Kur politika dhe arti provokojnë ndërgjegjen kombëtare

Spread the love

Brezi i të rinjëve tani e ka të qartë se, nëse deri dje fati i Atdheut të tyre ishte pjesërisht në duart e Fuqive të Mëdha, sot ai është më shumë në duart e tyre.
Prandaj vetorganizimi, reagimi në raste si ky në Korçë, kur cenohet dinjiteti i një Kombi, merrë legjitimitet të plotë.

Shkruan: Dr Sadri RAMABAJA

Prishtinë, 7 gusht – Stavro Skendi njëri nga studjuesit më të spikatur të mendimit politik shqiptar, para së gjithash filleve të tij dhe zgjimit të ndërgegjes nacionale tek shqiptarët përgjithësisht, potencon se, ishte pikërisht GJUHA që i bënte shqiptarët të ndjenin që ata qenë të ndryshëm nga të tjerët dhe i falte atyre ndjenjën se i përkisnin të njejtit komb.

Gjuha dhe kjo ndjesi e përkatësisë së përbashkët, të qenunit NJË, e bën Kombin sot të frymojë bashkë, të njësohet edhe më shumë me emrin SHQIPËRI, kur dikush e provokon dhe tenton ta ndajë e përçajë.

Intencat për krijimin e një modeli tjetër të ngjashëm me ish Mbretërinë Serbo-Kroate-Sllovene, tashmë me emrin Open Ballkan, ku mbret pa kurorë do të ishte Aleksandar Vuçiqi, duke e shenjuar atë akt me një burbujë moderne në Festivalin e Birrës në Korçën tonë të dashur, e ku do të duhej të performonte një artist kontaverz serb, që kishte inspiruar e ushqyer soldatskën serbe në plojat gjithandej në ish Jugosllavi, e me theks në Bosnjë e Kosovë, është fyerja më e madhe që i bëhet pikërisht ndërgjegjes sonë nacionale, ndjesisë së të qenunit NJË.

Prandaj ky akt – ftesa për muzikantin serb, Goran Bregoviç në Festën e Birrës në Korçë, ka provokuar kundërveprimin e ligjshëm, reagimin masiv të shqiptarëve që duket se po organizohen dhe dynden drejt Korçës.
Reagim tejet sinjifikativ për seriozitetin e gjendjes së krijuar është ai i tifozëve Kuq e Zi: Me trupat tona do ta ndalojmë paraqitjen e Bregoviqit në Korçë!
Ata përmes thirrjes së publikuar në faqen e tyre të rrjetit social, ftojnë Bashkinë e Korçës të tërhiqet nga agjenda e planifikuar për festivalin e birrës.

Reagime emocionale kishte edhe nga bota e artit dhe personalitetet publike. Nga më të veçantët e më emocionuesit, ishin reagimet e dy artistëve tanë të mirënjohur: tenorit Ramë Lahaj, që ka pushtuar botën nga Londra në Sidnej, dhe ai i këngëtares së mirënjohur gjithandej në hapësirën shqiptare – Xhensila Myrtezaj.

Klasa e pandërgjegjshme politike, që ka sunduar shqiptarët gjatë gjithë periudhës së tranzicionit, e ka të vështirë ta kuptojë këtë uragan ndjesish që burim kanë ndërgjegjen e cenuar kombëtare.
Zhvillimet e reja politike në Kosovë, por edhe lëvizjet masive të të rinjëve tanë gjithandej në Perendim, ku shteti ligjor frymon natyrshëm e në përputhje me interesat e kombit, ka ndërgjegjësuar shumë më shumë një brezë të tërë, ngasa do të mund ta bënte politika, qoftë edhe ajo më e sofistikuara  e shtetit modern.

Rikthimi tek vetëvetja, prandaj shqiptarëve sot u vije si nevojë e brendshme e pjesërisht edhe si reaksion i domosdoshëm, dhe atë nga pozicioni i vetëmbrojtjes së imponuar. Ky brez, tashmë e ka të qartë se, nëse deri dje fati i Atdheut të tyre ishte pjesërisht në duart e Fuqive të Mëdha, sot ai është më shumë në duart e tyre.
Prandaj vetorganizimi, reagimi në raste si ky në Korçë, kur cenohet dinjiteti i një Kombi, merrë legjitimitet të plotë. Në raste të këtilla, kur politika dhe arti tok provokojnë ndërgejgjen kombëtare, vetorganizimi dhe reagimi si një trup i vetëm, rezulton të jetë mjeti i vetëm i shpëtimit.


Spread the love


Leave a Reply