Ballkani i Hapur – projekt serb për ekspansion gjeografik

Spread the love

Serbia nuk e fsheh fare se përmes projektit të Ballkanit të hapur, ajo synon ‘’ekspansion gjeografik’’, i cili lidhet me gjeoekonominë dhe gjeopolitikën rajonale. Përmes këtij ekspansioni ajo kërkon t’i siguroj tregjet e rajonit, me qëllim të mbajtjes  së ritmit të rritjes ekonomike dhe fuqizimin e kompanive prodhuese dhe shërbyese serbe. 

Shkruan:  Mr sc. Agim KRASNIQI, PhD

I

Një ‘’Open Ballkan’’ duket gjë e bukur, por duke e ditur se kjo hapje përfshinë përpjekjet dhe synimet e Serbisë për ‘’ekspansion gjeografik’’ në rajon, kjo çështje do analizë të thellë dhe të saktë. Mendoj që është një ndër momentet më të rëndësishme, kur diplomacia shqiptare në gjithë hapësirën e saj, duhet të rikthehet në dy komponentë të cilat po i mungojnë asaj sot. Së pari, krerët politik të dy shteteve shqiptare,  duhet t’u adresoheshin autoriteteve civile të shoqërisë dhe së dyti autoriteteve të ekspertizës diplomatike dhe politikës, sidomos në kontekstin gjeoekonomik dhe gjeopolitik rajonal. Këto dy komponentë kanë qenë të munguara gjatë gjithë këtij procesi dhe fatkeqësisht  edhe të pa konsultuara institucionalisht. Kjo qasje që ndanë dy nga shtetet e hapësirës shqiptare, përkatësisht Shqipërinë dhe Kosovën, përveç tjerash, po krijon një perceptim negativ, të një amoziteti diplomatik dhe politik, që mund të sjellë pasoja por edhe kosto brenda kombit. Në këtë pikëpamje, duket sikur qasja midis dy autoriteteve ekzekutive shqiptare, është gati antagoniste në perceptimin publik, përderisa njëri po e mbështet fuqishëm dhe po e proklamon si projekt të tij, ndërsa tjetri e refuzon si një projekt cenues për Kosovën.

Për ta evituar këtë perceptim dhe efektet apo kostot që mund t’i ketë  ‘’Open Ballkan’’, këto autoritete për të cilat folëm më lartë, kam parasysh  personat të cilët kanë kredibilitet të lartë publik, qoftë në besueshmëri qoftë në artikulimin publik, personat që i peshojnë çështjet e interesit shqiptar dhe lëvizjet strategjike që zhvillon politika për interesin kombëtar, duhet të shprehen menjëherë, duke ndikuar me autoritetin e tyre qoftë interpretues qoftë analizues dhe në mënyrë të veçantë edhe orientues. Kjo gjë duhet të kthehet, ajo që konsiderohet fatkeqësisht e munguar në luajalitetin e brendshëm të hapësirës shqiptare të botës intelektuale dhe të kapacitetit diplomatik. Përderisa këto struktura i kemi të heshtura, ky projekt, i cili ofrohet politikisht dhe institucionalisht, më shumë i nënshtrohet gjykmit mbi bazat e mendësisë konspirative. Për pasojë  kjo qasje mund të na shkaktoj një dëm tjetër, të cilin, me aktin e mbështetjes apo  pengimit, pro edhe keqinterpretimit, gjithsesi ne do te jemi humbës.

II.

Por t’i kthehemi çështjes. Ideja i Mini Shengenit i ka fillesat me gjasë në Dubrovnik, pastaj erdhi procesi i  Berlinit, ku u bashkuan gjashtë vendet e rajonit. Aso kohe reflektuan se, iniciativat ballkanike janë hedhur në tregun politik dhe gjeopolitik, me qellim që Ballkani Perëndimorë të mbahet në kursin e integrimit euroatlantik. Por, duke mos qenë në gjendje Europa për t’i tërhequr brenda këto vende, kanë menduar të krijojnë disa artifice, disa organizime tejra. Më i rëndësishmi në këto artifice duket është konsideruar procesi i Berlinit.

