FSK-së edhe 302 ushtarë të rinj

Spread the love

[22 shtator 2023]

Forcës së Sigurisë së Kosovës iu shtuan edhe 302 ushtarë të rinj. Në ceremoninë solemne të diplomimit, atyre iu ofrua mbështetje nga institucionet shtetërore për ta vazhduar rrugëtimin në shërbim të qytetarëve dhe të shtetit

Nga 317 rekrutët e Forcës së Sigurisë së Kosovës që iu nënshtruan stërvitjeve ushtarake dymujore, 302 arritën të diplomohen të premten.
Stërvitjet që nisën më 24 korrik u përmbyllën me një ceremoni solemne në kazermën “Skënderbeu” në Ferizaj, në të cilën morën pjesë përfaqësues të institucioneve qendrore dhe atyre lokale.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedoncit, theksoi se uniforma që do ta mbajnë rekrutët e rinj e ngërthen peshën e vullnetit dhe gatishmëri për t’iu shërbyer qytetarëve dhe shtetit.
“Mbështetja nga Qeveria dhe vazhdimësia e mbështetjes nga partnerët tanë, në veçanti nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e NATO-s, po japin rezultate të dukshme dhe të përditshme si në aspektin e zhvillimit profesional të ushtarakëve tanë e gjithashtu në kompletimin e pajisjeve dhe sistemeve moderne të armatimit”, deklaroi Maqedonci.
Ushtarëve të rinj iu drejtuar edhe komandanti i Doktrinës dhe Stërvitjes, Jeton Dreshaj.
“Sot ju bëheni pjesë e traditës ushtarake të vendosur ndër vite, themelet e së cilës vijnë nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga komandanti ynë Adem Jashari dhe nga sakrifica e dëshmorëve të kombit. Përgatitja dhe edukimi juaj ushtarak është një linjë vazhdimësie në zhvillimin dhe gatishmërinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës”, tha ai.

E rekrutët e rinj e bënë betimin për të qenë përherë në shërbim të shtetit të Kosovës.

“Dua ta përmendi se si pjesëtare që e kam prindin dëshmor ndihem shumë krenare që mundem ta vazhdoj punën që ai e ka lënë dhe unë shpresoj se do të arrij më të mirën që ta bëj atë krenar dhe shtetin tonë krenar”, theksoi rekrutja Kaltrinë Kurteshi.

Rekruti Lekë Zekaj, tha se ndihet shumë krenar për arritjen që ka bërë.
“Ndihem shumë krenar për arritjen që e kam bërë deri sot. Ka qenë një prej sakrificave që shumë të rinj e bëjnë për të ardhur deri në këtë moment. Prej fëmijë kur kam qenë kam pasur dëshirë të jem pjesëtar i FSK-së dhe e kam trashëgimi prej babit”, theksoi Zekaj.

Familjarët e disa prej ushtarëve të rinj shprehën krenarinë për arritjet e tyre, tek e theksuan rëndësinë e mbrojtjes së shtetit.
“I kam thënë duhet me qenë i vendosur për vendin tënd dhe të bëhet ushtria për ta ruajtur vendin tënd dhe jo me dalë jashtë shtetit, por me punua për vendin tënd”, tha familjarja Nazmije Bujari.

Krenar thotë se ndihet edhe familjari Halik Malaj.
“Ose sot të ndihemi të kënaqur ose asnjëherë tjetër sepse ky popull shqiptar ka dhënë shumë dhe është derdhur shumë gjak për këtë ditë. Boll kemi pasur trazira që dikush i ka përjetuar dhe dikush i ka dëgjuar”, theksoi Malaj.

Në përfundim të ceremonisë, ushtarët e rinj të FSK-së i demonstruan disa ushtrime fizike para qytetarëve e familjarëve të pranishëm. [Koha]


Spread the love


Leave a Reply