Si po dështon BE-ja t’i respektojë obligimet ndaj Ahtisaarit

Spread the love

Si po dështon BE-ja t’i respektojë obligimet ndaj Ahtisaarit

AUGUSTIN PALOKAJ

Javën e shkuar vdiq Marrti Ahtisaari, ish-Presidenti i Finlandës, i njohur si njëri prej ndërmjetësuesve më të mirë që ka njohur bota për zgjidhjen e konflikteve të ndryshme. Për punën e tij, përfshirë edhe në zgjidhjen e statusit të Kosovës, ai kishte fituar edhe çmimin Nobel për paqe. “Nëse nuk mundet Ahtisaari, nuk mundet askush”, thoshte një zyrtar i lartë i BE-së, kur Ahtisaari ishte emëruar si i dërguar i posaçëm i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së për të udhëhequr procesin e zgjidhjes së statusit të Kosovës. Vetë Ahtisaari më vonë në disa raste tha se ai ka pasur gjithmonë disa kushte për të marrë ndonjë përgjegjësi si ndërmjetësues. Së pari, ai insistonte që të dihej se cili është synimi.

Çfarë zgjidhje kërkohej. Ai nuk donte të ndërmjetësonte procese të pafundme në të cilat palët do të shprehnin në pakufi qëndrimet e tyre dhe asnjëherë nuk do të gjendej një zgjidhje. Në rastin e Kosovës, atij iu dhanë udhëzime, edhe me shkrime dhe me gojë. U tha se statusi i Kosovës, në një mënyrë apo tjetrën, duhet të jetë një lloj pavarësie nën mbikëqyrjen ndërkombëtare, në udhëtimet e Grupit të Kontaktit u tha se “nuk ka kthim në situatën e para vitit 1999”, që ishte qartë se Kosova nuk mund të jetë pjesë e Serbisë. Po ashtu, u tha se “statusi i Kosovës duhet të jetë i pranueshëm për popullin e Kosovës”, që ishte indikacion se bëhej fjalë për pavarësinë, pasi askush nuk kishte dilemë se këtë e do populli i Kosovës. Dhe, që ishte po aq e rëndësishme, u tha se kur të nisë procesi, ndonëse synohet një marrëveshje e pranueshme për të dyja palët, asnjëra palë nuk mund ta bllokojë procesin dhe ai duhet të përmbyllet. Kështu ndërmjetësoi edhe në emër të OKB-së, edhe të BE-së, edhe të NATO-s, edhe të OSBE-së. Kishte në punën e tij elemente për rolin e të gjitha këtyre organizatave edhe në procesin e zgjidhjes së statusit të Kosovës, edhe pasi ai të zgjidhej. Por interes të veçantë kishte Bashkimi Evropian dhe shumica e madhe e ekipit të Ahtisaarit ishin nga BE-ja.

Me këtë pajtoheshin edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse besonin në atë kohë, nëse diçka kanë të përbashkët Kosova dhe Serbia, atëherë kjo është e ardhmja e tyre brenda Bashkimit Evropian. Ahtisaari kur mori përsipër ndërmjetësimin e procesit për zgjidhjen e statusit të Kosovës dinte të thoshte se nga BE ka vetëm dy pritje. E para ishte që kur të dalë me propozim, BE-ja ta mbështesë propozimin e tij. Dhe e dyta, që BE-ja të mbajë premtimin për perspektivën e integrimit në BE për vendet e Ballkanit Perëndimor. Në të dyja këto, BE-ja e tradhtoi Ahtisaarin. Kur ai doli me propozimin e tij, që shërbeu si bazë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, pesë vende të BE-së u rreshtuan krahas Rusisë dhe BE-ja nuk mbështeti asnjëherë propozimin e tij.

Si pasojë, BE-ja as sot nuk ka qëndrim unik rreth statusit të Kosovës. Dhe ndasitë rreth statusit kanë mbetur edhe 16 vite prej kur i ndjeri Ahtisaari kishte bërë propozimin e tij. As mendimi i GJND-së, që konfirmoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, as nuk e ka shkelur Rezolutën 1244, nuk kanë mjaftuar që BE të ndërrojë qëndrimin. Ishte pranvera e vitit 2007, vetëm disa ditë pasi ishte bërë publike e ashtuquajtura “Pakoja e Ahtisaarit”, që më saktësisht ishte propozimi gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës. Në qytetin e bukur gjerman Bremen ishin mbledhur në një takim joformal ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, i cili në atë kohë kishte 27 anëtarë.