Në percepcion të parë, Procesi i Berlinit ishte më seriozi, ishte me atraktivi. Të gjitha vendet e Ballkanit e përqafuan me një entuziazëm  të jashtëzakonshëm. Mund të thuhet se entuziazmi ishte më i shprehur nga ana e tre liderëve që sot po pretendojnë ta krijojnë ‘’Open Ballkan-in’’. Më entuziast u dëshmuan kryeministri shqiptar dhe presidenti serb. Në takimin parë në procesin e Berlinit, kryeministri shqiptar u prezantua nga kancelaria gjermane Angela Merkel, si violina e parë e Ballkanit, ose si i interpretues i grupimit të liderëve ballkanik në Berlin. Kjo sepse Gjermanët synoni për krijimin e një tregu ballkanik e që qendra e tij do të ishte Tirana. Por me vonë, kjo iniciative gjermane apo mund ta quajmë edhe franko-gjermane, mbase së fundmi francezët kanë luajtur një rol tjetër të caktuar për të krijuar mekanizma të tjerë paralel artific ose të kundërt me procesin e Berlinit, dhe Mini-Shengeni apo ‘’Open Ballkan’’ është njëri prej tyre.

 III.

Për ti kuptuar këto artifice më qartë, na ndihmoi takimi i Shkupit. Në këtë takim u pa qartë se,   synimet serbe janë megjithatë, mirë të planifikuara, mirë të koordinuara. Aty u bë pothuajse publik fakti se, ky projekt ka qenë i përgatitur gjatë nga ana serbe, ai ka inspiruesit dhe mbështetësit e vetë si brenda BE-së edhe jashtë saj; si i tillë ka konceptin e vet, dhe strategjikisht pala serbe vepron e mbështetur edhe në strategjinë e qarqeve të caktuara për rajonin. Por, shkëputur nga ajo çfarë u tha më lartë, ne po e paraqesim thelbin e synimeve për  funksionimin e rajonit sipas çështjeve të pretenduara në takim.

Janë katër elemente bazike mbi të cilat pretendon të ngritët projekti në fjalë: mallrat, shërbimet, financat dhe tregun e punës, të cilat nga këndvështrimi im, e bëjnë këtë projekt vështirë të realizueshëm neglizhojmë fatin se, procesi i integrimit rajonal, ka filluar shumë vite më parë, konkretisht që nga viti 2003, kur qe arritur të nënshkruhet  ‘’Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit dhe Marrëveshja e Tregtisë së Lirë’’ nga ana e të gjitha  vendeve të Ballkanit, që kishin shprehur gatishmërinë, respektivisht vullnetin politik për integrimin në BE. Mirëpo, ajo që e pengon më së shumti procesin e integrimit të rajonit në BE, është pikërisht nacionalizmi i sëmurë serb, i cili shfaq hapur tendencat për hapësira territoriale në rajon, sidomos hapësirës verilindore të banuar nga shqiptarët. Kjo aspiratë e hapur e Beogradit zyrtar, bëhet pengesa më serioze për një organizim të tillë, siç po synohet të jetë ‘’Open Ballkan’’. Në fakt, Serbia synon ‘’ekspansion gjeografik’’, i cili lidhet me gjeoekonominë dhe gjeopolitikën rajonale. Përmes këtij ekspansioni ajo kërkon t’i siguroj tregjet e rajonit, me qëllim të mbajtjes  së ritmit të rritjes ekonomike dhe fuqizimin e kompanive prodhuese dhe shërbyese serbe.

‘’Open Ballkan” apo ekspansioni gjeografik, Serbisë i siguron rrugën konkurruese dhe kontrolluese për akselerim të rritës ekonomike, duke hapur qasje në tregje dhe konsumatorë të rinj, ndërsa Shqipërinë e largon nga perëndimi dhe e orienton drejtë lindjes. Këtu mund ti referohemi teorisë Merkantiliste-tregtisë ndërkombëtare, për bilanc pozitiv tregtar që synon Serbia duke eksportuar shumë më shumë se sa importon. Pra thënë më thjeshtë, maksimizimi i suficitit tregtar, në raport me shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor. Si shembull mund ta përmendim rastin e agresionit rus në shtetet e pavarura, që tregon për praninë e formave të vjetra të ekspansionit gjeografik, si rrugë për vendosjen e kontrollit në resurse dhe pasuri të atyre shteteve.

