Turqia ballkanike dhe Shqipëria

Spread the love

Prof. Dr Enis Sulstarova

-Mbi librin e diplomatit Shaban Murati “Konteksti rajonal i aleancës strategjike Shqipëri-Turqi”

Bibliotekës së studimeve shqiptare për diplomacinë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare i shtohet libri i ri i diplomatit të njohur Shaban Murati me titullin domethënës “Konteksti rajonal i aleancës strategjike Shqipëri-Turqi”. E quaj titull domethënës, sepse përmban një mesazh shumë të qartë. Hera herës kur flitet për ndikimet e huaja kundërevropiane dhe kundër-perëndimorë në Ballkan përmenden Rusia, Kina dhe Turqia. Është e qartë se Rusia është antagoniste e aleancës perëndimore dhe se Kina konkuron në sferën ekonomike me Bashkimin Evropian (BE), mirëpo renditja e Turqisë në një “treshe djallëzore”, që i kundërvihet interesave perëndimore në Ballkan, nuk është e drejtë në parim dhe nuk mund t’i interesojë Shqipërisë. Nuk është e drejtë në parim, sepse Turqia është një shtet ballkanik, Turqia është një anëtar i rëndësishëm i NATO-s, Turqia ka një marrëveshje të bashkimit doganor me BE, Turqia është një shtet kandidat për t’u anëtarësuar në BE, Turqia ka qenë dhe është mbështetëse e integrimit të shteteve ballkanike në BE dhe NATO. Së dyti, etiketimi i Turqisë si “rrezik për Ballkanin” bie ndesh me me aleancën strategjike të këtij shteti me Shqipërinë, aleancë, që më shumë i sjell përfitime Shqipërisë, Kosovës e mbarë kombit shqiptar.

Disa mund të thonë që është qeveria e sotme e Turqisë ajo që po i largohet Perëndimit e vlerave perëndimore dhe që po kërkon të krijojë një pol të vetin gjeopolitik, që ushtron forcën e vet tërheqëse mbi Ballkan, Kaukaz e Lindjen e Mesme. Edhe sikur ky pohim të jetë plotësisht i vërtetë, mjafton të lexohet artikulli, që hap librin e ambasador Muratit. për të kuptuar se aleanca strategjike midis dy shteteve nuk lidhet me format e regjimeve politike dhe as me emrat e përveçëm, që drejtojnë përkohësisht shtetet. Aleancat strategjike nuk mund të shihen nga këndvështrimi i përplasjeve të brendshme politike dhe as nga “oshilacionet e marrëdhënieve të njërit apo tjetrit shtet me palë të treta” (f. 7). Aleancat strategjike lidhen për të përballuar më mirë rreziqet ndaj ekzistencës së kombit dhe pavarësisë së shtetit. Duke marrë parasysh stuhitë dhe trazirat e shek. XX, duke parë sjelljen e disa shteteve ballkanike në shek. XXI, kuptohet qartë se përfituesit më të mëdhenj të aleancës strategjike Shqipëri-Turqi janë shqiptarët, por prej saj përfitojnë dhe ata faktorë që dëshirojnë paqen, sigurinë dhe perspektivën evropiane për Ballkanin. Jo më kot ky libër i ambasador Muratit vjen pas librit të tij me titullin Aleanca e duhur Shqipëri-Kroaci (Tiranë, 2023).

Ata, që tashmë janë të familjarizuar me veprën shumë-vëllimëshe të ambasador Shaban Muratit, e dinë që në faqet e librit “Konteksti rajonal i aleancës strategjike Shqipëri-Turqi” do të gjejnë analiza dhe reflektime të shkruara në kohë të ndryshme, të nxitura nga ngjarje apo situata specifike në diplomaci dhe politikën e jashtme të shteteve. Grupimi tematik i shkrimeve të shkruara ndihmon kujtesën tonë si lexues të interesuar, sidomos kur ne e dimë se kujtesa e institucioneve qeverisëse të Shqipërisë shpeshherë dhe qëllimisht kufizohet aq sa është mandati i qeveritarëve. Gjithashtu, grupimi tematik i shkrimeve të lejon një lexim të thellë, i cili pas lëvizjeve në shahun e diplomacisë shquan konstanten, pra atë që nuk ndryshon për një kohë të gjatë, sepse ka të bëjë me sigurinë ontologjike të shteteve dhe me interesat e tyre strategjike.