Pritej që me kryesimin e ministrit të atëhershëm gjerman, Frank Walter Steinmayer, sot president i Gjermanisë, me rolin aktiv të përfaqësuesit të lartë Javier Solana, këto shtete të dëshmojnë unitet lidhur me problemin, i cili e mundonte aq shumë Evropën dhe zgjidhja e të cilit, do ta përmbyllte fazën e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Në Bremen të Gjermanisë më 30 mars 2007 pritej që BE-ja qoftë edhe nga një takim joformal i njohur me emërtimin “Gymnich” të shprehë unitet lidhur me Kosovën. Një gjë e tillë pritej edhe duke u bazuar në fuqinë që ka Gjermania. Por kjo nuk ndodhi. BEja edhe atëherë, sikur që mundohet edhe sot, luante me fjalë për të manipuluar opinionin. Dolën në konferencë për shtyp Presidenti i sotëm i Gjermanisë Steinmayer, krahas Javier Solanës, dhe u thanë gazetarëve se kanë pasur një diskutim të hapur, konstruktiv dhe të frytshëm. Dhe, si konkluzion i tyre ishte se “të gjitha vendet e BE-së janë unike në mbështetje të përpjekjeve të Marti Ahtisaarit”.

Ku ishte manipulimi? Ishte te fjala “përpjekje”, sepse Ahtisaari nuk bënte më përpjekje. Ai i kishte kryer ato. Procesi i ndërmjetësuar nga ai kishte përfunduar dhe ai kishte bërë publike pakon e tij me propozimin për pavarësinë e Kosovës nën mbikëqyrje ndërkombëtare. Pra, BE-ja pritej të deklarohej se është unike në mbështetje të propozimit të Ahtisaarit, e jo të shpëtojnë fytyrën, duke mbështetur “përpjekjet e tij”. Të vërtetën që kishte ndodhur në takim gazetarëve ua kishte zbuluar një ministër i Jashtëm i një vendi të vogël, i cili kishte dalë nga takimi para se ai të përfundonte për të folur për media. Dhe ai ministër u kishte thënë gazetarëve se në takim nuk ka pasur unitet, se shumica e shteteve mbështesin propozimin e Ahtisaarit për pavarësinë e Kosovës, të mbikëqyrur në fazën fillestare nga bashkësia ndërkombëtare, por se ka shtete si Spanja, Sllovakia, Greqia, Qipro dhe Rumania që mbështesin qëndrimin e Rusisë në interpretimet e tyre. Kur mediat gjermane shkruan për dështim të takimit Steinmayer i zemëruar në konferencë për gazetarë një ditë më vonë, tha se kanë porositur disa kolegë “që të kenë kujdes kur flasin për gazetarë”.

Në fakt, pas shumë vjetësh, nga diplomatët dëgjuam se ministrat në fund të takimit ishin marrë vesh që para mediave të aktrojnë unitetin e BE-së, edhe pse e dinin se ai nuk ekziston në mbështetje të propozimit të Ahtisarit. Pra, nuk kishte më nevojë për “mbështetje të përpjekjeve”, por kërkohej përgjigjja se a e mbështet BE-ja propozimin e tij. Që atëherë, gjithçka ka shkuar keq në sjelljen e BE-së ndaj statusit të Kosovës. Ndasitë kishin dalë në shesh edhe më qartë një ditë pasi Kosova shpalli pavarësinë. Ministri i Jashtëm i atëhershëm i Spanjës, Miguel Moratinos, duke shkelur një marrëveshje mes shteteve që askush të mos dalë me deklarata publike pa u miratuar “deklarata e përbashkët e Këshillit të BE-së” erdhi më herët në ndërtesën e Këshillit në Bruksel dhe gazetarëve u

tha se, “shpallja e pavarësisë së Kosovës është shkelje drastike e së drejtës ndërkombëtare” dhe pastaj, vazhdoi ta krahasojë atë me ndërhyrjen amerikane në Irak dhe kështu, prishi tërë atmosferën edhe para se të niste takimi.