Pastaj ‘’Open Ballkan’’ krijon mundësi që në Ballkan të futen aktor jashtë BE-së dhe jashtë  ShBA-ve. Kjo nismë po pretendon të konkretizohet me projekte ekonomike me tregun e punës, me lëvizjen e lirë të mallrave, investimeve, e gjitha kjo do të qojnë subjektet e vendeve të Ballkanit të kenë të drejtën të blejnë pasuri të patundshme dhe të bëhen zotëruesit e tyre në secilin prej këtyre shteteve. Nëpërmjet Serbisë, do të ndodhi ajo çfarë ndodhi para disa dekadash në Malin e Zi, kur mafia dhe investitor të fuqishëm rus, do të derdhin parat në brigjet e Adriatikut në Shqipëri dhe në territorin shqiptar, me qëllimin e kapjes së sektorëve strategjik të ndryshëm, si të komunikacionit, energjetikës edhe sektor të tjerë të cilët kanë të bëjnë njëkohësisht edhe me sigurinë kombëtare të Shqipërisë. Në këtë kuptim, çdo iniciativë e tillë që nuk është brenda projektit të BE-së dhe atij të ShBA-ve, i hapë rrugë aktorëve të tretë për të qenë të pranishëm në forma të ndryshme. Iniciativa të tilla nuk janë thjesht ekonomike por edhe më tepër janë me synime gjeopolitike në rajon.

Sa i përket pretendimeve për integrim të tregjeve të punës, mund të marrim rastin e 10 vendeve të ish botës komuniste të cilat u pranuan si vende anëtare të BE. Ato fillimisht nuk pranuan ti hapnin tregjet e veta të punës pa një integrim të plotë që ndërlidhet me sigurinë e brendshme të fuqisë punëtore. Prandaj edhe në këtë rast, në rajonin e Ballkanit, do të duhej të krijohej një fleksibilitet i tregut të punës, sepse do ët jetë i pashmangshëm fluksi i madhë i fuqisë punëtore  nga vendet tona drejt BE-se.  Shih për këtë, rajoni nuk mund të  cilësohet si i integruar, në rast se brenda Ballkanit të hapur përfshhen vetëm  këto tri shtete inicuese, ndërkaq pa u  përfshi edhe tri vendet tjera – Kosova, Bosnja dhe Mali i Zi.  Serbia vazhdon të ketë pretendime ndaj që të tri republikave të papërfshira në kuaëdr të projektit; ato i druhen ekspansionit serb,mmeqë e njohin mirë qasjen e Beogradit.  Rrjedhimisht mund të konkludojmë se,  popujt e Ballkanit, pa zgjidhjen e problemeve politike, nuk do të munden kurrë të bashkëpunojnë në fushën ekonomike dhe në sektorët tjerë.

IV.

Sa i përket prioriteteve të paraqitura në takimin e Shkupit, që kanë të bëjnë me fatkeqësitë natyrore, ka kohë që këta akter janë ftuar nga Banka Botërore, që me ligj të veçantë, të krijojnë një sistem rajonal të mbrojtjes nga fatkeqësitë natyrore. Në këtë mënyrë do të krijoheshin institucione përgjegjëse për reagim, i cili do të duhej të ishte i menjëhershëm.