Po ndaj me ju disa mësime, të nxjerra nga dija dhe përvoja personale, që autori ka ndarë me ne përmes këtij libri. Mësimi i parë është se vijon të zbatohet “strategjia e qartë e qendrave antishqiptare rajonale” për t’i lënë Shqipërinë dhe shqiptarët pa miq dhe që mundësisht këtë ta bëjnë vetë shqiptarët (f. 12-13). Kjo është një linjë e nisur kohë më parë, që nga hedhja e parullës “Ballkani i ballkanasve”, që nga politika e gabuar e udhëheqjes komuniste të Shqipërisë që izoloi vendin, që nga zotimi se Shqipëria do të gjendej në krah të Jugosllavisë në rast sulmi nga sovjetikët, që nga mënyra sesi parulla “dy popuj miq” u shndërrua më vonë në “rruga e Shqipërisë për në Evropë kalon nga Athina”, e deri te etiketimi i Turqisë si rrezik për Ballkanin Perëndimor. Rreziqet ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve u vijnë pikëpari nga shtete ballkanike. Sot, barometri shqiptar për të matur trysninë politike të shteteve ballkanike ndaj shqiptarëve është Kosova. Kush nuk e njeh Kosovën dhe në diplomaci vepron për pengimin e njohjeve ndërkombëtare të saj nuk mund të jetë shtet mik i Shqipërisë dhe i shqiptarëve. “Ballkani i hapur” ishte një përpjekje për izolim të Kosovës dhe përçarje të shqiptarëve, ishte një paraskenë, ku presidenti i Serbisë kërcente tangon politike me kryeministrin e Shqipërisë, ndërkohë që në prapaskenë përgatiste sulmin terrorist në veri të Kosovës. Po kështu, ambasador Murati e shpjegon fare qartë në këtë libër se si Greqia ia doli që procesi i delimitimit i kufirit detar me Shqipërinë të mbahej i fshehtë ndaj palëve të treta, në mënyrë që Shqipëria të mos kërkonte të përfitonte nga praktikat dhe këshillat miqësore të SHBA, Italisë e Turqisë. Në situata të tilla, aleanca me Turqinë ballkanike dhe me shtete të tjera jashtëballkanike është frymëmarrje për Shqipërinë dhe kombin shqiptar.

Mësimi i dytë është se anëtarësia në BE dhe NATO nuk i pengon shtetet anëtare që të ndjekin interesat e veta e madje të veprojnë në kundërshtim me rregullat dhe frymën kolektive. Shembulli më i dalluar që sjell Murati është sërish Greqia, e cila me Turqinë konkurron në Ballkan dhe në Mesdheun Lindor për hapësira të shfrytëzimit të burimeve nëndetare të energjisë dhe për linjat e transferimit të gazit natyror nga Rusia në Evropë. Greqia ka lidhur një sërë marrëveshjesh me Qipron (jugore), Izraelin, Egjiptin dhe forcat rebele në Libi, marrëveshje që janë të drejtuara kundër interesave të Turqisë në Mesdheun Lindor. Në vitin 2021 Greqia ka nënshkruar një pakt ushtarak me Francën, sipas të cilit parashikohet ndihmë e menjëhershme ushtarake nëse ndodh një sulm nga një shtet i tretë, edhe në qoftë ky i fundit aleat i NATO-s. Siç thekson Murati, koncepti i mbrojtjes kolektive i NATO-s bie ndesh pikërisht me këto lloj paktesh dypalëshe a shumëpalëshe, që dikur kanë sjellë luftërat në kontinentin e vjetër. Në këtë situatë të turbullt ndërkombëtare, edhe Turqia natyrshëm po ndjek interesat e veta strategjike, ndonjëherë në unison të plotë me NATO-n e herë të tjera duke u rezervuar e duke vënë kushte për përfshirjen e saj. Mirëpo, nuk duhet harruar se Turqia është në vijën e parë të mbrojtjes së NATO-s në rast të ndonjë përballjeje të armatosur me Rusinë.  Nuk duhet harruar se Turqia i kërkonte NATO-s përfshirjen e Kosovës në aleancë, ndërkohë që kryeministri i Shqipërisë i kërkonte aleancës mirëkuptim për Serbinë, sepse kjo nuk pranonte t’i bashkohej masave të sanksioneve ndaj Rusisë.

