Refuzimi i shërbimeve pas sulmit kibernetik

Spread the love

Refuzimi i shërbimeve pas sulmit kibernetik

Nga Dr Selim IBRAIMI [Tetovë/Njujork]

Sistemi i Fondit Shëndetësor në Maqedoninë e Veriut vazhdon të jetë i sulmuar dhe i bllokuar për disa ditë. Një bllokadë e përgjithshme pa një zgjidhje e cila vazhdon të mbetet sfidë e Ministrisë së Shëndetësisë dhe qeverisë në Shkup. Kjo nuk është hera e parë që disa sisteme në Maqedoninë e V. janë sulmuar qoftë nga aktorë të brendshëm dhe të jashtëm. Qëllimet dihen, një vend anëtarë i NATO-s të dëmtohet, dhe një shtet i brishtë si Maqedonia e V. t’i ndjejë pasojat sa më gjatë. Që nga viti 2016 –të, ne i kemi trajtuar disa aspekte të luftës dhe sulmeve kibernetike në Ballkan, dhe më konkretisht me çka Shkupi zyrtarë mund të ballafaqohet në të ardhmen. Për lexuesit tanë me rëndësi është që të bëjnë dallimin në mes luftës kibernetike dhe sulmeve kibernetike. Me luftë kibernetike kuptojmë veprimet e një shteti ose të një organizate ndërkombëtare për të sulmuar rrjetet e informacionit, kompjuterët ose pjesë të infrastrukturës kritike. Kurse sulmi kibernetik lidhet me një një haker i mbështetur nga një shtet ose nga një qeveri i cili mundohet të hakojë p.sh. Bankën e Austrisë, të SHBA-së, të Gjermanisë të Shqipërisë, të Maqedonisë së V. ose një institucion tjetër. Pra lufta kibernetike ka të bëjë me një akt kundër një shteti ose aleatëve në përgjithësi, dhe dallon nga sulmi kibernetik individual ndaj një institucioni i mbështetur po ashtu nga një qeveri. Luftë kibernetike kemi pasur dhe vazhdojmë të shohim në Ukrainë nga Federata Ruse e cila me muaj vazhdon të sulmojë infrastrukturën e përgjithshme të Ukrainës. Tani të shohim në detaje disa nga format e luftës kibernetike dhe hibride, ku siç e dimë Rusia, Kina dhe Irani viteve të fundit janë aktorët kryesorë të organizimit të sulmeve. Të fillojmë me sabotimin. “Sabotimi” na kujton “Mbrojten dhe Sigurinë” në kohën e RSFJ-së. Sabotimi ka të bëjë me një akt të qëllimshëm për të dëmtuar kundërshtarin dhe armikun. Tek “Fusha e informacionit sekret dhe të ndjeshëm”, përfshihen organizatat dhe institucionet që mbajnë të dhëna sekrete dhe tepër të klasifikuara. Organizata të ndryshme dhe palë të treta tentojnë të hynë në sisteme dhe të vjedhin të dhënat qofshin të koduara ose gjysëm të klasifikuara. Ndonjëherë të dhënat mund të jenë të qytetarëve që përfshinë identitetin dhe kartelat bankare. Pastaj vjen “Spiunazhi”, i cili ka të bëjë me vjedhen sekrete të të dhënave ushtarake, ekonomike dhe të tjera ndaj një shteti tjetër. Në luftën kibernetike ose sulmin kibernetik, spiunazhi shpeshherë përfshinë sulmin e kompjuterëve për të marrë të dhënat sekrete. Tjetër, “Sulmi i mohimit të shërbimit”, pikërisht përdoret për të shkatëruar një faqe interneti që përdoret nga qytetarët, personeli arsimorë, zyrtarë, teknikë, personeli mjekësorë etj etj. Qëllimi i këtij sulmi është të bllokojë qasjen në sisteme të caktuara. Ky lloj sulmi ka ngjajshmëri me gjendjen aktuale në Sistemin e Shëndetësisë së Maqedonisë së V. “Rrjeti i energjisë elektrike dhe rrjeti i telekomunikacionit”, gjithashtu janë pjesë të rëndësishme të infrastrukturës kritike ku ushtrohen sulme, dhe ku mund të shkaktohen mijëra të vdekur, lëndime dhe dëme të mëdha materiale. Kur jemi tek “Propaganda”, është e qartë se aq shumë është përdorur viteve të fundit, sa që shumica dërmuese e opinionit e ka të qartë se çka përfshinë ky segment në luftën hibride dhe  në sulmet kibernetike. Sulmet që përmbajnë propagandë, shfrytëzohen nga shtetet dhe organizatat për të kontrolluar opinionin publik. Përdoren për të përhapur të pavërtetat në ngjarje dhe dukuri që qytetarët të humbasin besimin në qeverinë ose të ndryshojnë qëndrimin. Ka edhe metoda tjera siç janë përçarjet ekonomike, etnike dhe sociale që shtetet i shfrytëzojnë për t’i arritur objektivat. P.sh. Rusia në SHBA e përdor kartën raciale dhe sociale për të shpërndarë propagandën e vet, dhe njëkohësisht për të ndikuar në dallimet në mes racës së bardhë dhe të zezë. Në Ballkanin Perëndimor, shtetet e  treta e përdorin kartën fetare, etnike dhe sulmet mbi sisteme të caktuara për të parandaluar qasjen e personelit. Në vitet që vinë, shtetet dhe ekipet profesionale kombëtare në bashkëpunim me NATO-n, do të duhet të përqendrohen në këto tre fusha të theksuara më lartë. Shkollimi i kuadrove dhe trajnimet disa mujore të personelit nga institucionet që mund të preken nga sulemet kibernetike do të bëhet domosdoshmëri për shtetet e Ballkanit Perëndimor si anëtare në NATO ose për shtetet që janë pjesë e Partneritetit për Paqë. Ditë më të mira për botën digjitale dhe institucionet që synojnë po ashtu digjitalizimin nuk do të vijnë. Është koha për gatishmëri dhe ndërgjegjësim prej sulmeve kibernetike në nivel lokal, kombëtarë dhe rajonal.


Spread the love


Leave a Reply