Ndërsa prioritetet e tjera në fushën e ekonomisë që ndërlidhet me energjinë, kryeministri shqiptar do të bënte mirë që të kujtoi se deri para pak kohësh, Sërbia për 10 vite e pengoi investimin e financuar nga gjermanët për të krijuar network-un e lehtësimit të importit të energjisë dhe pikërisht investimi i tyre ndërlidhej me InterConnection ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Pra, Serbia vazhdimisht luan diplomatikisht për tu dukur se është e hapur, por në momente të caktuara, qëndrimet e saj janë thjesht nacionaliste dhe destruktive.  Në funksion të qeverisjes dhe zhvillimit ekonomik, nga kryeministri shqiptar do të duhej të trajtohej me prioritet se kah po shkon bota në të ardhmen, duke e drejtuar ekonominë shqiptare kah digjitalizimi, i cili duhet të sigurojë që vendet e rajonit mos të ushtrojnë asnjë pengesë, që mund të ndikohen nga interesi i kompanive të cilat mund të kenë monopole të tyre nga njeri apo tjetri shtet. Në funksion të realizimit të digjitalizimit ekonomik rajonal, do të duhej që prezenca dhe shpejtësia e internetit të funksionoj në atë mënyrë që, në të gjitha vendet e rajonit të jetë sa më lehtë e realizueshme, sa me shpejtë për tu shërbyer dhe me kosto sa më të ulët nga shfrytëzuesit. Digjitalizimi i ekonomisë do të nënkuptonte që çdo nxënës në çdo cep të vendeve të Ballkanit,  të pasur apo të varfër, të kenë mundësi të marrin dijen, të kenë mundësi të ndajnë informacionin për shitblerje mallrash dhe produktesh, të kenë mundësi që ndërmjet këtij aksesi kaq të shpejtë dhe të lirë të mund të krijojnë të ardhura, e që në thelb synim i botës moderne sot është demokratizimi i parasë.

Elementi tjetër në fushën e ekonomisë do të ishte hekurudha, që  është pjesë e strategjisë së Bashkimit Evropian, për të përmirësuar aksesin e shteteve të Ballkanit perëndimor në sistemin hekurudhor evropian. Duke ditur se Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe Kosova gjithashtu është në rrugë të mirë drejtë saj, dy shtetet tona – Shqipëria dhe Kosova, duhet të bëhen udhëkryqi kryesor i stabilitetit ekonomik në këtë pjesë të Ballkanit. Gjithashtu dy shtetet tona, mbeten aleate strategjike me SHBA-të në të gjitha  proceset e rindarjes së sferës së interesit, rrjedhimisht edhe në atë të gjeopolitikës. Kryeministri shqiptar, tok me kolegun e tij kosovar,   do duhej të mendonin mirë për realizimin e përshpejtuar të unionit doganor, tregtar dhe atë energjetik, sikurse që pos përmes autostradës, ta lidhë Shqipërinë detare me atë kontinentale edhe me hekurudhën Durrës-Prishtinë. Në këtë mënyrë do të vijëzohej gradualisht rindarja e Ballkanit Perëndimor në Ballkanin Adriatik Shqipëri, Kosovë, Mali i Zi dhe Maqedoni Perëndimore. Kjo ndarje, tërësisht do të ishte pro amerikane. Çfarëdo marrëveshje që do të arrihej në mes  tre liderëve të iniciativës së Ballkanit të hapur (Vuçiqit, Ramës e Zajevit),  sa  i përket sistemit hekurudhor, e që do të ishte në kundërshtim me interesat tona kombëtare, strategjinë gjeopolitike dhe gjeoekonomike,  duhet të kundërshtohet si e tillë. Në fakt një marrëveshje e tillë nuk do të duhej fare të lejohej të ndodhte.

Në këto rrethana,  heshtja amerikane dhe mospjesëmarrja e kryeministrit të Kosovës në takimin e Shkupit, lënë për t’u kuptuar se megjithatë gjërat janë të kontrolluara.  Prandaj sipas kësaj që u tha me larte, takimi i fundit i përfaqësuesve të këtyre tri shteteve, më shumë ngjasonte si një aktrim, sesa që kishte diçka konkrete.

V

Në prononcimin e vet lidhur me këto pretendime,  kryeministri i Kosovës ishte shumë i qartë, kur thotë se, ne e kemi marrëveshjen e CEFTA-s. Kjo marrëveshje mbi të cilën po ta përmirësojmë implementimin e saj, sidomos në barrierat jo tarifore, nuk do të kishte nevojë për asnjë organizim tjetër shtesë. Mirëpo, për shkak të disa interesave të disa kompanive në rajon dhe për shkak të qëndrimeve nacionaliste dhe hegjemoniste serbe, janë shfaqur dhe po shfaqen probleme të vazhdueshme. Kryeministri Kurti gjithashtu deklaroj se nisma për ‘’Open Ballkan’’ më shumë i ngjan një Ballkanit të hapur për ndikimet nga lindja, sesa një nisme për treg të përbashkët për vendet e rajonit. Sipas tij, kjo nismë ku bëjnë pjesë Shqipëria, Maqedonia Veriore dhe Serbia, duhet të shoqërohet edhe me ballafaqimin e të kaluarës nga ana e Serbisë .
Pa përmbushjen e këtyre parakushteve themelore, nuk mund të ketë integrim të Ballkanit perëndimor.

