“Serbia është një vend i kapur”

Spread the love

Dragana Rakiq për sjelljen autoritare të qeverisë, lidhjet e ngushta me Rusinë, integrimin në BE dhe kritikat ndaj politikës së migracionit.

Dr Dragana Rakiq është nënkryetare e Partisë Demokratike dhe deputete e Kuvendit të Serbisë.

Intervistuan: Kirsten Schönefeld dhe Nikolaos Gavalakis / IPG

Nga njëra anë, Serbia mban tradicionalisht lidhje të ngushta me Rusinë. Në të njëjtën kohë, vendi është gjithashtu një kandidat për anëtarësim në BE. A do të duhet së shpejti Beogradi të vendosë se cilën rrugë të shkojë?

Marrëdhëniet tradicionalisht të mira me Rusinë janë kultivuar kryesisht nga Sllobodan Millosheviqi në dekadat e fundit. Presidenti aktual serb Aleksandar Vuçiq po e ndjek pa probleme politikën e tij. Serbia ka pasur fat të keq  të qeveriset nga ky lloj politikanësh, madje pothuajse vazhdimisht që nga vitet 1990. Në këtë mes, ka pasur vetëm një pauzë të shkurtër prej shtatë vitesh, gjatë së cilës Partia Demokratike pati mundësinë ta çojë Serbinë drejt Evropës, ku edhe i takon. Megjithatë, propaganda e fortë ka arritur të formojë një imazh të Serbisë si një vend i përkushtuar padiskutim Rusisë. Por e vërteta është se qeveritë nacionaliste në Serbi thjesht kanë interesa të pajtueshme me regjimin nacionalist të Vladimir Putinit.

Kur qytetarët serbë kërkojnë një vend më të mirë për të jetuar, ata lëvizin në Perëndim – në SHBA, Gjermani, Kanada, Skandinavi – dhe jo në Rusi. Të rinjtë nga Serbia studiojnë në universitete në Perëndim, dëgjojnë muzikë nga grupet atje dhe blejnë mallra me marka vendore. Afrimi i Serbisë me Rusinë nuk mund të jetë një projekt i suksesshëm politik, aq më tepër që është plotësisht në kundërshtim me emocionet e dukshme të qytetarëve. Afrimi me Rusinë është mjaft shkatërrues për të sabotuar rrugën e Serbisë drejt BE-së. Gjithçka ka të bëjë me interesin vetjak të Aleksandar Vuçiqit. Kërkoj nga partnerët tanë perëndimorë ta kuptojnë këtë. Serbia duhet të marrë një vendim, por forma autokratike e qeverisjes nuk e lejon. Vendi është peng i strukturave kriminale nacionaliste. Serbia është një vend i kapur dhe, si çdo peng, ka nevojë për ndihmë dhe solidaritet.

Si pjesë e të ashtuquajturit “Procesi i Berlinit”, gjashtë vende shumë të ndryshme në Ballkanin Perëndimor po shkëmbejnë pikëpamje mbi bashkëpunimin rajonal dhe afrimin me BE-në – deri më tani me një sukses mjaft modest. Sa premtues është ky format dhe si i vlerësoni rezultatet e samitit të kaluar?

Ne kemi nevojë për më shumë se sa është arritur deri tani. Prioriteti është që Serbia të mos devijojë nga rruga e integrimit në Bashkimin Evropian. Megjithatë, asgjë nuk është arritur në dhjetë vitet e fundit. Në masën që procesi i Berlinit nënkupton pjesëmarrje më aktive të qeverisë gjermane dhe mbështetje për Serbinë në përmbushjen e standardeve në rrugën drejt anëtarësimit në BE, atëherë kjo është e dobishme. Ajo që nuk ka kuptim, megjithatë, është politika e “stabilokracisë” që ish-kancelarja Angela Merkel parashikoi për Serbinë, me ndihmën e një prej autokratëve të saj të përkëdhelur nga Evropa Lindore, Aleksandar Vuçiq. Arsyeja pse populli i Serbisë po heq dorë nga lufta për integrim në BE është mbështetja nga zyrtarët evropianë të një njeriu që e ktheu Serbinë në epokën e errët të Sllobodan Millosheviqit. Ne presim mbështetje nga Gjermania në përpjekjet për të rikthyer demokracinë në Serbi. Kjo është e nevojshme për zhvillimin e ardhshëm, duke filluar nga një zgjidhje për Kosovën dhe duke përfunduar me integrimin evropian.