Po kështu BE-ja po zotohet që të anëtarësojë në të shtete si Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia – të cilat ose po luftojnë me Rusinë ose kanë trupa ruse në territorin shtetëror – dhe shtyn pambarimisht anëtarësimin e Turqisë (f. 241-242), duke zhvlerësuar vetë statusin e shtetit kandidat, status të cilin e mban tashmë dhe Shqipëria. Turqia nuk mund të presë pafundësisht anëtarësimin në BE dhe ka të drejtë të kërkojë bashkëpunime të tjera ekonomike e energjitike, që ia mundëson edhe pozita e saj strategjike si një urë midis Evro-Azisë dhe midis Mesdheut e Detit të Zi. Murati me të drejtë ironizon se “BE-ja i ngjan një vajze, e cila edhe i ka refuzuar propozimin një djali, edhe bëhet xheloze dhe inatoset nga ideja se ai djalë mund të nisë të kërkojë për nuse në anë të tjera” (f. 48). Shqipëria, si shtet kandidat duhet ta harmonizojë politikën e saj të jashtëme me politikën e jashtme të BE-së, por pa rrezikuar aleancën me Turqinë. Diplomati Murati na kujton se në vitin 2020 Shqipëria iu bashkua sanksioneve të BE-së ndaj Turqisë, me kërkesën e Qipros, e cila kundërshtonte eksplorimet energjitike turke në zonën detare pranë Republikës Turke të Qipros Veriore (f. 172-77). Pra, Shqipëria u rreshtua kundër Turqisë për një shtet, që nuk e njeh Kosovën dhe që e pengon edhe BE-në ta trajtojë zyrtarisht Kosovën si një shtet sovran! Dhe këtë gjest Shqipëria e bënte gjatë pandemisë së koronavirusit, pasi Turqia i kishte siguruar Shqipërisë furnizimin me vaksinat! Turqia nuk kërkon rithemelimin e Perandorisë Osmane, por gjithnjë ka qenë dhe është për integrimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE. Janë shtete të tjera ballkanike ato që në fakt kanë kanë penguar dhe pengojnë procesin e anëtarësimit në NATO dhe BE të fqinjëve të tyre, siç kanë vepruar Greqia dhe Bullgaria në raport me Maqedoninë e Veriut.

Në vijim, po përmend shkurtimisht edhe një mësim tjetër, që kam njerrë nga libri i autorit. Përveç formateve të mirënjohura si “Procesi i Berlinit” apo takimet e qeverive të dy vendeve, shtetet e Ballkanit bashkëpunojnë në formate të tjera si “grupi i Krajovës” me Serbinë, Rumaninë dhe Bullgarinë, grupi i “Traktatit të Bukureshtit” me katër shtete: Serbia, Greqia, Rumania dhe Bullgaria apo formate të tjera, ku duket se elementi ngjizës është feja e përbashkët ortodokse, dhe kjo duhet të jetë arsyeja pse Shqipëria nuk është ftuar të marrë pjesë. Ndërkohë, bien alarmet pse Turqia ndonjëherë sillet si mbrojtëse e myslimanëve të Ballkanit. Diplomatit Murati nuk i bëjnë përshtypje këto alarme false dhe të orkestruara, sepse ai e thotë troç se “shenja e njëjtë fetare, që Turqia ka me shumicën e popullsisë në Shqipëri dhe me shumicën dërrmuese të popullit shqiptar në Kosovë dhe në Maqedoni, është një  kapital diplomatik me vlerë të veçantë pozitive për marrëdhëniet dypalëshe dhe për strategjinë rajonale afatgjatë të Shqipërisë” (f. 13-14). Unë e kuptoj kështu këtë gjykim të ambasadorit: cilido qoftë interesi i Turqisë për mbështjetjen e trashëgimisë osmane dhe të lidhjeve fetare me myslimanët e Ballkanit, ne shqiptarët duhet që ta shfrytëzojmë lidhjen fetare për të forcuar aleancën strategjike me Turqinë, padyshim duke ruajtur laicitetin në sferën publike dhe duke mos hequr dorë nga synimi për integrim në strukturat euro-atlantike. (Në parantezë, duhet kujtuar dhe se Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka përfituar shumë nga bashkëpunimet me institucionet zyrtare fetare të Turqisë dhe me agjencitë turke të zhvillimit e të kulturës, që nga restaurimi i objekteve të kultit e deri te arsimimi e trajnimi i kuadrove të tij. Kjo ndihmë bujare e Turqisë ka ndikuar që të mbahen larg tendencat e padobishme dhe të rrezikshme fetare që përhapin disa shtete apo organizata islamike nga vende të tjera.)

Aleanca strategjike Shqipëri-Turqi duhet mirëmbajtur dhe forcuar, për hir të sigurisë e paqes në rajonin ende të trazuar të Ballkanit Perëndimor. Prandaj, ky libër, si dhe të tjerët e ambasador Muratit, duhet të bëhet pjesë e bibliotekës së punës së diplomatëve, politikë-bërësve, analistëve të politikës, gazetarëve e publikut të interesuar shqiptar. Ai është një gur më shumë në mozaikun e mendimit diplomatik shqiptar, dhe për formimin e të këtij të fundit, ne duhet t’i jemi mirënjohës ambasador Muratit. [DITA]


Spread the love


Leave a Reply