Deklarata e përbashkët doli si diçka krejt e paqartë, siç janë të paqarta edhe komunikatat e BE-së edhe sot kur bëhet fjalë për Kosovën. BE-ja nuk pati qëndrim të përbashkët fare për statusin e Kosovës. Madje, edhe në pjesën e deklaratës ku i referohet faktit se Kuvendi i Kosovës ka shpallur pavarësinë, nuk “merr në dijeni” shpalljen e pavarësisë, por “merr në dijeni” obligimet që ka marrë Kosova për t’i mbrojtur pakicat dhe për prani ndërkombëtare. Për dallim nga deklaratat në rastet e tjera kur ndonjë shtet ka shpallur pavarësi, si në rastin e Malit të Zi, ku u bëhet ftesë vendeve anëtare që me shtetin e ri të “vendosin raporte si me shtetet sovrane sipas ligjeve nacionale dhe ndërkombëtare” një thirrje e tillë për Kosovën mungoi. Deklaratat e pavarësisë për nga natyra e tyre janë unilaterale: Një entitet shpall pavarësinë e vet.

Shpallja e pavarësisë së Kosovës është më së paku unilaterale, sepse u bë krejtësisht në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare, pas një procesi ndërkombëtar ku ishin përfshirë tri organizatat kryesore ndërkombëtare (OKB, BE dhe NATO) me pjesëmarrje aktive edhe të fuqive të mëdha si Rusia dhe SHBA. Prej negociatave e deri te shpallja e pavarësisë, gjithçka iu përshtat nevojave të BE-së dhe roleve që planifikoheshin për të. Por në fund BE-ja tradhtoi Ahtisaarin, duke mos pasur unitet për të mbështetur propozimin e tij dhe tradhtoi edhe Kosovën duke mbetur neutrale ndaj statusit. Kosova deri me sot i ka përmbushur obligimet nga Pakoja e Ahtisaarit ndërsa BE-ja, pos që ka bërë eksperimente me praninë e saj në Kosovë, jo edhe aq të suksesshme, nuk ka lëvizur nga vendi sa u përket obligimeve politike. Edhe BE-ja edhe shtetet që kanë mbështetur Kosovën kanë pasur mundësi që në këta 15 vjet të zgjidhin çështjen e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, por kanë dështuar.

Rasti më i mirë ka qenë pas shpalljes së mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Në verën e vitit 2010 u paraqit ky mendim si një rast i jashtëzakonshëm për të siguruar njohje nga shtetet kyçe, sidomos nga ato shtete të BE-së, të cilat kundërshtonin pavarësinë e Kosovës, duke u thirrur në argumente të së drejtës ndërkombëtare. Më 22 korrik të atij viti, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, pikërisht duke u përgjigjur në pyetjen e Serbisë dha mendimin se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk shkel të drejtën ndërkombëtare e as nuk është në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKBsë.

U prit që BE-ja dhe NATO-ja do t’u thonë vendeve të tyre anëtare që nuk e kanë njohur Kosovën që tash ta bëjnë këtë, sepse nuk vlen më argumenti i tyre, pasi organi më i thirrur në botë për ta interpretuar të drejtën ndërkombëtare u shpreh se shpallja e pavarësisë nuk është në kundërshtim me normat e kësaj të drejte. Por me përjashtim të Parlamentit Evropian, asnjë organizëm tjetër i BE-së apo i NATO-s nuk bën mundim që të rrisin presionin për njohje. Në vend të kësaj, i tërë debati dhe fokusi nga ky mendim pozitiv që dha rast për njohje u bart në organizimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Jo vetëm se u harrua njohja nga ana e 5 shteteve të BE-së, por BE-ja filloi ta konsideronte këtë mosnjohje nga 5 shtete të saj anëtare si një rrethanë të mirë.

