Fjalimi i Putinit për gjendjen e kombit – Ukraina, a kishte gjë të re?

Spread the love

Presidenti rus vlerësoi fuqinë e vendit për më shumë se dy orë. Lufta në Ukrainë vështirë se luan një rol. Kjo gjithashtu lejon që të nxirren përfundime për Perëndimin.

Nga Simon Zeise [Berliner Zeitung]

Fjalimi i Vladimir Putin për gjendjen e kombit ishte i mërzitshëm. Për fat të mirë. Paraprakisht, në shumë qarqe kishte frikë se Rusia do të njihte shkëputjen e Transnistrisë nga Republika e Moldavisë në mënyrë që të aneksonte territorin dhe të niste një ofensivë në qytetin port ukrainas të Odessa-s. Ukraina atëherë nuk do të ishte më e qëndrueshme ekonomikisht.

Por gjërat dolën ndryshe. Po të dëgjoje fjalimin e Putinit, shumë pjesë të tij rezultonin sikur vendi nuk ishte fare luftë. Presidenti ligjëroi për një kohë të gjatë për sukseset ekonomike të Rusisë dhe për arritjet sociale që duhet të arrihen ende. Putini e përshkroi Rusinë si ekonominë më të madhe në Evropë. Vendi së shpejti do të bëhet ekonomia e katërt më e madhe në botë – pra do ta kalojë Gjermaninë.

Kërcënimet perëndimore nuk kanë asnjë efekt

Vetëbesimi që shfaqi Putini nuk është rastësi. Ekonomia ruse i ka tretur sanksionet perëndimore më mirë se sa kishin shpresuar qeveritë në Uashington, Bruksel dhe Berlin. “Opsioni bërthamor” në tregjet financiare – përjashtimi nga sistemi global i pagesave Swift, ngrirja e aseteve të Bankës Qendrore Ruse – ka dështuar kryesisht.

Ushtria ruse po fiton gjithnjë e më shumë epërsinë në fushën e betejës në Ukrainë. Përpjekja e një force speciale ukrainase për të rimarrë ishullin Tendra të aneksuar nga Rusia në Detin e Zi, doli të ishte një mision vetëvrasës. Frika e Kievit se një ofensivë ruse në verë do të vendosë luftën nuk duket joreale. Perëndimi nuk është në gjendje të furnizojë forcat e armatosura të Ukrainës me municion të mjaftueshëm. SHBA-të po bëhen gjithnjë e më të lodhura nga lufta dhe duan të rëndojnë evropianët me financime të mëtejshme.

Perëndimi, nga ana tjetër, shfaqet gjithnjë e më i pafuqishëm. Qoftë fushata e nisur nga amerikanët në Konferencën e Sigurisë së Mynihut se Rusia do të vendoste bomba atomike në hapësirë, qoftë kërkesa e Macron-it që trupat tokësore të NATO-s të ndërhyjnë në Ukrainë: Duke pasur parasysh zhvillimet realpolitike, ato duken si thirrja e fundit për rezistencë. Vetëm kancelari federal tregoi largpamësi duke refuzuar kërkesën për raketa lundrimi Taurus dhe në këtë mënyrë duke mos dashur të sjellë “luftën në Rusi”.

Kërkesat perëndimore për një përshkallëzim të mëtejshëm të luftës ndoshta synojnë më shumë popullsinë e tyre. Ato nuk perceptohen si një kërcënim realist në Moskë. “Ata mendojnë se kjo është një lloj loje. Ata janë të verbuar nga kompleksi i tyre i epërsisë,” tha Putin, duke njoftuar se kalimi i vijave të kuqe dhe ndërhyrja aktive e NATO-s do të kishte pasoja të rënda: “Ata, më në fund, duhet të kuptojnë se ne kemi gjithashtu armë që mund të arrijnë objektivat në territorin e tyre”.

Premtimi qendror i Putinit për elitën ruse: Nuk ka garë armësh me Perëndimin si në epokën e Bashkimit Sovjetik

Prandaj, nuk ishte një fjalim që përshkruante një zgjidhje të negociuar për luftën në Ukrainë. Putini e portretizoi Rusinë si një komb të aftë për të luftuar për shumë vite në vijim. Njerëzit në Moskë nuk duken të impresionuar veçanërisht nga planet e mëdha të armatimit të BE-së, për të cilat Ursula von der Leyen njoftoi të mërkurën. Evropianët janë shumë të ndarë për të qenë në gjendje të bien dakord shpejt për zhvillimin dhe financimin e një infrastrukture të përbashkët. Kriza e euros dhe pandemia e koronës e dëshmuan qartë këtë, pse lufta në Ukrainë duhet të jetë ndryshe?

Putini e di se sa i rëndësishëm është balancimi i interesave të grupeve të ndryshme me ndikim në shoqëri. Industria, ushtria, financat e larta: të gjithëve u prekën në fjalimin e tij. Ai e ka shfrytëzuar këtë forcë që kur mori frenat në 1999. Oligarkët lejohen t’i shërbejnë vetes për aq kohë sa nuk plaçkitin shtetin. Një Gentlemen’s Agreement [marrëveshje zotërinjsh] që prishet rrallë.

Fjalia më e rëndësishme për përfaqësuesit e elitës ruse të pranishëm gjaët këtij fjalimi, ishte garancioni i Putinit se Rusia nuk do të binte në grackën e zhytjes në një garë armësh me Perëndimin si Bashkimi Sovjetik. Premtimi është sigurimi i jetës së Putinit.

Për sa kohë që mund të shmangë një krizë të rëndë në vend, ai nuk ka frikë nga opozita. Ne pamë verën e kaluar se sa shpejt mund të ndryshojë batica. Kur Yevgeny Prigozhin dhe grupi i tij Wagner u rebeluan dhe ishin në prag të pushtimit të Moskës, ditët e Putinit papritmas dukeshin të numëruara. [Përktheu: ISHGJ]


Spread the love


Leave a Reply