Pasiguria kryesore me të cilën përballet publiku në Ballkanin Perëndimor është se cila iniciativë rajonale do të mbizotërojë. Dilema e dytë ka të bëjë nëse iniciativat ekzistuese rajonale janë zëvendësim për anëtarësimin në BE. Qytetarët e Ballkanit Perëndimor kanë nevojë për një mesazh të qartë se BE-ja dëshiron që Ballkani Perëndimor të jetë pjesë e BE-së. Së treti, në mënyrë që procesi i Berlinit të japë rezultate përkatëse, duhet shpjeguar lidhja mes tij dhe nismës Ballkani i Hapur. Procesi i Berlinit është i lidhur qartë me procesin e integrimit evropian dhe përfshin të gjitha vendet kandidate, gjë që nuk është rasti me nismën e Ballkanit të Hapur. Bashkëpunimi rajonal ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor është i domosdoshëm, por duhet të ketë edhe një synim, strukturë dhe një dinamikë të paracaktuar. Nga sa është parë deri më tani, vetëm tre vende janë të lidhura në Iniciativën e Ballkanit të Hapur dhe kjo nismë nuk është e lidhur qartë me procesin e integrimit evropian.

Serbia është përballur me kritika të ashpra për politikën e saj të vizave dhe faktin se gjithnjë e më shumë refugjatë po hyjnë në BE përmes rrugës ballkanike. Si e vlerësoni situatën dhe gjendjen e refugjatëve në Serbi?

Serbia është treguar shumë bashkëpunuese kur është fjala për transportin e mëtejshëm të refugjatëve nëpër territorin e saj. Problemi është se ka injoruar plotësisht çështjen e azilit apo strehimit për disa prej refugjatëve dhe emigrantëve. Ky regjim do të mbahet mend edhe si mikpritës edhe ndaj bashkatdhetarëve të vet që ishin tërhequr nga zonat e shkatërruara nga lufta gjatë luftës në vitet 1990. Nacionalistët i nxitën dhe i futën fillimisht këta njerëz në këtë luftë, dhe më pas kur humbën lufta, 600 mijë njerëz u lanë të merren me vetveten. Serbia gjithashtu shkeli ligjin ndërkombëtar kur ekstradoi shtetas turq që kishin kërkuar azil duke ikur nga regjimi i Erdoganit. Parë nga ky këndvështrim, mund të kuptohet edhe mungesa e besueshmërisë së kësaj qeverie, e prej këtu edhe problemet me emigrantët, për të cilët Serbia është quajtur pikë e dobët në Evropë.

Ju keni kritikuar prej kohësh stilin autoritar të qeverisjes së presidentit të vjetër Aleksandar Vuçiq. Ku i shihni problemet më të mëdha dhe ku e shihni nevojën për ndryshim?

Nuk është thjesht një stil autoritar i qeverisjes, por një autokraci e llumpenit të pastër. Problemi më i madh është se të gjitha institucionet në sistem i kanë detyruar të heshtin. Përveç kësaj, u krijua një sistem paralel i institucioneve përtej shtetit, i cili është nën kontrollin e figurave kryesore të Partisë Progresive Serbe të Vuçiqit. Nuk ka as media të lirë dhe as gjyqësor të pavarur. Ne kemi nevojë për gjykata që mbrojnë qytetarët nga autoritetet, dhe jo anasjelltas.

Aleksandar Vuçiq duhet të zëvendësohet. Që kjo të ndodhë duhet të mundësohen zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe shteti të dekriminalizohet. Në Serbi nuk bëhet fjalë për zëvendësimin e një grupi politik, por për një strukturë kriminale që merret përveç tjerash edhe me politikë. Ne kemi nevojë për një vizion se si duhet të duken ndryshimet dhe ku po çojnë ato. Rezultati duhet të jetë: Serbia si anëtare e Bashkimit Evropian, duke kapërcyer të metat dhe duke sjellë cilësitë e veta. Ne duhet të ulemi me partnerët tanë perëndimorë dhe të hartojmë një plan dhjetëvjeçar, jo vetëm për Serbinë, por për të gjithë rajonin. E them qëllimisht dhjetë vjet, sepse këtu problemet mund të zgjidhen shumë shpejt nëse ka vullnet. Populli i Ballkanit do të ndjejë shpejt përfitimet e Bashkimit Evropian dhe Evropa mund të gëzojë shpejt përfitimet e një Ballkani të konsoliduar. [Përktheu: ISHGJ]


Spread the love


Leave a Reply