Kur liderët e Serbisë nëpër takime në Bruksel ankohen se, “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe pavarësinë” si argument se nuk është e vërtetë një gjë e tillë, nga zyrtarët e BEsë dëgjojnë se, “BE-ja është neutrale ndaj statusit dhe nuk e konsideron Kosovën si shtet”. Nga zyrtarët e angazhuar në dialog diplomatëve u thuhet se “fakti se BE-ja është e ndarë në qëndrime rreth statusit është përparësi e jo dobësi e BE-së, sepse kështu ajo është në pozitë të jetë lehtësuesi më i mirë në dialog”. Rreth kësaj çështjeje shpesh në BE arsyetohen duke thënë se, “BE-ja nuk njeh shtete, por kjo është kompetencë e vendeve anëtare”. Por pse atëherë liderët politikë të BE-së së paku nuk japin deklarata politike se do të ishte mirë që të gjitha shtetet ta njohin Kosovën.

Ata deklarohen shpesh për çështje të tjera, për të cilat nuk ka konsensus në BE dhe pse atëherë hezitojnë që të deklarohen se a do të ishte mirë apo jo të njihet Kosova. Mosnjohja nga 5 shtetet e BE-së ia ka vështirësuar Kosovës jetën, ia ka vështirësuar edhe BE-së realizimin e politikës së zgjerimit në rajonin e Ballkanit, e ka bërë BE-në të duket qesharake në skenën ndërkombëtare ku dëshiron të “flasë me një zë” e nuk mund të ketë unitet as rreth një çështje kaq të rëndësishme në vet oborrin e BE-së, në Ballkan. Mosnjohja ia ka vështirësuar edhe Serbisë përballjen me realitetin e ri se Kosova është shtet. Këtë privatisht e kanë thënë edhe vetë disa politikanë serbë të cilët, qysh para se të shpallej pavarësia kishin tërhequr vërejtjen se nëse do të ketë shtete që nuk do ta njohin Kosovën, atëherë Serbia kurrsesi nuk mund ta bëjë këtë. Në këtë pikë jemi edhe sot, 15 vjet pas shpalljes së pavarësisë. Ndërsa me kalimin e kohës, Serbia po inkurajohet duke shpresuar se një ditë do të ndryshojnë rrethanat ndërkombëtare dhe mund të kthejë situatën në Kosovë në favor të saj.

Kjo ndasi në BE dhe NATO rreth statusit e Kosovës është bërë edhe rrezik potencial për sigurinë dhe stabilitetin ne rajonit, sepse kuptohet si sinjal se nuk ka përfunduar ende vizatimi i kufijve të shteteve në Ballkan. Shembull i mirë është edhe aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE, i dorëzuar para më shumë se 10 muajsh, por që nuk është shqyrtuar fare nga Këshilli i Bashkimit Evropian. Ndërkohë, aplikime për anëtarësim në BE kanë bërë Ukraina dhe Moldavia që kanë marrë edhe statusin e kandidatit. Shpejt këtë status do ta marrë edhe Gjeorgjia. Dhe Kosova do të mbetet i vetmi vend në Evropë që ka aplikuar për status kandidati, por nuk e ka marrë këtë status. Për të ndryshuar një qasje të tillë të paqartë të BE-së dhe NATO-s (në të dyja organizatat janë shtetet e njëjta që kundërshtojnë pavarësinë, me përjashtim të Qipros, e cila nuk është anëtare e NATOs, por vetëm e BE-së) duhet një vullnet i madh politik nga niveli më i lartë i shteteve anëtare.

BE-ja duhet ta kuptojë se mosanëtarësimi i Kosovës në OKB dhe mospranimi i propozimit të Ahtisaarit nga Këshilli i Sigurimit nuk është për shkak se po mbrohet e drejta ndërkombëtare siç dëshiron ta paraqesë Serbia. Por është keqpërdorimi politik i së drejtës së vetos nga Rusia që e ka penguar këtë. Nuk është bërë Kosova shtet “me vendime politike në kundërshtim të së drejtës ndërkombëtare”, siç thotë përditë Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, por me vendime politike po pengohet kompletimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës si shtet. Dhe në këtë, kontribut të madh, ndoshta më të madhin e ka Bashkimi Evropian. [Panorama]


Spread the love


Leave a Reply