Sikur këta tre lider do të synonin diçka të mirë për rajonin, gjëja e parë që do të duhej të ndodhte nga takimi,  ata do të duhej ta bënin kërkesën drejtuar BE-së që Kosovës, qytetarëve të saj,  t’i mundësohej lëvizja e lirë, së pari me BE-në pastaj edhe me këto tri shtete të cilat do të ndërlidheshin me tregun e punës. Në momentin që nuk ka vullnet të mirë politik, natyrisht për shkak të mbisundimit të politikës reale nga nacionalizmi agresiv serb, apo nga keqpërdorimi personal i takimeve të tilla, atëherë vije në dyshim kredibiliteti dhe pritshmëria nga këto takime, që jo pa të drejtë u cilësuan si  të bujshme.

Te gjithë ekspertet këshillojnë që Ballkani Perëndimor në tërësinë e tij, duhet të integrohet në BE si i tëri, sepse është me pak se popullsia e Rumanisë-23 milionë banorë, në mënyrë që vendet e rajonit të përfitojnë, duke i kryer të njëjtat reforma për tu bërë e njëjta arenë e ekonomisë, ku zbatohen me vullnet të plotë të gjitha politikat integruese dhe lehtësuese.

***

Pika me e dobët e këtij takimi ndërlidhet me bashkëpunimin e vendeve të dala nga shpërbërja e ish Jugosllavisë. Ne këtë tavolinë, ku mungon Kosova, e cila në fund të viteve 90-te e fitoj lirinë, duke shkallmuar zingjirët e kolonializmit serb; ku mungon Bosnja Hercegovina, por edhe Mali i Zi, pra kur mungojnë dy vendet kryesore të cilat nga shpërbërja e Jugosllavisë, dolën pas luftërave  të përgjakshme, atëherë shtrohet pyetja: ku është impakti për rajonin?

Në këtë aspekt, shihet qartë se, këso lloj takimesh, kanë të bëjnë më shumë me përpjekjet e protagonizmit individual të dy liderëve – atij të Shqipërisë dhe Serbisë. Duket se ata tashmë janë zhveshur nga çfardo përgjegjësie për të ardhmen e vendeve që i sundojnë si autokrat tashmë të dëshmuar. 
Synimet e BE-se janë për investime strategjike, ekonomike dhe nuk janë për investime preferenciale. Kjo ndërlidhet edhe me vizionin e kryeministrit të Kosovës i cili kërkon të punohet me seriozitet dhe përgjegjësi, duke mos vënë barriera në mënyre direkte apo indirekte, ashtu që të gjitha vendet e Ballkanit të futen në bllok drejtë anëtarësimit në BE. Gjithnjë sipas tij, Ballkani është i mbyllur për shkak të interesave të oligarkëve në sektor te rëndësishëm të ekonomisë nga secili vend, por edhe për shkak të nacionalizmit patologjik serb që shfaqet edhe më agresiv tani kur priten ndryshime cilësore si rezultat i ndërhyrjeve të Perëndimit, respektivisht rikthimit të vëmendjes së administratës së J. Biden-it ndaj Ballkanit Perëndimor.  Analistët dhe politikanët e shquar në skenën politike botërore, paralajmërojnë që Ballkani duhet të bëjë kujdes, meqë konfliktet e armatosura mund të ri ndizen prapë.

Pjesa mediatike e këtyre marrëveshjeve të proklamuara nga takimi i Shkupit, më shumë kishin anën skenike teatrale dhe reflektojnë marrëdhëniet ndërpersonale të dy protagonistëve, ndërsa çështjet ekonomike kanë një paradigmë tjetër. Kryeministri i Kosovës është me i qarte në qëndrimet dhe konceptet e tij, sepse që në fillim e kundërshtoi formën e konceptit  të Shengenit.

