrin osman. Ajo i kërkoi ndihmë Sulltanit sepse dy djemtë e saj, Stefani dhe Vuku, po ziheshin për trashëgiminë. Mosmarrëveshjet dinastike të brendshme-serbe ishin një portë e rëndësishme për pushtuesit osmanë. Në të kundërt, fisnikët serbë ndërhynë vazhdimisht në betejat dinastike brenda osmane.

Ndjesia antiperëndimore dhe afërsia fetare

Bota e elitave serbe dhe osmane ishte e ndërthurur ngushtë dhe pavarësisht natyrës konfliktuale, aktorët njiheshin me njëri-tjetrin; ata shpesh ishin të lidhur me njëri-tjetrin përtej kufijve fetarë. Dhe në veçanti Stefan Lazareviqi ishte nganjëherë një lloj krijuesi sulltan në mosmarrëveshjen e madhe osmane mbi fronin (1403-1413). Në kohën e dobësisë osmane, elitat serbe nuk treguan interes për të mposhtur me vendosmëri osmanët me ndihmën e Perëndimit katolik. Përkundrazi, ata u përpoqën të zgjeronin hapësirën e tyre për manovrim në konfliktin osmano-ballkanik; osmanët, të cilët kulturalisht ishin shumë më ballkanikë sesa supozohej zakonisht, ishin mendërisht shumë më afër shumicës së fisnikëve serbë sesa fuqitë katolike Hungaria dhe Venecia. Antagonizmi fetar midis katolikëve dhe ortodoksëve ishte dukshëm më i madh se antagonizmi fetar midis ortodoksëve dhe myslimanëve; këta dy të fundit i bashkoi një disponim antiperëndimor dhe për shekuj osmanët shfrytëzuan pakënaqësinë antiperëndimore të shumë serbëve ortodoksë kundër botës së Kishës romake për të siguruar pushtetin e tyre në Ballkan.

Por ndryshe ishte në rastin e ortodoksëve në Ballkan. Georgios Sphrantzes, këshilltar i perandorit të fundit bizantin Konstandin XI. dhe dëshmitar okular i rënies së Bizantit, formuloi akuzën më të mprehtë kundër serbëve ortodoksë në mërgimin e tij në Korfuz: “Serbia mund të dërgonte para dhe njerëz fshehurazi nga zona të ndryshme. Por a pa dikush para? Në fakt ata dërguan para dhe shumë burra, gjegjësisht Emiri (nënkupton Mehmetin II) që ishte gati të rrethonte qytetin (Kostandinopojën). Dhe turqit u gëzuan dhe thanë: Shikoni, edhe serbët janë kundër jush!”. Ky bizantin kujtoi me hidhërim rolin serb në rënien e qytetit perandorak, në të cilin zotëria e tij Konstandini XI. ra në luftimet. Elitat serbe nuk praktikuan solidaritet ortodoks.

Kujtimet e një jeniçeri

Kujtimet e Konstantin Mihailoviqit tregojnë se shumë serbë ishin të vetëdijshëm për kontributin e tyre në suksesin osman. Ai u kap gjatë pushtimit të qytetit të tij të Novobërdës në vitin 1455 dhe u bë jeniçer, d.m.th., ushtar i këmbësorisë elitare osmane. Ai arriti të arratisej në perëndim, ku shkroi kujtimet e tij. Kostandini tregon se ndihmësit serbë u mashtruan pasi sulltani i bëri të besonin se ishin vendosur në Anadoll. Ata e kuptuan shumë vonë se ishte kundër Bizantit ortodoks. Kostandini e shkroi këtë dekada pas përfundimit të Bizantit. Ai thotë, “por ai (Bizanti) do të ishte pushtuar edhe pa ndihmën tonë”. Si justifikime ai përmend injorancën, detyrimin osman dhe në fund peshën e vogël të trupave serbe. Bizantinët e panë atë ndryshe dhe e quajtën sjelljen serbe me emrin e saj të plotë: ishte një tradhti ndaj çështjes ortodokse, madje osmanët përdorën mbështetjen e trupave serbe për propagandën e tyre për të demoralizuar bizantinët ortodoksë.

Fisnikët dhe luftëtarët serbë e ndihmuan kështu Perandorinë Osmane të depërtonte në momente vendimtare kundër shteteve ortodokse dhe katolike. Serbët dhe osmanët, të paktën elitat e tyre politike, nuk i përkisnin botëve të ndara, por të ndërthurura. Megjithatë, shumë fisnikë serbë kishin një pikëmbështetje në kampin hungarez si vasalë dhe pronarë tokash, dhe fisnikët serbë gjithashtu u përfshinë në politikën e brendshme në Hungari, dhe një Brankoviç pothuajse u ngjit në fronin hungarez. Elita serbe manovroi mes Perëndimit dhe Lindjes, duke kërkuar avantazhe dhe përfitime në të dy kampet. Në fund, ata llogaritën gabimisht – ata e kishin dobësuar Hungarinë, e megjithatë ata kishin shumë pak ndikim në oborrin e Sulltanit për të përcaktuar ndonjëherë politikën osmane. Dhe kur osmanët më në fund goditën, ndihma e trupave me dekada doli e pavlefshme.

Serbia u shtyp mes Perëndimit dhe Lindjes, elita e saj e vjetër jetonte si pensionistë në selinë fisnike të Marës, ose ata kaluan në kampin hungarez dhe prej andej luftuan, përfundimisht pa sukses, për të rifituar atdheun e tyre, në të cilin një elitë e re osmane ishte vendosur prej kohësh. Përpjekja për të ekzistuar mes fuqive të mëdha dhe për t’i yshtur ato kundër njëra-tjetrës kishte dështuar. Madje as të ardhurat e pasura nga minierat e argjendit nuk i ndihmuan kësaj politike të bazuar në moralin e dyfishtë në një kohë kur Serbia ishte shumë më e begatë se sa sot.  (Oliver Jens Schmitt, 30 janar 2023)
____________________

[Burimi: Die Presse, 30 janar 2023; përktheu: ISHGJ]

Për autorin: Oliver Jens Schmitt është profesor i Historisë së Evropës Juglindore në Universitetin e Vjenës dhe Drejtor i Kërkimeve Ballkanike në Institutin për Kërkime mbi Monarkinë Habsburge dhe Ballkanin të Akademisë Austriake të Shkencave.


Spread the love


Leave a Reply