Zvarritja e problemeve historike, i jep favore ndikimt rus në Ballkan

Spread the love

SHBA-ja dhe Rusia janë në proces të ndarjes së zonave të interesit, ku si duket një pjesë e mirë e Ukrainës do të mbetet nën Rusinë, kurse në Ballkan mund të kemi një pamje tjetër të territorit – të krijimit të dy shteteve të mëdha, të Serbisë dhe, pas 2030-tës, të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Në këtë fazë të re, nëpër të cilën po kalon Europa, nuk ka garanci as nga Brukseli, Uashingtoni dhe as nga NATO-ja se shtetet e Ballkanit, që janë nisur në rrugën drejt BE-së, do të mbeten të njëjtat. Aktualisht, Rusia do të vazhdojë të jetë në kërkim.

Shkruan: Dr Selim IBRAIMI, Uashington

Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria e kaluan një fazë jo të mirë dyvjeçare si shtete fqinjë. Me propozimin francez, Shkupi dhe Tirana i filluan konferencat e para ndërqeveritare, me shpresë se një ditë do t’i hapin edhe kapitujt e BE-së. Shqipëria e ka rrugën më të qetë gjatë hapjes dhe mbylljes së kapitujve dhe, në varësi nga dinamikat e brendshme politike dhe në BE, anëtarësimi do të jetë më shumë në duart e qeverisë shqiptare. Megjithatë, çështja më e rëndësishme në rajon përsëri mbetet Shkupi në raport me Sofjen pas konferencës së parë ndërqeveritare e deri në hapjen dhe mbylljen e Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut, e cila do të kërkojë 2/3 e votave të deputetëve. Kundërshtarët e propozimit, me akuza të llojit se qeveria në Shkup po bën tradhti, i përsëritën qëndrimet bullgare. Ish-ministri Nikolla Dimitrov në Twitter postoi një paragraf nga çfarë është thënë në dokumentet bullgare dhe, duke interpretuar Protokollin, ai shkruan: Krijimi i ‘gjuhës maqedonase’ në vitet 1944-45 në ish-Jugosllavi ishte një akt i kodifikimit dytësor të bazuar në gjuhën letrare bullgare, i ‘pasuruar’ edhe me forma lokale, që simulonin një proces ‘natyror’…”! Përkundër këtyre reagimeve, qeveria në Shkup ka dëshmuar se gjuha dhe identiteti maqedon është ruajtur dhe nuk është prekur nga propozimi dhe për këtë është kujdesur shumë edhe partia e Ali Ahmetit, BDI. Këtu duhet pranuar se edhe politikanët shqiptarë nga të gjitha partitë kanë dhënë ndihmën e tyre për ta mbrojtur gjuhën dhe historinë maqedone, në një absurd tjetër ku maqedonasit ua mohojnë të drejtat shqiptarëve. Sidoqoftë, gjuha maqedone është e sigurt dhe këtu kundërshtarët e qeverisë nuk kanë të drejtë. Duke e marrë në konsideratë gjendjen aktuale deri në mbylljen e kushtetutës maqedone dhe futjen e bullgarëve në të, rriten gjasat që të ketë përsëri zgjedhje të parakohshme në Maqedoninë e Veriut, me idenë që të krijohet një shumicë e re parlamentare më stabile që i afrohet 2/3 të votave për ndryshimet kushtetuese të nevojshme. Tani për tani kryeministri Kovaçevski dhe partneri në qeveri, Ahmeti, nuk e shohin si të domosdoshme për të shkuar në zgjedhje. Ata besojnë se, deri në afatin e caktuar, të gjitha forcat politike pa përjashtim do të rreshtohen në rrugën europiane. Por, kjo njëherit nuk është një garanci e fortë se VMRO-DPMNE do ta ndryshojë qëndrimin dhe do t’i votojë ndryshimet kushtetuese. Një opsion që mbetet i hapur është që Hristian Mickovski, lideri i opozitës maqedone, ka mundësi të votojë për ndryshimet po qe se do të marrë drejtimin e qeverisë së re, pra në qoftë se deri në 2024 do të kemi zgjedhje të shpejta. Një opsion tjetër që flitet është votimi i ndryshimeve kushtetuese nga një pjesë e deputetëve të opozitës (VMRO-DPMNE), që tashmë kanë nënshkruar një dokument dhe i verifkuar në noter se nëse do të votojnë pro marrëveshjes, atëherë duhet ta lënë funksionin e deputetit…

Rruga e hapur që kërkon shumë punë

Pasi konferenca në Bruksel është mbajtur, punët për Shkupin zyrtar janë të qarta, se çka duhet të bëjë më tej deri në ndryshimet kushtetuese dhe si të sillet ndaj Bullgarisë. Pasi rruga është hapur, çështjet mbeten vetëm në Shkup, duke nisur nga sundimi i së drejtës, reformat e tjera të domosdoshme deri në hapjen e kapitujve dhe përshtatja e ligjeve të brendshme me të BE-së. Gjatë dy viteve të fundit qeveria ka deklaruar se ka bërë shumë punë në fushën e sundimit të së drejtës, por gjendja aktuale tregon se Maqedonia e Veriut ka një sistem drejtësie të kalbur, duke lënë pak shpresa se vendi do t’i mbyllë shpejt kapitujt me BE-në. Në Maqedoninë e Veriut politika dhe gjykatat vazhdojnë të mbrojnë individë të implikuar në procese të dyshimta financiare dhe keqpërdorime të pozitës. Duhet pranuar se gjendja e brendshme është rënduar dhe ky do të jetë faktori vendimtar deri në anëtarësimin e vendit në BE, pasi grupet radikale do të vazhdojnë të ndikohen nga jashtë për ta destabilizuar jo vetëm Shkupin, por edhe rajonin. Ndikim në rrugën e suksesshme apo jo të Shkupit do të kenë proceset politike, etnike dhe fetare në vend.