Kjo iniciativë, si e tillë, është e dizajnuar që të dështojë, sepse qëndrimet që mbajti kryeministri i Kosovës dhe ndryshimi jo vetëm i emrit, që u bë për të kaluar nga Mini Shengeni në ‘’Open Ballkan’’,  do të shoqërohet me detyrimin që të përfshihen të gjithë ose si projekt dështon fare. Ky projekt do të eci në qoftë se do të arrihet që me ndikimin e partnereve strategjik të përfshihen në mënyrë integrale të gjitha vendet e Ballkanit pa u përjashtuar asnjë.  Ndërkaq përfshirja e Kosovës nënkupton njohjen e saj paraprakisht nga Serbia.

VI

Ne kemi të gjitha arsyet e mundshme sot të jemi hapësirë kombëtare përfituese dhe nuk ka se si të jemi të nënshtruar, aq më tepër hapësirë e tolerimit për llogari të tjerëve. Përllogaritjet dhe komentimet, të cilat vijnë nga ekspertet e fushës së tregtisë, ekonomisë dhe të financave, nuk na japin një optikë avantazhuese për interesin tonë financiar dhe ekonomik, sidomos në relacionin midis Shqipërisë dhe Kosovës. Sot ky projekt meritohet të ndriçohet dhe interpretohet në mënyrën më logjike dhe në nivel ekspertësh edhe në këto fusha. Çdo interpretim pasionant dhe emotiv e dëmton interesin kombëtar, i cili mund të shkaktoj inkuadrime për çështje dhe interesa rajonale, duke e dëmtuar projektin më madhorë të shqiptareve në tri dekadat e fundit, e që  është ai i integrimit në BE. Shqiptarët janë në kohën më të favorshme, më të avancuar, për të bërë hapin vendimtar të progresit të tyre real, duke falënderuar aleancës me Perëndimin dhe mbështetjes nga Uashingtoni.

Por, cilat janë favoret e shqiptarëve në këtë kohë? Përderisa kufiri kombëtar Shqipëri-Kosovë ka barriera për këmbim ekonomik dhe po e redukton procesin e specializimit dhe të tregtisë, fillimisht do duhej që të mënjanohen këto barriera. Kjo do të krijonte mundësi që strukturat e tregjeve të dy vendeve,  të kenë efekte pozitive në produktivitet dhe rritje, duke u bazuar në madhësinë e tregut që do të krijohej për aktivitete ekonomike. Mbështetur në këto politika të përbashkëta të dy shteteve tona,  do të krijohej një kohezion i qëndrueshëm ekonomik, social dhe gjeopolitik.
Aktualisht janë në zhvillim tri reforma: në Tiranë, Prishtinë dhe në Shkup. Reformat në Shqipëri janë kërkesë urgjente e kësaj kohe politike, sepse krijojnë premisa për investime milardëshe të BE-së, në funksion të rregullimit të parametrave të tregut drejtë anëtarësimit të plotë në këtë organizëm.

Në funksion të çështjes kombëtare dy qeveritë tona, duhet të hartojnë  Strategjinë Kombëtare Shqipëri-Kosovë, të unifikojnë të drejtën me Kosovën, një marrëveshje për funksionimin bilateral të botës akademike shqiptare dhe krijimit të një tregu të përbashkët Shqipëri – Kosovë. Kjo do të ishte edhe në funksion të mbështetjes të të drejtave të gjithë shqiptarëve, duke përfshirë edhe Çamërinë. Në funksion të qeverisjes dhe zhvillimit ekonomik, duhet të ndërtojnë kolonat që e mbajnë një Qeveri të suksesshme si:  punësimi, raporti me tregun, raporti me kapitalin, raporti me politikën e jashtme dhe raporti  me aleatët tanë, të gjitha tok në funksion të forcimit të segmentit gjeostragjik, gjeopolitik dhe gjeoekonomik në rajon.


Spread the love


Leave a Reply