Ndikimi rus në katër fusha

Nga këndvështrimi gjeopolitik duket se BE-ja kësaj here është pak më afër Ballkanit dhe më larg Ukrainës, pasi Rusia ka fituar terren duke vendosur kështu kushtet e luftës dhe të paqes. Pavarësisht se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, njëra më parë dhe tjera më vonë, do t’i nisin kapitujt me BE-në, Rusia do të vazhdojë të ndikojë me të gjitha mjetet në Kosovën Veriore, Serbi dhe në Bosnjën Serbe. Paqëndrueshmëria në rajon do të jetë e pranishme përderisa lufta në Ukrainë nuk do të përfundojë dhe ndarja e interesave nuk do të bëhet përfundimisht në mes Rusisë dhe SHBA-së në Europën Lindore. Për sa i përket ndikimit rus, ai nuk do të jetë si më parë, por do të ketë ngritje dhe ulje varësisht situatave politike dhe mosmarrëveshjeve etnike dhe ndërshtetërore. Zvarritjet e problemeve historike do të jenë të mirëseardhura jo vetëm për Rusinë, por edhe për Serbinë. Manipulimet e Rusisë do të mbeten konstante në fushën e dezinformimit, sulmeve kibernetike, në aktivizimin e Kishës Ortodokse sipas nevojës dhe në disa faza aktivitete klandestine në Ballkan. Aktualisht, Rusia do të vazhdojë të jetë në kërkim të miqve dhe krijim të armiqve të rinj. Pjesërisht, SHBA-ja dhe Rusia janë në proces të ndarjes së zonave të interesit, ku si duket një pjesë e mirë e Ukrainës do të mbetet nën Rusinë, kurse në Ballkan mund të kemi një pamje tjetër të territorit – të krijimit të dy shteteve të mëdha, të Serbisë dhe, pas 2030-tës, të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, duke i lënë anësh të gjitha pengesat kufitare dhe ideologjike. Në këtë fazë të re, nëpër të cilën po kalon Europa, nuk ka garanci as nga Brukseli, Uashingtoni dhe as nga NATO-ja se shtetet e Ballkanit, që janë nisur në rrugën drejt BE-së, do të mbeten të njëjtat. Shtetet me përbërje etnike të pastër kanë gjasa të shpëtojnë nga rreziqet e dekadës dhe të vazhdojnë të jenë të pranishme në skenën globale përkundër sfidave.

Më keq do të jenë shtetet me përbërje etnike dhe fetare të përzier, ku për të mbijetuar në ambientin e ri do të duhet përveç anëtarësimeve në aleancat ushtarake, të vazhdojnë gjithashtu të mbajnë të qëndrueshme lidhjet politike, fetare, kulturore dhe ekonomike me shtetet që kanë një të kaluar të përbashkët historike dhe që janë kundërshtare të BE-së apo NATO-s. Miqësia e pafundme ndërmjet Rusisë dhe Serbisë e bën Ballkanin Perëndimor jostabil, duke lënë vend për ndërhyrje nga Moska tani dhe në të ardhmen në rajon. Përderisa do të jetë aktive dhe e zhvilluar kjo lidhje dhe marrëdhënie, asnjëherë nuk do të ketë qetësi në Ballkan, për shkak të rolit serb si mbështetës i politikave ruse në Ballkan.

A do të jetë i gatshëm Ali Ahmeti për heqjen e 20-përqindëshit?

Në fund, pavarësisht dinamikave rajonale, politika shqiptare në Tetovë, gjatë hapjes së kushtetutës së Maqedonisë së Veriut, patjetër duhet të angazhohet në heqjen e 20 përqindëshit dhe forcimit të statusit juridik. Do të këtë zëra të ndryshëm, si çdoherë, se nuk është koha tani të bëhen këta kërkesa, mirëpo nëse këto ndryshime nuk bëhen brenda dy viteve, atëherë do të jenë të kota ankesat shqiptare rreth pozitës në kushtetutë. Nga reagimet aktuale të BDI-së së Ahmetit ekziston një drojë se ai dhe djemtë e rinj që i shkojnë pas, mund t’u bishtërojnë këtyre kërkesave, pasi janë rritur dhe edukuar në mjediset maqedone dhe interesi personal, grupor dhe shtetëror maqedon për ta është i pari. Nëse nuk do të ketë veprime të përbashkëta ndërshqiptare, atëherë këtë rol të forcimit të shqiptarëve brenda dy viteve në kushtetutë duhet ta marrë opozita shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Do të ishte i kotë anëtarësimi në BE nëse dy etnitë më të madha do të vazhdojnë të jetojnë në armiqësi dhe në prag të konflikteve lokale. Kujt i duhet në BE një Maqedoni pa drejtësi, pa nder dhe plot çështja të pambyllura ndëretnike?! Pasi treni për në BE nuk do të jetë i shpejtë, mbetet që qeveria të nisë të punojë për reforma të vërteta dhe vendi të transformohet për të mirën e të gjithëve. Ndryshe, do të jetë një shtet që i vjen era e keqe nga aeroporti, erë që mund ta nuhasësh rreth zyrave të ministrave dhe të përfundojë po e njëjta në zyrat e kryetarëve të partive politike. Një shtet që pretendon BE-në duhet të ndryshojë. A do ta bëjë këtë Shkupi? Kjo mbetet të shihet deri në mbylljen e kapitujve.


Spread the love


Leave a Reply